Argjentina: modeli si përballen kostot e krizës KORONA
Në Argjentinë pasuria që kalon shumën prej 2 milion eurove do të taksohet. Për rrjedhojë, qeveria pret të ketë të ardhura shtesë prej rreth 3.15 miliardë euro — që korrespondon me një të tretën e kostove totale të krizës
Shkruan: Dr Sadri Ramabaja
Prishtinë, 28 prill — Në Argjentinë super të pasurit së shpejti pritet të mbushin arkën e shtetit, respektivisht fondin për përballjen e krizës që ka shkaktuar kriza e koronës. Qeveria e qendrës së majtë vendosi për një taksë të re mbi të pasurit, respektivisht super të pasurit, që zotëronë mbi dy milion euro.
Kjo ndërmarrje ka për qëllim të financojë një të tretën e kostove totale të krizës.
Në Kosovë gjykohet se mbi 35 përqind e të aftëve për punë, janë të papunë, rrjedhimisht raste sociale. Një pjesë e mirë edhe e atyre që janë të angazhuar, respektivisht kanë një vend pune, por që paga e tyre nuk kalon shumën prej 300 eurosh, to me ata që janë barrë sociale, janë de fakto bartësit real të kostos së pandemisë, ndërkaq përfitues tutje mbeten punëdhënësit. Pothuajse të gjitha shtetet kanë aplikuar aprovim paketash ekonomike për të mbështetur ekonominë me shuma të mëdha parash. Duket se është evidente: Kriza e Koronës godet ata që kanë pak, tepër pak, ose siç thotë populli, ata që janë të hollë nga takati.
Në Austri, 80% e të ardhurave nga taksat, vijnë nga punonjësit dhe konsumatorët.
Me aprovimin e aktit juridik “Ligji mbi solidaritetin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të pasurive të mëdha” (Ley de Aporte Solidario y Extraordinario de las Grandes Fortunas), taksa për të pasurit në Argjentinë supozohet të financojë një të tretën e kostove të krizës korona. Në Argjentinë pasuria që kalon shumën prej 2 milion eurove do të taksohet. Për rrjedhojë, qeveria pret të ketë të ardhura shtesë prej rreth 3.15 miliardë euro — që korrespondon me një të tretën e kostove totale të krizës.
Ky model, do të ishte fare lehtë i aplikueshëm në Shqipërinë politike dhe në Republikën e Kosovës. Këtë hap ndërkohë e ka paralajmruar se do ta pasojë Bolivia. Këtë model tashmë e kanë ndjekur disa vende gjithandej në Evropë dhe botë.
Spanja është ndër të parat që pasoi Argjentinën. Në Spanjë, të ardhurat vjetore nga 300,000 euro do të tatohen më shumë në të ardhmen në dobi të këtij akti solidariteti. Asetet e mëdha private mbi 10 milion euro do të tatimohen enkas. Qeveria spanjolle, e drejtuar nga socialdemokratët dhe partia e majtë PODEM-os, pretendon të financojë sistemin shëndetësor dhe vendet e punës në krizë.
Në këtë plan deri tashti në dy republikat tona nuk kanë ndërmarrë diç konkrete që do të shkarkonte arkën e Shtetit, duke aplikuar këtë lloj taskse të solidaritetit.
Qeveria e Republikës së Shqipërisë për të zbutur krizën e shkaktuar nga virusi, ka vendosur në dispozicion përmes Akteve Normative dhe Vendimeve të Këshillit të Ministrave:
• Dy Paketa Financiare si mbështetjen sociale për qytetarët dhe bizneset;
• Buxhet shtesë për sektorin e shëndetësisë;
• Buxhet shtesë për sektorin e mbrojtjes për punën e tyre humanitare;
• Shtesë në Fondin Rezervë për shpenzime të tjera të nevojshme dhe të paparashikuara.
PAKETA 1 — Mbështetje për biznesin e vogël dhe qytetarët
PAKETA 2 — Mbështetje për sipërmarrjen dhe punëmarrësit
Ngjashëm kanë vepruar edhe qeveritë kosovare.
* * *
Bllokimi i detyruar i segmenteve të veçanta ka dëmtuar ekonominë çdo ditë e më shumë. Politika pritet të përballet gjithandej me kërkesa të reja edhe gjatë muajve në vijim. Por, për dalje nga ky rreth vicioz, për aq kohë sa të arrihet vaksinimi i shumicës së popullsisë, edhe politika duhet t‘i parashtrojë kërkesa ekonomisë, para së gjithash të pasurve dhe super të pasurve.
