KUR DËSHTOJMË SË NJOHURI SHENJAT E KOHËS
Shkruan: Dr Sadri Ramabaja
Hyrje
Modeli Gjerman i bisedimeve që çuan tek ribashkimi në prag të rënjës së Bashkimit Sovjetik, bazohej në formulën: 2+4, që nënkuptonte palën gjermane në njërën anë plus katërshja e fuqive vendimmarrëse: SHBA, Rusia, Franca dhe Britania e Madhe. Në dialogun shqiptaro-serb, respektivisht Kosovë: Serbi, siç mësojmë nga koluaret e fshehta të diplomacisë dhe shërbimeve tona “të fshehta”, kemi të bëjmë me një katërshe më specifike: SHBA, Rusi, Francë dhe Turqi!
,,Përjashtimi” i Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe dhe “zëvendësimi ” i tyre me Turqinë, duket të jetë kalkuluar mirë nga diplomacia ruse, që pas rikthimit në Siri, pretendon ta shënojë fitoren e radhës përmes rikthimit triumfues edhe në Ballkan.
Pse është përjashtuar nga kjo katërshe Gjermania, u dëshmua ndërkohë në prag të samitit të Berlinit dhe rikthimit të saj përmes pozicionimit të qartë të Kancelares Angela Merkel lidhur me paprekshmërinë e kufijve të Kosovës. Ndërkaq rezervimi i vendit për Turqinë në katërshen vendimmarrëse do të shihet shpejt, ndërkohë kur do të fillojë ,,Rishikimi i Dejtonit” lidhur me të ardhmën e Bosnjes.Ndërkaq fakti që në emër të Evropës në katërshen vendimmarrëse pozicionohet Franca para Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë, për ata që njohin historinë politike të Kosovës të këtyre tri dekadave të fundit, sidomos atë të LDK-së dhe të drejtorisë politike dhe të Shtabit të UÇK, flet shumëçka.
Cili është roli i Izraelit në këtë mes?
Rënja e qeverisë Haradinaj (korrik 2019) a ka të bëjë drejtpërdrejt me skenarët për përmbylljen e projektit për ndarjen e veriut të Kosovës, respektivisht me përkufizimin (razgraniçenje) të kufirit shqiptaro- serb?
Cili mbetet roli i Britanisë së Madhe në këtë mes?
A ka të bëjë Brex-iti me ripozicionimin gjeopolitik të Shqipërisë dhe shqiptarëve në BE dhe NATO? A mund të mbete Gjermania larg kësaj beteje gjeopolitike për Evropën Juglindore?
A mund të supozojmë për rikthim të Rusisë në Evropën Juglindore, respektivisht në Serbi, meqë insistimi për ndarjen e Kosovës, duket se do të shoqërohet me Bashkimin e Republikës Serbska me Beogradin, rrjedhimisht me riorganizimin e hartës politike të Bosnjës dhe Ballkanit definitivisht?
Realpolitika e Kisinger-it që e sheh federalizimin e Ukrainës dhe Gjeorgjisë si rrugëdalje nga konflikti i ri afatgjatë Rusi : Perendim. Duket se, pas marrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë lidhur me emrin e ish Republikës Jugosllave Maqedone në Maqedonia e Veriut, por edhe pas ratifikimit të kufirit mes Kosovës e Malit të zi dhe aderimit të këtij të fundit në NATO, nuk e përjashton as mundësinë e ,,Dejtonit 2” për Bosnjes dhe të përmbylljes së marrëveshjes
Kosovë: Serbi, duke e ,,kompenzuar” Serbinë me zgjerim drejt Bosnjës, por, varësisht nga qëndrimi i palës shqiptare, respektivisht partnered në këto bisedime, edhe me aneksimin e veriut të Kosovës.
Ky rishikim gjeostrategjik i hartës politike të rajonit, nëse mbetet në fuqi marrëveshja që qarqet diplomatike e pohojnë se është arritur mes Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuçiqit (2018) dhe qenka tumirë nga katërshja në fjalë, duke paralajmruar përmbylljen e saj në parkun e Shtëpisë së Bardhë, nën patronatin e Donad Trump-it, do të dëmtonte rëndë interesat jetike të shqiptaëve në dy rrafshe:
1) Ne humbasim territor dhe mbyllim korridorin natyral të kontaktit me Snxhakun e Novipazarin, rrjedhimisht edhe me Bosnjen, por edhe pasuri të mëdha nëntoksore (Trepça) dhe mbitokësore (Ujmani), tok me pozicionin gjeostrategjik (Majën e Pançiqit);
2) Duke u kënaqur me një rrip toke në Preshevë, pa pasur fare qasje në korridorin strategjik Beograd: Selanik, rrezikojmë të humbasim përjetësisht Hinterlandin e Shkupit (Kumanovën).
Në këtë rishikim të hartës politike të Ballkanit, që mund të jetë përfundimtar për këtë shekull, palës shqiptare, edhe pse i ka mundësitë reale që të trajtohet si subjekt i barabart, ka rrezik që t’i rezervohet sërish pozita e palës- objekt. Shih për këtë, zgjedhjet e 6 tetorit kanë karakter referendumian dhe rrjedhimisht janë historike.
Në koralicionet politike të fundit të Luftës së ftohtë një Gjermani e bashkuar dhe neutrale, ia pohonte Jim Baker Hans Ditrih Gensher-it, në shkurt të viti 1991, do të mund të ishte e rrezikshme si për fqinjtë e saj ashtu edhe për Rusinë, prandaj ajo duhet të mbetej tutje pjesë e arkitekturës së sigurisë që kishte ngritur Perendimi — NATO-n dhe pjesë e BE-në si bashkim politik i së ardhmes.
