HOMOFABERËT HEQIN MASKAT

Sadri Ramabaja
17 min readFeb 26, 2021

--

Hyrje

Më 25 mars 2020 kulmoi akti i dehumanizimit të plotë të politikës, që u reflektua përmes votimit të mocionit ndaj qeverisë “Kurti”. Ajo ditë mund të hyjë fare lehtë në historinë politike të Kosovës, si një Ditë e Zezë, respektivisht Ditë Kobi.

Në një intervistë dhënë të përditshmes vjeneze “Der Standard” të 17 nëntorit 2004, Vaclev Havel, duke reflektuar mbi moralin dhe politikën, nënvizon se “politika nuk duhet të jetë thjesht një teknologji e pushtetit, por edhe aktivitet me dimensione të gjera morale”.

Regjisori i kësaj maskarade dhe intrige makiaveliste tashmë është i njohur për publikun e gjerë. Më 25 mars 2020 ai dhe banda e tij e shndërruan Kuvendin nga një tempull i demokracisë si do të duhej të ishte, në një të keqe publike.

Kur urrejtja tok me injorancën vijnë në pushtet

Në janar 1933 në Berlin “urrejtja vjen në pushtet”, pohon David Foenkinas (2014). Më 25 mars 2020, urrejtja e olhokratëve dhe e faberëve tanë deputetë, nuk dallon shumë nga ajo e nazistëve të Gjermanisë së vitit 1933. Nëse e para (vala e urrejtjes në Gjermani), pengoi stabilizimin e socialdemokracisë dhe gjasat për prosperim social e politik jo vetëm në Gjermani, por edhe në nivel të Europës Perëndimore, duke sjellë në pushtet Hitlerin dhe partinë e tij naziste, që shpejt do të bëhen shkaktarët e tragjedisë më të madhe të njerëzimit në histori (LDB), faberët tanë banditë (politikanë, biznesmenë e të ashtuquajtur analistë), të mbledhur tok, që më asociojnë shumë me banditët e komedisë së regjisorit të famshëm George Roy Hill (1969) te filmi “Dy banditët”, rrëzuan qeverinë më të mirë që pati Kosova në historinë e saj, duke mëtuar të vrasin, madje, edhe shpresën e një brezi.

Ky akt nuk ka se si të mos shihet i ndërlidhur me krizën e thellë morale, ku e ka zhytur vendin kasta e olhokratëve që po e mban Republikën peng për kaq vite. Përgjegjësit e këtij akti të turpit, që pretendohet të pasohet me zhytjen e Republikës në krizë edhe më të thellë, me mundësi reale që ajo të shoqërohet me humbjen e Veriut, duhet të përgatiten për gjyqin historik, nëse jo për atë penal në një ditë të afërt.

Kjo lukuni makute ujqish bën puçin e radhës, shkel vullnetin politik të qytetarëve dhe riciklon në pushtet sojin e vet. Populli indinjohet në përmasa të papara.

Por goditjen brutale ndaj demokracisë dhe vullnetit politik të shprehur më 6 tetor 2019, do ta vulosë Gjykata Kushtetuese me aktgjykimin e saj që e bëri publik në mbrëmjen e 28 majit, pas ankimimit që kishte ushtruar Lëvizja “Vetëvendosje” ndaj aktit presidencial për emrin e A. Hotit në postin e kryeministrit. Kjo goditje ndaj demokracisë dhe vullnetit politik të popullit, është e ndërlidhur ngushtë me projektin për ndarjen e Kosovës.

Politikat e olhokratëve tanë, teksa u shndërruan në teknologji të pushtetit, më 25 mars 2020 turpëruan urtinë e brezave. Ata, duke iu nënshtruar bullizmit diplomatik të administratës së presidentit D. Trump, që ndërkohë përveç supozimeve, është verifikuar edhe në rrafshin shkencor, si presidenti më i keq i SHBA-së, pas James Buchanan-it, i cili ishte përgjegjës i luftës qytetare në vitet 1861–1865, u dëshmuan se mbesin arrivistët më të pashembullt për pushtet.

