Evropa Lindore dhe bota multipolare në zhvillim
Bota multipolare do të ketë SHBA-në, Kinën, Bashkimin Evropian, Indinë dhe Rusinë si fuqi të mëdha botërore, ndërkaq Japonin, Brazilin, Turqin, Iranin dhe Afrikën e Jugut si fuqi rajonale. Të parat, secila veç e veç, e të dytat në aleanca të ndryshme, kanë aftësinë të formësojë gjeopolitikën e botës konform interesave të tyre.
Shkruan: Dr Sadri RAMABAJA
Në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, pasi ishte pushtuar Berlini nga Ushtria e Kuqe ruse dhe kishte kapituluar Hitleri duke i dhënë fund jetës me aktin e vetëvrasjes, Gjermania do të ndahej në zona të influencës gjeopolitike. Është kjo periudha e ndarjes së Europës me perden e hekurt. Po fillonte epoka e mënxyrës, sidomos për popujt e rendit të dytë, popujt josllav, e shqiptarët ishin në këtë rast specie eksperimentale e dyfishtë, që do të zgjasë disa dekada, deri në fund të viteve ‘90-ta.
Kishte përfunduar LDB, por sakaq rendi botëror që ishte ndarë në dy kampe politiko-ushtarake, po futej në nj luftë të re, të gjatë, të stërmundimshme, që do të shkojë në histori me emrin Lufta e Ftohtë.
Këtë fillim të kësaj lufte të re e kishte paralajmruar përmes fjalimit historik të mbajtur në hotelin “Staler” presidenti amerikan Dwight Eisenhower, pa fshehur dronë se ajo do të mund të ishte shumë e shtrenjtë. Por, kur “Moska e shpërfilli këtë paralajmrim dhe vazhdoi zbatimin e planit për zgjerimin e influencës së saj ndërkombëtare, presidenti Eisenhower, duke u mbështetur në themelet e hedhura nga presidenti Truman, e angazhoi Amerikën në një konfrontim të gjatë e të kushtueshëm “[1], për të cilin ai ishte në dijeni fare mirë.
Siç dihet tashmë, platformën e Eisenhowerit do ta ndjekin shtatë presidentë pasues të tij, demokratë e republikanë. Kjo betejë u përmbyll me shembjen e komunizmit dhe me këtë edhe zmprapsjen e përkohshme të Rusisë nga idetë për ushtrimin e influencës përtej kufijve të Federatës Ruse, si mbetje e ish BRSS-së.
Fundi i ish BRSS-së po shënonte kështu edhe fundin e Luftës së Ftohtë.
Lufta e Ftohtë përfundoi tok me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe zvogëlimin e ndikimit të Moskës në Evropën Lindore dhe atë Juglindore.
Katër dekada pas shkërmoçjes së ish BRSS, rrjedha e historisë edhe si rezultat idobësimit të demokracisë dhe intencave për promovimin e demokracisë iliberale, madje edhe aty ku demokracia liberale kishte traditë të mirë, krijoi rrethana në rrafshin gjeopolitikë që do t’i mundësojnë rikthimin e Rusisë si superfuqi botërore, sidomos për ta rikthyer primatin e saj në Europën Lindore.
Shtetet e Bashkuara pas rastit aksidental historik të “pushtimit” të Shtëpisë së Bardhë për një mandat nga një fashist modern, siç ishte Donald Trump-i, tutje mbesin thellësisht të ndara politikisht dhe sfidohen nga Kina në një mënyrë të paprecedentë, me rrezikun real të zhvendosjes nga pozicioni dominues e më i fuqishëm në botë. Në këto rrethana, ishte e pritshme që , edhe pas rikthimit të demokratëve me Joe Biden-in si president në Shtëpinë e Bardhë, SHBA-të tashmë kanë ndryshuar prioritetet e tyre për të përqendruar ndikimin gjeopolitik drejt kundërvënieve ndaj Kinës në rajonin Indo-Paqësor.
Duket se Rusia, me këtë rst, ka ndjerë se historia ia ka kthyer mundësinë që priste, prandaj ajo po e shfrytëzon duke sfiduar drejtpërdrejt NATO-n.
