Kadri Zeka — ideolog dhe organizator
Abstrakt
Kadri Zeka është njëri nga personalitetet e Lëvizjes sonë kombëtare, që mbrun në formën më të mirë të mundshme, tok në vete, shpirtin revolucionar dhe urtësinë prej ideologu.
Në formimin e tij teorik ai ishte një revolucionar tipik i viteve shtatëdhjeta, por për dallim prej revolucionarëve evropian me të cilët kishte kontakt, sidomos në Zvicër dhe Gjermani, ai do të mund të cilësohej edhe si nacionalist progresiv.
Duke e kuptuar si dije dhe si armë për veprim, ai e kishte aplikuar ideologjinë në rrafshin organizativ, duke e kombinuar shkëlqyeshëm me propagandën, e cila në esencë, siç shprehet Gustav Ermecke, i drejtohet ndjenjave. Në fjalimet e tij mbajtur para demonstruesve në demonstratat e organizuara nga punëtorët tanë mërgimtar kudo në Zvicër, Belgjikë e Gjermani, ai kombinon diskursin ideologjik, pra dijen, me atë propagandistik, në mënyrën më të mirë të mundshme.
Fjalët çelës: Ideolog, organizator, ideologjia si dije, idologjia si armë për veprim, kritika revolucionare, kriptoelita.
Shkruan: Dr Sadri Ramabaja
Hyrje
Franz Mehring, biografi i Karl Marksit, duke shkruar për personalitetin e Rosa Luxemburg e kishte cilësuar pa hamendje si koka më gjeniale që nga Marksi. Ai kishte bërë këtë vlerësim kaq të lartë, meqë sipas tij, Roza Luxemburg-u nuk kishte vënë vetëm intelegjencën e saj në shërbim të Lëvizjes punëtore, por ajo i dha asaj çdo gjë — zemrën e saj, cilësitë e saj, vullnetin e saj të fortë, madje edhe vetë jetën.
Ky atribut dhe vlerësim kaq i lartë për Roza Luksemburgun, i rri mirë edhe Kadri Zekës për rolin që pati ai në Lëvizjen tonë kombëtare në vitet shtatëdhjeta e tetëdhjeta shekullit të kaluar, sidomos për vitet sa Kadriu veproi në mesin e mërgatës sonë në Zvicër e Gjermani. Ai i dha Lëvizjes sonë çdo gjë — zemrën, urtësinë, gjithë atë përkushtim prej idealisti, duke u shquar për disiplinën e rreptë dhe në fund i dha edhe jetën, duke u bërë theror pikërisht në çastet e lindjes së Lëvizjes.
Ideologjia si dije dhe armë për veprim
Kadri Zeka hynte në grupin e ngushtë të personaliteteve të Lëvizjes sonë kombëtare, që mbrunin tok në vete shpirtin revolucionar dhe urtësinë prej ideologu. Ai ideologjinë si nocion e kishte përvetësuar në dritën e mendimit dialektik, duke e kuptuar atë, siç do të shprehej Luis Althuser, njëri nga teoricienët më të njohur të shek. XX, si sistem të ideve dhe koncepteve, që mbizotëron vetëdijen e individit, të një grupi shoqëror a një populli.[1] Dhe si i tillë, do të mund të thoshim sot, Kadriu ishte një utopist i majtë. Në fakt ai nuk mund të ishte ndryshe.
I takonte vegjëlisë dhe po formohej në një ambent shoqëror e organizativ idealistësh.
