Ballkani si “domosdoshmëri gjeopolitike”

Sadri Ramabaja
4 min readMay 30, 2021

--

Sot në Brdo të Sllovenisë krerët e shteteve nga gjashtë vendet e Evropës Juglindore pritet të kenë temë qendrore afrimin me BE. Por politikat e zgjerimit vendnumërojnë.

Prishtinë, 17 maj — Njëra ndër legjendat më të veçanta shqiptare ka të bëjë me Kështjellën e Rozafatit. Ndërtimi i saj ka një gojëdhënë të bukur por dhe të hidhur, që ka ardhur nga lashtësia deri në ditët tona. Kështu fillon rrëfimi i kësaj legjende:

I ra mjegulla Bunës dhe e mbuloi të tërën. Kjo mjegull mbeti aty tre ditë e tre netë. Pas tri ditësh e tri netësh fryu një erë e hollë dhe e lartoi mjegullën. E lartoi dhe e shpuri gjer në kodrën e Valdanuzit. Aty majë kodrës punonin tre vëllezër. Ndërtonin një kështjellë. Murin që e bënin ditën u prishej natën dhe kështu nuk e lartonin dot…

Zgjerimit të Bashkimit Evropian është një prej parametrave esencial të gjeopolitikës evropiane që nga themelimi. Por, ka vite që në disa prej qendrave evropiane, me theks në Paris, dominon gjykimi se zgjerimi i ka sjellur probleme të mëdha BE-së. Për pasojë, premtimet e dhëna në samitin e Selanikut, në vitin 2003, ku vendeve të Ballkanit perëndimor u është thënë qartë se edhe ato do të jenë pjesë e Evropës së bashkuar, tashmë janë shndërruar në histori zhgënjyese. Disi ngjashëm me legjendën e Rozafatit. Rënimi i mureve që muronin mjeshtrit përgjatë ditës bëhej në oërt e territ që sillte nata.

Pranimi në komunitet mbetet tutje i largët, ndërkaq takime si ky i sotmi, për aq kohë sa angazhimi për pranimin e gjashtëshes së Evropës Juglindore nuk trajtohet më seriozisht, mbetet shumë formal. Ndërkaq premtimi për zgjerimin në një të ardhme pa afat, kanë efektet e yshtjes pa efekt real.

Në një letër të nënshkruar nga 256 intelektualë, aktivistë dhe qytetarë, në fillim të këtij muaji, ata shprehnin shqetësimin e ligjshëm për këtë tip politike prej zombi që ushtron Brukseli kundruall Evropës Juglindore. Nënshkruesit e kësaj letre, ku përfshihen shkencëtarë, artistë, ish politikanë dhe diplomatë eminentë nga vendet e rajonit, por edhe nga shtetet anëtare të BE, i drejtohen qeverive të SH.B.A.-së, BE-së dhe vendeve të NATO-s për të dënuar “prirjet etno-nacionaliste”, që duket se po intensifikohen në vendet e Evropës Jug-Lindore. Perendimi nuk duhet tutje të kënaqet vetëm me përmbushjet formale të kritereve të Kopenhagës mbi parimet demokratike liberale, por duhet të mbështesë fuqishëm ndryshimet konceptuale të qeverisjes, duke ndihmuar forcat e reja politike që t’i dërgojnë në histori qeverisjet autoritariste.

Takimi mbahet në qytetin slloven Brdo pranë Kranjit në kuadër të Procesit Brdo-Brijuni. Ishin Sllovenia dhe Kroacia, tani anëtare të BE, që kishin filluar iniciativën dhjetë vjet më parë për të mbështetur vendet e Evropës Juglindore në procesin e përafrimit me BE. Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, tani është duke mirëpritur homologët e tij nga Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Disa javë më parë, ishin dy qarkoret (non paemper slloven e franko-gjerman), autorësia e të cilave megjithëse u refuzua kategorikisht, megjithatë shkaktuan tërmet politik jo vetëm në rajon. Si të tilla, ato u cilësuan si teste provokuese, por kundërshtimet e rrepta që erdhën sidomos nga Sarajeva, e bën të qartë se rishikimet e kufijve nuk kalojnë dot pa luftë. A do të jenë ato objekt trajtimi në këtë takim, mbetet të presim e ta mësojmë.

Por, jo më pak se qarkoret pa autorë, i ka shkaktuar Shkupit zyrtar kokëdhembje bllokimi i procesit nga ana e Sofjes. Sofja zyrtare këmbëngulë për trajtimin shkencor të gjuhës maqedone si dialekt i asaj bullgare, ndërkaq historinë e vendit, si pjesë të historisë kombëtare bullgare.

Hapja e siparit të bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut që ishte akorduar në BE vitin e kaluar, por pa përcaktuar ende një datë të saktë, duket se do të dështojë sërish. Në vend të kësaj, tani ka spekulime nëse të dy vendet duhet të ndahen tani nga njëri-tjetri në procesin e afrimit, d.m.th. nëse negociatat me Shqipërinë do të çohen përpara, duke mos lejuar që ajo të mbetet peng i mosmarrëveshjeve mes Shkupit e Sofjes. Por, pavarësisht kësaj, politikanët e BE-së, nuk e parapëlqejnë këtë mundësi. Në takimet me homologët e tyre këtë javë, Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas dhe Ministria për Evropë e Austrisë, Karoline Edtstadler, këmbëngulin që bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të fillojnë në të njëjtën kohë. “Nëse nuk jemi të kujdesshëm, ne do ta humbasim Ballkanin Perëndimor,” paralajmëroi me këtë rast ministri gjerman Heiko Maas.

Derisa sot presidenti serb mund të shtrohet në takimin e Brdos me homologët e tij, duke mëtuar tutje të prezantohet si më proevropiani nga të gjithë, ministri i tij i brendshëm Aleksander Vulin, i cili ishte për një vizitë dy-ditore në Moskë, duhet t’ia ketë dorëzuar raportin për premtimet e reja që ka siguruar nga partneri i tyre strategjik. Ndonjë ministër tjetër do të jetë ndërkohë në vizitë pune tek homologu i tij në Ankara. Koketimi i qeverive kuazidemokratike me fuqitë rajonale të interesuara për Ballkanin, në këtë periudhë kur vazhdojnë të artikulohen qëndrimet hezituese të Brukselit, tashmë as që fshihen.
Parisi duket se është rikthyer në epokën e pragluftës së parë botërore. Ballkanin më me dëshirë ia dorëzon Rusisë, se të pranojë ta ndajë influencën me aleatët e aktual, alias Berlinin.

Prandaj Presidenti slloven Pahor e sheh Ballkanin si një “domosdoshmëri gjeopolitike” dhe po angazhohet për të përshpejtuar procesin e aderimit të gjashtëshes së Evropës Juglindore në BE. Ky është parakushti që garanton paqen dhe prosperitetin e rajonit, por edhe pamundëson rikthimin e mundshëm të ndikimit rus.

--

--

No responses yet