Fashizmi shqiptar dhe gomari buzëbardhë i xha Hysenit

Sadri Ramabaja
10 min readNov 1, 2020

--

Kosova rezultonë të jetë sot një terren i jashtëzakonshëm eksperimental i fashizmit modern në nivel të Evropës. Prandaj edhe ka dilema të mëdha në Bruksel se si të trajtohet tutje Kosova dhe shqiptarët përgjithësisht.
Artikulimi i interesave jetike për Kombin dhe transmetimi i tyre në organet vendimmarrëse politike, tashmë nuk është vetëm obligim kushtetues, por po shndërrohet urgjencë.

Shkruan: Dr Sadri RAMABAJA

Nocionin fashizëm nëse e vështrojmë në rrafshin historik, atëherë ai, si fenomen politik mund të kuptohet si një alternativë ndaj iluminizmit, liberalizmit dhe marksizmit. Në një studimin të publikuar ndërkohë nga Fondacioni Roza Luksemburk, potencohet se “supozimet e tij themelore ideologjike u shfaqën në tranzicionin drejt shekullit e 20-të nga një përzierje e nacionalizmit, antisemitizmit, racizmit, anti-feminizmit, autoritarizmit, anti-liberalizmit, anti-marksizmit dhe glorifikimit të dhunës.” [1]

Në periudhën midis dy luftrave botërore, sipas Erik Hobsbaun-it (Eric Hobsbawm, fashizmi shpërfaqte një aleancë “natyrale” të së djathtës të formuar nga “konservatorët tradicionalë” — përfshirë reaksionarët e stilit të vjetër — me grupet më të margjinalizuara të së djathtës ekstreme me patologji fashiste »(Hobsbawn, 1997: 147).

Nocionet: Islam fashist, fashizmi islam ose fashizmi islamik është një neologjizëm i Islamit dhe fashizmit që u krijua në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar dhe pretendon të ketë ngjashmëri në ideologji dhe praktikë midis lëvizjeve islamike dhe fashizmit evropian të shekullit 20, ose me lëvizjet neofashiste dhe totalitare të së tashmes. [2]

1.
Shkas pse mu kujtua anegdoda me të cilën po e filloj këtë ese të shkurtër, është përvjetori i vdekjes së njërit prej njeërzve më fisnik të gjirit tim, bacit Hevzi, në varrimin e të cilit nuk vajta dot, meqë kapësit e Republikës tutje po vazhdonin t’më mbanin peng. Derisa e kujtoja Njeriu fisnik, të urtë e punëtor, kujtoja edhe një prej rrëfimeve për atin e tij, Hysenin.

Nga krahina e Medokës (Medvegja) i ati i Hevziut vete për vizitë tek një familjar i tij në Kumanovë. Rrugën e gjatë e bën me gomar dhe i shoqëruar me tregtarë të çastit. Në Kumanovë, tek po pushonin në një lamë tregu drithrash, një çast gomarët që kishin këputur kapistarët kishin filluar të shqelmoheshin dhe bën tregun bizar. Si njeriu më i largët dhe më i panjohuri në atë lëmë qëllon të ishte Hyseni. Një prej kumanovarëve pasi e sheh se sherrnaja e gomarëve mund të krijoj ndeshtrasha e të kaloj tek të zotët e tyre, e tund Hyseinin nga supet dhe i drejtohet sikur ai të ishte fajtori i krejt asaj gjurulldie dhe i thotë:

- Cili është gomari yt?

- Ai me buzë të bardha, ai atje, i gjegjet Hyseni.

- E sheh se çfarë na bëri gomari yt, merre e ecë!

Gjashtë muaj më vonë, sërish historia përsëritet.

Por kësaj radhe Hyseni kishte vajtur pa gomar.

- Ai gomari yt buzëbardhë sërish na bëri burbujën këtu, ia kthen njëri nga kumanovarët që e njihte.

- Eh, more mik, sa gomari është buzëbardhë këtu, nuk do të thotë se është imi!