Në formimin e tij teorik ai e kishte mësuar me kohë se, këto dy nocione ishin në luftë me njëra tjetrën që kur kishin ardhur në jetë; e para, utopia, që kur Thomas Morus (1516), tek vepra e tij e njohur »Utopia« po e inauguronte si nocion, ndërkaq e dyta, ideologjia, që kur Anton Destutt de Tracy (1803–1875) me librin e tij »Elementet e ideologjisë« po i jipte jetë, duke ia kundërvënë të parës, sidomos në luftën për progres social, megjithse në diskursin teorik dhe praktik, as sot e kësaj dite, qoftë për aplikimin, por as edhe për përmbajtjen e tyre, nuk egziston qartësi e duhur, por as edhe akordim i mirëfilltë.[2]
Por, nëse nga nocioni për utopinë si një “pamje e së ardhmes së konstruktuar”, Kadriu kishte përvetësuar anën idealiste, përmes së cilës kishte konstruktuar Lirinë, nga leksionet që i kishte mësuar nga historia e popullit, organizimi si arma e dytë e tij e fuqishme tok me ideologjinë, si dije, po shndërrohej në armë për veprim.
Duke e kuptuar si dije dhe si armë për veprim, ai e kishte aplikuar ideologjinë në rrafshin organizativ, duke e kombinuar shkëlqyeshëm me propagandën, e cila në esencë, siç shprehet Gustav Ermecke,[3] i drejtohet ndjenjave.
Në fjalimin e tij mbajtur para demonstruesve në demonstratën e punëtorëve mërgimtar të organizuar në Cyrih, më 18 prill 1981, ai kombinon diskursin ideologjik, pra dijen, me atë propagandistik, në mënyrën më të mirë të mundshme.
Duke shpjeguar në një paragraf të vetëm shkaqet e shpërthimit të demonstratave të vitit 1981, ka kombinuar këtë diskurs në mënyrën më fenomenale ët mundshëm.
Në pjesën e parë pozicionon argumentin politik, që është produkt i analizës thellësisht shkencore.
“Lufta e drejtë e popullit tonë nuk është rezultat i punës armiqësore të disa grupeve të vogla “nacionaliste” e “irredentiste”, siç llomotisin ata, por luftë është rezultat i shtypjes fashiste dhe shfrytëzimit kapitalist, që ushtrohet ndaj popullit tonë. Ajo, është rezultat i pozitës koloniale të Kosovës, i shfrytëzimit të paskrupullt i pasurive të saja të mëdha, i politikës kryekëput antishqiptare, që ndjek regjimi shovinist titist ndaj nesh.”
Në pjesën e dytë sjell diskursin propagandistik, duke mëtuar qartë të prek ndjenjat e bashkatdhetarëve tanë të shitur si krah pune në tregun e Europës.
“… lufta jonë e ka burimin te shfrytëzimi i egër kapitalist mbi klasën punëtore, te pagat e ulëta dhe ngritja e përditshme e çmimeve, te çrregullimet në treg e mungesa e artikujve kryesorë ushqimorë, te rënia e vazhdueshme e standardit, te papunësia e padurueshme dhe kurbeti, me një fjalë te skamja dhe mjerimi i madh që ka pllakosur popullin tonë.”[4]
Duke vazhduar me këtë diskurs të mendimit politik, Kadri zeka, tutje vazhdon:
“Për ta parë këtë mjerim nuk është nevoja të bëhen gjurmime të stërholluara, sepse ai pasqyrohet në çdo hap. Sipas parashikimeve statistikore jugosllave, Kosova në vitin 1981 ka hyrë ka hyrë me 1 milion e 600 mijë banorë. Prej këtyre mbi 800 mijë janë të aftë për punë, kurse të zënë në punë në të ashtuquajturin sektorë shoqëror janë 167 mijë, përkatësisht 10% e popullsisë së përgjithshme. Në qoftë se kësaj I shtohet edhe fakti se në Kosovë, ku popullsia shqiptare përbën mbi 80% të të gjithë popullsisë, me punë është i zënë vetëm çdo i tetëmbëdhjeti shqiptarë, atëherë del qartë kuadri i plotë i robërisë dhe i mjerimit të pashembullt.”[5]
Fuqia e mendimit politik të Kadri Zekës erdhi në shprehje sidomos atëherë kur reformistët autonomistë po i thurnin haleluja autonomisë që ju dhuroi aprovimi i Kushtetutës jugosllave e vitit 1974, duke e cilësuar si hopin më cilësor, respektivisht kulmin e realizimit politik, që do të mund ta arrinin shqiptarët në ish Jugosllavi.
