Hipokrizia politike e Pandeli Majkos
Bashkimi i Kosovës me Shqipërin nuk është temë që mbyllet me direktiva e grishje politikanësh hipokrit, e as akt që kryhet kur dy republikat tona aderojnë në Bashkimin Evropian
Shkruan Dr Sadri RAMABAJA
Prishtinë, 19 shkurt — Ministri i Diasporës në Qeverinë e Shqipërisë, Pandeli Majko, një personalitet i Partisë Socialiste që në Kosovë gëzon respekt, ndërkohë u rreshtua krah Beogradit dhe Brukselit, duke e cilësuar gjakimin e vullnetin politik për bashkim, si “ide të shekullit të kaluar”!
“Nuk ka pse krijon lidhje të natyrave të çuditshme me ide që kanë ekzistuar në shekullin e kaluar, e kam fjalën në vitet ’80 dhe ’90 për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, jo se unë nga pikëpamja emocionale ndihem ndryshe nga z. Kurti, por unë mendoj se diskutime të natyrave të tilla, do të krijonin probleme me aktet ndërkombëtare që garantojnë stabilitetin e Kosovës”, pohoi Pandeli Majko.
I menjhershëm, në këtë gjatësi valësh, ishte reagimi i Komisionit Europian.
Më qartë se kolegu i saj Majko për rrugët që do të ndiqen për realizimin e këtij vullneti politik dhe të drejte të natyrshme të kombit, duket të jetë znj. Elisa Spiropali. “Është një çështje e cila do shumë bisedime, do mirëkuptim nga të dyja palët. Ne e kemi shprehur dëshirën për mirëkuptim, por dhe dëshirën për bisedime, për afrim sa më të madh, jo vetëm të legjislacioneve, por edhe të memorandumeve të bashkëpunimit, që nga arsimi, shëndetësia e gjithçka tjetër, sepse një gjë është e qartë, Shqipëria dhe Kosova duhet të përfarohen në të gjitha nivelet dhe duhet të bashkëpunojnë si dy shtete që kanë një qëllim të përbashkët”, u shpreh znj. Spiropali në Euronews Albania.
Pandeli Majko çuditërisht kishte heshtur gjatë gjithë kohës sa shefi i tij Edi Rama shkonte edhe më larg se znj Spiropali, në një fjalim të tij të mbajtur në Kuvendin e Republikës së Kosovës në shkurt të vitit 2018. Atbotë Edi Rama pat propozuar një President të përbashkët për Republikën e Kosovës dhe Shqipërisë dhe politika të përbashkëta të sigurisë, që do të duhej të arriheshin brenda një periudhe të arsyeshme. Atbotë Pandeli Majko nuk ia kishte kujtuar shefit të tij se një hap i tillë “mund të kishte problem me aktet ndërkombëtare për Kosovën”!
Dhe mirë kishte bërë. Shestimet e z.Rama në shkurt të vitit 2018 ishin në përputhje me legjitimitetin dhe vullnetin politik të shqiptarëve.
Në teoritë moderne mbi shtetin, legjitimiteti i referohet njohjes dhe ligjshmërisë së një shteti, sistemit të tij të rregullit ose akteve administrative individuale përmes pajtueshmërisë me disa parime dhe vlera, qofshin ato edhe në kontrast me ligjshmërinë. E drejta për vetëvendosje, vet parimi i vetëvendosjes, prandaj është sanksionuar në të githa aktet e së drejtës ndërkombëtare si parim fundamental i së drejtës ndërkombëtare dhe njëkohësisht parim bazë i të drejtave të njeriut.
Zyrtari i lartë i Partisë Socialiste dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, duke iu referuar qëndrimit të Kurtit, i cili një ditë më parë për “Zërin e Amerikës” u shpreh se “nuk ia mbyll derën në të ardhmen intencës historike të kombit në njërën anë dhe as popullit si vullnet gjithnjë përbrenda kornizave paqësore e demokratike” i bëri thirrje Kurtit, që si fitues i zgjedhjeve, të fokusohet te forcimi i shtetit të Kosovës.
Hipokrizia në këtë rast ka emrin Pandeli Majko.
Përse reagon sot kështu Pandeli Majko me gjuhën e hipokritit? Duket se leksioni i 14 shkurtit i zgjedhjeve në Kosovë dhe fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje, e ka bërë të shqetësohet edhe establishmentin politik në Tiranë. Ata tashmë e kanë të qartë se së shpejti, fryma e VV-së do të jetë prezente gjithandej, madje edhe si forcë politike e rëndësishme edhe në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Zoti Majko dhe qeveria e socialistëve në Tiranë e logjikshme, do të ishte ndërkohë të përafrohen me Qeverinë Kurti 2 dhe të parashtrojnë projekte të përbashkëta që përafrojnë e integrojnë dy republikat shqiptare.
Fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe e Kurtit në veçanti është hap cilësor dhe gjigant në historinë politike të shqiptarëve edhe në raportet shoqëri:shtet, por edhe në raportet drejtësi sociale: progres soqëror. Po jetojmë kohën kur këta hapa do të bëhen edhe më cilësor.
Koha e establishmentit të vjetër brenda Partisë Socialiste dhe jo vetëm asaj, po perëndon. Hapni krahun të rinjëve progresiv real, që do t’i shpjejnë dy republikat tona drejt aktit historik të krijimit të Federatës shqiptare dhe faktorizimit të kombit.