Kriptoelita dhe demostratat e 1981-ës

Sadri Ramabaja
23 min readAug 15, 2021

--

(Ese politike e publikuar në revistën ILIRIA International Review 10.08.2021 / DOI: https://doi.org/10.21113/iir.v11i1.627

Autor: Dr Sadri RAMABAJA

Abstrakt

Dy dekadat e përballjes së brezit të Republikës me terrorin shtetëror serb dhe dy tjerat në liri, në përballje me fashistët modern, dëshmojnë fuqinë politike dhe drejtësinë, jo vetëm të ati brezi, sa të vetë idesë për një Republikë demokratike e në shërbim të idealit për bashkim.

Qëndrimi vertikal i ideologëve të këtij brezi dhe më pas edhe i pasuesve të idealit të njejtë, si: Hydajet Hyseni, Ukshin Hoti, Ibrahim Kelmendi, Bajram Kosumi, Fadil Vata, Afrim Zhitia, Behadin Hallaqi, Sabri Kiçmari, Albin Kurti…është garanca më e fuqishme për çlirimin e Republikës edhe nga fashistët “tanë” modern. Ndërkaq shfrytëzimi i Republikës, si stacion i ndërmjemë drejt bashkimit, që unë e shoh në trajtën e shtetit federal — si Shqipëri Federale, mbetet strategji e suskesit në veprim.

Fjalët çelës: Demonstratat e 1981-ës, revolucioni antikolonial, nacionalizmi progresiv, Republika, kriptoelita.

Hyrje

Kjo ese politike është produkt i prqasjes me karakter e qëllim studimi multidisciplinar, i mbrujtur e shtjelluar në vetëvete me vite të tëra, e që përthekon një pjesë të ideve të mia mbi fenomenet shoqërore të jashtëzakonshme, siç ishin Demonstratat e pranverës së 1981-ës. Në këtë vigjilie jubilare — në dyzetë vjetorin e demonstratave, kjo ese po vije edhe si konkluzë e mendimit tim politik, me mundësi reale që të cilësohet si provokim i llojit të vet, por që objektiv ka nxitjen e debatit shkencor të munguar.

Gjatë studimit të kësaj epoke, do të ishte e rrugës që tok me rrethanat dhe shkaqet reale, që ndikuan në shpërthimin e Revolucionit të vonuar antikolonial (1981–1989), vend i rëndësishëm t’i kushtohet idealeve që përqafoi rinia jonë studentore e atij brezi dhe vlerave politike, siç është nacionalizmi progresiv, drejtësia sociale etj., që u dëshmuan më pas si bartëse e idealeve për ndërtimin e shtetit modern.

Historianët, sigurisht, tutje, ndoshta me të drejtë, do të vazhdojnë të insistojnë që në shërbim të krkimit të së vërtetës historike, të bazohen përgjithësisht në të dhënat arkivore, në dokumente, të dhëna faktike e të provueshme.

Demonstratat e vitit 1981 — shenjues i një epoke të re

Për të hedhur dritë mbi shkaqet që ndikuan në shpërthimin e Luftës civile në ShBA (1860–1862) historianët nuk ngurrojnë t’ i kthehen asaj epoke. Dhe, pavarësisht pozicionimit të tyre e rreshtimit prapa njërës prej tri tezave tashmë të etabluara për këtë luftë, që të gjithë, me gjasë, pajtohen se ajo, pra Lufta civile në historinë amerikane “ quhet zakonisht vija që ndau në mënyrë të dhunshme epokën agrare nga ajo industriale”.[1]

Pse kemi nevojë tutje edhe sot, t’i kthehemi herë pas herë vitit 1981, demonstratave për Republikë, po edhe degradimit politik që pësoi Kosova e dy dekadave të fundit të shek.20-të?

Nëse kjo ndodhë ndërkohë fare pak, ose krejt shkarazi, në të ardhmen e afërt, jam i prirë të besoj se studjuesit do t’ i rikthehen asaj epoke me seriozitetin shkencor që meriton. Historiografia jonë, mendimi ynë politik, dy dekadave të fundit të shek 20: të parës, 1981–1989 dhe asaj që do ta cilësoj si dekada e apart’heijdit serb në Kosovë : 1989–1999, duhet t’ia heqë vellon e misticizmit , trajtimit folklorik e tejet amator, duke ia nënshtruar metodave të hulumtimit e studimit të thellë shkencor.

Tezat e parashtruara nga Ukshin Hoti, Arbër Xhaferi, Hydajet Hyseni, Bajram Kosumi etj., nuk janë pasuar tutje me studime multidisiplinare, me prezantimin e dokumenteve faktike relevante për shkencën dhe konkluzione përkatëse të qëndrueshme. Shih për këtë, jo rastësisht, në përvjetorë jubilar, nga qarqet nostalgjike titiste, publikohen e ripublikohen teza mbi gjoja qëndrimin e KGB-së dhe UDB-së prapa demonstratave të pranverës së vitit 1981. Në gadi çdo përvjetor ata ripublikojnë me djallëzi edhe deklarata e intervista të ish bashkëpunëtorëve të UDB-së të penetruar në lëvizjen ilegale.[2]

Demonstratat e vitit 1981 dëshmuan se e ashtuquajtura elitë politike autonomiste (institucionale) e Kosovës, edhe nëse kishte pasur çaste (një pjesë e saj), kur ishte zë i interesit nacional (gjatë periudhës kur po bëhej diskutimi publik për kushtetutën e në prag të demonstratave të vitit 1968), shpejt ishte zbrapsur dhe shndërruar në klasë vasale, marionetë e heshtur e Beogradit, duke i shërbyer pa zë interesave koloniale serbe. Kjo shtresë nuk ia kishte dalë kurrë ta kuptoj se demonstratat e vitit 1981 shenjonin ndarjen e epokave.

Prologu i demonstratatve të vitit 1981

Demonstratave të vitit 1968 gjithësesi ju kishin paraprirë një varg aksionesh të organizatave që kriptoelita jonë kishte krijuar ndërkohë. Le t’ rikujtojmë disa sosh që patën jetë e ndikim më të gjatë.