Njëri nga përfaqësuesit më tipik të estabilishmentit politik autonomist, në përpjekje për t’i shpjeguar shkaqet përse shpërthyen demonstratat e pranverës 1981, në librin e tij “Kapërcimi i vetmisë”, të publikuar së fundmi, shprehet: “në atë kohë ne e kishim humbur kodin e komunikimit të ndërsjell me popullin”[6], duke mos mohuar pozitën e rëndë ekonomike. “Periudha pas vitit 1978 koincidon me ngecjen në tempin e zhvillimit të tërë Jugosllavisë e veçmas të Kosovës. Ashpërsohen problemet sociale-ekonomike, të cilat marrin ngjyrë nacionale dhe në secilën anë interpretohen si rrezikim i etnosit vetiak. Politika e proklamuar mbi barazinë e plotë nacionale në të gjitha aspektet e jetës dhe të punës haste pengesa për t’u realizuar edhe për shkak të rritjes joadekuate ekonomike, dobësive në qeverisje dhe e gjithë kjo po e kufizonte objektivisht hapësirën e sendërtimit të kësaj politike.”
Por, ky pinjoll i nostalgjikëve titistë, që për ironi të kohës është deputet i Republikës të cilën e kishte luftuar, askund as edhe pas 35 viteve, nuk e pohon dot pozitën koloniale të Kosovës e as shfrytëzimin kolonial të saj nga Serbia dhe Jugosllavia.
Ky ekzil politik i llojit të vetë i autonomistëve do të shprehet sidomos në dekadën e fundit të shek. XX, kur duke marrë në drejtim LDK, do të bëhen pengesa reale e luftës për liri. Dhe pikërisht në këto vite, kur kishte pikëpamje se koordinimi i aktivitetit të ilegales me shtresën e vetëdijshme nacionale të inkorporuar në pushtetin autonomist, mund të sillte rezultate më të përshpejtuara për ngritjen e statusit të autonomisë në Republikë, po thelloheshin divergjencat në veprime. Janë këto divergjenca në veprime, të cilat do t’i shtyjnë në konkluzione të gabuara autonomisët tek konkludonin se këto pikëpamje “…i kishin vendosur shumë larg njëri-tjetrit krahët tanë — atë institucional dhe organizatat ilegale drejt atij qëllimi
(Republikës, nënvizimi im: SR)[7], ndërkaq këtë mendësi prej skllavi, që ishte i gatshëm të
shitej vullnetarisht në tregun e Egjinës, respektivisht Beogradit, do ta fshikulloj më së miri Kadri Zeka përmes artikujve të tij me frymë krejtësisht revolucionare, pa marrë parasysh koston e pritshme, mjaftonte që Kosova në këtë mes të dilte fitimtare.
Kritika revolucionare
Autonomistët tanë, po të ndiqnin mësimet e Roza Luksemburgut, nuk do ët binin në shtratin e Prokrustit sektarian dhe aventurier të llojit të vetë, që të rrezikonin humbjen e Kosovës, pa shkrepur as edhe një pushkë, meqë kishin rënë në pasivitet të plotë, ndërkaq pas demonstratave të vitit 1981, kishin dalë në bisht të ngjarjeve, apo shprehur me fjalorin e kohës “kishin mbetur prapa masave të gjera të popullit”.