Duke i fryrë zjarrit të ndarjes së Veriut të vendit, që “flladi i NATO-s” e pati shuar në pranverën e 1999-ës, kreu i kësaj bande hajdutësh nuk ka asgjë të përbashkët, madje as me plakën çeke, që e prirë nga instinkti i nënës, i kishte fryrë gabimisht zjarrit, që “xhelati ia kishte vënë një çast më parë turrës së druve, e që një fllad i lehtë ere e kishte shuar”.

Reformatori çek dhe nismëtari i lëvizjes humaniste Jan Husi, ideator i emancipimit politik e kulturor të çekëve, në përpjekjet për çlirim nga pushtuesit gjermanë, kishte veneruar nga afër veprimin e plakës së gjorë dhe nxjerr nga thellësia e shpirtit togfjalësh e famshëm “injorancë e pafajshme”, që më pas do të bëjë histori. Por, nëse plaka çeke vërtet ishte injorante, sa edhe e pafajshme, si edhe turma prej së cilës shkëputet, olhokratët tanë deputetë me kollare, e kostume të markave të shtrenjta, sado injorantë që janë, ata nuk shfajësohen dot. Olhokratët tanë deputetë, po, më shumë se me plakën çeke të ndërlidhur me atë indulgjencën e Jan Husit, do të mund t’i krahasonim me pararendësin e tyre, plebeun shqiptar, Esat pashë Toptanin, që, siç shprehet M. Macmilan, ishte “njeriu që nuk njihte asnjë gjuhë të Europës, por njihte shumë mirë vlerën e të gjitha monedhave europiane”. [2]

Ata 61 homofaberë modernë (deputetë të Kuvendit të Republikës), që turpëruan kombin më 25 mars 2020, prandaj do të kujtohen vetëm si marioneta të mjera, që shesin dinjitetin e tyre për një grusht euro a dollarë.

Që turpi historik të mos merrte përmasat e Kuvendit të Prizrenit (1945), apo atij të Prishtinës (1989), popullit, megjithatë, nga ai Parlament iu kumtua e vërteta, meqë deputetët e VV-së dhe ca minoritarë, ata 32 sa ishin atë ditë Zëri i Popullit (Vox Populi), folën zëshëm të vërtetën. Përmes zërit të tyre, ata ua hoqën maskat deputetëve olhokratë esadistë, që fshiheshin prapa bullizmit diplomatik të një fashisti modern, siç e cilëson Madeleine Albright presidentin Trump. [3]

Anibalë laboratorikë sërish në skenë

Epoka e apartheidit (1989–1999) kishte promovuar tipin e homopolitikusit steril. Administrata e UNMIK-ut do të insistojë ta angazhojë po këtë kategori, duke kultivuar më tej tipin e homopolitikusit kuazikozmopolit “të ftohtë e pa nerv”, pa personalitet identitar dhe pa rol në jetën sociale e politike! Këtë tip qytetari kozmopolit Maks Fisheri (Max Fischer), njëri nga shkrimtarët më të njohur zviceranë, do ta cilësojë si homofaber (njeri-dele).

Hannah Arendt, filozofia gjermane me prejardhje hebreje, në librin e saj “Vita activa” (1958), këtë tip qytetari e cilësonte si “anibal laboratori” (kafshë punëtore), që ekzistencën, të qenët në jetë, sigurimin e jetës, e redukton thjesht me gjakimin për një vend pune, pra me punën. Ky tip i anibalit laborator qëllim jetësor ka jetën e luksit, respektivisht jetën e derrit të zhytur e të kënaqur në llum.

Homofaberët e UNMIK-ut, sado njeri-dele që ishin, megjithatë, nuk i fshehin ambiciet politike, shpirtin arrivist, megjithëse në dukje vetëcilësohen liberalë e të civilizuar. Por, që të mbesin në pushtet, pranojnë të jenë edhe figurantë e servilë, qoftë edhe të “kumandantave” makutë e injorantë. Prandaj ata, më 25 mars 2020, sërish u bënë tok, duke shpërfaqur publikisht mjerimin politik, fytyrat pa maskë prej anibalësh laboratorë.

