Kujt i shërben gjykimi i “instancës” së shpifur morale e shkencore?
(Reagim ndaj komentit të Abdullah Prapashticës me titull:
SADRI RAMABAJA DHE DY ANËT E MEDALEJES SË TIJ! publikuar në murin e mikut tim (fb),Lirim Gashit, tek një status i tij që ka për objekt personin tim)
Abdullah (që në shqip i bie Robi i Zotit),
Që në titull të këtij reagimi krejtësisht të pavend e pa kohë, ti bën përpjekje t’më diskualifikosh, duke më cilësuar person me “dy anë të medaljes”, pra me dy fytyra!
Në jetë unë kam ndërtuar identitetin tim human e profesional, duke mos lejuar kurrë madje as t’i ngjajë medaljes me dy anë. Këtë më së miri e dinë shokët e mi me të cilët jam rritur, kam vepruar bashkë, fillimisht brenda grupt të parë atdhetarë të të rinjëve në Dardanë “Para Agimit”, e pastaj nga shkurti i vitit 1982 si njëri nga anëtarët e parë të LPK-së në Kosovë, tok në një celulë me Nuhi Berishën dhe Ahmet Isufin, por edhe me të tjerë që kisha angazhuar vetë pastaj.
Në mbledhjet e para të celulës sonë jam angazhuar kundër mitizimit si fenomen shumë i pranishëm në vitet 80-ta e më pas.
E para, termin intelektual, e ke përdorë gabimisht, nga pozita e Hyut!
Shih ti, nuk po e përjashtoke asnjë nga intelektualët, rrjedhmisht as mua, por “as veten” se qenkëmi intelektual të pagabueshëm!
Mua, thua më posht në tekst, më paske njohur nga afër “sepse e kam pas bashkëpunëtor në UNIKOMB dhe kam qenë i kënaqur me punën e tij si intelektual e patriot në kohën e para shpërthimit e luftës së armatosur frontale të UÇK-ës.”
Sipas këtij formulimi, rezulton se Ti paske qenë epror imi në UNIKOMB!
Nuk habitem me këtë stil shkrimi, meqë duket se është defekt profesional yti.
Unë kam qenë kryetar i Qendrës së UNIKOMB-it për CH dhe për Europë.
Për herë të fundit në Ch jemi takuar, me kërkesën tënde, në Cyrih, diku nga fillimi i marsit 1999, pak ditë para se ti të shkoje në Krumë te miku yt AS dhe të emroheshe “Komandant për moral e politikë”! Ndërkaq në Kosovë për herë të parë dhe të fundit, diku në verë të vitit 2001, para zyrave të UNIKOMB-it, në Ulpianë, krejt “rastësisht”, kur ti ishe me uniformën e Policisë së Kosovës i shoqëruar nga një polic i huaj (i UNMIK-ut)…
Ta kujtoj se në takimin në Cyrih do të duhej të vije me Nysret Hajdarin, ashtu si ta kërkova unë, por as që e kishe njoftuar Nysretin! Gjatë minutave të parë të takimit e kuptova përse ishe vetëm ballë për ballë me mua. Në atë takim pate kërkuar që ne si UNIKOMB ta bëjmë ushtrinë tonë, ngjashëm siç paska vepruar LPK-ja me UÇK-në, LDK-ja me FARK-un, më pate thënë, duke arsyetuar këtë propozim me ca sofizma të shpifura…
Ta preva shkurt: UNIKOMB-i nuk është eshalon politik që ndjek modelin e Fikret Abdiqit!
Kështu do të të kisha thënë edhe në prezencën e Nysretit, prandaj nuk e kishe marrë me vete, si ta pata kërkuar unë.
Pas një jave, mora vesh se ke vajtur në Krumë.
Pse pikërisht në Krumë dhe pse pikërisht në dakordancë me AS, së shpejti do të kemi rast të lexojmë edhe për këtë histori raportesh…
Ti e din mirë se në atë kohë, unë kam qenë anëtar i Shtabit Mobilizues të UÇK-së për CH, meqë si formacion politik kishim marrë qëndrim të vihemi plotësisht në dispozicion të UÇK-së. (Për këtë kisha shkruar një kumtesë të veçantë me autorizimin e Kryesisë së UNIKOMbit në Prishitnë, të cilën e pat publikuar “Zëri i Kosovës”).
Në njërën nga mbledhjet e para të këtij Shtabi, të gjithë antarët e Shtabit jemi vu në dispozicion për të udhëtuar për Kosovë, duke përfshi edhe Tahir Gecin, mikun tënd…
Unë ndërkohë kisha komunikuar edhe me përfaqësues tjerë politik të UÇK-së në CH, por edhe me shokun tim Ahmet Isufin, atbotë komandant i Zonës së 7 (Gollak) dhe jam shprehur i gatshëm për t’ju bashkangjitur radhëve të UÇK edhe nën armë, pavarësisht rrethanave dhe shëndetit. Arsyet se pse nuk jemi ftuar asnjëri nga anëtarët e Shtabit në fjalë ti i din mirë, por i heshtë, sepse nuk të konvenojnë as ty e as “KUmandantit” tënd!
Ndërkaq nuk është vendi të flas për vete se farë kam bër unë për UÇK edhe pa e veshur uniformën e saj dhe pa bredhur nëpër malet e Krumës.
Ai rrethi yt i intrigantëve edhe mund të të ketë dezinformuar sipas midesë së tyre dhe të mësuesit që kanë, por as jam marrë ndonjëherë me ta, e as nuk mirrem, sepse thjeshtë nuk kam kohë.