Kadri Zeka si pasues i mirëfilltë i mendimit filozofik progresiv, pra edhe të Rosa Luxemburgut, mbi rolin e organizimit dhe strukturës revolucionare që duhej të kishte organizata ku militonte, ishte angazhuar që ajo të rritej duke mbrojtur me konsekuencë frymën e demokracisë së brendshme të ndërtimit nga poshtë — lartë, duke kapërcyer konceptin leninist të viteve 1902–1904, që nga ana e stalinistëve në gjithë botën ishte kopjuar dhe në frymë krejt byrokratike ishte implementuar.
Ibrahim Kelmendi në bashkëbisedimin e tij të gjatë me Bedri Islamin, e të publikuar si libër (Lëvizja — Lindje e përgjakur), do të shprehet për Kadri Zekën se “ishte një idealist, por me bindje komuniste. Besoj, po të detyrohej të përcaktohej nëse do të sakrifikohej për çështje të çlirimit kombëtar apo për ideologji komuniste, sigurisht, ai do të përcaktohej për çështje kombëtare.”[8]
Këtë përcaktim të idealistëve shqiptarë të përfshirë në lëvizjen e majtë progresive, që solli në pushtet në Shqipëri komunistët pas Luftës së Dytë Botërore, e kishte veneruar disa dekada më parë studjuesi amerikan Louis Halle.
Ai në librin e tij me titull “The cold War as History” të përkthyer e publikuar në gjermanisht me titullin Der Kalte Krieg, (Lufta e ftohtë), kishte potencuar me të drejtë se ishin pikërisht “nacionalistët ata që kishin sjell në pushtet një regjim komunist” dhe kjo do të ishte arsyeja, përse shqiptarët, sipas Luis Halle-s, “nuk do t’ia nënshtronin për kohë të gjatë interesat e tyre nacionale interesave të Bashkimit Sovjetik”[9] .
Kadri Zeka si organizator i shkëlqyeshëm
Kadri Zeka, siç do të vërejnë me të drejtë bashkëveprimtarët e tij, do të shkëlqejë pikërisht në fushën e organizimit. Për një kohë relativisht të shkurtër, ai kishte arritur të krijoj një varg të strukturave bazë të veprimit në pjesën më të madhe të Zvicrës.
Ndërkaq, sipas Ibrahim Kelmendit, konform marrëveshjes me Jusuf Gërvallën, ai kishte udhëtuar për Zvicër më 4 prill 1981 dhe ishin takuar së bashku me Kadriun tek libraria që mbante edhe literaturë në gjuhën shqipe.
Adresën e takimit ma kishte dhënë Jusufi. Në fakt, në atë librari, rrëfen Ibrahimi, kam fjetur dy netë në pritje të takimit. Aty duhej ta takoja shokun e “Lirisë”, të cilin Jusufi e kishte kontaktuar përpara, ndërkaq unë nuk e njihja ende.
Kadriu erdhi të shtunën, më 4 prill, për të parë nëse kishte postime, meqë aty e kishin adresën kontaktuese, në emër të Beat Schafer-it (Beat Shafer).
Biseduam shpejt e shpejt dhe e vendosëm të dytë tok, ta thërrasim demonstratën për të shtunën, 11 prill 1981. Unë kisha mandatin edhe të Jusufit për të vendosur për demonstratë.[10]
Demonstrata ishte relativisht masive dhe pati jehonë të jashtëzakonshme.
Pastaj, me intensitet më të madh, shkruan në kujtimet e tij Ismet Rashiti, kanë vazhduar demonstratat tjera më 18 prill 1981 në Cyrih, më 25 prill 1981 në Shtutgard, më 8 maj 1981 në Dyzeldorf, më 22 maj 1981 në Munih dhe më 30 maj 1981 në Gjenevë. Numri i demonstruesve, nga njëra demonstratë në tjetrën, sa vinte e rritej, ndërsa në skenë dolën një varg veprimtarësh, të cilët pastaj me punën dhe përcaktimin e tyre të drejtë kombëtar janë dëshmuar gjatë gjithë këtyre viteve.[11]
Nga Brukseli, më 13 qershor 1981, duke qenë në ballë të demonstratës, Kadri Zeka i dërgon organeve më të larta të Jugosllavisë një peticionin, përmes të cilit demanton fuqishëm propagandën jugosllave, që kishte rrezik të akceptohej nga qarqe perëndimore, duke i fajësuar shqiptarët për luftënxitës.