***

Impenjimi i ambasadës amerikane në çështjet që ndërlidheshin me politikat e brendshme dhe administrimit në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë (2008) erdhi duke rënë në binarët e normalitetit. Ishte e vetëkuptueshme, meqë Uashingtoni ndërkohë kishte prioritete të tjera. Por ky trend do të ndryshojë thelbësisht pas 6 tetorit 2019.

Periudha 2015–2019 shënon një lloj revizionimi të politikave me karakter gjeostrategjik të fuqive vendimmarrëse ndaj Ballkanit, por edhe të raporteve brenda aleancës veriatlantike. Nëse deri nga fillimi i vitit 2015, si për Brukselin, edhe për Uashingtonin, vlente qëndrimi i Grupit të Kontaktit në raport me Kosovën dhe kufijtë e saj, por përgjithësisht edhe për rirreshtimet politike që ndërlidheshin me stabilizimin e rajonit, periudha më tej do të shënojë lëkundje, respektivisht një lloj revizionimi të atyre qëndrimeve. Dialogu Kosovë-Serbi që ndërmjetësohej konform rezolutës së veçantë të KS të OKB-së, nën udhëheqjen e Federica Mogherini-t, pësoi devijim thelbësor në dobi të kërkesave të Beogradit. Arsyet reale pse po ndodhte ky devijim ishin të ndërlidhura ngushtë me Dhomat e Specializuara (Gjykatën Speciale) dhe akuzat e ngritura tashmë nga senatori zviceran Dick Marty, që e implikonin Hashim Thaçin në krime të rënda gjatë e pas luftës në Kosovë. Vitet 2017–2018 shkuan në favor të akordimit të fshehtë mes Vuçiqit e Thaçit për ndarjen e Kosovës.

Ardhja në krye të Shtëpisë së Bardhë e Donald Trampit, tok me këshilltarin për Çështje të Sigurisë Kombëtare, John Bolton (Xhon Bollton), i njohur për qëndrimin e tij kundër Republikës së Kosovës, do t’i hapë rrugë këtij varianti proserb.

Në një intervistë dhënë “Balkan Inshigt”, i pyetur drejtpërdrejt për idenë e shkëmbimit të territoreve, siç interpretohej ndërkohë plani për ndarjen e Veriut, ai përgjigjet decidivisht:

“Unë u pyeta për këtë dhe përgjigjja që dhashë ishte politika e administratës (së Trump-it), nëse vetë palët ndiejnë se si pjesë e një zgjidhjeje të përgjithshme do të kishte kuptim përshtatja e territoreve, Shtetet e Bashkuara do ta mbështesnin atë… Në kohën për të cilën po bëhet fjalë edhe europianët ishin duke parë këtë opsion, dhe disa prej tyre patën saktësisht të njëjtën pikëpamje. 4) Më pas ai do të jetë edhe më deciziv, duke pohuar se “ideja e shkëmbimit të territoreve ka ardhur nga vetë liderët e Kosovës dhe të Serbisë”. [5]

Këto momente reflektimi të fuqive vendimmarrëse, që ndërlidhen me rikthimin e fuqishëm të neoliberalëve, respektivisht fashistëve modernë në krye të shteteve të fuqishme, edhe aty ku demokracia liberale mendohej se është e stabilizuar njëherë e mirë, Beogradi do ta shfrytëzojë në maksimum, duke punuar për realizimin e agjendës së tij politike. Ishin pikërisht këto politika, që patën prodhuar marrëveshjen tejet të dëmshme të 19 prillit 2013, që do të pasojë me atë të korrikut 2015 mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Brukseli, që do t’i hapin rrugë Republikës Sërbska në veri të Kosovës, respektivisht Zajednicës, e ndërkohë në vitin 2018 do të përfundojnë me marrëveshjen e fshehtë për ndarjen e Veriut.