Rikthimi i Rusisë si një fuqi e madhe
Rusia ka avantazhe të natyrshme në sferën e ndikimit gjeopolitik. Por avantazhi më i madh isaj është gjeografia e saj, e cila ia mundëson Moskës të jetë lojtari kryesor në Evropë, por tutje edhe në Azinë Qendrore, në Arktik, në Paqësor dhe në Azinë Lindore. Krahas kësaj, fakti që Rusia njëkohësisht është edhe një nga prodhuesit më të mëdhenj të gazit natyror dhe naftës së papërpunuar, i jep asaj një avantazh dhe levë të madhe përballë shumë vendeve fqinjë, veçanërisht atyre në Evropë.
Me ardhjen në krye të Kremlinit të njërit prej agjentëve më të veçantë të KGB-së (Vladimir Putin-it), gjeneralët rus dot t bëjnë çmos që ta rikthejnë edhe fuqinë e Ushtrisë ruse, meqë ajo edhe ashtu kishte në posedim arsenalin më të madh bërthamor në botë, duke e rikthyer sot atë edhe në lider botëror në teknologjitë ushtarake. Pavarësisht faktit se studjues e ushtarakë të shumtë perendimor, natyrisht duke marrë në konsideratë argumente relativisht të qëndrueshëm, kur pohojnë se Rusia mund të jetë vetëm një partner i vogël i Kinës, duket se neglizhojnë zhvillimet në rrafshin gjeopolitik (lufta në Siri para së gjithash), por edhe aneksimi i Krimesë dhe kërcnimi aktual jo vetëm ndaj Ukrainës si tërësi, por edhe kërkesa sinjofikative për tërheqjen e trupave ët NATOs nga Rumania dhe Bullgarinë, janë shenjues të veçantë. Koha po dshmon se Rusia po rikthehet si fuqi e madhe e pavarur në rrafsh planetar.
Rusia mbetet tutje një nga eksportuesit më të mëdhenj të pajisjeve mbrojtëse në Indi dhe Vietnam, pavarësisht se India dhe Vietnami kanë marrëdhënie të tensionuara me Pekinin. Gjatë përplasjes së vazhdueshme Indi-Kinë në Linjën e Kontrollit Aktual, Rusia u tregua një furnizues i besueshëm i mbrojtjes me furnizimin e saj me raketa të avancuara S-400 në Indi, e cila është një nxitje e rëndësishme për aftësitë mbrojtëse të Indisë kundër agresionit ushtarak kinez. Rusia gjithashtu ruan ndikim të rëndësishëm në Azinë Qendrore, në Azinë Perëndimore dhe në Evropën Lindore, e cila është një trashëgimi e ish-BRSS-së. Rusia ka Armeninë, Bjellorusinë, Kazakistanin, Kirgistanin, Taxhikistanin si aleatë të saj zyrtarë në Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive.
Sot Putini merr guximin, madje edhe t’i dërgojë ultimatume NATOs, e i kërkon të tërhiqet në pozicionet që kishte në vitin 1997 dhe të përmbahet nga vendosja e sistemeve raketore pranë kufijve të Rusisë.
E qartë, ajo që po ndodhë aktualisht në Evropën Lindore, e me intenzitet më të vogël edhe në atë Juglindore, do të formësojë shumë gjeopolitikën e botës.
Multipolariteti në zhvillim
Nëse i hedhim një vështrim qoftë edhe sipërfaqësor zhvillimeve politiko-ushtarake në rrafshin global, në këto dy dekadat e para të shekullit 21, do venerojmë qartë se, bota sot është gjithnjë e më shumë multipolare. Ky fakt vihet re edhe më qartë sidomos në Azi dhe në Europë. Por edhe në kontinentet tjera prosperimi ifuqive rajonale në drejtim të shndërrimit të tyre në superfuqi, është ivenerueshëm. Lufta për dominom në Lindjen e Mesme vazhdon tutje. Gara mbetet e hapur. Irani vazhdon të sfidojë perëndimin, ndërkaq sanksionet nuk kanë arritur të pengojnë aktivitetin e tij bërthamor, që d.t.th se shumë shpejt ai do të jetë në posedim të armës bërthamore.