“Ne nuk duam luftë, por duam të jetojmë në rehati dhe miqësi me popujt jugosllav. Por, që të arrihet kjo, — shprehej Kadriu në peticion, — duhet t’i njihni popullit tonë të gjitha të drejtat e barabarta, me popujt e Jugosllavisë brenda Federatës.”[12]
Pas këtij argumentimi të thuktë të pozicionit politik, ai në emër të demonstruesve parashtron 11 kërkesa, duke shprehur kështu solidarizimin e punëtorëve tanë me kërkesat e popullit në Kosovë.
“Ashtu si gjithë populli shqiptar në Jugosllavi, edhe ne këtu kërkojmë njëzëri që të njihen këto të drejta:
- Kosovës t’i njihet statusi i Republikës në kuadër të Federatës;
- Popullit tonë t’i njihet e drejta për vetëvendosje;
- Të lirohen pa kusht të gjithë të burgosurit politik shqiptar dhe të kthehen në Kosovë të burgosurit tjerë;
- Të mos plaçkiten pasuritë e Kosovës nga republikat jugosllave, por ato t’i shfrytëzojë Kosova për zhvillimin dhe pasurimin e saj;
- Të njihet e drejta e festimit të festave kombëtare dhe e përdorimit të flamurit kombëtar nga të gjithë shqiptarët në Jugosllavi; (…)”[13]
Kadri Zeka — pjesë e kriptoelitës dhe veprimtar
Në epokën që po formohej si personalitet Kadri Zeka në Kosovë po ndodhte një Rilindje kombëtare, pavarësisht se mund të cilësohet si e vonuar.
Propaganda e rreptë e ideologëve jugosllav dhe gjithë aparatit të shtetit se, gjoja çështja nacionale e shqiptarëve në Jugosllavi, sidomos atyre në Kosovë, ka gjetur zgjidhjen e duhur, duke realizuar autonominë, po shënonte kulmin. Por krahas kësaj, si pjesë e ravijëzuar e Luftës së Ftohtë, përballja ideologjike mes dy blloqeve politiko-ushtarake ekzistuese, po shpërfaqte shenjat e para, që do të shënonin fillimin e shuarjes së Jugosllavisë, që do të shërbejë tutje si një laborator eksperimental i llojit të vetë në gjithë hemisferën lindore të të ashtuquajturave demokraci popullore. Në këtë kuadër, grupeve ilegale që po vepronin, pra edhe Grupit Marksist-Leninist të Kosovës (GMLK-së), që relativisht shpejt ishte shndërruar në Organizatë, pjesë e të cilës ishte Kadri Zeka, i dilnin detyra shtesë.
Krahas përballjes me propagandën jugosllave të “bashkim-vllaznimit”, që po shërbente si një karrem special për asimilimin e shqiptarëve, ata kishin për detyrë të rikthenin në vëmendje të opinionit faktin se çështja shqiptare tutje ishte e pazgjidhur dhe tani duhej të shtrohej për zgjidhje. Artikujt e tij të publikuar te LIRIA janë kontribut i shquar i mendimit politik të Lëvizjes sonë, në këtë rrafsh.
Pjesët më të mëdha të Shqipërisë që ishin pushtuar në vitin 1913, ku përfshihej vilajeti më i madhë shqiptar — ai i Kosovës me qendër Shkupin, por edhe pjesa më e madhe e vilajetit të Manastirit, ishin ndarë mes Serbisë dhe Malit të Zi. Ndërkaq pas
LDB tërësia territoriale kompakte shqiptare e Vardarit, Pollogut, Dibrës, Ohrit e Strugës po shfrytëzoheshin për krijimin e Republikës së Maqedonisë, si krijesë që do të shërbejë si tampon zonë gjeopolitike mes Lindjes dhe Perendimit.