Për Beogradin, gjatë gjithë kohës sa Kosovës do t’i imponohet dialogu, objektiv real ishte plani “Ahtisari plus”, që nënkuptonte bashkimin e komunave të Veriut në një kanton më vete. Por, meqë ndërkohë e kishin në dorë Hashim Thaçin, është krejt normale që ata do të provojnë variantin e ndarjes, që do ta prezantojnë edhe si një lloj përkufizimi final (razgraniçenie) me shqiptarët. [6]

Pavarësisht këtyre rrjedhave negative, në Kosovë po vihej re rrita e një lëvizjeje autentike politike, që artikulohej qartë kundër politikave të UNMIK-ut e pastaj edhe të EULEX-it. Fjala ishte për Lëvizjen “Vetëvendosje”. Kjo lëvizje e re revolucionare ishte një lloj vazhdimësie e mendimit autentik politik, që e kishte promovuar në vitet ‘90-të të shek. XX profesor Ukshin Hoti. Kjo lëvizje e re politike, de fakto, mund të shihet edhe si një lloj vazhdimi i revolucionit antikolonial, që Kosova kishte përjetuar me shpërthimin e demonstratave të pranverës së 1981-ës.

Marrëveshjet e vitit 2013 e 2015, të nënshkruara nga Thaçi e Mustafa, nëse venerohen me kujdes të duhur, na rezultojnë de fakto si vazhdim i frymës së marrëveshjes (sic!), që kishte nënshkruar fill pas luftës administratori i UNMIK-ut, Hans Hakerup, (2001) në emër të Kosovës. Kjo marrëveshje përfshinte “organizimin e policisë dhe të sistemit gjyqësor në ato pjesë të Kosovës, ku serbët përbëjnë shumicën dhe kërkesën jugosllave për ngritjen e një organizmi që të zyrtarizojë lidhjet e Beogradit me Kosovën”, që de fakto paraqet rikthimin zyrtar të Beogradit në Kosovë si palë për administrim! [7]

Nëse në këtë marrëveshje Hakerup kishte pranuar të inkorporonte edhe një klauzolë specifike (pika 5), që ndërlidhej me vetë statusin e Kosovës, meqë potencohej se kosovarët nuk do të kenë mundësi në të ardhmen që të merrnin kurrfarë vendimi për statusin e saj, pa pëlqimin e Beogradit! Deri në këtë pikë kishte shkuar kompromisi i zyrtarit të UNMIK-ut, duke kaluar çfarëdo kompetencash që kishte bazuar edhe në rezolutën 1244!

Nëse opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ia kishte bërë të qartë Beogradit se, epoka e sundimit të Kosovës nga Beogradi kishte marrë fund, sipas marrëveshjes së 19 prillit 2013, duke i rehabilituar paramilitarët, që veten e quanin “Rojat e urës” dhe segmentet e policisë serbe në veri e gjetkë, duke i inkorporuar brenda sistemit të sigurisë dhe drejtësisë së Republikës, de fakto po rikthente Serbinë përmes një dere rezervë.

Rikthehemi kështu te projekti i Ivo Viskoviqit, profesor i shkencave politike në Universitetin e Beogradit, disi i ngjashëm me planin që kishte ndarë Koretë (Korenë e Veriut nga ajo e Jugut) në vitin 1950, ndërkaq në vitin 2018, Thaçi tok me Vuçiqin do ta “zbusin” planin e ndarjes përmes eufemizmit politik, duke u deklaruar për shkëmbim alias ripërkufizim të kufijve mes shqiptarëve dhe serbëve!

Ky projekt i paketuar kështu, si projekt që i jep fund dramës dyshekullore mes dy kombeve dhe si parakusht për ndërtimin e paqes në rajon, ndërkohë do të marrë mbështetje edhe nga kryeministri i Shqipërisë (sic!) dhe diplomacia bulliste e D. Trump-it, siç u shpreh profesori i njohur amerikan, Daniell Server, më 28 mars 2020, me ç’rast do t’u krijoheshin parakushtet homofaberëve tanë të votojnë mocionin për heqjen e pengesës: rrëzimin e qeverisë “Kurti”.

