KQZ-ja aprovon vendim antikushtetues ‘par excellance’

Koment

Sadri Ramabaja
2 min readJan 11, 2021

Nga Dr Sadri RAMABAJA

Prishtinë, 11 janar — Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka marrë dhe bërë publik një vendim, përmes të cilit shpreh de fakto tendencat e qarta për ta penguar mërgatën të realizojë të drejtën kushtetuese për votim.
Përmes këtij vendimi KQZ-ja fton votuesit jashtë Kosovës të regjistrohen për votim përmes emailit. Ndërkaq tutje, në njërën nga pikat e vendimit, bën me dije se verifikimi i procesit të aplikimit do të bëhet përmes kontaktimit me telefon. Në pikën e katërt të vendimit, KQZ-ja nënvizon se: ”në rast se aplikuesi nuk përgjigjet në thirrje, aplikimi i tij do refuzohet!”

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është mekanizëm i Shtetit në shërbim të qytetarëve, rrjedhimisht, në vend se ta inkurajojë mërgatën për regjistrim për të votuar në zgjedhjet e 14 shkurtit, duke ua lehtësuar procedurat, ai shton kritere jokushtetuese dhe bënë të kundërtën!
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka specifikuar ndonjë orë të caktuar se në ç’kohë zyrtarët e KQZ-së do të bëjnë thirrjet telefonike në numrin e dhënë të aplikuesve nga vendet kryesisht perendimore. KQZ-ja duket nuk ka marrë në konsideratë as orën lokale të vendeve ku është e ngulitur më shumë mërgata jonë.
“Nëse aplikuesi nuk lajmërohet në telefon, atëherë aplikacioni i tij do të refuzohet”, bëhet e qartë në vendimin e KQZ-së.
E qartë, vendimi është i motivuar politikisht; përmes tij KQZ, respektivisht Blloku i i olhokratëve, që për më se 20 vjet mbajnë peng Republikën, po pretendojnë ta pengojnë me të gjitha mjetet ndryshimin e pritshëm më 14 shkurt.
Ky është vendim antikushtetues ‘par excellance’!
Zyrtarët e KQZ do të duhej të mirrnin për model reagimet e gjyqësorit amerikan, që nuk pranuan t’i nënshtrohen presionit të neofashistit Donald Tramp, edhe atëherë ai i urdhëronte të falsifikojnë dhe nëpërkëmbin vullnetin politik të qytetarëve ameriokanë.

Ju, anëtarë të KQZ-së, një gjë duhet ta keni të qartë: asnjë shtetasi të Republikës së Kosovës, as nuk mundeni e as nuk do të duhej të guxonit të tentonit, t’i cenoni të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Kjo e drejtë është e garantuar me nenin 45 të Kushtetutës.
Vendimi i KQZ në rrafshin juridik, e qartë, shkel liritë dhe të drejtat e njeriut, rrjedhimisht aprovuesit e tij tashmë kanë konsumuar veprën penale.
Ndërkaq, në rrafshin politik, ky vendim cenon rënd garancitë e një procesi zgjedhor fer dhe të drejtë, si obligim i Qeverisë dhe institucioneve që janë përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve!
____________________________________________________

--

--

No responses yet