Se a e cilësojmë si diçka ogurzezë apo kumt i mirë, KOVID-19, në një mënyrë apo tjetër, varësisht se si navigojmë në rrafshin global, na e ka ndryshuar jetën ne si qytetar, por po e ndryshon edhe botën. Ky ndryshim po tërheq vija të reja në hartën gjeopolitike të botës (pa përjashtuar as liritë tona), duke përcaktuar edhe rregullat e reja të lojës. Në pjesën më të madhe edhe përmes krijimit të aleancave të reja, në këtë rend të ri botëror që po formësohet në trajtën e një Shteti të Thellë Global, si po cilësohet në qarqet akademike, duke u prezantuar gjithnjë e më shumë si strukturë reale, ashtu si edhe vetë Shteti i thellë korporatist, militarist e industrialistë amerikan, po shihet si një Autoritet i lartë i Sigurisë. (John W. Whitehead:2021)
Këtij rendi të ri botëror ne i ishim përafruar edhe në dekadën e parë të këtij shekulli, por KOVID-19, konform interesave të qeverive dhe korporatave, këtë transformim e ka bërë pothuajse akt të kryer.
Jeta dhe liritë tona rrjedhimisht ndikohen nga konvergjenca ndërkombëtare e interesave të korporatave qeveritare dhe fitimprurëse në shtetin e mbikëqyrur, madje tok me komplekset industriale ushtarake, industrinë private të burgjeve, sektorin e inteligjencës, sektorin e sigurisë, sektorin e teknologjisë, sektorin e telekomunikacionit, sektorin e transportit, industrisë farmaceutike dhe, së fundmi, me e nga sektori farmaceutik-shëndetësor.
Të gjithë këta sektorë janë të dominuar nga mega-korporatat që veprojnë në një shkallë globale dhe punojnë përmes kanaleve qeveritare për të rritur marzhet e fitimit të tyre. Politikat e drejtuara nga fitimi i këtyre gjigandëve të korporatave globale ndikojnë në gjithçka, duke filluar nga politikat legjislative te ekonomia e çështjet mjedisore deri te kujdesi mjekësor.
* * *
Ndërkohë FMN ka paralajmruar se, korona po thellon hendekun mes të varfërve dhe të pasurve. Të dhënat më të reja të FMN-së thonë se, vendet e varfëra të botës do të duhej të jipnin në pesë vitet e ardhshme 200 miliardë dollarë, vetëm për të zbutur pasojat e pandemisë. 250 miliardë dollarë të tjerë janë të nevojshëm për tu futur në hullinë e zvogëlimit të prapambetjes kundrejt shteteve të pasura.
Dekada në vazhdim karakterizohet nga paqëndrueshmëria, pasiguria, kompleksiteti dhe paqartësia (VUCA); këto propozime, parime dhe koncepte janë tema kryesore e një punimi akademik të shkruar nga Mathew Maavak, me titull: “Horizonti 2030: A do të zbulojnë rreziqet në zhvillim sistemet tona globale?”
Në punimin e tij, Maavak thekson mendimet e ekonomistit amerikan John Mauldin (2018) i cili ka paralajmëruar se “vitet 2020 mund të jenë dekada më e keqe në historinë e SHBA” dhe mund të çojë në një Depresion të Dytë të Madh.
Sipas autorit: “FMN veçon zgjerimin e pabarazisë së të ardhurave si shkas për Depresionin e Madh pasues (Georgieva, 2020). 1% -shi i njerëzimit zotëron tani dy herë më shumë se sa zotërojnë tok 6.9 miliard njerëz (Coffey et al, 2020) dhe kjo humnerë po thellohet çdo ditë ës pikërisht si rezultat i COVID-19. Por kjo pandemi njkohësisht po e rritë pasurinë e miliarderve në rrafshin global në përmasat e 10.2 trilionëve dollarë vetëm deri në korrik të vitit 2020 (UBS-PWC, 2020). PBB-ja globale, me vlerë 88 trilionë dollarë në vitin 2019, mund të jetë tkurrur me 5.2% në vitin 2020 (Banka Botërore, 2020). ” (Eurasia Review: 2021)
Kujtojmë që SHBA tashmë ka bllokuar diskutimet e mëtejshme në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) mbi heqjen e pronësisë së vaksinave.
Dje htëpia e Bardhë u njoftua se po shqyrton opsionet për t’i bërë vaksinat Covid-19 maksimalisht të disponueshme dhe të lira, tha zëdhënësja Jen Psaki për Reuters. Opsioni që ata po shqyrtojnë është gjithashtu “heqja e të drejtave të pronësisë intelektuale mbi këto vaksina”, tha ajo.
Nëse mirret ky vendim, atëherë vaksinat amerikane (Modern, Pfizer, Johnson & Johnson) do të mudn të ishin në dispozicion shpejt, më lehtë dhe më të lirëat në të gjithë botën, duke ulur kështu edhe koston për shtetet veç e veç.
Ku do ta kishin vendin në këtë tabelë dy republikat tona (Shqipëria politike dhe Republika e Kosovës), kur bëhet fjalë për të ardhurat nga taksat mbi pasurinë milionshe që zotërojnë një kategori e bashkëkombasve tanë?
Burimi: OECD mit Daten von 2015, Grafik: Arbeiterkammer OÖ