Kolapsi i gjeopolitikës stereotipe: Rikthimi i Rusisë në Kaukazin e Jugut
Shpërthimi i “konfliktit të ngrirë” në Nagorni Karabah kanë tërhequr vëmendje të theksuar në Rusi dhe Turqi. Të shqetësuara për implikimet e karakterit gjeopolitik janë treguar edhe qendrat tjera të vendimmarrjes në rrafshin global, përfshirë si Bashkimin Evropian edhe Shtetet e Bashkuara.
Shkruan Dr Sadri RAMABAJA
Prishtinë, 10 nëntor - Me ndërmjetësimin rus, luftimet mes dy ish republikave sovjetike të Kaukazit të Jugut — Armenisë dhe Azerbajxhanit për rajonin e Nagorni Karabah-ut, të banuar me shumicë armene, nga nata e mbrëmshme kanë pushuar.
Ky rajon ishte pjesë integrale Azerbajxhanit, ndërkaq që prej shembjes së BRSS në fillim të viteve ’90 dhe luftimeve të rrepta që lanë mbi 30.000 viktima, kishte ngelr dhe trajtohej si konflikt i ngrirë.
Bazuar në marrëveshjen e arritur Rusia me 2000 trupat e veta kthehet sërish në rajon si faktor që imponon paqen.
Presidenti azerbajxhanas Ilham Aliyev ka bërë të ditur se trupat paqësore ruse do të qëndrojnë fillimisht pesë vjet të dislokuara në rajon.
Udhëheqësi i Republikës së Karabahut (e panjohur ndërkombtarisht), Araik Arutjunjan, në një postim në fb e tij mbron këtë pozicionim, duke u thirrë në gjendjen e rëndë të krijuar pas luftimeve të fundit de humbjeve që kishte pala armene.
“Duke marrë parasysh situatën e vështirë të krijuar tashmë dhe bazuar në nevojën për të shmangur humbjet e mëtejshme njerëzore dhe humbjen e plotë të Karabakut, unë dhashë pëlqimin tim për t’i dhënë fund luftës”, shkruan udhëheqësi I karabahut Arutjunjan.
Kumti për këtë marrëveshje të imponuar ishte shkas i shpërthimit të trazirave në kryeqytetin armen, Jerevan. Situata është konfuze. Protestuesit kanë pushtuar parlamentin dhe ndërtesën e qeverisë. Sipas vëzhguesve, mijëra njerëz janë përpara selisë së qeverisë. Ata po e cilësojnë ktë si akt kapitullimi, ndërkaq kryeministrin si tradhtar.
Azerbajxhani kishte humbi kontrollin e zonës malore me rreth 145,000 banorë në luftën që pasoi shembjen e Bashkimit Sovjetik rreth 30 vjet më parë (1994). Azerbajxhani (me popullsi turkmene, islame) thirret në të drejtën ndërkombëtare dhe pacenueshmërinë e kufijve dhe gjithmonë gëzon mbështetjen e Turqisë (shtetit vëlla). Armenia nga ana tjetër (me popullsi që ortodoksizmin ka si fe), mbështetet tek Rusia si një fuqi mbrojtëse.
Shkaqet reale të konfliktit
Karabaku është një rajon historik në lindje të zonës malore të Armenisë, me popullsi të përbërë prej ¾ nga armenët dhe ¼ nga azerbajxhanasit. Historikisht, armenët ishin të parët që u vendosën në këtë territor. Kronikat e Romës antike përmbajnë referencat e Nago-Karabakut që ishte pjesë e mbretërisë antike të Armenisë së Madhe qysh në shekullin e 3-të para Krishtit. Sidoqoftë, në shekullin e 6-të pas Krishtit, Nagarag-Karabah u pushtua nga turqit Selxhukë — paraardhësit e Azerbajxhanasve modernë. Më vonë ky territor ishte nën dominimin iranian, pastaj për një kohë të shkurtër ishte pjesë e Turqisë mesjetare (Perandoria Osmane) derisa u aneksua në Rusi në mes të shekullit të 19-të. [1]
Lufta e tanishme armene-azerbajxhanase për Nago-Karabakun është tashmë e treta me radhë gjatë 100 viteve të fundit. Pas rënies së Perandorisë Ruse dhe pushtimit ushtarak Turko-Azerbajxhan të Nago-Karabakut në 1921, ky rajon fillimisht armenë i Kaukazit u shpall pjesë e Azerbajxhanit. Zyrtarisht, ky vendim u zyrtarizua shpejt në Konferencën e Paqes në Paris.
