Fasada legale e një krimi
Zgjedhjet e 14 shkurtit do të jenë shpërfaqje e një lloj zgjimi politik eruptiv; ato do të shpërfaqin Lëvizjen Vetëvendosje si sinonim të një lëvizjeje progresive qytetare. Si e tillë, ajo do të reflektohet edhe si lëvizje nga poshtë-lart, në trajtën e protestës së pastër politike, në modusin e participimit.
Prishtinë, 30 janar — Qytetarët e Kosovës ndjehen, përveç të gënjyer, në masë të madhe, edhe të mashtruar. Tashmë është fakt notar: qeveritë e olhokratëve i kanë shndërruar partitë politike de facto në korporata biznesi, ndërkaq sistemin e drejtësisë e kanë kompromentuar tërësisht.
Populli në Kosovë tashmë po konkludon se, establishmenti i vjetër politik i Republikës ishte dhe mbetet përgjegjës për degradimin e Shtetit dhe vrasjen e shpresës.
Degradimi i të ashtuquajturit dialog teknik me Serbinë, tashmë është lehtësisht e verifikueshme, ishte në prag të shndërrimit në tragjedi të mirëfilltë për Republikën, meqë po mos të vepronte Gykata Speciale, si një Vis Majoris, me gjasë, do të përfundonte në ndarjen e Veriut të Republikës.
Shoqëria jonë është e ndërlidhur me fjalën e dhënë, që në kodin tonë etnopsikologjik njihet me nocionin Besë. Ndërkaq duke gjakuar për shumë kohë Shtetin, si e tillë, ajo, pra shoqëria, besonte thellë se, nëse në krye të Lëvizjes për Shtet janë iluministët, ata do ta funksionalizojnë Republiken, dhe rrjedhimisht ajo në bashkëudhëtim me Lirinë, do të na shndërrohet në burim të krenarisë dhe dinjitetit.
PDK-ja duke u thirrë në emër të UÇK-së, të familjes dhe pronës si binom i shenjtërisë së shpifur, privatizoi Shtetin, degradoi deri në përbuzje idealin e lirisë dhe moralin publik.
Në parathënien e veprës të tij jetësore “Çeta e profetëve”, Pjetër Bogdani pohon një të dhënë që ndërlidhet me qëndrimin e ngulitur në ndërdijen e sllavëve në raport me Perëndimin. Natyrisht, serbët, duke qenë fqinjë të shqiptarëve, ata i cilësojnë si perëndimorë, ndërkaq “Fesë katolike i thonë Arbanashka vera”.
Në epokën e Bogdanit ishte civilizimi ai që ndante shqiptarët e serbët; aktualisht këtë ndarje po e bën gjeopolitika dhe tok me të edhe vaksina kundër COVID-it. Ndërkaq gjeopolitika e munguar e qeverisë Hoti e ka lënë Republikën si “atom të lirë”: as me Perendimin e as me Lindjen, por që de fakto trajtohet më shumë si pjesë e Lindjes!
Qeveritë paraprake të LDK/PDK-së këtë pozicionim gjeopolitik të Shtetit, pavarësisht se kishin plot gojën Amerikë, e dërguan në prehrin e Erdoganit dhe Vuçiqit.
Edhe një arsye shtesë përse LDK-ja shpejt duhet te kalojë në histori, me gjasa të mira, në zgjedhjet tjera e përcjellur edhe nga PDK-ja.
Tani, kur rreziku i rrëshqitjes së Republikës në terrenin e shteteve në dështim, është në horizont; kur një pjesë e atyre që manipuluan edhe me emrin e
UÇK-së janë në burgun e Sheveningenit, duke rrezikuar të dëmtohet rënd imazhi i vendit dhe kryevlera jonë politike — UÇK-ja, ndërkaq vendi ndodhet në kulmin e pandemisë dhe në valën e zgjedhjeve; kur institucionet e drejtësisë, tashmë edhe pas vendimit të Gjykatës Supreme që dëshmoi qartesisht se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte jo vetëm skandaloz, por edhe i rrezikshëm, meqë cënoi rënde parimin e sigurisë juridike, duke ushtruar krimin ‘sui generis’, u cënua rëndë edhe siguria juridike.
Siguria juridike parakupton, përveç tjerash, besueshmërinë e qytetarëve tek shteti dhe institucionet e tij.
Me këtë veprim të Gjykatës Kushtetuese dhe mekanizmave tjerë të sistemit tonë të drejtësisë (KQZ-së, PZAP-së, Gjykatës Supreme), në raport plotësisht të zhdrejtë me kushtetutën dhe ligjet pozitive, u dëshmua katërcipërisht se tutje ky sistem mbetet në shërbim të kapësve të shtetit. Duke tumirë aktin antikushtetues të Gjykatës Kushtetuese që cenoi rënd të drejtën themelore për të zgjedhur dhe për t’ i zgjedhur, sistemi ynë i drejtësisë, me vendimin e Gjykatës Supreme, definitivisht vetëm sa legalizoi krimin.
Për rrjedhojë, qytetaria është mobilizuar; ajo po ngrihet në këmbë, po rirreshtohet plotësisht, duke paralajmëruar se 14 shkurti do të shënojë ndryshimin epokal demokratik të sistemit politik.
Zgjedhjet e 14 shkurtit megjithatë, madje edhe për kundër pengesave të ushtruara nga mafia politike dhe gjyqësori, qoftë në raport me sjelljet ndaj mërgatës, qoftë me vendimin për pamundësimin e Albin Kurtit për të kryesuar listën e Vetëvendosjes, do të mbahen mend për tri efektet që do t’ i japin vulë sistemit tonë politik: e para, për humbjen masive të të ashtuquajturave parti të etabluara (me theks LDK dhe PDK); e dyta, për rritjen e ndjeshme të pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin e zgjedhjeve dhe si rrjedhojë fitoren e thellë të Lëvizjes Vetëvendosje; e treta, për ndryshimin e madh të strukturës së trupit elektoral, që tashmë identifikohet me kauzën për Republikën si gjakim i shtetit të së drejtës.
Qytetaria shqiptare është në lëvizje. Zgjedhjet e 14 shkurtit do të jenë shpërfaqje e një lloj zgjimi politik eruptiv; ato do ta shpërfaqin Lëvizjen Vetëvendosje si sinonim të një lëvizjeje progresive qytetare. Si e tillë, ajo po reflektohet edhe si lëvizje nga poshtë-lart, në trajtën e protestës së pastër politike, në modusin e participimit.