Natyrisht duke u marrë me fenomenet poltike të viteve 80-ta e këtej, që kanë qenë e mbesin objekt i studimeve të mia, më ka rezultuar se së paku dy organizata që atëbotë kanë vepruar nën petkun e ilegales, kanë qenë të inicuara për themelim dhe të dirigjuara nga UDB-ja. Por, për këtë fakt, nuk kam shkruar ende, meqë jam duke grumbulluar materiale shtesë, përveç atyre që tashmë janë publike (letrat e Jusuf Gërvallës, shkresat e Ramadan Pllanës…)
Kurdo që do ta shkruaj Historinë politike të Kosovës, një projekt që e kam në dorë tash e sa vite, sigurisht se, aty do ta kenë edhe këto fakte vendin e vet të trajtimit. Si model i mirë për këtë më ka shërbyer e po më shërben monografia e jashtëzakonshme e Kristo Frashërit për të Majtën shqiptare.
Këtu nuk bëhet fjalë për luftë speciale, siç pretendon ta cilësosh ti hulumtimin shkencor, por për studime të mirëfillta.
Konferenca Shkencore e 17 janarit 2017 e inicuar nga Shoqata LËVIZJA (në panelin drejtues të së cilës isha edhe unë) dhe e mbështetur nga dy institutet tona shkencore (ai Albanologji dhe ai i Historisë), ka shënuar siparin më serioz deri tashti në këtë rrafsh. Të kisha preferuar t’ i lexosh kumtesat e asaj konference.
Në kumtesat e lexuara aty, nuk mohohet asesi 17 shkurti “yt”, por në disa sosh potencohet si datë e themelimit të LPK pikërisht 17 janari 1982, të cilin jo pa qëllim e mohon ti dhe bashkëmendimtrët tu! E sheh, se nuk mirrem fare me “matrapaz”, siç e cilëson ti njërin nga themeluesit e LPK-së, por me hulumtime shkencore, arkiva dhe intervista të pjesëmarrësve të ngjarjeve.
Studuesve nuk ju hynë në punë fakti se a i kanë njohur apo jo personazhet e proceseve historike, siç pretendon ti se je njëri nga ta. Mua më mjaftojnë faktet e pamanipuluara dhe reale, por që janë produkt i rrethanave të kohës për të cilën flasim e shkruajmë.
Ndërkaq se sa rezerva ke ti për t’më vlerësuar se jam apo nuk jam farë intelektuali, nuk më bëhet vonë fare. Madje, thënë troç, nuk do t’më vinte mirë t’më vlerësoje mua, përderisa i cilëson si “matrapaz” kolegët e mi veprimtarisë brenda LPK-së e të penës dje e sot.
Ndërkaq se kush rrenë për dekada me radhë, duke u shtirë si patriot i klasit të parë, e se gjoja na paska qenë organizator i Demonstratave të pranverës së 1981-ës, se përherë na paska qenë anëtar i LPK-së, madje edhe gjatë kohës sa ishte në krye të PKMLSHJ-së dhe më pas i anëtarësuar në UNIKOMB, dhe në fund krejt këtë e ka kurorzuar duke veshur uniformën e UÇK-s e duke bredhur nëpër malet e Krumës, pa shkelur para 12 qershorit 1999 fare në Kosovë, tashmë dihet.
Është fat i mirë që nuk jetojmë në kohën kur qifti yt “vrante e prente” duke pas edhe uniformën e oficerit të UDB-së në trup, duke ua pamundësuar e edhe duke ua marrë titujt shkencor kundërshtarëve të vetë politik. Por, ta kujtoj se tashmë jemi në një epokë tjetër. Thirrjen shkencore timen as nuk ma ke dhënë ti, si ish strukturë e pushtetit tok me Ibush Kllokoqin, e as nuk ma merr dot.
E kam parasysh se jo vetëm Ty, por edhe ca ish kUmandantave tu, ju djeg shumë puna ime shkencore, prandaj janë marrë e po mirren ende me mua, pikërisht se ju vret shumë e vërteta dhe dija.
Ti vazhdo reago edhe atëherë kur të tjerët shprehin pikëpamjet e tyre rreth personit tim, siç paske bërë këtu në murin e Lirim Gashit, por, të paralajmroj që mos të shpifësh, sepse nuk të toleroj dot as ty e askë tjetër. Gjykatat shpejt do të lirohen nga ndikimi i kUmandantave dhe sigurisht se edhe shpifjet i trajtojnë siç janë: si vepra penale.
Prototipat e AV i kanë rehabilituar kUmandantat tu, ndërkaq atë personalisht dhe mua na shndërruan në viktima të një procesi eksperimental të tipit stalinist, që tashmë u dëshmua tërësisht si i montuar.
Këtë reagim tëndin, sidomos fjalin e fundit, unë e shoh edhe si paralajmrim publik dhe kërcnim real, një lloj përpjekje për ta vënë në lajthitje Gjykatën, siç pati vepruar një tjetër kUmandant yti (suprem) më 28 dhjetor 2018, duke gënjyer nën betim tek ma veshte autorësinë e komunikatës nr 59 dhe më cilësonte “ideolog të terrorizmit”, meqë kishte pas hall me Gjykatën Speciale. Nuk e di çfarë halli ke ti?
Besoj se më së paku e ke hallin për “ndarjen e të vërtetës nga e pavërteta”!
Ti sigurisht je i vetëdijshëm, se nuk je, e nuk do të jesh kurrë, instanca as morale e as akademike, që ndanë të vërtetën nga e pavërteta.