Por, nga 2 nëntori tragjik i Vjenës së përgjakur, gomarët tanë buzëbardhë kanë kontribuar që të vihet në shënjestrën e dyshimit gjithë Kombi shqiptar! Kudo e kurdo që të kryhen akte të kësaj natyre, gishti tregues për shënjestrimin e të dyshuarve të mundshëm, mund dhe do të drejtohet edhe nga ne!
Instrumentet klasike për artikulim të interesit si: lobizmi, reklamat, masmediat dhe fushatat, tashmë nuk mjaftojnë.
Artikulimi i interesave jetike për Kombin dhe transmetimi i tyre në organet vendimmarrëse politike, tashmë nuk është vetëm obligim kushtetues, por po shndërrohet në urgjencë.
Koha e oportunitetit politik po merrë fund.

2.
Fashizmi modern ka krijuar klimën politike gjithandej në globin tonë, sidomos në perendim, që kërkon një fajtor kujdestar. Virusi kororona — Kovid 19 në fushatën e Trump-it dhe jo vetëm, rrjedhimisht do të cilësohet si virusi kinez. Fajtori për këtë ndeshtrashë që po kalon njerëzimi është Kina, trumpeton Trumpi dhe pasuesit e tij, prandaj çdo gjë që vjen nga Kina duhet ta bojkotojmë.

Ringjallja e ekstremit të djathtë në harkun kohor prej vetëm tri dekadave, pas përfundimit të Luftës së ftohtë, gjithandje në Perendim, sidomos në Itali, Gjermani e Austri, ku fashizmi erdhi në jetë fillimisht (1922), tashmë duke u shndërruar në vizion politik, ka krijuar ndjesi trishtimi dhe brenge të ligjshme gjithandej e kudo në kontinentin e vjetër. Partitë e djathta jo rrallë kopjojnë sjelljet e fashistëve klasik, por që mos të bien në sy për kohë më të gjatë, ato përvetësojnë fillimisht vetëm elementet “pozitive” që mbrunte në vete fashizmi si ideologji në përpjekje për të kultivuar identitetin nacional të akcilit grup etnik.

Fashistët shqiptar për këtë qëllim gjatë Luftës së Dytë Botërore kishin përvetësuar parollën e ditës “Shqipëria e shqiptarëve” ose kishin pagëzuar njërin prej batalioneve më famëkëqia të SS-ve me emrin e kryeheroit tonë “Batalioni Skanderbeg”. Për hir të së vërtetës ky batalion drejtohej nga SS gjerman, por, ngjashëm si edhe trupat SS në Austri, ai përbëhej nga shumica e shqiptarëve naiv e të manipuluar.

Bartësit e idesë për krijimin e këtij batalioni fashist, të ashtuquajturit djathtistë modern shqiptarë të mileut “nacionalist”, i kujtojnë duke pagëzuar rrugë e shkolla me emrat e tyre.

Institucionet e Republikës, në emër të gjoja tolerancës dhe pluralizmit politik, i kalojnë këto fenomene duke mbyllur një sy.

Por, nëse gjatë LDB fashizmi ndër shqiptarë ishte kopje e pastër e fashizmit italian a nazizmit gjerman, fashizmi modern ndër ne ka më të theksuar përgjasimin me fashizmin islam. Ai çet kokë saherë që beteja identitare me konotacione religjioze krijon burbuja kudo në ndonjë “lamë drithi” diku në Francë, Itali, Turqi… ku gomarët buzbardhë shqelmohen mes vete. Por a do të thotë kjo se pjesëmarrës n këto tragjedi moderne që po stisë fashizmi, duhet të jemi me çdo kushte edhe ne? Asesi jo.

3.
Çështja se ku puçen formacionet historike të fashizmit me ato aktuale dhe ku ato ndryshojnë është temë e një studimi, të cilin një ekip studjuesish në Universitetin e Shkencave të Zbatuara të Dyseldorfit (FORENA) e ka objet trajtimi në studimin e e publikuar me titullin “Faschismus in Geschichte und Gegenwart” (Fashizmi në histori dhe e tashmja).