Fiaskoja e SHBA-së në Afganistan, e cila i dha fund luftës 21-vjeçare me një disfatë poshtëruese, i dha gjithashtu një goditje të madhe besueshmërisë së SHBA-së si një superfuqi ushtarake dominuese dhe mitit për pathyeshmërinë e saj. Kina ka vazhduar të kërcënojë Tajvanin dhe çasti historik kur mund të nisë një pushtim në shkallë të plotë, është çështje vlerësimit nga ana e lidershipit ushtarako-politik të Pekinit, se kur e sheh si kohë më të përshtatshme përmbylljen e këtij akti.
Gjithandej në “Europën e vjetër” është duke u rritur ndjesia antiamerikane, qoftë edhe në heshtje, madje edhe në qarqet politike e ushtarake. Kjo vërehet jo vetëm në Francë e Greqi, si vende tradicionalisht proruse, por edhe në Turqi, Gjermani e gjetkë.
Në këtë kuadër, Shqipëria dhe shqiptarët sikur rikthehen në epokën e kryeministrit të parë liberal, F.S.Nolit, me diferenca fare të vogla. Nëse atbotë demokracia shqiptare po përjetonte “shtetërrethimin” e plotë të monarkive fqinje dhe një lloj moskokçarje të Eurpës për fatin e saj, sot as Shqipëria politike e as republika e dytë shqiptare në Iliricum — Republika e Kosovës, për shkak të një ndjesie të theksuar të albanofobisë në ngritje në Europën Perendimore, nuk po arrijnë dot të kthehen plotësisht në gjirin e familjes së cilës i përkasin qoftë në rrafshin historik apo atë kulturor[2], prej nga u shkëputën përdhunshëm, fill pas vdekjes së Gjergj Kastriotit nga Perandoria Osmane, krejt natyrshëm e në përputhje me interesat e tyre strategjike, sot janë kombi më proamerikan në Europë.
U dashtë që faktin se shqiptarët i përkasin, qoftë në rrafshin historik apo atë kulturor, ta ripohoj dy herë brenda dy ditëve këtu në Prishtinë Zv. Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA Gabriel Escobar, që ndërkohë është edhe në cilësinë e të dërguarit të J.Biden-it për Ballkanin Perendimor, me gjasë më shumë për veshët e diplomatëve ët Brukselit dhe për qarqet erdoganiste në hapësirën tonë, që të korigjojnë qëndrimet i dërguari i BE-së, M.Lajçak, e edhe ndonjë vasal shqipfolës i Erdoganit në Tiranë e Prishtinë.
Ky ndryshim jo vetëm në rrafshin ndjesor, u reflektua edhe në atë gjeostrategjik, me rastin e krijimit të aleancës anglosaksone AUKUS, e cila synon të ndërtojë nëndetëse bërthamore për Australinë.
Bota perëndimore për rrjedhojë, gjithnjë e më shumë po fragmentarizohet. Putini e ka shënjestuar këtë fakt, prandaj është hedhur në ofenzivë.
Suksesi i Rusisë në rikthimin, qoftë edhe të pjesshëm, të influencës në Evropën Lindore, do të mund të cilësohej edhe si prologu i ndryshimit epokal në pritje — agsholit të një bote multipolare. Në këtë formësim të ri të botës multipolare, pozicioni iFrancës, duket se do të ketë rol të theksuar, nëse jo qendror. Franca, tashmë hapur, po punon në ristrukturimin e BE-së si lojtar strategjik autonom. Nëse kjo ide do të gjejë mbështetjen e duhur edhe të Gjermanisë, atëherë Bashkimi Evropian fare lehtë do të shndërrohet në një prej lojtarëve kryesor të botës multipolare në zhvillim.
Prandaj duket se bota multipolare do të ketë SHBA-në, Kinën, Bashkimin Evropian, Indinë dhe Rusinë si fuqi të mëdha e shënjues të saj real, ndërkaq Brazilin, Afrikën e Jugut, Iranin, Turqinë e Japonin e ndonjë tjetër, si fuqi rajonale me shumë ndikim.
