Dependentët dhe Republika e qenve
Republika ka kohë që mbahet e kurthuar nga SHIK-u; ajo është degraduar në një labirint të llojit të vet, rrjedhimisht shteti është shndërruar në Republikë të qenve.
Pavarësisht kësaj, ka javë që gjimi eruptiv që po ndodhë para syve tanë. ADN-ja shqiptare nuk bëhet dot ujë! Mbi gërmadhat e Republikës së qenëve, pas 14 shkurtit do të ngritet Republika e tretë, si garancë e zhvillimit dhe prosperimit të demokracisë autentike.
Shkruan Dr Sadri RAMABAJA
Prishtinë, 10 shkurt — Në Republikën tonë, si në Romën e lashtë, vendi dependent udhëhiqet nga fermerët skizofrenë. Njerëzit e ditur i nënshtrohen ekzorcizmit politik, ekskomunikohen ose ndiqen në ekzil. Duke analizuar fenomenin e ekzorcizmit, të cilit i qe nënshtruar Ukshin Hoti në vitet ’90, kur “shteti fiktiv” udhëhiqej nga djemtë e haxhibabëve, kapërcimi nga shteti fiktiv në shtet në dështim e sipër, në thelb duket i përafërt, respektivisht i pavenerueshëm. Meqë Republika ka kohë që mbahet e kurthuar nga SHIK-u, ajo është degraduar në një labirint të llojit të vet, rrjedhimisht shteti është shndërruar në Republikë të qenve, siç do të thoshte Jonashan Suift. Shih për këtë edhe tri vitet e përndjekjes që përjetova në Republikën e qenve i kam gjykuar si produkt i të njejtës mendësi olhokratësh që ishin përcaktuar të ushtronin ekzorcizmin atipik politik ndaj meje.
Sipas Suiftit, në Republikën e qenve, që në fillim ishte institucion i shumicës, i gjithë shteti rehatohet pas një shujte të mirë, ndërkaq luftërat civile ndizen vetëm kur ndodh që ndonjë kockë e madhe të bjerë në gojë të njërit prej qenve prijës, që e ndan atë me një pakicë dhe, kështu, vendi rrëshqet në oligarki, pasi duke e mbajtur krejt prenë për vete, automatikisht Republika i dorëzohet tiranisë.
Në fillim të vitit 2005, kur isha zyrtar i lartë për çështje politike në zyrën e kryeministrit (staf civil), ndërsa bashkë me V. G. dhe M. B. po redaktonim raportin e qeverisë për vitin 2004, më ra në sy, se pothuajse gjysma e buxhetit të atij viti ishte shpenzuar nga e ashtuquajtura Ministri e Punës dhe e Mirëqenies Sociale. Administrata e UNMK-ut na kishte trajtuar ashtu disi si Republikë e qenve, duke blerë paqen sociale dhe duke ua hedhur ndonjë kockë më të madhe “qenve-ujqër”, që ndërkohë po shndërroheshin në oligokratë, pa farë rezistence për të qenë. Kishte përgatitur bashkë me shërbimin serb, kataklizmin e vitit 2004, që do t’i shërbejë si alibi për ndarjen de fakto të Veriut të Kosovës, arritjen e marrëveshjes së Vjenës që i dhuroi Serbisë trashëgiminë tonë kulturore e materiale në emër të Kishës Ortodokse dhe përgatiti terrenin e shndërrimit gradual të Kosovës në Republikë të qenve.
Në po të njëjtën linjë duket se është vepruar edhe nga të gjitha qeveritë kukulla të Republikës në fusha të tjera të jetës. Le t’i hedhim një sy arsimit. Degradimi është i pashembullt. Logjika e sundimtarëve në Republikën e qenve ka funksionuar edhe në këtë fushë tejet të ndjeshme. Janë hapur për pak vite, natyrisht pa kurrfarë kriteri, shtatë universiteteve publike e më se 30 kolegje private, duke marrë në konsideratë blerjen e paqes sociale.
Kjo strategji u thellua edhe me fryrjen ekstreme të veteranëve të UÇK-së, duke i shndërrura një shtresë të mirë të të rinjëve në klientelë elektorale. Ky akt turpi dëmtoi jo vetëm buxhetin e vendit, por, mbi të gjitha, hodhi hie mbi imazhin e UÇK-së, duke nëpërkëmbur kështu luftëtarët spartanë të saj.
Qëllimi ishte i qartë dhe i dyfishtë: blerja e paqes sociale dhe sigurimi i klientelës votuese për oligarkët e Dukagjinit dhe Drenicës. Në krejt këtë zallamahi e batërdi olhokratike, takimet publike e të fshehta të dyshes Thaçi-Vuçiq dukeshin si nusprodukt logjik i oligarkëve tanë, paçka se Republika po degradohej në një Republikë qensh.
Është pikërisht Republika që po lëndon në kthetrat e SHIK-ut, ajo që në sferën e kulturës dhe religjionit risolli “mesjetën tonë”! Kjo frymë e instaluar në pushtet e kudo, edhe pas shek. XX ka bërë që “inkuizicioni të jetë në aksion”.
Zgjimi eruptiv që po ndodhë para syve tanë, para e gjatë kësaj fushate të pashembullt, dëshmoi se grimcat e atomit të ADN-së kryengritëse nuk janë tjetërsuar dot as nga dhuna e olhokratëve; si e tillë dy javët e shkurtit 2021 do të shkojnë në histori si javët që shënuan ndërrimin e epokave, shndërrimin e Republikës së qenëve në Republikë të tretë si garancë e zhvillimit dhe prosperimit të demokracisë autentike.
__________________________________________