Hyrja e enklavës armene në republikën e Azerbajxhanit u mbështet më vonë nga vendimi i Kremlinit, kur edhe Armenia edhe Azerbajxhani u bënë pjesë e BRSS në 1922. Nago-Karabak mbajti statusin e republikës autonome brenda Republikës së Azerbajxhanit deri në shembja e Bashkimit Sovjetik. Në 1991, Armenët e Nagarni-Karabakut me mbështetjen e Jerevanit zyrtar filluan një luftë tre-vjeçare kundër Azerbajxhanit dhe në 1994 Nagarni-Karabak-u shpalli pavarësinë e tij, megjithëse nuk u njoh zyrtarisht si i tillë nga askush në botë, përfshirë edhe Armeninë . Sidoqoftë, politikisht, ekonomikisht dhe nga pikëpamja ushtarake, Karabagu ka qenë një pjesë integrale e Armenisë deri tani. Kjo dëshmohet nga fakti se inaugurimi i Presidentit aktual Armen, Pashinyan në 2018 u mbajt në kryeqytetin e Nagorni-Karabak — Stepanakertis. [2]
Rifillimi i luftës ndërkohë ka elemente të theksuara të irredentizmit legjitim armen që zanafillën e ka në shekullin e 20-të, kur në këtë zonë të Kaukazit Jugor gjeti terren veprimi inxhinieria gjeografike bolshevike që përcaktoi kufijtë midis Armenisë dhe Azerbajxhanit. Në fund të viteve 1980, me ardhjen e glasnost dhe perestrojkës, armenët në Nago-Karabak i kishin dërguar një letër Mikhail Gorbachev duke kërkuar që kufijtë të tërhiqeshin për të përfshirë Nago-Karabakun në territorin armene. Kremlini e kishte mohuar kërkesën pasi ishte shumë i preokupuar me rrënimin e sistemit sovjetik.
Robert Hamilton shpjegoi se arsyeja që një konflikt i ngrirë si ai në Nago-Karabak nuk shpërtheu kurrë ndjeshëm gjatë ditëve Sovjetike ishte për shkak të politikës sovjetike të etno-federalizmit dhe aftësisë së Kremlinit për të mbajtur konfliktet e ngrira “në një çiban të ulët”. Sapo Bashkimi Sovjetik filloi të shkatërrohej, Kremlini nuk ishte më në gjendje të mbante status quo-në dhe shpërthimi i konfliktit pasoi. Hamilton mendoi më tej se konflikti rreth Nago-Karabakut është më i rrezikshmi nga konfliktet tjera të ngrira në periferinë e Rusisë, siç janë Abkhazia, Osetia e Jugut, Krimea dhe Transnistria. Ai e krahasoi konfliktin me atë midis Indisë dhe Pakistanit, por duke potencuar se fatmirësisht këtu mungojnë armët bërthamore. [3]
Beteja për Nago-Karabakun për Armeninë dhe Azerbajxhanin është njëkohësisht edhe beteja që përplasë parimin e të drejtës së popujve për vetëvendosje me atë të ruajtjes e pacënueshmërisë së integritetit territorial. Por në Nagorni Karabak gjeopolitika gjithashtu merrë peshë të ndjeshme.
Azerbajxhanasit janë padyshim pro parimit të ruajtjes së integritetit territorial, rrjedhimisht pro konservimit të kufijve të tyre siç janë, ndërkaq armenët do të dëshironin që qytetarët e Nago-Karabakut të vendosnin vetë se cilit vend (natyrisht ai do do të ishte Armenia) ata duan t’i përkasin. Azerbajxhani tani kur pesha e Turqisë në rajon është rritur, është gjithashtu i pakënaqur me status quo-në aktuale dhe kërkon të përmirësojë pozicionin e tij, duke hequr çdo dyshim se në cilin shtet bën pjesë rajoni Nago-Karabak.