1. Në vitin 1958, Metush Krasniqi e kishte themeluar organizatën Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me shtetin amë.

2. Në vitin 1960, Kadri Halimi, Ali Aliu dhe Ramadan Hoxha themelojnë organizatën Komiteti Revolucionar për Bashkim të Trojeve Shqiptare në Jugosllavi me Shqipërinë.

3. Një vit më pas, në qershor 1963, Adem Demaçi, Skender Kastrati dhe veprimtarë tjerë nga të gjitha anët e Kosovës, themelojnë organizatën ilegale Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve.

Në programet e të gjitha këtyre organizatave potencohet karakteri i tyre revolucionar dhe idetë për bashkim kombëtar.

Për dallim nga organizimi dhe mbrojtja e kauzës së demonstratave të 1968, që pati një lloj pikëtakimi edhe me të ashtuquajturën elitë institucionaliste, ato të vitt 1981, në vend se ta përafronin këtë elitë me kriptoelitën tonë si organizatore e demonstratave, do ta thellojnë ndarjen edhe më keq se sa ishte!

Në vitin 1968 pati një akordancë mes kriptoelitës dhe institucionalistëve për kërkesën e statusit të Republikës. Ishin organizatat ilegale ato që organizuan demonstratat gjithëpopullore gjithandej ku jetonin shqiptarët, pra jo vetëm në Kosovë, por edhe në Twtovë, Preshevë, Ulqin etj. Si ndodhi ky përafrim? Studjuesit nuk kanë dhënë ende përgjegje adekuate e bindëse. Por, fakti se pati një lloj ujdie nuk mohohet nga askush.

Në mbledhjen e mbajtur më 16 mars 1968, kryetari i Komisionit për Status të Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë (ky ishte emri zyrtar atëbotë i Kosovës), politologu i njohur, profesor Gazmend Zajmi, e kishte paraqitur tezën për vetëvendosje të brendshme dhe për njësi të veçantë federative të Kosovës. Kjo tezë do të sqarohej më pas në mbledhjen e këtij Komisioni më 28 prill të të njejtit vit, kur nisi shqyrtimi lidhur me propozimet për statusin e Kosovës. (…) Më pas, ndër më këmbëngulësit nga institucionalistët, që në vitin 1968 kërkuan hapur krijimin e Republikës së Kosovës, ishin prokurori krahinor i Kosovës: Rrezak Shala dhe kryetari i Gjykatës së Lartë të Kosovës, Ramadan Vraniqi. Por, siç pohon në një studim të tij publicisti Qani Mehmeti, “ata që e frymëzuan në përmasa më të gjera çështjen e krijimit të Kosovës Republikë ishin intelektualët më të njohur të saj, si: Gazmend Zajmi, Ali Hadri, Fehmi Agani, Dervish Rozhaja, Bardhyl Çaushi, Hasan Mekuli e disa të tjerë, një numër i të cilëve atë kohë ishin edhe pjesë e strukturave legale qeverisëse, apo partiake të Kosovës”.[3]

Për fat të keq, ky koordinim qoftë edhe i heshtur, mes institucionalistëve dhe kriptoelitës që ndodhi në prag të demonstratave të vitit 1968, nuk do të vazhdojë në prag të atyre të vitit 1981. Pasojat ishin, shih për këtë, edh emë të rënda, siç e dëshmoi koha, për që të dy palët.

Si e ndërtoi Serbia strukturën e pushtetit të saj kolonial ?

Serbia, ngjashëm me fuqitë tjera koloniale të kohës mes dy luftërave botërore, me ta pushtuar Kosovën përmes dy portave- të parës në Merdar dhe tjetrës në Kumanovë, në tetor 1912, kishte startuar me procesin e ndërtimit të strukturës së re të pushtetit kolonial dhe rrjetit të vasalëve që do t’ i nënshtrohen plotësisht ati pushteti. Serbia me ta instaluar pushtetin ushtarak e atë administrativ, do ta gjejë disi të gatshme këtë strukturë tek ajo shtresë që i kishte shërbyer me shekuj Perandorisë Osmane dhe nuk kishte marrë rrugën drejt Anadollit tok me ushtrinë e administratënn osmane. Këto struktura (feudale) ishin të lidhura fort me klerin, prandaj Beogradi për të ndërtuar e aplikuar politikat e tij koloniale e shkombëtariszuese njëkohësisht, i mbylli edhe ato pak shkolla laike që ishin, ndonjë sosh edhe në gjuhën shqipe, e vazhdoi të hap xhami, duke kulmuar këtë politikë antishqiptare me hapjen e Medreses së madhe në Shkup, që si për ironi, do ta pagzoj me emrin e “Mbretit Aleksandër”(1924), disi ngjashëm me atë të Sulltan Hamitit në Prishtinë, që mban po atë emër edhe sot e kësaj dite! Ndërkaq personelin drejtues dhe numrin më të madhë të ligjëruesve për këtë medrese, do ta sjell nga Bosnja, që de fakto ishin oficer të lartë të shërbimit sekret serb.[4]

Kriptoelita egzistuese e kohës, këtë strategji serbe e kishte të njohur, prandaj po punonte në hartimin e strategjisë për kundërveprim afatgjatë në kohë “paqeje të imponueshme”, duke mos përjashtuar asnjë çast organizimin e kryengritjes antikoloniale.

Demonstratat e vitit 1981 dëshmuan se ndërkohë, kriptoelita shqiptare, tashmë ishte e aftë të hidhet në veprim dhe tash e tutje ajo do të jetë bartësja e luftës për liri. Kosova, ishte qëndrim i prerë i kriptolitës, nuk do të duhej dhe nuk do të lejohej, që tutje të trajtohet si “pjesë e botës së tretë” — koloni e Serbisë.

