Intro “Syri i Popullit”

(Publikuar më 6 shtator 2021

Shkruan: Andrea Myller, politolog

Unë do të doja të tregoja historinë e “Syrit të Popullit” (në gjermanisht “Das Auge des Volkes”). Ajo është gjithashtu historia e Sadri Ramabajës, të cilin e njoh që nga viti 1998, që nga raportimi im për televizionin zviceran për luftën në Kosovë. Historia e “Syrit të Popullit” është shumë më tepër se kaq:

Historia e “Syrit të Popullit” është “një vajtim për lirinë e shkelur,
për abuzimin e hapur të ligjit dhe kushtetutës,
për shpresat e vrara të disa brezave”.

Ajo ofron pikëvështrime shqetësuese pas fasadës së peizazhit politik të Republikës së re të Kosovës. Ai ka në qendër të vëmendjes disa kapituj të errët të luftës çlirimtare 1998/99, herë-herë të përgjakshme për pushtet brenda udhëheqjes së UÇK -së gjatë luftës dhe në makinacionet e eksponentëve të saj më të rëndësishëm, që kishin bërë çmos për të forcuar dhe mbajtur pozicionin e tyre të pushtetit në periudhën e pasluftës.

Historia e “Syrit të Popullit” është gjithashtu shumë aktuale: Ekipi udhëheqës rreth presidentit Hashim Thaçi përdori “Syrin e Popullit” në betejën për të shmangur dy kërcënimet më të mëdha:

Së pari, fitoren zgjedhore dhe marrjen e pushtetit nga lëvizja Vetëvendosje (që ka ndodhur ndërkohë) dhe

Së dyti, arrestimin e Hashim Thaçit nga Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë nën dyshimin për krime lufte (që ka ndodhur edhe kjo ndërkohë).

E gjithë udhëheqja e shtetit të Kosovës rreth Hashim Thaçit është paraqitur personalisht në gjyqin e “Syrit të Popullit” 2019/2020 si dëshmitar të Prokurorisë. Ata akuzuan Sadri Ramabajën se ishte ideolog i një organizate terroriste të quajtur “Syri i Popullit ”, e cila synon përmbysjen e sistemit politik dhe ekonomik në Kosovë. Organizata e Sadri Ramabajës synonte, sipas kësaj akuze, të vrasë përfaqësuesit më të lartë të shtetit të Kosovës dhe gjithashtu të vrasë një numër figurash të tjera publike si gazetarë, anëtarë të gjyqësorit, klerikë, etj.

Gjykata dënoi Sadri Ramabajën, i cili ishte në paraburgim ishte për gati 3 vjet, me pesë vjet burg në vjeshtën e vitit 2020. Avokati i tij apeloi menjëherë, ndërkaq ankesën e tij gjykata e apelit e aprovoi plotësisht më 23 shtator 2020. Ajo, pra Gjykata e Apelit, e ka shpallur aktgjykimin e Gjykatës së shkallës së parë të pavlefshme dhe ka urdhëruar procedime të reja.
Është me interes të veçantë të rikujtojmë se, Gjykata e Apelit ka kërkuar shprehimisht që pretendimet në çështjen “Syri i Popullit” në procedurat e reja kundër Sadri Ramabajës, të mos ngrihen më.
Pyetja e vetme që duhet sqaruar tashti është se çfarë roli mund të ketë luajtur Sadri Ramabaja në një atentat nga një autor me konfuzion mendor në mars 2017 ndaj Azem Vllasit, ish -kryetarit të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës (LKJ për Kosovë).

Unë do ta rrëfejë historinë e “Syrit të Popullit” në disa kapituj (postime në blog) dhe, së fundi, por jo më pak e rëndësishme, do të rrëfej për disa çështje të prapavijës që janë ende pak të njohura në Kosovë, ose të paktën thuajse nuk janë zënë në gojë ndonjëherë publikisht. Në muajt e fundit kam pasur disa diskutime në sfond me qytetarë kosovarë (njohës të realitetit në fjalë), disa prej të cilave i kam regjistruar edhe në video. Do të kem më shumë biseda (me personalitete tjrë) në muajt e ardhshëm dhe do të raportoj për to këtu në blog.

Dua të filloj sot me intervistën që kam kryer me avokatin e Sadri Ramabajës, avokatin Ramiz Krasniqi, më 11 qershor 2021 në zyrën e tij, në Prishtinë. Ndërkaq do të thellohem më shumë në detaje në një postim të mëvonshëm në blog, por do të doja të publikoja të plotë video -intervistën sot, për shkak të situatës aktuale. Ajo shtë në shqip. Transkripti është këtu (shqip), përkthimin në gjermanisht mund ta gjeni këtu.

Arsyeja e menjëhershme për të folur me avokatin Krasniqi: Në fund të majit 2021, ai botoi një libër në lidhje me procesin.

Titulli i librit në shqip:
“BALLËPËRBALLË ME KRERËT E SHIK -ut — Procesi politik ndaj Dr Sadri Ramabajës — Fasadë legale e krimit ”.