Akti i votimit të mocionit më 25 mars 2020, me tërë sfondin e tij mafioz, ishte i tëri i iniciuar e i dirigjuar nga i ashtuquajturi President i Republikës!

Përfundimi do të mund të merrte përmasa tragjike: bashkë me rrëzimin e qeverisë “Kurti”, po tentohej të vritej edhe shpresa e qytetarëve, se Republika mund të bëhet. Kjo vrasje, meqë nuk u bë dot përmes një puçi institucional, që kishte projektuar presidenti duke shpallur kot gjendjen e jashtëzakonshme dhe duke nxjerrë ushtrinë e njësitë speciale të policisë në rrugë, meqë duket se kishte projektuar edhe një “Blic Krig” në veri, që do t’i impononte KFOR-t ta promovojë “hapësirën e ndërmjetme”, duke rimarrë kështu rastin e Qipros aty tek ura e Ibrit, ai plan do të ekzekutohet përmes organizimit të mocionit, me çka iu krijua mundësia legale e rikthimit të plotë të boshtit të së keqes në krye të Republikës.

Dhe, që ironia të jetë edhe më e madhe, kjo vrasje e shpresës së qytetarëve po bëhej pikërisht në kohën, kur virusi Covid-19 po atakonte fshehur e po kërcënonte për jetë me dhjetëra e qindra qytetarë edhe në Republikën tonë. Vetëm 24 orë pas votimit të mocionit, presidenti paralajmëroi atentatin ndaj kushtetutës!

Shteti si korporatë

Krimi i dytë dukej se do të bëhej po ashtu me konsensus brenda bandash të veshura me kostumin e politikanëve, meqë marrëveshja e ish-komandantëve-olhokratë me Fushenë shqiptar (Isa M.) për ndarjen e pushtetit tashmë ishte e përfunduar. Një pjesë e servilëve të LDK-së, ky soj politikanësh monstrumë, produkt i masturbimit të pinjollëve titistë me ish-padronët e tyre, tok me homofaberët e UNMIK-ut, përfaqësohen më së miri nga ekzemplari i Driton S., që lëshon lapsusin frojdian, pranon publikisht se ndihet mirë duke qenë servil i diplomacisë bulliste të Richard Allen Grenell-it me shokë.

Duket se Fusheja ynë ua njeh shijet kanibaliste olhokratëve tanë, që vijnë nga prapaskenat puçiste të luajtura paraprakisht brenda LPK/UÇK-së. Prandaj ai i ka pajtuar si bashkëpjesëmarrës edhe në krimin e radhës: shitjen e Veriut!

Ky plan ogurzi ka rrezik të realizohet shpejt e shpejt, brenda muajve në vijim, kur bota demokratike do të jetë edhe më e zënë me pandeminë e Covid-19 dhe në ethet e zgjedhjeve presidenciale në SHBA, që duket se do të jenë vendimtare për historinë moderne, meqë na kujtojnë për shumëçka vitin 1933 në Gjermani.

Indi material i këtij konsensusi është vetë kapja e shtetit, që u pasua me grumbullim të pasurive përrallore, që homofaberët tanë kanë krijuar për këto njëzet vjet, duke plaçkitur paranë publike me një makutëri të pashembullt.

Homofaberët, të ashtuquajturat parti politike që u krijuan pas luftës (PDK-ja, AAK-ja apo “NISMA”), i kanë shndërruar me kohë në korporata. Kësaj do t’ia dalin edhe falë fondit “Vendlindja thërret”. Duke i shndërruar partitë në korporata, aksionet i kanë ndarë mes tyre, sidoqoftë, jo më shumë se 200 deri 300 veta. Ndërkaq, LDK-ja, si “trashëgimtare” e vetme e Fondit të Solidaritetit që pati krijuar qeveria në ekzil e Bujar Bukoshit, që në popull njihet shkurt Fondi i 3%-it, me kohë do t’ia arrijë që të shndërrohet në korporatë më të stabilizuar dhe, për pasojë, meqë ishte edhe fituese e pushtetit në vitet e para të pasluftës, ajo do të imponohet si palë e fuqishme në ndarjen e aksioneve të shtetit, fillimisht me PDK-në, e më pas edhe me AAK-në! Këtë fakt, në fshehtësi, e pranojnë zyrtarët e lartë të të gjitha këtyre partive-korporata.