Bota e tretë dhe segmentarizimi i shoqërisë

Nocioni mbi “Botën e tretë” ishte afishuar për herë të parë në Francë, në vitet ‘50-ta të shek.20-të, ndërkaq në vitet ‘70-ta, do të gjejë aplikim të gjerë në jetën publike-politike në nivel evropian. Nocioni “Bota e tretë” tok me kontekstin kohor, kur po aplikohej, nuk ishte i natyrës shkencore e analitike, por thjeshtë kishte të bënte me atë politiko-ideologjik. Kjo ndarje i segmentarizonte sistemet shtetërore egzistuese në tri grupe, duke marrë në konsideratë zhvillimin e tyre socio-ekonimik, bazën ideologjike të sistemit të tyre shoqëroro-politik si dhe strukturën organizative dhe ndërveprimin politik të institucioneve.

Në botën e parë, konform këtij koncepti, hynin vendet e Perendimit: Amerika Perendimore, Evropa Perendimore, Japonia dhe Australia (bota e OECD-së). Ato shquheshin për shkallën e lartë të zhvillimit industrial dhe atij të shërbimeve, për sistemet funksionale të sigurisë dhe mirëqenies sociale në shkallë të gjerë.

Baza e tyre ideologjike ishin vlerat e liberalizmit demokratik, ndërkaq në rrafshin ekonomik, vlerat që garantonin zhvillimin dhe prosperimin e ekonomisë së tregut, respektivisht të kapitalizmit të bazuar rregullativ me përkufizime të ndërhyrjes së shtetit.

Përballë botës perendimore, ishte e ashtuquajtura “botë e dytë”, që nuk cilësohet dot as bllok politik unik, por as edhe si një hapësirë unike ekonomike jokapitaliste — brenda së cilës përfshiheshin shtetet e Evropës Qendrore dhe asaj Lindore tok me BRSS-në.

Të gjitha këto vende shquheshin për strukturën e theksuar të zhvillimit agrar e industrial, por me nivel të ultë konsumi. Në rrafshin ekonomik dhe atë shoqëror, këta shtete ishin të organizuar mbi bazat e socializmit dhe monopolit shtetëror, ndërkaq si të ashtuquajtura “Demokraci popullore” të kësaj hapësire, interesat e shtetit dhe të “klasës punëtore” i përfaqësonin partitë komuniste.

Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë (RSFJ) bënte pjesë formalisht në këtë grupim shtetesh, ndërkaq realisht me kohë (fill pas LDB — 1948), ishte shndërruar në një laborator eksperimental për testim të fenomeneve shoqërore dhe në instrument të sukseshëm në Luftën e ftohtë të Perendimit ndaj Lindjes.

Në “botën e tretë” hynin vendet në zhvilim të Afrikës, të Azisë dhe të Amerikës Latine dhe Oqeanisë. Ekonomia e tyre karakterizohej me ngecje të theksuar dhe pabarazi të thella sektoriale e prodhim të ultë deri në mjerim social.
Në rrafshin ideologjik këto vende ishin një miks i theksuar mes ideve tradicionale karakteristike për shoqëritë rurale dhe atyre moderne me nota të demokracive autoritare me rend të theksuar politik, që kishte elemente të despotizmit, ekonomisë hibride dhe shtetit/parti (njëpartiak).

Kosova e periudhës para pranverës 1981, de fakto ishte “botë e tretë” brenda Federatës Jugosllave.

Përfaqësuesi më tipik i “Botës së tretë” në gjithë Lëvizjen antikoloniale të viteve ‘50-ta e ‘60-ta të shek. 20-të, do tët bëhej shkrimtari e filozofi afrikoamerikan Franc Fanon-i, autori i librit shumë të popullarizuar të kohës, me titull sinjifikativ “Të mallkuarit e botës” (e botuar edhe në shqip në vitin 1984).
Kjo ishte epoka kur në diskursin politik e shkencor bënte jetë aktive teza mbi përgjejgësinë morale dhe mbi fajin që kishin fuqitë koloniale për prapambetjen ekonomike të botës së tretë [Shih: GALTUNG, 1972; BROCK, 1992].

Gjithashtu kjo epokë shënon shkallën e lartë të shtrirjes së valës së tretë demokratizuese në rrafshin global, që fillon në agsholin e dekadës së shtatë , kur bien diktaturat ushtarake në jugun e Europës (Greqi, Spanjë e Portugali) e shtrihet deri tutje, duke kap kulmin pas rënies së Murit të Berlinit, kur po shkërmoqeshin të ashtuquajturat shoqëri të “demokracive popullore” në Europën Qendrore dhe në atë Lindore e Juglindore.

Në këtë periudhë, kriptoelita jonë, përmes shtypit klandestin (Zëri i Kosovës, Liria, Lajmtari i lirisë, Bashkimi…) ishte bërë pjesë e këtij diskursi politik.

Edhe diskutimet ppublike për statusin e Kosovës që po bëheshin gjithandej në Kosovë nëpër Kuvendet e komunave, në prag të miratimit të kushtetutës së vitit 1974, ishin të ndikuara nga ky diskurs politik i krijuar tashmë në niel europian.

Indikatorët empirik — pasqyra më reale e pozitës koloniale të Kosovës

Të gjithë indikatorët bazik për vlerësimin e nivelit të jetës në Kosovën e periudhës 1912–1981 ta japin pasqyrën e një vendi tipik kolonial.

Një pasqyrë reale e indikatorëve real ekonomik, që do të ishte produkt i komponenteve bazike, dëshmon qartë pozitën koloniale që kishte Kosova. Të dhënat në këto fusha që po i bënte publike kriptoelita jonë në shtypin ilegal (sidomos tek Liria, Bashkimi dhe Lajmtari i Lirisë), ishin gjithësesi domethënëse për pozitën koloniale ku po e mbante RSFJ-ja krahinën e Kosovës.

Të dhënat statistikore zyrtare për indikatorët dhe komponentet specifike për periudhën 1971–1981, në rastin konkret, shkojnë në favor të tezës së mbrojtur me forcë nga kriptoelita jonë, se janë pikërisht faktorët e brendshëm ekonomik e politik, pozita koloniale ku e ka katandisur Beogradi Kosovën.