Qëllimi i studimit në fjalë ishte që të shqyrtojë se ku gjasojnë këto formacione të së djathtës ekstreme dhe përgjithësisht fashiste mes formacioneve historike të së kaluarës dhe të tashmes evropiane. Natyrisht ideja e autorëve të studimit ishte që të vënë në pah analogjitë, por edhe të japin përgjigjet e mundshme gjithëpërfshirëse në pyetjet që parashtrohen sot me plot të drejtë: pse kjo e keqe historike na vije e riinkarnuar sot tek e djathta ekstreme?

Ndërkaq qëllimi i studimit duket se ka qenë krijimi i një baze analitike të mirëfilltë, e mbështetur në rrafshin empirik,që do ët shërbejë për formulimin e kundër-strategjive antifashiste dhe për edukimin politik të brezave të ri.

Fashistët modern kosvar, pasuesit dhe promovuesit e ideusve dhe themeluesve të Batalionit SS “Skanderbeg”, disi ngjashëm me politikanin liberal gjerman Franz von Papen, po shestonin plane si ta zhbënin Lëvizjen Vetëvendosje. Papen kishte projektuar shkërmoçjen e shtresës së mesme, lëvizjes sindikale dhe socialdemokracisë, në emër të dhënies fund të krizës së Republikës së Weimarit përmes promovimit të diktturës, me gjakimin për të ngritur në këmbë një shtet autoritar me ndihmën e NSDAP-së (Partisë naziste të Hitlerit), duke supozuar se do t’ia arrinin lehtë t’kontrollonin nacional-socialistët. Ideologët e PDK/SHIK-ut duke logaritur në patericat me emrat LDK/AAK/NISMA… në prag të zgjedhjeve të 2017-ës, do ët bëheshin të gjithë tok, që të ruanin pushtetin. Ndërkaq periudhën mes 2017–2019 do të bëjnë çmos që të provokojnë VV dhe ta nxjerrin si forcë të jashtëligjshme. Jnaë tashmë të njohur së paku tre skenar që ju kanë dështuar. Megjithatë, nëse në skenarin e parë, në betejën e ashpër të ndalimin e Zajednicës serbe dhe shitjes së 8200 ha tokë Malit të Zi, në orët e fundit, pak para egzekutimit të skenarit, VV do ta anuloj protestën, dy skenarët tjerë do të jenë me pasoja të rënda, sidomos ai që i mori jetën Astrit Deharit (2016). Vrasja mizore e Astrit Deharit duke keqpërdorë organet e shtetit, me qëllim që ta nxisë Vetëvendosjen për një kryengritje që do ta shpjente vendin drejt kaosit dhe diktaturës së përligjur, ishte grackë e paramenduar mirë, por, si thonë jugorët tanë, pa hanxhiun.

“Ky krim i rëndë, ashtu si dhe inskenimi i procesit gjyqësor në dosjen e trilluar “Syri i popullit“ ishin në funksion të shpërbërjes së Gjykatës speciale, pohon Xhafer Shatri në një shkrim të tij të publikuar më 30.10.2020 me një titull sinjifikativ: Lufta e pistë për kolltukun bosh.

Ekstremizmi i krahut të djathtë në Kosovë para qershorit 1999 pothuajse ishte inegzistent. Madje ai do të konsiderohej në rrafshin propagandistik si “i natyrshëm”; ai do të pozicionohej kryesisht brenda LDK-së dhe vepronin si satelitë të saj.

Por ky fenomen ndryshoi rrënjësisht pas çlirimit nga Serbia (1999).

Neofashistët tanë pas qershorit 1999 do të ndahen në dy rryma me orjentime diametralisht të kundërta në shikim të parë:

1. Në neofashist autokton (PDK/SHIK), disi ngjashëm me fashistët austriak të dekadës së tretë të shek.20-të, që ishin një lloj konkurrence e Nacionalsocialistëve me orjentim të qartë gjerman; dhe

