Krijimtaria figurative e të burgosurve politikë

Sadri Ramabaja
6 min readDec 13, 2021

--

Shkruan: Dr Sadri Ramabaja & Ahmet IBRAHIMI

Prishtinë, 13 dhjetor — Në krijimtarinë e përgjithshme artistike dhe kombëtare të krijuar në burgjet Jugosllave, letërsia si krijimtari specifike, është krijuar dhe në format më specifike është përcjellë e ruajur e botuar. Por, krahas kësaj trajte arti, e kemi edhe nji formë tjeter të shprehurit artistik e të komunikimit të veçantë, që është krijuar në burget jugosllave, për të cilën publiku artdashës din pak. Pra kemi një gjini arti nga më të kuptueshmit, e ky është vizatimi e pikturimi me forma ma tradicionale dhe teknikë të veçantë që quhet pirografi.

Këtë formë të artit pllakativ e kanë lëruar disa ish të burgosur politikë shqiptarë gjithandej në burgjet jugosllave. Unë kam pasur fatin në fatkeqësi që të vuaj dënimin me dy prej tyre: Bajrush Behramin dhe Gafurr Sylejmanin (heroin e Betejës së Jezercit). Ata tashmë na mungojnë, por sot mes nesh, kemi Sylë Mujajn e Hydajet Hyseni me një pjesë të punimeve artistike të krijuara në kohën e mbajtjes në burg.

Vlera e këtyre punimeve mund të vështrohet në dy rrafshe:

  1. Vepra figurative si poema artistike;
  2. Vepra figurative si artefakte me vlera të veçanta nga thesari i përgjithshëm i krijimtarisë në burgjet serbe.

Vepra tok me mesazhin e veçantë të poemave figurative të krijuara në kohë dhe vend të padëshiruar ka kaluar grilat, është ruajtur nga familjarë e miqë dhe, sot, audiencë e nderuar, e kemi edhe para jush.

Vizatimi i lirë artistik lind si proces i ndijimit e përjetimit të formave, ideve e ngjarjeve dhe motiveve të caktuara, që shprehet si formë e materjalizuar me gjuhën ma të thjeshtë që njeh njeriu, pra, me figurën e artikuluar artistikisht.

Është e njohur nji sentencë urtësie se, veprat figurative nuk kanë nevojë për avokat, sepse ato kanë gjuhë të thjeshtë dhe lexohen e përjetohen lehtë. Mirëpo sot, në këtë ekspozitë kemi vepra të veçanta, të atilla që kanë shenjuar e fiksuar një epokë, që na vijnë nga një kohë teper e rëndësishme e historisë dhe fatit të qenies SHQIPTARE.

Motivet e paraqitura përmes vizatimit të dy autorëve, në esencë paraqesin artikulimin më fisnik për identitetin e krijuesit, tok me intencën e brendshme artistike. Artistët tanë, shokët tanë, sa do që jetuan në burg të rëndë dhe bën jetë nën represion permanent, megjithatë meqë ishin brumosur edhe me shpirtin e revolucionarëve, atdhetarëve të mirëfilltë, që si brez kam dëshirë ta cilësoj si BREZI I NACIONALISTË PROGRESIV, krijuan vepra shembullore, të cilat i takojnë një zhanri të veçantë që rrallë mund të gjindet tek popujt tjerë — duke u ranguar në vepra të artit figurativ të burgut.

Të nderuar pjesëmarrës në këtë ekspozitë,

Veprat që kemi para jush, nëse i vështrojmë me vëmendje, i përjetojmë si kumt i kushtrimit që ato bartnin për rezistencë dhe çlirim.

Portreti i malsorit me pranga rreth qafe na del si alegori dhe personifikim i Njeriut syshqiponjë, që me çdo kusht kërkon të këpusë prangat dhe të lirohet nga robëria.
Pra, metafora e këtij cikli të vizatimeve na jep mesazh të fuqishëm dhe na vije me pasuri figurative.
Veprat figurative si ’’Izolimi’’ , ‘’ Duke lexuar në izolim’’ dhe ‘’Ushqimi në burg’’ janë kronologji figurative të jashtëzakonshme, në të cilat shihet e paraqitet leximi si ushqim shpirtëror, një akt që dëshmon se burgjet jugosllave ku ishin të burgosurit politikë shqiptarë, për shumëçka i gjasonin atyre të Afrikës së Jugut, rrjedhimisht edhe për faktin se ishin shndërruar në universitete të llojit të vet. Artistët, këtë element — leximin, e kanë trajtuar si pjesë e aktivitetit të mbijeteses shpirtërore e intelektuale. Nëdrkaq akti i të ushqyerit me ushqimin aq të paktë në sasi dhe aq të degraduar kualitativisht, është akti tjetër i trajtimit çnjerëzor që i nënshtroheshin të burgosurit polizikë shqiptar; akt i përballjes për mbijetesë, i ferrit nëpër të cilin kaloi ky brez, që jo rastësisht nxorri më pas në skenë artistë, studjues e politikanë të përgjegjshëm.

Në vepren “Izolimi” artisti Sylë Mujaj shënjon fenomenin e burgimit të dyfishtë apo burgimit në burg, që ju bëhej të burgosurve tanë politikë për kinse thyerje të rregullave dhe rendit shtëpiak, që aplikohej si formë e trajtimit special në emër të “masës edukuese”, por që qëllim parësor kishte thyerjen e të burgosurit politikë.