Secila prej fuqive të mëdha, ka aftësinë të formësojë gjeopolitikën e botës në ndjekje të interesave të saj, qoftë vetëm, qoftë në aleancë me ndonjë prej fuqive rajonale. Prandaj po hyjmë në agsholin e botës së fragmentuar. Këtë po e dëshmojnë shpërthimet e shumë konflikteve, meqë status quo-ja në shumë rajone ka ndryshuar. Kjo është ajo që po ndodhë aktualisht në Evropën Lindore.
Ndikimi i situatës në Ukrainë ndaj Evropës Lindore, asaj Juglindore dhe në Indi
Situata në Evropën Lindore ka implikime serioze jo vetëm në kontintentin e Europës, para së gjithash në Europën Juglindore dhe Baltik, por edhe për Indinë. Është në Interes të Europës Perendimore dhe asaj Juglindore që SHBA-të të mos përplasen në kontinentin e vjetër, as në Ballkanin Perednimor e as në Lindje. Përplasja e mundshme në Europën Juglindore dhe atë Lindore mes Rusisë dhe SHBA-ve, do ta rikthente epokën e pasluftës së Dytë Botërore dhe ndarjen e kontinentit. Ndërkaq në Ballkan, në emër të mbrojtjes së interesave të Serbisë, do të shuheshin dy shtete të dalura nga shkërmoçja e ish Jugosllavisë — Bosnja e Hercegovina dhe Maqedonia Veriore, me rrezik real rikthimin e Gadishullit në epokën e luftrave ballkanike të fillimshekullit 20-të. Po aq ndjeshëm është interes i Indisë, që SHBA dhe Rusia të mos jenë në konflikt mes tyre dhe atë për dy arsye. Së pari, marrëdhëniet e balancuara, nëse jo miqësore, midis SHBA-së dhe Rusisë, do të përmirësojnë situatën e Indisë, sepse SHBA-ja dhe Rusia janë të dy partnerët më të rëndësishëm strategjikë të Indisë. Intensifikimi i vizitave të niveleve të larta mes Nju Delhit e Moskës nuk janë të rastësishme. Rusia ka kohë që përpiqet të ketë më shumë ndikim në Azinë Juglindore. Për një kohë të gjatë ishte Vietnami në plan të parë. Por ka kohë që Moska ka ndryshuar këtë kurs. Tashmë raportet e saj me Indinë janë thelluar. Ky fakt do ta ndihmojë Indinë në balancimin dhe ruajtjen e marrëdhënieve më të mira si me Rusinë edhe me SHBA-të. Së dyti, arritja e një lloj mirëkuptimi mes Moskës dhe Uashingtonit, qoftë me ndërmjetësimin e Nju Delhit apo Ankarasë, madje edhe me pajtimin e heshtur për aneksimin e një pjese të mirë të Ukrainës, do të nënkuptonte që SHBA-ja më pas të ketë gjasa më të mëdha që t’i orjentojë burimet e saj kundër Kinës si palë ndërluftuese në Indo-Paqësor. Prandaj India bën përpjekje të shërbejë si një urë lidhëse midis Perëndimit dhe Rusisë, meqë ka marrëdhënie të shkëlqyera me të dyja superfuqitë (SHBA-të dhe Federatën Ruse) dhe është vendi ideal për të luajtur këtë rol.
Ky përafrim i Indisë me Perednimin dhe Rusinë bëhet meqë Oqeani Paqësor që rrahë edhe brigjet e Indisë, tashmë është shndërruar në arenën kryesore të konkurrencës së fuqive të mëdha, i ngjashëm me atë që ishte Evropa Lindore gjatë Luftës së Ftohtë.
Sidoqoftë, edhe ajo që po ndodh në Ukrainë dhe rreth saj, përgjithësisht në Evropën Lindore e atë Juglindore, gjithashtu do të ndikojë shumë në formësimin e interesave gjeopolitike në këtë epokë që po hyjmë. Fakti se rëndësia strategjike e Evropës po vazhdon të ulet për SHBA-të, meqë qendra gjeopolitike e gravitetit po zhvendoset në Indo-Paqësor, nuk ulë peshën e aleancës Verioatlantike në ruajtjen e interesave amerikane në këtë pjesë të ndjeshme të botës.
