GJEOPOLITIKA
/ Revistë shkencore/nr.1 2022
Përmbajtja
EDITORIAL
Analiza
I. Çështja shqiptare në politikën rajonale
I.1 Ballkani i hapur — dhe gjeopolitika postmoderne serbe
1.1. Elvis HOXHA, filozof
Gjeopolitika e ligjërimit
1.2 Dr. Sadri RAMABAJA
Ballkani i hapur dhe gjeopolitika postmoderne serbe
1.3 Shaban MURATI, ambasador
Ballkani i hapur dhe BALLKANISTËT e kapur
1.4 Dr. Lisen BASHKURTI
Ballkan i hapur, varianti ekonomik i ‘Botës Serbe’
1.5 Mehmet PRISHTINA, PhD
Ndikimi rus në Ballkan përfundon aty ku fillon orientimi euroatlantik i shqiptarëve
1.6 Melazim KOCI, publicist
BALLKANI I HAPUR apo MASHTRIMI I MADH
1.7 Boiken ABAZI, politolog
Dy republikat shqiptare jashtë “Zonës së Novi-Sadit” dhe një padi për drejtësi
1.8 Dr. Selim IBRAIMI
Hijet e skemës serbe në “Ballkanin e hapur”
1.9 Shqipërim PULA, PhD
Ballkani i hapur, nismë e dështuar që në start?!
II. Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe — Kurthi i gjeopolitikës serbe
2.1 Dr. Mazllum BARALIU
2.2 Dr. Gurakuq KUÇI
Doktrinat Pacta Sunt servanda dhe Rebus Sic Stantibus si balanca ndaj Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe
2.3 Dr. Sadri RAMABAJA
Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe — Kapitull specifik i gjeopolitikës postmoderne serbe
III. Gjeopolitika rajonale
3.1 Emin AZEMI, publicist
MAQEDONI — BULLGARI, NJË TUNEL I MBYLLUR QË KA MUNDUR TË JETË AUTOSTRADË E HAPUR!
3.2 Dr. Albulenë HALILI
TABLO E SHKURTËR MBI MAQEDONINË E VERIUT
3.3 Dr. Dritan HOTI
Skenarët dhe rrjedhojat e një krize të re në Bosnjë
IV. Bota
4.1 Agim KRASNIQI, PhD
Ukraina — vendi që vendos fatin e Rendit të Ri Botëror!
4.2 Xhafer SHATRI, publicist
Ukraina, makthi i Evropës e tmerri i Rusisë
4.3 Shaqir VUKAJ, ambasador
Putini dhe shqiptarët
4.4 Enis REÇICA, Msc, Integrime Evropiane dhe Administratë Publike
LUFTA DHE DOBITË E SAJ
V GJEOEKONOMI
5.1 Ali MEHMETI, inxh. dipl. el.
SFIDAT ENERGJETIKE TË QEVERISË SË KOSOVËS
VI. Histori
6.1 Dr. Ramiz ABDYLI
Përballja e Serbisë me tapitë e Sanxhakut të Nishit
6.2 Dr. Odise ÇAÇE
Prapavija strategjike e denigrimit të historisë kombëtare
6.3 Pren Buzhala, shkrimtr
Në kohët Dradane e Arbërore të Kosovës së sotme dokumentohet gjithmonë shumica katolike
VII. Opinione
7.1 Arbër ZAIMI, politolog
Rrugët e botës dhe ato të shqiptarëve
7.2 Dr. Selim IBRAIMI
Rikthimi i thellësisë strategjike
VIII. Analysis in English
8.1 Dr. Sadri RAMABAJA
Serbian strategy to return to Kosova
8.2 Peter Marko TASE
The Baku Process: a Prosperous International Forum of Azerbaijan
______________________________________
Editorial
Rikthimi te gjeopolitika dhe Agora autentike
Të nderuar lexues të revistës Gjeopolitika!
Ajo që na shtyu të startojmë me revistën dhe portalin Gjeopolitika ishte, para së gjithash, realizimi i nivelit shqetësues të vetëdijes dhe pjekurisë politike ndër ne. Trashëgimia jonë në lëmin e ushtrimit të ndërgjegjshëm të diplomacisë në dobi të interesit jetik kombëtar, veçanërisht kur bëhet fjalë në raportet me fuqitë rajonale e botërore, lë shumë për të dëshiruar. Por, assesi nuk mund të thuhet se nuk ka edhe qasje pozitive, madje që në start të diplomacisë sonë për krijimin e shtetit modern shqiptar — Lidhja e Prizrenit.
Këto marrëdhënie në lëmin teorik e analitik duhet të pasqyrohen me objektivitet, ndërkaq ekspertiza në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe kushtëzimin historik që imponojnë ato për shtetet e vogla, reflektimi i tyre mbi zhvillimin aktual të proceseve të përgjithshme shoqërore, politike dhe ekonomike në një botë të ndërvarur, do të jetë objekt i trajtimeve që do të publikohen në këtë revistë.