Ndarja e hapësirës shqiptare dhe sundimi i shqiptarëve si popullsi autoktone nga aparati shtetëror represiv jugosllav, si para LDB ashtu edhe pas saj, po shoqërohej me valë të shtrënguara të shpërnguljeve për Turqi.
Marrëveshjet e ripërtërira të Titos me Turqinë për vazhdimin e shpërnguljeve të shqiptarëve për Turqi kishin sakatuar hartën etnografike shqiptare sidomos në zonat urbane.
Kushtetuta e vitit 1963 po shenonte heqjen e maskave të karakterit idologjik që kishte shfrytëzuar Partia Komuniste Jugosllave në raport me shqiptarët. Ajo shënonte pikën më të ultë të interesave kombëtare shqiptare në Kosovën titiste.
Në këtë kohë-zezonë, si do ta cilësoj atë shkrimtari Musa Ramadani, ishte lindur dhe po rritej e formohej i riu Kadri Zeka, që në kuadër të Organizatës ku militonte, po profilohej si ideolog dhe veçmas si organizator e propagandist i mirëfilltë.
Duke marrë në konsideratë historinë politike të Kosovës, viti 1974, ishte kulmi i interesave kombëtare shqiptare, nëse marrim në konsideratë karakterin kushtetues-juridik dhe teorik të të drejtave të një populli. Kushtetuta e re jugosllave e vitit 1974 — që do të mbetej në fuqi deri në shthurjen përfundimtare të Jugosllavisë — si produkt i platformës jugosllave i siguronte Krahinës Autonome të Kosovës një status dubioz, gjoja të barabartë, në shumë rrafshe me ato të republikave, ku ato tani kishin përfaqësuesin e tyre të drejtpërdrejtë në forumet kryesore të Federatës Jugosllave. [14]
Po bëheshin përpjekje që ky pozicion juridiko-kushtetues i Kosovës të shërbejë si modus i rikthimit të idesë tashmë për bashkimin, respektivisht aneksimin e Republikës së Shqipërisë Federatës Jugosllave. Ky projekt strategjik po përpunohej në qarqet politiko-ushtarake më të larta jugosllave, duke rimëkëmbur lidhjet me elementë të agjenturës së fjetur jugosllave në Tiranë.
Në këto rrethana, përpunimi i platformës politike për ideologët e grupeve dhe organizatave ilegale në Kosovë, mirrte rol të jashtëzakonshëm dhe me interes jetik për kombin.
Përballja me platformën politike jugosllave, që kishte përvetësuar ideologjitë reaksionare të fundshekullit nëntëmbëdhjetë, po bëhej imanente, jo vetëm për shkencën e historiografisë shqiptare, por edhe për politikën. Natyrisht, kriptoelita shqiptare nuk kishte iluzion se këtë detyrë do ta bënin autoritetet shkencore autonomiste.
Për ta përligjur pushtimin e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare, Jugosllavia, kishte projektuar ta ushtrojë fushatën antishqiptare në dy drejtime: nga njëra anë për të argumentuar të ashtuquajturën të drejtë të tyre “historike” ndaj hapësirës jetike shqiptare që kishin aneksionuar, nga ana tjetër punon në shumë plane për asimilimin dhe zvoglimin e numrit të popullsisë shqiptare, që pastaj ta trajtojnë më lehtë në kategorinë e minoriteteeve. Jo rrallë, shkonin aq larg sa promovuan edhe ide e platforma që bënin përdallimin mes shqiptarëve të Kosovës me ata të Shqipërisë!