Historia e plaçkitjes së pasurisë së popullit, e të ndarë në aksione mes LDK-së e PDK-së, është përkthyer edhe në shëmtinë e qyteteve tona. Kemi lagje të tëra janë pa kurrfarë plani urbanistik, që kanë përjetuar një lloj urbanocidi të llojit të vet! Këto politika janë përkthyer edhe në lagje ultramoderne në periferi të Prishtinës, pastaj në llogaritë bankare në oazat e krimit financiar botëror (Panama, Dubai etj.).

Këtë “gërshetim transferues të korrupsionit” [8], siç e quan me të drejtë akademik Pëllumb Xhufi këtë lloj krimi, këto banda e kanë shtrirë kudo edhe në institucionet e shtetit: në ATK, gjykata, polici etj. Prandaj ata, më 25 mars 2020 u bënë tok për rrëzimin e qeverisë “Kurti”, mjafton që për një kohë t’u shpëtojnë aksionet e tyre!

Akti i turpit i shpërfaqur më 25 mars 2020 është produkt i bashkëpunimit mes intrigantëve të Prishtinës, asaj grup animalësh laboratorë, të cilët cilësoheshin disi “më të civilizuar” (që i la trashëgim Kosovës administrata e UNMIK-ut) në njërën anë dhe administratës së D. Trump-it, respektivisht të dërguarit të tij Grenell.

Këto maskarada politike të olhokratëve tanë kanë edhe anën e vetë pozitive: ato kanë bërë të mundur rënien e maskave.

Mbreti dhe princat që e rrethojnë, tashmë janë lakuriq!

Kulti i telegrafit

Seanca e turpit e 25 marsit 2020 i ndihmoi qytetarët tanë t’i shohin në pasqyrë homofaberët e llojit të vet, që ia punojnë me të keq demokracisë dhe shtetit. Ajo seancë, në anën tjetër, përveç bullizmit diplomatik të llojit të vet të administratës së Trump-it, shpërfaqi edhe mungesën e një vizioni të qartë të BE-së për Kosovën, respektivisht lëvizjen e ngadaltë të diplomacisë europiane. Demarshi i vonuar i Francës dhe i Gjermanisë në adresë të LDK-së, ishte dëshmia më e mirë se investimi i Berlinit në rikthimin e ringjalljen e LDK-së ishte i gabuar.

***

Historia tashmë i ka argumentuar rrugët që ndoqi Esat pashë Toptani në karrierën e tij politike. Ai, në fakt, ka pohuar vetë, se si ditën që dorëzonte Shkodrën (1913), njeriu i tij i besuar në Triste merrte në dorëzim gjysmë milioni franga ari. Ky pazar i pështirë i këtij pashai me Knjaz Nikollën tashmë është i stivuar në arkivat e shtetit, por edhe i bërë publik.

Një pazar i ngjashëm duket të jetë bërë edhe për Mitrovicën dhe tërësisht me Veriun, çka merr nga Ibri e lart, pikërisht gjatë Konferencës së Rambujesë. Historia do ta dëshmojë shumë shpejt këtë pandehmë tonën. Por në vend të gjysmë milioni frangash ari, si dikur për Esat Toptanin, kësaj radhe fjala është për disa dhjetëra miliardë dollarë, siç përflasin gjithandej të ashtuquajturit “anibal laborator”, që shërbejnë me kohë si këshilltarë të Edi Ramës dhe Hashim Thaçit, që në opinion njihen si ish-bashkëpunëtorë të inteligjencës ose pinjollë të tyre.