Fundi i gjeopolitikës stereotipe
Ndërkohë interesi i Rusisë dhe Turqisë për ët rritur ndikimin në rajon është në rritje. Turqia është aleate e ngushtë me Azerbajxhanin dhe thuhet se po dërgon jo vetëm njësi ushtarake nga Siria në Azerbajxhan, por edhe teknologji të dronëve, potencon Aaron Stein. Situata e krijuar në Nago-Karabak ndërkohë paraqet një mundësi për rikthimin e Turqisë dhe forcimin e pozicionit të saj në mbrojtje të interesave të saj gjeopolitike.
Pas fitoreve të thesuara të ushtrisë azerbajxhanase në terren, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan përgëzoi azerbajxhanasit dhe presidentin Aliyev për “fitoren” e tyre në Shusha.
“Gëzimi i vëllezërve dhe motrave tona azerbejane është gjithashtu gëzimi ynë”, tha Erdogan-i të dielën nga provinca perëndimore turke Kocaeli, tek po mirrte pjesë në një kongres të partisë së tij islamike-konservatore AKP.
“Çlirimi i Shusha-s” është një shenjë se çlirimi i territoreve të tjera të pushtuara është i afërt”, tha Erdogan-i, duke paralajmruar ngjarjet që pasuan ndërkohë.
Për gjendjen shpërthyese në Kaukazin e Jugut ndërkohë u vu në lëvizje diplomacia. Pasi deklaratave nga Kremlini reagoi edhe presidenti francez Emmanuel Macron.Ai tok me kolegun e tij rus, Vladimir Putin, shprehën shqetësimin lidhur me luftimet e vazhdueshme gjatë një telefonate që kishin të shtunën që lamë pas. Për që të dy bashkëbiseduesit shqetësues ishte fakti se ekstremistët islamik “gjithnjë e më aktivë” po barteshin nga Siria dhe Libia në terrenet e luftës në Nagorni Karabah.
Prandaj koha ishte për veprim urgjent, gjykonin Parisi dhe Moska.
Qëllimi është të kthehemi në një zgjidhje politiko-diplomatike të konfliktit, ishin shprehur zyrtarët e lartë të Ministrisë së Jashtme të Rusisë.
Moska dhe Jerevani (kryeqyteti armen) janë anëtare të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) — e cila ka një përcaktim si neni 5 i Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) — që obligojnë anëtarët për t’ i ardhur në ndihmë njëra-tjetrës në rast nevoje. Rusia tashmë ka bazë të lirë veprimi për të dislokuar forcat në rajon.
Por ruajtja tashmë e marrëdhënieve të relaksuara me Turqinë për Rusinë mbesin gjithashtu të një rëndsie të veçantë. Moska është e vetëdijshme për tensionet në marrëdhëniet e Turqisë me Shtetet e Bashkuara, do të argumentoj Stein, duke thelluar gjykimin e tij se afrimi me një anëtar të NATO-s mund të ketë disa përfitime për Kremlinin.
Një paqe e keqe
Veprimi urgjent i diplomacisë së një lagjeje shtetesh si Izraeli, Irani dhe Rusia, tok me Francën, në këtë kohë kur SHBA-të janë të zëna me procesin e zgjdhjeve, e bën marrëveshjen e arritur edhe më të dobishme për Rusinë dhe Turqinë.
Sipas informacioneve nga qarqet e Pallatit të Élysée-së, Macron-i dhe Putin-i kanë arritur ujdinë për dhënen fund të luftimeve, duke i hapur kështu rrugë dislokimit të trupave ruse në rajon.
Qëllimet kryesore pse Parisi i krijoi hapësirë veprimi Moskës, arsyeton Macron, janë që “të sigurojnë që popullisia armene të mbetet në rajon dhe t’i jipet fund vuajtjeve të civilëve”. Por ai nuk e shpjegon dot pse ky qëllim u arrit vetëm atëherë kur ju dha drita e gjelbërt rikthimit të Rusisë në këtë zonë të Kaukazit të Jugut.
Në ndihmë interesave ruse duket se ju erdhi edhe përvoja historike që është stivuar në formën e sentencës se “një paqe e keqe është më mirë se një luftë e mirë”. Por krahas kësaj paqeje të keqe të imponueshme, ku gjithësesi fituese është pala ruse, duket se me vetë rikthimin e Rusisë në Kaukazin Jugor po merr goditje të rëndë edhe gjeopolitika stereotipe.
A do të thotë kjo se Rusia po pret qastin e veprimit edhe në Ballkan?
_____________
Burimet