Kur drejtësia i imponohet vullnetit të popullit
Skemat e planifikuara të dyshes Thaçi-Mustafa do të dështojnë.
Vullneti i madh i qytetarëve për ndryshime është i jashtëzakonshëm. Institucionet e Republikës duhet t’i subordinohen këtij vullneti.
Shkruan: Dr Sadri Ramabaja
Prishtinë, 20 janar — Këshilli Gjyqësor i Kosovës tok me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke u bazuar në vendimin absurd të Gjykatës Kushtetuese, si kupola e drejtësisë së kapur, paralajmrojnë largimin e Albin Kurtit nga lista e Vetëvendosjes për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Mediat në Kosovë, ajo surrogat i tyre që njihen se i shërbejnë eshalonit të politikës në perendim, sot si toplajm prodhuan infomracionin që kanë ato nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, e që ka të bëjë me ndalimin e Kurtit dhe 46 kandidatëve tjerë që të garojnë në zgjedhje, me arsyetimin se “janë të dënuar me vendime të formës së prerë në tre vitet e fundit.”
Me këtë logjikë atipike për shtetet e hemisferës perendimore të demokracive liberale, i ndalohet Albin Kurtit, kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, opozitarit sui generis, që të jetë kandidat i Vetëvendosjes për deputet të Kuvendit të Republikës!
Por cila qenka përgjegjësia penale e Albin Kurtit dhe kandidatëve tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilëve u mohohet e drejta për të qenë kandidatë për deputet ?
I kujtojmë opinionit se ata u dënuan për vepër penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”. Për këto “vepra# penale Albin Kurti qe dënuar më 18 muaj burg, me kusht për 3 vjet.
Në pyetjen që këto ditë më parashtroj një mik imi austriak, ligjërues në Universitetin e Lincit, se cila ishte vepra “penale“ në të cilën thirret drejtësia në Kosovë për këtë vendim absurd, i dhashë këtë shpjegim paraprak që i parapriu këtyre skenarëve të drejtësisë së kapur në Republikën tonë.
Më 25 gusht 2015, ish lideri i PDK-së dhe ish presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, atëbotë ministër i jashtëm, tok me Isa Mustafa, liderin e LDK-së, atbotë kryeministër i Republikës, në atë cilësi, kishte nënshkruar bashkë me homologun e tij serb, Alaksandër Vuçiq, Marrëveshsjen për parimet e përgjithshme sipas të cilave duhej të funksiononte Bashkësia e komunave serbe. Vetëvendojsja atë entitet politik brenda Republikës e quajti Zajednicë, konform Bashkësisë së komunave serbe në Bosnjë që i paraprinë krijimit të Republikës Serbka, që defunksionalizoi në thelb Republikën e Bosnjës dhe de fakto e shndërroi Bosnjën atbotë e sot në shtet defunksional, respektivisht të dështuar. Ky ishte hapi i parë drejt krijimit të alibisë për ndarjen e Kosovës, që do të insistohet për ta reaizuar gjatë vitit 2018 e 2019, duke ia aneksuar veriun e saj Serbisë.
Opozita e kundërshtoi kategorikisht si Zajednicën ashtu edhe procesin e ndarjes së Kosovës. Ajo, kur u shpenzuan të gjitha mundësitë e rrugët parlamentare, përdori gazin lotsjellës në Kuvend, si mjet i fundit për të penguar copëtimin e shtetit.
Të jeni të bindur, se po të ndodhte diç e ngjashme në Vjenë, jo gaz lotsjellës, por shumë më tepër, do të prdorte populli kundër kujtëdo që do të tentonte të cenonte dinjitetin, integritetin dhe sovranitetin e Republikës, ma ktheu kolegu austriak fare qetë, por jo pa dinjitetin që i lexohej në ngjyrën e zërit.
Me këtë marrëveshje dyshja Thaçi-Mustafa kishin cënuar rënd nenin 1, pikën e I-rë, të Kushtetutës, i cili e sanksionon Republika e Kosovës si “ shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm.” Por, jo veëtm kaq, ata kanë shkelur edhe nenin 2, pika 2, që potencon qartë se “Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj.”
Më 23 dhjetor, Gjykata Kushtetuese, përmes Aktgjykimit KO130/15, e hodhi poshtë Marrëveshjen e gushtit të vitit 2015, meqë përmes saj, konstatoi Gjykata, ishte shkelur 25 herë (dhe atë rëndë) Kushtetuta dhe ishte cënuar keq sovraniteti i Kosovës.
Kjo marrëveshje de fakto dhe de jure e shndërronte Kosovën në një shtet konfederal, ku njësitë territoriale bashkëpunojnë në nivel horizontal … Dhe krejt kjo konsiderohej si hap drejt ndarjes definitive të saj.
Koha e dëshmoi se Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa kishin punuar në tri vitet pasuese pikërisht për realizimin e këtij skenari.
Absurdi i vendimit të gjyqësorit të kapur në raport me të drejtën kushtetuese të qytetarit për t’ u zgjedhur dhe për të zgjedhur tashmë nuk mund të shihet vetëm si i tillë. Republika ka kohë që është peng i olhokratëve dhe rrjedhimisht drejtësia është vënë në shërbim të saj.
14 shkurti duhet dhe do t’ i jap fund kësaj epoke.
Çlirimi i Republikës nga kjo gardë e establishmentit politik të stërvjetëruar e inkriminuar është proces i pandalshëm.
Skemat e planifikuara të dyshes Thaçi-Mustafa do të dështojnë.
Vullneti i madh i qytetarëve për ndryshime është i jashtëzakonshëm. Institucionet e Republikës duhet t’i subordinohen këtij vullneti.