Si dikur Esat Toptani, që do të ndërtonte pushtetin e vet duke marrë në konsideratë “rivalitetin mes Italisë e Austro-Hungarisë”, Hashim Thaçi po tenton hapur që të mbetet në pushtet e, mbi të gjitha, t’i shmanget daljes para drejtësisë (Prokuroria tashmë ka bërë të ditur, se ekziston një aktakuzë ndaj tij) për krime lufte etj., duke tentuar të shfrytëzojë rivalitetin mes SHBA-së dhe BE-së.

Esat pashë Toptani ishte i bindur se miqësia e tij me Serbinë, Malin e Zi dhe Greqinë nuk do t’i mjaftonte për ruajtjen e pushtetit, prandaj ai do të lidhej edhe me Italinë.

Edhe Hashim Thaçi, sidomos pas promovimit të qeverisë “Kurti”, e kishte të qartë se miqësia e tij me Aleksandar Vuçiqin nuk do t’ i mjaftonte për mbetje në pushtet e as për t’iu shmangur Gjykatës Speciale që vetë e kishte krijuar (sic!). Prandaj, ai do të shfrytëzojë paratë e shtetit për të paguar lobistë gjithandej, sidomos në Angli, në Francë e SHBA, për ta lidhur fatin e tij me D. Trump-in dhe njerëzit e tij.

Esat Toptani dhe Hashim Thaçi kanë edhe një të përbashkët tjetër: Kultin e telegrafit. Siç dëshmon gazetari italian që e kishte intervistuar Esat Toptanin, Italo Sullioti, ai, pra Esati, “nuk donte të linte gjurmë të asaj që thoshte e të asaj që bënte. Dhe në këtë kuptim, ai e dinte mirë se telegrafët i merr era, kurse scripta manet”. [9].

Në seancën e 25 marsit në Kuvendin e Republikës, Albin Kurti dëshmoi se pse ai është i bindur që marrëveshja mes Hashim Thaçit dhe e Aleksandar Vuçiqit për aneksimin e Veriut Serbisë ekziston, pavarësisht se ajo mund të mos ishte e shkruar e zeza në të bardhë. Por, le të kujtojmë edhe një fakt: për arritjen e saj ishin përdorur harta dhe ishin zënë në gojë kuota të larta, që do të shërbenin për shënjimin e memorizimin e asaj marrëveshjeje, por në to do të mungojë firma e Hashim Thaçit.

Në prag të fundit të jetës së tij, Esat Toptani, siç pohon ambasadori francez në Romë, Barrere, ai do të bëhej “një klient i padobishëm dhe kompromitues” [10] edhe për vetë Francën.

Pamjet që dhanë mediet vizive më 30 mars 2020 nga takimi i Thaçit me ambasadorët e Kuintit (SHBA, Francë, Gjermani, Britani e Madhe e Itali), nuk linin shpresë se ai shumë shpejt do të bëhej një “klient i padobishëm dhe kompromitues”. Por, derisa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte në udhëtimin e planifikuar më 27 qershor 2020 për në Uashington, Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi se “më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte, ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura”. [11]

Pas këtij publikimi, që duket në kundërshtim me vullnetin e të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, Thaçi u shndërrua në një “klient i padobishëm dhe komprometues”.

Ish-ambasadori amerikan në Moskë në periudhën fill pas Luftës së Dytë Botërore. George Kennan, i njohur më pas si një nga historianët më konservatorë amerikanë, në shkurt 1946, në raportin e tij, përveç të tjerash, theksonte: “Rreziku më i madh që na kanoset në përballjen me komunizmin sovjetik, është atëherë kur ne do të lejojmë që të bëhemi të njëjtë me ata me të cilët kemi punë”.

Shoqëria kosovare, sidomos struktura e SHIK-ut, në përballje me mbetjet e UDB-së, ra pikërisht në grackën për të cilën i paralajmëronte shoqëritë liberale Georg Kennan, se duhej t’i shmangeshin me çdo çmim. Kjo strukturë (SHIK-u), duke u shkrirë në PDK, fillimisht imitoi simotrat e saj serbo-ruse, kapi shtetin dhe e identifikoi partinë me shtetin! Me këtë akt ajo defunksionalizoi tërësisht Republikën, meqë ia nënshtroi idealin e ndërtimit të shtetit interesave të grupit, që me kalimin e kohës, siç e pamë, e shndërroi në korporatë.