Realiteti artistik në këto dy vepra është i lidhur me realitetin e përjetuar nga autori, në fakt është rrëfimi më autentik që na e ka përcjellë një i burgosur shqiptar nga burgjet serbe me anë të të shprehurit artistik figurativ.

Portretet me krejt figurën e shokëve të burgut, si: Musli Ademi, Emin Behrami etj… na paraqiten si vepra të realizuara mjeshtërisht, me anatomi e përmasa të përkryera, si reflektim i njohjes së motivit dhe përkushtimit artistik!
Përmes këtyre figurave të realizuara në kushte specifike, autorët ia arijnë ta shndërrojnë portretin në figurë-mesazh: bartës të krenarisë, stoicizmit, përkushtimit dhe dashurisë për njeriun dhe për të ardhmen!

Dora brilante e mjeshtrit Sylë Mujaj ka sjellë edhe motive liriko-historike, duke ushqye veten me narracione nga historia ilire dhe mesjeta, për ta plotësuar këtë mozaik motivesh me emra konkret si atë të Gjergj Kastriotit — Skenderbeut e Gongje Bojaxhiut — Nënës Terezë!

Në të gjitha punimet e autorëve tanë — Sylës dhe Hydajetit në këtë rast, shfaqet një elegancë e figurës me harmoninë dhe lojën e vijave, të cilat ndërlidhen dhe me besnikëri na paraqesin vepra që shprehin emocion, karakter dhe mesazh të qartë. Ato janë të binjakëzuara me shpirtin e autorëve dhe me figurat tjera të asaj hapësire, ku mbaheshin të izoluar nga bota, tek numëronin ditët!

Ndjeshmëria dhe transparenca e lojës së vijave dhe formave që qëndisin me saktësi karakterin dhe motivin, vërehet sidomos te punimet e realizuara: ‘’Sytë që më kanë pritur përtej ëndrrës ‘’ dhe ‘’Vajza shqiptare në burg’’, që na asocionë me personazhin e Penelopës së Odiseut.
Vajzat shqiptare edhe këtej burgut, në burgun e madh, siç ishte shndërruar atbotë Kosova, edhe në burgjet e Serbisë, kanë frymue si Penelopa e antikës, duke shikuar larg dhe me stoicizëm, në pritje të të dashurëve të tyre, e më pas duke marshuar tok me ta në radhët e UÇK-së (le të kujtojmë për një çast qiftin ndër më emblematikët e këtij brezi Fehmi Lladrocit e Xhevrie Krasniqi-Lladroci, që tok do të bien në altarin e Lirisë), duke u përjetësuar në atë akt sublim si dëshmorë të Atdheut.

Kompozicioni ‘’Kosova dhe çlirimi që vjen ‘’ na shpreh në formën më ilustrative dhe të kjart ngarendjen dhe parashikimin me kërkesën për Liri, çlirim dhe kapërcim të ylberit!
Këto thirrje që dalin nga shpirti dhe e drejta hyjnore për të qenë i lirë në tokën e vet, bëhen lajtmotiv për grushtin përfundimtar të luftës për dinjitet dhe çlirim.

Talenti i jashtëzakonshëm tok me shprehjet me plot emocion, i karakterizon vizatimet tematike të Sylë Mujajt e Hydajet Hysenit.
Emblema e këtyre veprave me vlerë të veçantë është punimi ’’ Të burgosurit politik në burgun e Nishit’’.
Figura e paraqitur me lojë të vijave, përshkruan subjektin e paidentifikuar, por në të cilin gërshetohen dhe fshihen me qinda e mijëra të burgosur të rinj shqiptarë. Kur e shikon me vëmendje, e lexon çiltërsinë e tyre, e ndjen mllefin dhe solidarizohesh me këmbënguljen për të drejtën që po sakrifikoheshin ata.
Dora e mjeshtrit me pak vija ka shënuar në formën ma të veçantë një pjesë të historisë së dhimbshme të atij brezi.

Tek të gjitha portretet dhe figurat e paraqitura vërejmë ndjeshmërinë e autorit ndaj karakterit të personazheve. Vizatimet e tilla mund të bëhen vetëm nga mjeshtër që e kanë të lindur e kultivuar mirë këtë ndjenjë për paraqitjen e karakterit. Ndërkaq piktori akademik, profesor Ahmet Ibrahimi, bashkëautor i këtij recensioni, do të këmbëngulte se, çelësin për zbulimin e emocioneve dhe përjetimit si figuracion, tok me mesazhin e karaktereve, e mban vetëm artisti i lindur!

Kjo shihet te portretet e Hydajet Hysenit, i cili mund të cilësohet edhe si një përcjellës kronik figurativ i jetës dhe njerëzve për shumëçka të veçantë.

Kjo pasuri kulturore figurative, këto krijime të artistëve shqiptarë që janë realizuar në burgjet serbe, janë vepra arti që duhet të trajtohen dhe vlerësohen nga institucionet përkatëse edhe si artefakte të veçanta dhe pasuri kombëtare.
Ato shenojnë një epokë të tërë politike, historike dhe artistike; rrjedhimisht obligimi ynë si shoqëri është që të kontribuojmë urgjent në konservimin e tyre, ruajtjen dhe më pas edhe prezantimin e tyre në kënde të veçantë e institucione muzeale e arkivore, që të shërbejnë për edukimin socioestetik e atdhetar të të publikut të gjerë, të brezave që vijnë..

--

--

No responses yet