2. Në fashist islam, që po profilohet si dikur Nacionalsocialistët gjerman në Austri, si e keqe e importuar.

Në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 shih për ktë PDK thelloi kursin radikal fashist, duke u pozicionuar si parti e djathtë ekstreme, antievropiane protramp-iste, e cila karakterizohet nga një tip i populizmit primitiv. Në luftën kundër VV atë e shquan vokabulari i saj rivitalizues fashist. Por, meqë tradita e fashismit ndër ne është e ndërlidhur me pushtuesit italian, ata gjerman e serb, trualli për një prosperim të këtij tipi të neofashizmit është tejet i pa përshtatshëm, jo premtues. [4]

Shqetësues për skenën politike dhe të ardhmen e Republikës mbetet fashizmi islam. Ai ka një bërthamë të fuqishme që është në rritje dhe ka mbështetje tejet të sofistikuar. Me propagandën e tij, ai është në ofenzivë.
Terrori në Vjenë dhe “ngatrresat” identitare të terroristit me identitet burimor shqiptar, e shpërfaqin katërcipërisht ofenzivën ku janë futur rrymat si ISIS-it që tani dëshmojnë se veprojnë në emër të “ummaja-s islamike”. Ideologët e kësaj rryme shumë e përafërt me nacionalizmin panarab, në emër të islamit mohojnë dhe rrafshojnë përkatësitë kombëtare, duke u thirrë në unitetin islam. Pasuesit e kësaj rryme, jo vetëm vrasësi në Vjenë, por edhe ata që në Kosovë veshin kollare dhe ligjërojnë gjithandej në studiot e TV-ve këto ditë, duke mbështetur deklaratat irracionale të Donald Trump-it mbi përkatësinë e Kosovës si shtet mysliman, tashmë mund të konsiderohen si ushtar të “ummasë”.

Nëse rilindasit tanë largpamës në procesin e formimit të ndërgjegjes kombtare dhe Kombit si produkt politik i shek. 18/19-të, kishin vënë identitetin e vet kombëtar para atij fetar, duke ngritur Kombin mbi Fenë, ideologët e “Ummasë” duan ta përmbysin këtë rend në dobi të shuarjes e shkrirjes së Kombit tonë brenda “ummasë islame”!

Kjo rrymë e fashizmit ndër ne ka rrezik të shndërrohet në model për fashizmin islam gjithandej ku ka prezencë të islamit në Evropë, në gjirin e emigracionit tonë. Është alarmant fakti se më shumë fëmijë të diasporës sonë në Zvicër ndjekin mësimet e fesë nëpër xhami, se sa ka nxënës në shkollat shqipe me mësim plotësues!

Fashizmi islam ia ka dalë që BIK-un ta ndajë tok me PDK-në, siç kanë ndarë LDK-ja e PDK-ja, me marrëveshje gjentelmene çdo gjë në Kosovë, nga bordet e ndërmarrjeve publike, deri tek Sistemi i Drejtësisë.

Çfardo përpjekje për ta disbalancuar këtë ndarje, prodhon skandalet e përditshme. Vini re vetëm skandalet që shpërthyen gjatë tetorit 2020, të gjithë, pa përjashtim, janë produt i kësaj përplasje:

1. Skandali që lidhet me emrin e Enis Qerkës, i arrestuar për 113 kg drogë, emërohet këshilltar i ministrit të Drejtësisë;

2.Kompania e ministrit Blerim Kuçi merr tender 5 milionë euro nga shteti i Kosovës;

3. Ministria e Arsimit blenë dyfish më shtrenjtë maskat për nxënësit. Në tenderin prej 70 mijë euro, dyshohet se janë keqpërdorur rreth 30 mijë €;

4. Biznesmeni i afërt me Sami Lushtakun merr hise në projektin mbi 200 milionë €;

5. Vidhen mbi 2 milionë € nga buxheti i Kosovës;

6. Vjedhje edhe në AUV, grabitet kasaforta …

Ajo që i bashkon këto dy rryma të fashizmit kosovar është lufta kundër demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Në qendër të vëmendjes dhe betejës politike të që të dy këtyre rrymave të fashizmit kosovar, tashmë është e qartë, është realizimi i intencës që kishte fashizmi burimor — “krijimi i elitave të reja politike dhe ekonomike” (Eatwell 2003: 98).[3] Këto elita tashmë i kanë krijuar. Ato i ke gjithandej në universitete e kolegje, në Polici e gjyqësor, në institute e bashkësi fetare, në media e politikë…