Tabela e mëposhtme (nr.1) pasqyron ndeshtrashat me efekte veprimi afatgjatë.

Tabela nr. 1 Ndeshtrashat (sfidat) e politikave koloniale Humanitare/sociale e politike

Ekonomike / Ekologjike

  • Uri, popullsi me ushqim jokualitativ
  • Kapacitete të vogla
  • Të natyrshme, si: klima, mungesa e ujrave (ujësjellsave)
  • Varfëri absolute
  • Aftësi të kufizuara konkurimi
  • Ndarja e ambientit e kushtëzuar nga varfëria
  • Arsim të dobët/ Rikualifikim
  • Deficite në rikualifikim dhe dije tekonologjike
  • Shkatërrimi i ambientit përmes industrisë dhe shfrytëzimit kolonial të lëndëve të para
  • Përkujdesje medicinale e dobët
  • Mungesë kapitali; borgje
  • Elmetimi i gazrave, erozioni
  • Në fushën e lirisë e të të drejtave të njeriut.
  • Participimet
  • Në strukturimin e tregtisë së ashtme
  • Mbipopullimi
  • Dendësia e popullsisë
  • Papunësia
  • Papunësi
  • Mbipopullimi i qyteteve; zbrazja e fshatrave
  • Emigrimi
  • Exogene: varësi për pasoja të shfrytëzimit të theksuar kolonial; ndarje jo e dretë e punës dhe shkëmbimit
  • Shfrytëzimi i egër i resurseve natyrore

Pasojat e këtyre përballjeve me politikat koloniale të Beogradit, nëse analizojmë këto ndeshtrasha me të cilat qe përballë Kosova për dekada me radhë, reflektojnë edhe sot e kësaj dite, dy dekada pasi Kosova është çliruar.

Mashtrimi logjik i kolaboratorëve

Një lagje kolaboratorësh, për fat të keq aktiv në skenën politike e publike edhe sot e kësaj dite, vazhdimisht, në përballje me Demonstratat e 1981-ës, në komunikimin e tyre publik, qoftë në memoaristikë, qoftë në media vizive a të shkruara, shprehje të opinioneve me rastin e përvjetorëve, kanë aplikuar dhe po aplikojnë të ashtuquajturin POST HOC ERGO PROTER HOC (Mashtrim logjik), duke drejtuar gishtin për faj për gjendjen e mjerë të Kosovës për vite të tëra në drejtim të irridentës. Ata shkruajnë e bruçullosin pa ndërpre edhe para kamerave, edhe për përgjegjësinë që na e paskërka irridenta për degradimin e asaj gjysmëautonomie që na e paskërka pas “garantuar” kushtetuta e vitit 1974!

Kjo lagje iluzionistësh e mashtruesish (vetëmashtruesish) nuk marrin në konsideratë fare premisën se Kosova ishte e pushtuar dhe rrjedhimisht mbahej e robëruar, në kundërshtim me vullnetin politik të popullit shqiptar. Kjo lagje iluzionistësh e vetëmashtruesish, jo rrallë si epokë pushtimi a robërimi, në diskurësin publik e cilësojnë vetm dekadën e apart’heijdit (1989–1999)! Ata “edhe sot mendojnë se luani nuk do të zgjohej po të mos ngacmohej”, duke shpërfaqur edhe më qartë mashtrimin logjik që kishin e vazhdojnë ta ushqejnë edhe sot e kësaj dite.

Parimi mbi të cilin ndërtohet Mashtrimi logjik ka të bëjë me pohimin se, përderisa ngjarja Y pasoi ngjarjen X, ngjarja Y mund të jetë shkaktuar nga ngjarja X.

Mashtrimi logjik, siç shihet, është produkt i konkluzioneve të bazuara në rrjedhën e ngjarjeve, pa marrë parasysh faktorët që mund të kenë quar tek kjo lidhje.

23 Marsi i 1989-ës dhe suprimimi i autonomisë edhe ashtu tashmë formale, nuk është rezultat i organizimit të demonstratave të 1981-ës nga ana e irridentës, me ç’rast kërkesa qendrore ishte intencë për avancimin e statusit të autonomisë në Republikës (realizimi i vetëvendosjes së brendshme), por meqë Revolucioni antikolonial nuk ishte mbështetur nga autonomistët, klasa politike legale, e meqë ai kishte rrëshqitur nga binarët e tij, duke u mjaftuar me betejat, respektivisht pozicionimin për mbrojtjen e autonomisë! Në këtë betejë, siç dihet tashmë, qenë manipuluar edhe minatorët e Trepçës, që patën shprehë përkushtimin për vetëflijim në mbrojtje të Kosovës, ndërkaq demonstratat gjithëpopullore të marsit 1989, në vend që me kërkesat e tyre politike, ta shpjenin Revolucionin antikolonial të 1981 një hap para, me ikonografinë jugosllave (flamuj jugosllav e foto të satrapit Tito në ballë), e kthyen atë dy hapa mbrapa!

Në Angli, në Francë e kudo, rezultatet e revolucioneve dhe përplasjeve shoqërore të shek. 18 e 19 dhe të Luftës civile në SHBA, ishin të natyrës politike. Të tilla rezultojnë të jenë edhe rezultatet e demonstratae të vitit 1981 në Kosovë, pavarësisht ngritjet e zbritjet, humbjet e fitoret gjatë gjithë betejave politike që pasuan për dy dekada radhas, meqë mbi atë bazament u ngrit UÇK-ja. Ndërkaq do të jetë lufta e UÇK-së, ajo që do të imponojë rirreshtimin gjeopolitik të shoqërive shqiptare dhe fundin e eksperimenteve të mundshme me të ashtuquajtura “Republika autonome” të tipit rus.