Në këto rrethana kriptoelita shqiptare, pjesë e së cilës ishte Kadri Zeka, nuk mund të rrinte duarkryq. Ishte koha kur këto qëllime duhej të demaskoheshin. Kadri Zeka pikërisht në këto rrethana kishte siguruar projektin famëkeq të akademikut serb, Vasa Çubrilloviqit “Shpërngulja e shqiptarëve” dhe e kishte organizuar përkthimin dhe botimin e tij, të shoqëruar me një parathënie të shkruar nga ai.
Ndërkaq, në anën tjetër, përmes hartimit të “Tezave rreth Frontin Popullor për Republikën e Kosovës”, Kadri Zeka si pjesë aktive e kriptoelitës, ishte angazhuar në hartimin dhe në promovimin e platformës politike, duke mëtuar të zhvleftësonin tezën jugosllave se me kushtetutën e vitit 1974 ishte përmbyllur korpusi juridiko-politik që garantonte prosperim të minoritetit shqiptar në Kosovë.
Përfundim
Kadri Zeka në kuadër të Organizatës ku militoj, por edhe në bashkëpunim me strukturat tjera të ilegales sonë në mërgim, lë gjurmë të jashtëzakonshme si ideolog dhe veçmas si organizator.
Ai shquhet në lëmin e propagandës dhe me stilin e shtruar e bindës të komunikimit me punëtorë.
Si pjesë e kriptoelitës pavarësisht se nuk po arrinte dot që platformën e vetë ta prezantonte në mediat perëndimore, përjashto publikimit të një interviste në një organ të një grupimi të komunistëve gjerman që ruhet në një institut të veçantë të shtypit të majtë në Holandë, fakti se ai publikonte artikuj themelor në shtypin ilegal (LIRIA), ku prezantohet qartë platforma e politike që ai përfaqësonte dhe mbronte, në qarqet diplomatike, por edhe ato akademike shqiptare dhe jugosllave, tok, po impononin ngadalë mendimin e vetë politik.
Ky mendim ndërkohë ishte përvetësuar nga të gjitha grupet dhe organizatat ilegale.
Zaten te ky mendim politik do kërkuar arsyet reale të predisponimit pozitiv të kësaj elite politike për krijimin, bashkimin dhe strukturimin e Lëvizjes, që më 17 Janar 1982 qe pagëzuar me emrin Lëvizja për Republikën e Kosovës.
Literatura bazë
1. Louis Althusser, Ideologie und ideologische Staatsapparate, VSA: Verlag Hamburg, 2010
2. G. Ritter, Machtstaat und Utopie, 3. Auf!. München 1930.
3. H. Freyer, Die politische Insel. Eine Geschichte der Utopien von Plato bis zur Gegenwart, Leipzig 1963.
4. K. Vorländer, Von Macchiavelli bis Lenin. Eine zeitliche Gesellschaftstheologie, Leipzig 1926
5. Gustav Ermecke, Ideologie und Utopie, JSW 10 (1969)
6. Kadri Zeka, Artikuj e fjalime, Zëri i Kosovës, Biel-Biene, 1986
7. Muhamet Mustafa, Kapërcimi i vetmisë, UETPRESS Tiranë, 2016
8. Bedri Islami, Lëvizja — Lindje e përgjakur (Bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin), Tetovë, 2012
9. Louis Halle, “The cold War as History”, botimi gjermanisht “Der Kalte Krieg”, Frankfurt am Main, 1969
10. Kushtetuta e Krahinës Socialiste të Kosovës
11 Ismet Rashiti, shih: http://www.zeri-shqiptar.com/#!E-gjith%C3%AB-familja-n%C3%AB-sh%C3%ABrbim-t%C3%AB-Atdheut/cjds/586cd93bb38ed93253ae9ce4
12 Kadri Zeka, po aty, f. 123
13 Po aty, 123
14 Shih: Kushtetuta e Krahinës Socialiste të Kosovës vepër. e përmendur, Neni 3