Përfundim

Nëse i bëjmë një rikapitulim prezencës së ideve dhe praktikës fashiste në Kosovë, atëherë Kosova rezultojmë të jetë sot një terren i jashtëzakonshëm eksperimental në nivel të Evropës. Prezenca e ideve dhe praktikës fashiste në Kosovë është stimuluar dhe po shfrytëzohet nga Beogradi më shumë se nga çdo kush tjetër. Pandaj edhe ka dilema të mëdha në Bruksel se si të trajtohet tutje Kosova dhe shqiptarët përgjithësisht.

Që në vitin 2001, pas ngjarjeve të marsit të këtij viti, qeveria serbe ka ngritur një Komitet të posaçëm për Kosovën, në përbërje të së cilit janë akademikë, studiues, njohës të mirë të jetës dhe traditave shqiptare, ushtarakë, teologë, gjeografë, gjeologë, politologë, pjesë të shërbimit inteligjent, komitet i cili drejton veprimtarinë e qeverisë serbe në ndërlidhjet e saj me Kosovën dhe jo vetëm me të, por edhe me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe në shtetin shqiptar. Njëri nga drejtimet themelore të këtij komiteti është edhe radikalizimi i shqiptarëve dhe paraqitja e tyre si pjesë e një lëvizje ekstreme vehabiste dhe salafiste, që lindi së bashku me aksionet e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e paraqitur ekstremitetin fetar si veti të shqiptarëve. Fondet e vëna në shërbim të këtij komiteti janë të nënshtruara nga kontrolli i shtetit, ata kanë të drejtën e fshehtësisë së punës së tare dhe shpesh herë përdorin të njëjta metoda që kishin sukses edhe në radikalizimin e mendimit islam në Bosnje e Hercegovinë, paraqitjen e shqiptarëve si radikalë të lindur dhe rrjeti i tyre, i depërtuar edhe në organiazata islamike, ka qenë dhe vazhdon të jetë i dendur.

Brukseli, si kryeqendra politike e Evropës, por as Vjena si kryeqendra kulturore e Evropës dhe qyteti që reflektoj shumë në dobi të krijimit të Shtetit shqiptar, nuk janë si ajo lëma e drithit të Kumanovës së fillimshekullit 19-të, kur xha Hyseni përballej me akuzat se ishte gomari i tij ai që po nxiste ndeshtrashat e llojit të vet, që fillonin me pëllitje e përfundonin me gjuajtje shqelmash e prishje të tregut! Gomarët tanë buzëbardhë e të mbuluar me veladonët e zi, të shpërfytyruar tërësisht me të zezën e lesharapëve…, tashmë janë shenjuar si pjesë e kësaj ndeshtrashe me të cilën po përballet sot Evropa, por, se një ditë do të jemi pikë referuese e “tregtarëve të Brukselit”, duke u cilësuar si gomari buzëbardhë i xha Hysenit, si plangprishës suigeneris, përgjegjësinë e kemi vet. Prandaj politika dhe gjithë shtresat e ndërgjegjshme të Kombit, duhet të reagojnë rreptë e me përgjegjësi historike.

Tashmë fashizmi islam, pas neofashizmit autentik, që po profilohet në formën e AFD-së në Gjermani, «Fidesz-it” (2010) në Hungari… paraqet pikën më të ndjeshme me të cilën ndërkohë po ballafaqohemi. Ky fakt nuk është i panjohur për Brukselin. Rrjedhimisht ai paraqet rrezik real për interesat jetike të kombit tonë.

________________

  1. https://www.rosalux.de/fileadmin/rls_uploads/pdfs/Manuskripte/Manuskripte_26_Faschismusstudie.pdf
  2. https://de.wikipedia.org/wiki/Islamfaschismus
  3. Roger Eatwell, ‘Fascism’, The Oxford Handbook of Political Ideologies, 2003
  4. Austin Ranney, Governing. An Introduction to Political Science

--

--

No responses yet