Kamuflimi i pushtetit kolonial

Kosova edhe para pushtimit serb (1912), duke qenë nën okupimin osman, ajo qe shndërruar në një tip citadelle e rendit të “Islamit hanefi”, ndërkaq pas vitit 1919, ajo përfundoj në një Citadellë të Kishës Serbe. Si e tillë, për shtetin, për elitat e pushtetit dhe Kishës, ajo në periudhën mes dy luftrave botërore u shndërrua në një burim kolonial i jashtëzakonshëm, respektivisht në një lloj Citadelle e oligokratëve agrar, ndërkaq pas Luftës së Dytë Botërore edhe si burim i indstrisë minerare. Shfrytëzimi i këtyre pasurive do të shërbejë për Serbinë si burim kryesor i mbushjes së arkës së shtetit.

Nëse Irlanda në shek. 19-të ishte shndërruar për Anglinë në “forcën e saj më të madhe morale” [5], Kosova e shek.20-të e tillë ishte bërë për Serbinë. Nga ky kërndvështrim, historia e kolonializmit serb (të Kosovës) na rezulton, ashtu si ajo angleze në Azi, Afrikë, Amerikë e gjetkë; ashtu si historia e kolonializimit francaz gjithandej në Afrikë e gjetkë, etj., si histori politike dhe kaotike.

Në Kosovë, vitet pas Plenumit të Brioneve (1966), kur me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të SHBA-ve, do të eliminohet rryma radikale e prirë nga nënkryetari i Federatës Jugosllave, Aleksandëar Rankoviq, i njohur për antishqiptarizmin e tij, që po e shpjente Jugosllavinë drejt rikthimit në sferën e plotë të interesit rus,[6] pason një peridhë diçka më e qetë, më liberale, që nga distanca kohore e sotme, do të mund të cilësohej si Epoka e pushtetit kolonial të kamufluar.

Nën presionin e frymës politike të antikolonializmit që kishte shpërthyer gjithandej në Evropë e botë, ndryshimet kushtetuese të vitit 1974 dhe avansimi i autonomisë (nga ajo formale që ishte sipas kushtetutës së vitit 1963) edhe në përmbajtje, vërehet edhe në rrafshin ekonomik e kulturor. Kosova po hynte në një të ashtuquajtur dekadë të revolucionit të vonuar industrial, megjithëse tepër i kontrolluar nga lart.

Në këto vite të promovimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, lëvizjeve të mëdha e përmbysjeve të monarkive e me këtë edhe të zgjerimit të hapësirës së lirisë, Kosova nuk mund të trajtohej tutje si koloni klasike. Jemi në epokën kur po merrte fund lufta antikoloniale dhe, shtete të reja po i bashkoheshin Bashkësisë së Kombeve të lira, ndërkaq shoqëritë gjithandej po ecnin drejt emancipimit social dhe prosperimit demokratik. Në këto rrethana, Kosova nuk mbahej dot më si koloni klasike. Sidoqoftë, natyra e raporteve të pushtetit tashmë të kamufluar kolonial, që po ushtrohej tutje, pavarësisht ngritjes së shkallës së autonomisë, sidomos në rrafshin kulturor e atë të arsimit (hapja e Universitetit në këtë rrafsh ishte pika kulminante e kësaj autonomie kulturore), duhet të trajtohet e studjohet në nivele akademike, me të dhëna empirike e akribi të vërtetë shkencore.

Tabela nr. 2 Pozita koloniale e Kosovës sipas modelit të indikatorëve në nivelin jetësor

KOMPONENTA

INDIKATORËT

Zhvillimi

Përkujdesi personal bazik

  • Shfrytëzimi i kalorive për kokë banori
  • Shfrytëzimi i sasisë së ujit për kokë banori
  • Shfrytëzimi i sasisë së energjisë për kokë banori

Puna

  • Shkalla e papunësisë
  • Ndarja e përqindjes të të punësuarve sipas sektorëve
  • Angazhimi i supozuar në sektorin formal

Rezultatet ekonomike

  • BPS për kokë banori, respektivisht të ardhurat për kokë banori
  • Zhvillimi ekonomik mesatar vjetor në 10 vjetët e fundit
  • Kuota e investimeve

Pavarësia ekonomike

  • Eksporti dhe importi
  • Pjesëmarrja e mineraleve në prodhimin e përgjithshëm
  • Borgji në raport me BPS

Barazia / Drejtësia sociale

  • Ndarja e patundshmërive
  • Të ardhurat, paga mesatare në shumën e përgjithshme të të ardhurave
  • Barra e peshës së sigurimit social

Arsimi / Pjesëmarrja

  • Shkalla e alfabetizmit / shkollimit
  • Shkalla e diplomimit në raport me vitet më të sukseshme
  • Angazhimi politik dhe sindikal

Përkujdesi medicinal

  • Numri i mjekëve në raport me atë të popullit
  • Vdekshmëria e foshnjave
  • Mosha mesatare (e pritshme)

Komunikimi / Mobiliteti

  • Numri i lidhjeve telefonike (fikse) në raport me numrin e përgjithshëm të popullsisë
  • Shkalla e realizimit të mendimit të lirë dhe lirisë së shtypit
  • Qendrat e shitjes / Rrjeti hekurudhor shprehur në km

Faktorët ekologjik

  • Bilanci i emetimit
  • Rezervuarët e ujit
  • Ndryshimi i gjendjes së pyjeve në 10 vjetët e fundit

Për kriptoelitën pasqyra negative e shprehur në të gjithë indikatorët e dhënë për nivelin jetësor dhe ekonomike etj. në tabelën nr 2, ishin thjeshtë produkt i pozitës koloniale të Kosovës në Federatën Jugosllave. Prandj kriptoelita jonë nuk heshti, prandaj ajo e ndërgjegjshme për rolin që i takonte, u hodh në veprim. E tillë ajo ishte edhe përderisa organizoi dhe doli në krye të demonstratave të pranverës së vitit 1981, duke dhënë kështu secili shembull personal, por njëkohësisht duke sinjalizuar qartë se, Revolucioni antikolonial që startoi, sado i vonuar që ishte, nuk ka kthim prapa.

Historia dëshmoi se me demonstratat e vitit 1981, de fakto po fillonte epoka e re ndër shqiptarët jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha viset shqiptare nën ish RSFJ-në.