Rreziku i Kosovës nga “Kolona e pestë”
Opozita, pothuajse në bllok, nisur nga interesat konservatore e meskine, për shumëçka, na rikujtin dhjetorin e vitit 1924, kur demokracia e brishtë e Nolit u gjetë nën breshërinë e reaksionit që mbështetej para së gjithash nga Beogradi.
Për fat të keq, krahas opozitës, edhe një lagje e mirë sociologësh, juristësh e gazetarësh, janë pozicionuar në po të njejtat llogore. Ata, duket se, dijet e tyre profesionale, nuk ikanë vënë kurrë në shërbim të Shtetit dhe interesave jetike të Kombit.
Jo rrallë, në emër gjoja të pozicionimit kozmopolit e “properendimor”, po ndodhë që opozita gdhinë mëngjesin në llogoret ruse! Ndërkaq një shtresë e intelegjencies kolaboratore me të gjitha pushtetet para e pas luftës, tashti në emër të pozicionit “puro shkencor”, kalon në po të njejtat llogore që po ua ngre lufta e përqëndruar hibride ruso-serbe në shtrirjen e influencës së saj në gjithë Ballkanin Perednimor.
Si pjesa më e madhe e krerëve të opozitës, edhe ca prej këtyre kuaziintelektualëve, kur keqinterpretojnë marrëveshjen e turpit të 19.4.2013, që nënshkroi marioneta H.TH., madje në dobi të imponimit të Asociacionit të Komunave Serbe sipas shijes e interpretimit të Beogradit, edhe atëherë kur qartë flet Zeusi nga Froni (G.Eskobar) kundër Republikës Srbska në Kosovë[3], vetëkarikohen me energji negative, që të kujton fenomenin e entropisë, meqë për ta mjafton që Qeveria Kurti 2 të shkojë sa më shpejt në histori!
Do të ishte mirë që jo vetëm një lagje e mirë e krerëve të opozitës, por edhe kjo lagje sociologësh, juristësh e gazetarësh të shfletojnë fjalorët profesional, me theks atë të Oksfordit për politikë, që të marrin dijet themelore mbi fenomenin e negentropisë dhe të reflektojnë urgjentisht. Vetëm atëherë ata do ët mund të dilnin më shpejt nga ky llum i mazohizmit politik në të cilin janë zhytur keq. Përndryshe, me vetëdije apo pa, ata tashmë janë rreshtuar në “Kolonën e pestë” dhe si të tillë duhet të trajtohen jo vetëm nga opinioni publik.
Ndërtimi dhe ngritja e vetëdijësimit politik e nacional modern, por edhe ai i pjekurisë politike të elitës ndër popujt që për kohë të gjatë kanë qenë koloni e fuqive hegjemone të mëdha apo të vogla (si rasti ynë), duket të jetë proces tepër i ndërlikuar, jo pa ndeshtrasha të lloit të vetë. Por, megjithatë, ky proces po ecën përpara. Në Kosovë po krijohet nj elitë e re — aspak inferiore ndaj asaj serbe e simotrave të tyre në Perendim, me formim shtëformues që po dëshmohet fillimisht me shembullin e lidershipit politik, por edhe me atë të një shtrese në rritje të intelegjencies së re me formim ideologjik bazuar tek nacionalizmi progresiv i trashëguar nga rilindasit tanë, që do ta bëjë funksionale Republikën e Kosovës. Kjo vetëdije e ky formim politik, do t’ia mundësojë kësaj shtrese ta lë prpa në histori “kolonën e pestë” dhe të marrë përgjegjësi shtetërore dhe sociale. Është shumë e rëndësishme që vizioni i saj kombëtar, interesat strategjike të Kombit që ajo ka mbarështruar, të përputhen me opinionin publik. Kjo shtresë e ka të qartë se, interesat jetike të Republikës dhe Kombit, janë mbi të gjitha.
_________________________
[1]Ian BREMMER, Superfuqia, Tiranë 2021, f. 192
[2]Shih intervistën e plotë të G.Eskobar: https://reporteri.net/lajme/gabriel-escobar-per-reporteri-status-quo-ne-dialog-po-e-boshatise-kosoven-njerezit-po-ikin-asociacioni-nuk-e-cenon-sovranitetin/
[3]Shih intervisëtn e G.Eskogabrit tek Reporteri