***

Nuk ishte i rastësishëm unifikimi i forcave reaksionare tok me Listën Serbe më 25 mars 2020 për ta rrëzuar qeverinë “Kurti”. Ky unifikim ka bazë reale historike e shoqërore, ekonomike e sociale…

Viti 1948 shënonte për Europën Perëndimore, sidomos për Francën dhe Anglinë, fenomenin e zgjimit të ndërgjegjes së të shtypurve, vegjëlisë, që me të drejtë më pas u njoh edhe me emrin “Pranvera e popujve”.

Këtë lloj zgjimi, që do të mund të krahasohej me atë të “Pranverës së popujve” të Europës Perëndimore (1848), shoqëria kosovare duket se e përjetoi në javët e para të vjeshtës së 2019-ës, ndërkaq më 6 tetor ai zgjim i vonuar do të shpërthejë si vullkan i pashuar.

Olhokratët tanë që sunduan këto dy dekada pas çlirimit nga Serbia, përmes kursit të pabarazisë që aplikuan dhe demonstrimit publik të injorancës, kishin shkaktuar irritim masiv në popull, sidomos te rinia.

Më 6 tetor 2019, ashtu si pas “Pranverës së popujve” më 1848 në Perëndim, kur do të bëheshin tok “të gjitha fuqitë e Europës plakë, Papa dhe Cari, Meterniku dhe Gizoja, radikalët francezë dhe policët gjermanë, që ishin bashkuar për të bërë “luftën e shenjtë” kundër “fantazmës” së socialdemokracisë”, edhe olhokratët tanë të të gjitha ngjyrave, që po e përjetonin humbjen keq dhe kishin rënë në panik, u bënë bashkë për ta luftuar Lëvizjen “Vetëvendosje”, këtë frymë të socialdemokracisë moderne shqiptare, duke penguar ecjen e Republikës sonë në marshin e përbashkët europian për promovimin e demokracisë deliberale.

_________________________________________________________________

Shënim: Me kërkesë të “New York Times”-it ishin 170 anëtarë të “American Political Science Association” (Shoqata Shkencore e Politologëve Amerikanë), që kanë dhënë opinionin e tyre, duke nxjerrë kështu presidentin aktual, nga gjithsej 45 sa ka pasur SHBA-ja në historinë e tyre politike të parafundit.

_________________________________________________________________

Fusnotat

1. https://www. haz. de/Nachrichten/Politik/Deutschland-Welt/Trump-schlechtester-US-Praesident-aller-Zeiten

2. M. Macmilan, Paris 1919, Six months that changed the World, New Zork, 2003, f. 359.

3. Madeleine Albright, Faschismus — Eine Warnung, Koeln 2018, f. 273.

4. https://balkaninsight. com/2020/07/15/ish-keshilltari-i-trump-vajton-mundesine-e-humbur-rreth‌-kosoves/?lang=sq‌

5. https://a2news. com/video/deklarata-e-forte-e-john-bolton-shkembimi-i-territoreve-u-propozua‌-nga-lideret-e-kosoves-dhe-serbise

6. https://a2news. com/video/deklarata-e-forte-e-john-bolton-shkembimi-i-territoreve-u-propozua‌-nga-lideret-e-kosoves-dhe-serbise

7. https://docs. google. com/document/d/1ZSEO40PavvRdG0s5p2FS-gH2lSsYNRwWrIZDVrj33RM/edit)

8. Pëllumb Xhufi, Ikje nga Bizanti, Tiranë, pa vitin e botimit, botues “Dituria”, f. 119.

9. A. Italo Sullioti, Un reni per sei misi, Milano 1914, cituar sipas P. Xhufit, “Ikje nga Bizanti”, f. 245.

10. Po aty, f. 245.

11. https://www. Europaelire. org/a/aktakuz%C3%AB-kund%C3%ABr-tha%C3%A7it-dhe-veselit-p%C3%ABr-krime-lufte-/30688453. html )

--

--

No responses yet