Fenomenet politike duhet t‘i emrojmë me emrin përkatës

Në Kinë vite më parë ka funksionuar një shkollë filozofike, e cila vlerësonte si të nevojshëm aktin e “korigjimit të emrave, nocioneve”. Ai qark filozofësh që promovuan atë tip shkolle filozofike kineze, mendohet se ishin të bindur se “Filozofia e urtësisë politike dhe shoqërore”, si e quanin ata atë shkollë, qëndronte, në thelb, tek intenca kur gjërat thirreshin me emrin e duhur.[7]

Ata që studjojnë historinë politike të Kosovës, ka ardhur koha që fenomeneve politike, qoftë edhe ato të hidhura për ne, t’i emrojmë e cilësojmë saktësisht, me emrin real, “me emrin e duhur”, duke i vënë kështu, më në fund, pikat mbi I, gjithnjë në emër të mbrojtjes së hierarkisë së vlerave reale dhe të vet historisë. Në këtë rast, si shoqëri, do të përballemi me përmbysje “realitetesh të etabluara” mbi kuazivlera; ca nga “heronjtë” tanë të shpallur nga politika jonë foshnjore dhe historiografia e ngatërruar keq me politikën, mund t’na rezultojnë si marioneta apo edhe si kolaborator të pushtuesve tanë; pastaj aktet individuale të ndonjërit që ndërkohë është promovuar si heroizëm i llojit të vet, e deri tek “beteja” e “epope”, të cilësuara si akte rezistence e “beteja për çlirim” t’na rezultojnë si veprime të natyrës anarkiste e tërësisht devijante nga kauza kombëtare, e jo rrallë edhe si produkt i manipulimit në dobi të agjendave politike të fqinjëve tanë shovenë, sidomos të Serbisë…

Nuk do të duhej të shihej asesi si diçka e papritur, kur të mësojmë nga kujtimet e letërkëmbimi i personalizteteve të kësaj epoke, sidomso atëherë kur do të fillojë mundësia për shfrytëzimin e arkivave të shteteve ku ata kanë jetuar për kohë të caktuar, që t’ na rezultojë e faktuar dilema se, së paku dy organizata ilegale të krijuara në vitet ‘70-ta të shek. 20-të, do t’ na rezultojnë si produkt i UDB-së, respektivisht i agjentëve të saj të katapultuar në krye të atyre organizatave, e që për kohë të gjatë mbajnë të veshur petkun e veprimtarëve për Republikë!

Vetëm kur të studjohet veprimtaria e organizatave tona atdhetare, do të mund të vlerësohet si duhet dhe do të vijnë në vendin e vet meritor në panteonin e historisë organizata si ato që udhëhiqeshin nga Metush Krasniqi, Ali Aliu, Adem Demaçi… për të pasuar nga ajo që drejtohej nga Hydajet Hyseni e Mehmet Hajrizi (OMLK), e sidomos LPK-ja, që ia arriti ta krijoj UÇK-në dhe ta përjetojë lrinë.

Kur të njihet mirë historiku i LPK-së dhe roli i disa prej themeluesve e drejtuesve të saj , sidomos të periudhës (1987–1999), do të mund të bënim diferencimin e saj real nga LDK-ja , e sidomos nga pararendësia e kësaj të fundit, LKJ-ja për Kosovë. Ndërkaq studimi i mirëfilltë shkencor i rolit të LKJ (seksionit të saj në Kosovë) dhe roli i saj në tejzgjatjen e jetës së kolonializmit në Kosovë, si parti-shtet, duke i rishikuar me sy objektiv edhe levat e saj, duke përfshirë në këtë kuadër edhe “Bashkësinë Islame”, tek atëherë do ta kemi të qartë përmasën e saj si organizatë tipike kuislinge.

Demonstratat e viti 1981 dhe ngjarjet që pasuan, potencon Arbën Xhaferi në esenë e tij me titull “15 vjetori i demonstratave të Kosovës” , të publikuar më 31.03.1996, nxorrën në shesh të drejtat e rrejshme, ligjet e pavlefshme, autonominë formale.

Përfaqësuesit shqiptarë nuk kishin pushtet real por ishin transmision, pushtues i pushtetit të qarqeve të hirta që me ideologji komuniste i impononin interesin e tyre të zhveshur nacional, shqiptarët nuk kishin autonomi por atë e kishte oligarkia politike, shqiptarët nuk i mbronin ligjet por ata i fshikullonin me të marrë urdhërin politik.
Këtë gënjeshtër, këtë hipokrizi, këtë represion latent, këtë pushtet formal e nxorrën në rrah të analizës, përfundon A.Xhaferi, demonstratat e vitit 1981.[8]

Ajo strukturë e partisë/shtet që mbikqyrte autonominë dhe çdo sferë të jetës në Kosovë (LKJ e UDB), ia kishte arritur ta krijonte një klasë zyrtarësh dhe intelektualësh oportunë (përfshirë këtu edhe Policinë letrare), që i shërbenin aparatit kolonial si maskë e mirë për të fshehur relitetin dhe pozitën koloniale të Kosovës, sidomos gjatë periudhës 1974–1981, kur statusi autonom i Kosovës përgjithësisht kishite shënuar progres të prekshëm.

Sidoqoftë, siç vëren publicisti ynë Qani Mehmedi, edhe brenda sistemit, gjatë kohë, po sidomos në vitet ‘70-ta ishin strukturuar dy rryma politike: e para, që mund të cilësohet me plot gojën autonomiste (në kuptimin pozitiv), me pretendime të qarta për ruajtjen e prosperimin e interesave nacionale, në përpjekje permanente për të prosperuar statusin e Krahinës dhe të shqiptarëve në ish Federatën Jugosllave; dhe e dyta, që hapur ishte vënë në shërbim të politikave koloniale të Beogradit, e që do ta marrë drejtimin e Krahinës pas demonstratave të 1981-ës gradualisht, deri në mars të vitit 1989, kur do të suprimohet statusi i saj, që “ia garantonte” kushtetuta e
1974-ës.[9]

Inaugurimi i apart‘heijdit serb

Gjuetia e shtrigave në formën e “Mc Carthyismus” që kishte startuar në Beograd e shumë shpejt ishte etabluar edhe në Prishtinë, me spastrimin e strukturave të sigurisë dhe ishte përmbyllur me likuidimin politik e fizik të oponentit kryesor të S.Milosheviqit, Ivan Stamboliq-it, atëbotë ryetar i LKJ-së për Serbi.