Në gjermanisht: “ “Auge in Auge mit den Führern des SHIK-s (ehemaliger Geheimdienst Kosovo; AM) — Der politische Prozess gegen Dr. Sadri Ramabaja — Legale Fassade eines Verbrechens”.AM)

Në libër dhe në intervistë, avokati Krasniqi e përshkruan procesin si “një turp për gjyqësorin e Kosovës”. Ai akuzon gjykatën se jo vetëm ka bërë 9 gabime procedurale, disa prej tyre serioze, por thjesht se ka kryer një proces politik për t’i shërbyer interesave të lidershipit — Hashim Thaçi.

Në intervistë, avokati Krasniqi është gjithashtu i zemëruar (ose më mirë të themi i zhgënjyer?) nga “mbulimi” i dobët që i bënë këtij procesi mediat. Gazetarët, disa prej të cilëve ishin personalisht të pranishëm gjatë gjykimit në sallën e gjyqit, jo vetëm që u përmbajtën plotësisht nga hulumtimi dhe nxjerrja në pah e sfondit të të gjithë çështjes “Syri i Popullit”, por ata thjesht nuk e treguan të gjithë të vërtetën për atë që panë dhe dëgjuan gjatë procesit.

Është një fakt shumë befasues edhe për mua, prej nga ai “ngurrim” që shpërfaqën mediat për të raportuar për rastin. Unë njoh disa gazetarë në Kosovë dhe jam shumë i sigurtë se ata ishin të vetëdijshëm, nëse jo domosdoshmërisht edhe se kishin të ditura detaje për natyrën shpërthyese të këtij rasti, në të cilin e gjithë udhëheqja e shtetit u paraqit si dëshmitarë. Unë gjithashtu do të përpiqem të rrëfej më shumë për këtë në një postim të mëvonshëm në blog.

Gazetari i vetëm që është marrë intensivisht me çështjen “Syri i Popullit” është Xhafer Shatri. Ai njihet në Kosovë si ish-ministër i Informacionit i qeverisë Bukoshi, në vitet 1990 dhe një nga kryeredaktorët e parë të gazetës (së UÇK-së) “Zëri i Kosovës”. Ai ka jetuar në Gjenevë për një kohë të gjatë dhe drejton blogun e tij: xhafershatri.info. Atje ai raportoi gjerësisht për çështjen Syri i Popullit nën titullin “Në prangat e Mafisë Pronto”.

Me rastin e prezantimit publik të librit nga avokati Krasniqi, Xhafer Shatri mbajti një fjalim mbresëlënës. Fjalia kryesore për mua ishte:

“Ky libër është një vajtim për lirinë e shkelur, për abuzimin e hapur të ligjit dhe kushtetutës, për shpresat e vrara të disa brezave.”

“… Shpresa e vrarë e disa brezave”. Për mua KY është thelbi i gjithë historisë së “Syrit të Popullit”, respektivisht Sadri Ramabajës. Madje do të thosha se: Sadri Ramabaja është figura simbolike e një brezi të tërë kosovarësh të cilët janë të zhgënjyer thellë për atë që i është bërë e ëndrrës së tyre për një Kosovë të lirë. Ata kanë dhënë gjithçka për të arritur këtë liri tok me pavarësinë e shtetit të tyre. Shumë prej tyre madje do ta humbasin jetën.

Ashtu si shumë nga shokët e tij të veprimtarisë me karakter atdhetar, Sadri Ramabaja vuajti disa vjet në burgjet e regjimit të Millosheviçit në vitet
1980: i torturuar, i poshtëruar …. Ai do të jetonte më pas në rrethana të vështira si azilkërkues, respektivisht si i arratisur politik në Zvicër për shumë vite, por në të njëjtën kohë ai ishte i përfshirë në mënyrë aktive në ngritjen e UÇK -së. Ai u kthye në Kosovë menjëherë pas luftës dhe u përfshi në ndërtimin e shtetit të ri … vetëm për ta gjetur veten përsëri në burg! Ai ka qenë në burg në Kosovën e TIJ për gadi 3 vjet (që nga 6.10. 2017 deri më 20.7. 2020); i akuzuar si armik i shtetit; i burgosur nga sundimtarët e rinj, ish-bashkëluftëtarët e tij, të cilët e kanë kapur të gjithë pushtetin dhe e kanë pasuruar veten dhe klanet e tyre, ndërsa shteti është zhytur në korrupsion dhe keqmenaxhim, ndërkaq masa e gjerë e kosovarëve ende duhet të jetojë në kushte të pasigurta.

Kjo është historia që do të doja të tregoja përmes rrëfimit për “Syrin e Popullit”: Historia e kosovarëve të panumërt të frustruar dhe të zhgënjyer që ndihen të tradhtuar nga qeveria e ish — të mëdhenjve të UÇK -së, por të cilët ende shpresojnë për kohë më të mira: për një qeveri që ndërton një aparat shtetëror të mirfilltë, përmes të cilit do të punojë në shërbim të njerëzve, jo në shërbim të atyre që janë në pushtet.