I kisha studiuar rrethanat që e detyruan Profesor Ukshin Hotin të startonte me Demokracinë e tij autentike dhe arsyet që e bën të shndërrohet në peng të Republikës. e me këtë edhe të shuhet pa gjurmë, duke lënë DeA-në në gjysmë të rrugës. Më kishte bërë shumë përshtypje një ese e veçantë e Arbër Xhaferit, me një titull shumë domethënës: “Piramida e vetëmashtrimit”, ku potencohen arsyet reale të defaktorizimit tonë gjatë dekadës së fundit të shekullit XX-të, që si akt ishte shoqëruar me vrasjen e mendimit politik tok me Agorën tonë tradicionale.
Epoka e demokracisë deliberale po vjen.
Ashtu si Alexis de Toqueville, “në perëndim të rendit feudal të Evropës”, që ishte mahnitur me demokracinë e kaubojve të Amerikës, ne do të fascinohemi duke e njohur vetveten dhe Agorën shqiptare, frymën e unitetit e të mendimit që prodhoi ajo.
Ashtu si demokracia e tipit amerikan, edhe demokracia autentike shqiptare, në epokën kur Shteti po i rikthehet fuqishëm gjeopolitikës, ka nevojë për mendim politik të përpunuar, e në përputhje me interesat jetike të vendit dhe të partnerëve strategjikë.
Mungesa e theksuar e parimeve profesionale, e mendimit shkencor politik dhe e gazetarisë analitike në hapësirën shqiptare të këtij lloji, me theks në këtë periudhë tranzicioni të tejzgjatur, ishte e mbetet stimul shtesë dhe nevojë urgjente për një ndërmarrje të kësaj natyre.
Ne do të përkushtohemi në përmbushjen e këtyre nevojave, duke i dhënë përparësi informacionit cilësor dhe mendimit politik nga sfera e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikës së jashtme, të cilat ndikojnë aq shumë në jetën tonë të përditshme.
Proceset aktuale të trazuara gjeopolitike dhe gjeoekonomike, si dhe pozicionet e reja gjeostrategjike të ndjekura nga konflikte ushtarake latente dhe klasike në rritje me intensitet nga më të lartit tek ata më të ulët e formojnë para syve tanë një pamje të re globale të botës që e kërcënon zhdukjen e kombeve të vogla edhe nga skena politike botërore.
Shkalla e injorancës politike, e ngarkuar me primitivizmin ideologjik me ngarkesa neootomane etj., ka penguar dukshëm qytetarinë shqiptare për t’i mbështetur ato forca politike drejtuese që janë në gjendje ta mbajnë barrën e përgjegjësisë historike dhe t’i drejtojnë dy republikat tona, në këtë kohë kritike, në përputhje me interesat jetike të Kombit.
Në ndeshtrashat e historisë gjithmonë është jetike të gjenden e të sillen në krye të Shtetit e të Kombit njerëz të guximshëm dhe të mençur. Dështimi i zbulimit të tyre, si rregull, kishte dhe ka pasoja katastrofale dhe shkatërruese për kombet e vogla, të cilat shpesh rezultuan në zhdukjen e plotë fizike të tyre nga faqja e dheut, siç dëshmohet me shembuj konkretë nga kohët e lashta biblike deri në kohët moderne të qytetërimit njerëzor.
Revista dhe portali Gjeopolitika, në analizat për e rreth botës shqiptare, por edhe në ato që kanë të bëjnë me vatrat e krizës globale dhe rajonale dhe gjykimet për tendencat e tyre në të ardhmen, udhëhiqet ekskluzivisht nga qasja profesionale dhe shkencore, duke e shmangur tendencën mbizotëruese folklorike e propagandistike brenda këtij profesioni kompleks, i cili më pas degradon dhe zhvlerëson, redukton në një nivel të lëndës me të cilën mund të merret kushdo.
Jemi plotësisht të vetëdijshëm se një qasje e tillë, në të cilën emocionet dhe pasionet ua lënë vendin fakteve, mund të shkaktojë reagime negative nga ata që nuk e kuptojnë mjaftueshëm gjeopolitikën dhe analitikën, ose thjesht shqetësohen nga qëndrime që nuk mbështetin botëkuptimin e tyre, respektivisht që bien ndesh me interesat e ngushta të tyre.
Megjithatë, ne jemi të bindur se me paanshmërinë dhe profesionalizmin tonë mund të sigurojmë besimin e lexuesve tanë dhe ta zgjerojmë rrethin e tyre shumë përtej kufijve të dy republikave tona. Sepse vetëm E Vërteta të çon drejt përmbushjes së plotë të gjakimit për liri e për shtet sovran.
Në këtë numër, në pjesën e parë, kemi përfshirë një cikël kumtesash nga dy konferencat shkencore që kishim për dy tema bosht: “Ballkani i hapur — dhe gjeopolitika postmoderne serbe” dhe “Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe — Kurthi i gjeopolitikës serbe”, duke mëtuar të hapim siparin e përfshirjes të sa më shumë studiuesve të fushës së mendimit politik shqiptar.
Redaksia e revistës dhe portalit Gjeopolitika ju uron lexim kritik e të këndshëm, respektivisht komunikim në rrafshin intelektual me analistët tanë të shkëlqyeshëm, duke shpresuar se kështu do të mund të kontribuojmë në përmbushjen e objektivave që i kemi parashtruar vetes si Institut.
Me respekt,
Dr. Sadri RAMABAJA