Aprovimi i apart’heijdit në Kosovë (1989) i kishte dhënë fund eksperimentit të pretenduar për Republikën autonome në Kosovë (të tipit rus — 36 sosh — Republikat Autonome Sovjetike Socialiste (ASSRs sa kishte në BRSS)[10], që përmes polit të tretë, i përvijuar brenda LKJ-së për Kosovë pas demonstratave të 1981-ës, në krye me Azem Vllasin, po ideohej të aplikohej në Kosovë. Dështimi i këtij projekti, sikur i hapi rrugë atij “Patkoi” në fund të asaj dekade (pranverë 1999).

Shih për këtë, në procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë, demonstratat e 1981-ës dhe tri ngjarjet specifike pasuese, janë në embrion të paradigmës që do t’ i paraprijnë krijimit të UÇK-së.

  • Mbledhja themeluese e LPK-së (1987), aprovimi i Platformës politike të LPK-së (1993), e pasuar me krijimin/emërtimin e UÇK-së (1994), paraqesin aktet e kthesës historike që do t’ i paraprijnë luftës ës UÇK-së për liri (1998/1999).
  • Platforma politike e LPK-­së ishte dokumenti më i fuqishëm juridiko-­politik që shenjon dekadën e fundit të shek. XX-­të në Kosovë dhe
  • Modeli i projektuar i Republikës autonome.

Po risjellë me këtë rast, pikat qendrore të Platformës politike të LPK-së:

1. Të fillohej menjëherë në shndërrimin e rezistencës pasive në atë aktive dhe çlirimtare, duke përkrahur aksionet çlirimtare në Kosovë, të cilat po kryheshin nga radhet e UÇK­së;
2. Të “ngriheshin” programet partiake për interes të programit kombëtar dhe çlirimtar;
3. Të krijohen grupe punuese për punë diplomatike jashtë vendit;
4. Të organizohej Fronti Kombëtar për Çlirimin e Kosovës.

Aprovimi i kësaj platforme dhe veprimtaria e organizuar politiko-ushtarake në terren, do ta shpjerë Kryesinë e LPK-së natyrshëm drejt vendimit historik për emërtimin e UÇK-së.
Kryesia e LPK-së, më 17. 11. 1994 në Arau, Zvicër, duke pasur parasyshë edhe propozimet e grupimeve ushtarake në terren, mori vendim që organizmi i ri ushtarak të quhet “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.[11]

Demonstratat e 1981-ës tok me këto ngjarje të rëndësisë së dorës së parë në historinë tonë politike, paraqesin paradigmën më të veçantë të reflektimeve të natyrës gjeopolitike që do t’ i imponohen tri qendrave politike vendimmarrëse në trekëndëshin: Beograd — Moskë — Uashington.

Përfundim

Demonstrata e vitit 1981 kanë marrë statusin si “shenjues epoke” përmes afrimit dhe shprehjes në NJË të emrit të STUDENTIT (vini re singularitetin e shumësit në funksion të idesë) dhe më pas profesorit e filozofit Ukshin Hoti tok me revolucionin, disi ngjashëm siç njësohet filozofi Imanuel Kant me Revolucionin francez.

Ndërlidhjen, respektivisht mbarsjen e ngjarjes historiko-politike (Demonstratave të 1981-ës) me ligjërimin metafizik, ku ngjarja shndërrohet në objekt të analizës, të burgosurit politik shqiptarë do ta kultivojnë gjithndej, jo vetëm në universitet dhe burgje (që për një kohë do t’ i kthejnë në Universitet të dytë), por edhe me mërgatën tonë të re, kudo ku do të shtrihet rrjeti i organizimit politik.

Duke e lexuar fjalën e profesor Ukshin Hotit, mbajtur në njërën nga mbledhjet të profesoratit të Fakultetit Filozofik [12], që ndërlidhet kryekëput me kërkesën themelore të studentëve demonstrues — Kosovën Republikë, qasja e tij për ta arsyetuar atë, më kujtonte sivëllain e tij gjerman Martin Heideger-in dhe atë fjalimin e tij historik me titullin sinjifikativ “Vetëafirmimi i Universittit gjerman”, i njohur më pas si “Fjalimi i rektorit”. Republikën ai e shihte si “një instrument që mund të përdorej në dobi të tempos së zhvillimit të shpejtuar”.[13]

Ukshin Hoti mëtonte pikrisht universitetin ta shndërronte në qendër të rezistencës nacionale edhe në raport me betejën politike për Republikë. Ndërkohë kjo kërkesë ishte aktualizuar edhe në sheshe, duke ia rezervuar aty vendin e vet edhe filozofisë. Këtë diskurs të rolit të filozofisë në luftën tonë për Republikë, ai do ta vazhdojë në ligjërimin e tij specifik edhe pas daljes nga burgu i parë, në odat e Duagjinit në takimet me të rinjtë revolucionar, por edhe më fuqishëm në revistën “Demokracia autentike”, për ndalimin e së cilës (tek nr 6), ashtu si edhe për burgosjen e tij të fundit, siç e pohon edhe ai, kishin dorë “policia letrare” e nomenklaturës titiste, e katapultuar në krye të LDK-së.[14]

Ky reflektim i profesor Hotit shënon saktësisht atë “takimin konceptualist të determinuar të dy instancave” [15] në fjalë — të Universitetit dhe Sheshit, që ishte produkt i mendimit politik të lirë edhe për demokracinë autentike, e që për kohën i jipte fuqi demonstrimit politik për vetëvendosje të brendshme, që nënkuptontohet me Republikën e Kosovës brenda Federatës jugosllave.

