Zeitgeist-i në favor të Albin Kurtit

Sadri Ramabaja
3 min readJan 14, 2021

--

Albin Kurti është simbioza e frymës progresive të disa brezave.
Ai reflekton i inspiruar nga fryma e rilindasëve tanë, vizionet e Sami Frashërit, veprimi programatik i Hasan Prishtinës e deri tek thellësia e mendimit politik të Ukshin Hotit. Ndërkohë ai na vie si fenomen i politikës shqiptare.

Prishtinë, 15 janar — Sllogani historik i studentëve protestues të majit ’68 në Francë ishte: “Bëhuni realistë, ëndërroni të pamundurën”.
Kjo frymë dominonte gjithandej në Evropën e stërlodhur nga ish administratat politike që kishin trashëguar shumica e qeverive të shteteve të Evropës Perendimore që nga Lufta e parë Botërore.
Produkt i asaj mendësie ishte Lufta e Dytë Botërore, por edhe pozicioni i violinës së dytë që i ishte rezervuar Evropës në kuadër të Bllokut që ishte krijuar nën akronimin Aleanca Verioatlantike (NATO).
Studentët francez atbotë bën të pamundurën, krijuan parakushtet për përshpejtimin e projektit unikal, siç do të dëshmohet ai për Unionin Europian.

Ndërkaq kjo frymë e shoqëroi Lëvizjen revolucionare në Kosovë që nga pranvera e vitit 1981 e deri në çlirimin e saj. Nëse brezi paraprak kishte kauzë Republikën, do të jetë pikërisht Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, që brezit të ri të Republikës, do t’i ofroi kauzën që i mungonte: idealin për ndërtimin e Shtetit të së drejtës. Kjo kauzë e mishëruar në Lëvizje politike që ka në dorë ekzekutivin, i hap rrugë zhvillimit ekonomik e progresit shoqëror.

Strategjia që u kurorëzua dje me marrëveshjen për kandidim të Vjosa Osmanit dhe ekipit të saj brenda Lisëts së Vetëvendosje, i jep forcë kësaj kauze, e bën atë më gjithëpërfshirëse. Shumë shpejt, ky veprim i Albin Kurtit do të dëshmohet strategjikisht i menduar mirë dhe do ët prodhojë efekte largëvajtëse.

Albin Kurti është simbioza e frymës progresive të disa brezave. Ai reflekton i inspiruar nga fryma e rilindasëve tanë, vizionet e Sami Frashërit, veprimi programatik i Hasan Prishtinës e deri tek thellësia e mendimit politik të Ukshin Hotit. Ndërkohë ai na vie si fenomen i politikës shqiptare. Shih për këtë, nominimi i tij për kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës sot nga Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje është garanca e progresit tonë nacional.

Albin Kurti është dëshmuar tashmë si personalitet politik që i jep ton dhe frymë mendimit politik. Ai përdorë fjalën me një kujdesë sa të veçantë, po aq edhe me saktësi të jashtëzakonshme. Logjika e thellë e të menduarit dhe artikulimi intelegjent në ligjërimin e tij spontan politik në çdo idiomë të tij reflekton besimin e thellë në fitore.

Ka kohë që ai ka dëshmuar se për të Fjala është jo vetëm një shprehje, por edhe ofertë dhe premtim për angazhim sublim, që na rezulton të jetë njëkohësisht një nga karakteristikat e tij më të spikatura. Me atë që e mendon dhe e thotë publikisht, ai dëshiron të lidhet dhe të identifikohet.

Albin Kurti tashmë është dëshmuar se ka vendosur standarde shembullore në përdorimin publik të fjalës. Ai i ka treguar një brezi të tërë të politikës dhe politologëve se, është e mundur të shprehesh në mënyrë elegante dhe të saktë, në të njëjtën kohë si kur komunikon në fushën e politikës me aktivistët e orgnizatës, por edhe kur komunikon me botën akademike. Njohja dhe dija e thellë që disponon ai në shkallë mahnitëse për politikën dhe filozofin si shkenca, janë pothuajse proverbiale sa edhe njohuritë e tij për skenën politike dhe institucionet e saj.

Politika në asnjë moment nuk ishte një barrë për Albin Kurtin, por pjesë e jetës, kënaqësi. Në fushëveprimin si aktivist, ai kënaqet me punën. Ndërkaq vetëm duke qenë aktivist shembullor, ai ndjen veten të realizuar e të përmbushur.
Në dy dekada e gjysmë të punës së tij politike, ai ka përjetuar rënie e zhgënjime të hidhura, por edhe galdim të plotë për fitoret e shkëlqyera. Një fitore e tillë, për shumëçka e pakrahasueshme me fitoret pararendëse, e pret atë më 14 shkurt.
Gajstcajti është plotësisht në favor të Albin Kurtit.

--

--

No responses yet