Demonstratat e 81-shit, si për nga plotënia e formës, ashtu edhe për nga përmbajtja, ishin një kryevepër e mendimit politik shqiptar. Ato, prandaj, shënojnë epokë. Demonstratat e pranverës së vitit 1981 e shëndërruan Kosovën gradualisht në një Armegadon biblik, ku kulmoi ballafaqimi i së keqes me të mirën.

Demonstratat e vitit 1981 ishin me këtë përmasë historike, meqë në esencë kishin vrullin e ndjeshëm dhe energjik, që filozofët realë do t’i krahasonin me kryeveprat e mendimit klasik grek që kombinonin imagjinatën rinore me burrërinë e logjikës.

Shih për këtë, unë i cilësoj Demonstratat e 1981-shit dhe atë brez të rinisë, si manifestim historik par exelence, duke e dentifikuar atë me frymën e vitit 1968 që e ka dominuar Evropën, e që e shndërroi brezin në pjesë të homopolitikusit modern.

Në gjuhën frënge ekziston një togfjalësh i veçantë, që unë kam dëshirë ta ndërlidh me brezin e vitit 1981, “noblesse obligo”. Duket se historia ia kishte ngarkuar rinisë fisnike të 1981-shit atë barrë të madhe, që ajo e kreu me sukses — ndarjen e epokës, shënimin e kthesës së madhe historike, prej nga më nuk kishte kthim prapa. Ky ishte kufiri që ndante politikat kolaboracioniste të Kosovës me një filozofi tjetër të të menduarit e të vepruarit, për të rezultuar pastaj në një formë shumë konkrete të rezistencës, që e prodhoi Ushtrinë e lavdishme Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja revolucionare e prodhoi pranverën shqiptare të vitit 1981, ndërkaq pas konsolidimit të saj politik e strukturor (LPK), duke e kuptar dhunën politike konform konceptit progresiv, si “vegël me anën e së cilës Lëvizja shoqërore çan rrugën e vet dhe shkatërron format politike të ngurosura”[16], në programin e saj [17], me të drejtë, parashikonte organizimin e kryengritjes, si formë të fundit të veprimit.

Në tërësinë e Lëvizjes Revolucionare në Kosovë përfshihet intelegjencia e re në formim. Në rrafshin ideologjik ata ishin të majtë ose në proces të formimit si të tillë, por në esencë ata ishin nacionalist progresiv.

__________________________

1 Barrington Moore, Jr., Origjinat shoqërore të diktaturës dhe të demokracisë, Tiranë 2017, f 154

2 Azem Vllasi, Kosova: Fillimi që nuk harrohet, Koha, Prishtinë 2017, f. 272

Shënim: Për qëndrimin tejet reaksionar e të papërmirsueshëm të Azem Vllasit ndaj demonstratave të vitit 1981 dhe gjithë brezit të Republikës, shih dy kapitujt e librit të tij — kapitullin e tretë dhe atë të katërt.

3 Qani Mehmedi, Shtetëformimi i Kosovës, Prishtinë 2011, f. 19

4 Shih më gjerësisht: Dietmar Mueller, Staatsbürger auf Wideruf, Wiesbaden 2015, f.431–432

5 K.Marks & F.Engels, Mbi çështjen irlandeze”, Tiranë 1980, f.168

(Shih letrën e K.Marksit dërguar y. Mejerit dhe A.Fogtit).

6 Shih dokumentin e Shërbimit të Intelegjencies Amerikane -CIA-së:

https://perpjekjashqiptare.com/plenumi-i-brioneve-ne-fokus-te-sherbimit-inteligjences-amerikane-cia/

7 B.Moore, po aty, f.210

8 Arbën Xhaferi, Vepra 3, f. 141

9 Qani Mehmedi, po aty, f.37

10 Shih: https://en.wikipedia.org/wiki/Mari_Autonomous_Soviet_Socialist_Republic

11 Burimi: https://sq.wikipedia.org/wiki/L%C3%ABvizja_Popullore_e_Kosov%C3%ABs#Vitet_1981-1989
Proçesverbali i asaj mbledhje ndodhet në arkivin e LPK-së.
Ndërkohë, në një prononcim publik, vet Dr Nikë Gjeloshi, ka bërë të ditur faktin se ka qenë ai që ia ka propozuar njërit prej anëtarëve të Kryesisë së LPK-së emërtimin e formacioneve ushtarake: UÇK.

12 Në fakt, kemi të bëjmë me diskutimin e Profesor Hotit në Organizatën Bazë të LK në Fakultetin Filozofik, Dega Filozofi-Sociologji, Prishtinë 1981, shkëputur prej autorit nga letra e tij drejtuar KQ të LKJ më 25 qershor 1987)

13 Ukshin Hoti, Filozofia politike e çështjes shqiptare, Prishtinë, 1997, f. 215

14 Nga mbrojtja e tij në gjyqin e fundit: “Më ka arrestuar policia e Republikës së Serbisë, me kërkesën e një pjese të alternativës shqiptare të Repubikës së Kosovës. Shkaku i drejtpërdrejtë i këtij arrestmi, sigurisht ka qenë frika irracinale e kësaj pjese të alternativës shqiptare(LDK-së — SR), se me shkuarjen time në Prishtinë e në krye të UNIKOMB-it, pas 9 vjetës të ostracizmit dhe të izolimit, do të çrregullohej barazpesha e forcave politike dhe do të krijohej një gjendje e paparashikueshme dhe e pakontrollueshme.”
Ukshin Hoti, Po aty, f. 205

15 Orges Azizi, Ideja e Universitetit, Koha ditore, 22 shtator 2019

16 Fridrih Engels, Antidyring, Tiranë 1974, f.206–207

17 Në Programin e miratuar në Mbledhjen Themeluese të LPK, korrik 1987, për realizimin e objektivave të saj, ajo shprehet qartë se : “Për arritjen e qëllimeve programore LPK do të përdorë të gjitha format, mënyrat dhe mjetet e lejueshme sipas konventave ndërkombëtare.”

Burimi: http://www.lpk-kosova.com/dokumente.html

--

--

No responses yet