Ky ishte leximi real i shenjave të kohës në prag të ndryshimeve të mëdha në raportet Perendim : Lindje, respektivisht në vigjilje të shuarjes së paktit të Varshavës dhe me këtë edhe të BRSS-së.
,,Me durim e gadishmëri për t’pranuar përgjegjësinë për atë që, përmes gjermanëve dhe në emër të gjermanëve, kishte ndodhur tashmë,- ne, e tillë ishte bindja ime, pohon Hans-Dietrih Genscher, ish Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, do të ndërtojmë besimin hap pas hapi”.[1]
Kështu shprehej H.D. Gensher-i pas qëndrimit publik të ministrave të jashtëm të Italisë dhe Holandës aspak të favorshëm për Gjermaninë, lidhur me vendimet e takimit të Otavës më 12/01/1490, që po vendosej për rrugët që do të ndiqte ekipi i ashtuquajtur 2+4 drejt ribashkimit të Gjermanisë. Genscheri kishte vënë re ndërkohë se, ai takim mund të sillte vështërsi, jo vetëm me Poloninë, por edhe me fqinjët verior.”[2]
Në plan strategjik çfardo pajtimi nga pala shqiptare sot për rishikimin e kufirit të veriut të Kosovës në dobi të tezës serbe, si parakusht për arritjen e një marrëveshje historike, gjithësesi se do të shkonte në dëm të paqes e stabilitetit në rajon, por edhe të interesave jetike të Kombit shqiptar dhe aleatëve tanë.
Të paditur e naiv, por të lumtur
Studimi i ri i Joseph Forgas-sit, profesor i psikologjisë në Universitetin e Noë Sauth Ëales-it, në Australi, për të shpjeguarn paradoksin e qytetarëve të lumtur që votojnë për partitë gjoja të zemëruara, përfshinë edhe argumentin e bazuar në të dhënat demografike që tregojnë se, votuesit më të shtyrë në mashë, janë më konservatorë, respektivisht më reaksionarë, por edhe më të lumtur, se sa pjesa e mbetur e popullit. Ky studim ka dhënë përgjigje më bindëse e më të thella, pse popujtt e lumtur janë më naiv.
Konstatimi kryesor i Forgos-it është se, të qenët të depresionuar mund t’ju bëj më pak naivë…
Hashim Thaçi është gënjeshtar tipik; ai duke shfrytzuar injorancën atipike politike të një pjese të madhe të luftëtarëve të UÇK-së dhe egoizmin e sëmurë të një lagjeje të drejtuesve të LPK-së, në vitet 90-ta, pasi ata i ishin nënshtruar fatit historik të nëpërkëmbjes që po përjetonte e majta progresive e kohës në plan evropian e botëror, me theks ndër ne në Kosovë, pasi likujdoi, siç supozohet, fizikisht, por edhe politikisht oponentët e mundshëm, ushtroi puçin dhe mori nën kontroll LPK/ UÇK-së. Si politikan i imponuar, pra si i vetëshpallur drejtor i Drejtorisë Politike të UÇK-së, megjithse tejet injorant e pa formim minimal politik, sidoqoftë, ai është ,, një person që e di cila është gjëja e duhur për ta bërë”, siç do të thoshte Aristoteli. Por, ai, nëse vayhdojmë me logjikën e Aristotelit, ai “nuk mund të ndalohet së bëri të kundërtën”. Rrjedhimisht, ashtu si është ngritur, ai edhe rënien duket se do ta ketë të përgjakshme.
A do të ketë Kosova fat vallë, që të çlirohet nga ky monstrum pa gjakderdhje? Vështirë e besueshme. Sidoqoftë, mrekullitë në Kosovë, siç u dëshmua me ndërhyrjen e NATO-s (1999), nuk janë të pamundshme.
Interesat gjeopolitike që kishte Perendimi në rastin e ndërhyrjes ushtarake në pranverën e 1999-tës, nuk bien ndesh me ato që po reprizohen sërish pas njëzet viteve, në dobi të përmbylljes së këtij kapitulli, që u la i harruar jo pa qëllim.[3]
Kur interesi jetik nacional shndërrohet në strategji veprimi
Skema politike gjermane, siç pohon H.D.Genscher-ri në kujtimet e tij, në fillim të kthesës historike (1990) dhe gjatë gjithë kohës sa po zhvilloheshin bisedimet intenzive që do të shpinin drejt ribashkimit të Gjermanisë (03.10.1991), ishte e ndarë në dy kampe: I pari, që ndiqte me mosbesim gjithë procesin (socialemokratët), ndërkaq i dyti, që refuzonte shumëçka në emër të një nacionalizmi të fshehur (CDU-Demokristianët).
Grupimi i parë me vite kishte refuzuar të gjitha politikat që ndërlidheshin me forcimin e ndërvarsisë së Gjermanisë në raport me NATO-n dhe SHBA-të, por edhe me idetë që kishin të bënin me forcimin e Bunesëer-it (Ushtrisë gjermane). Ky grupim vazhdonte, kështu, t’i ndiçte politikat iluzore, rrjedhimisht irracionale në raport me vullnetin e popullit për ribashkim. Çuditërisht, ky grupim zgjidhjen e çështjes gjermane (ribashkimin e Gjermanisë) vazhdonte tutje ta ndërlidhte me fatin e BRSS dhe të bllokut ushtarak që kryesonte Rusia.
Kjo lagje ideologësh nuk arrinin dot ta kuptonin arsyen reale pse Rusia po shfaqte shenja pajtimi edhe atëherë kur Boni zyrtar insistonte që Gjermania e bashkuar duhet të mbetet pjesë e NATO-s.
Nëse ky grupim (ku hynë e majta gjermane), kishte pjesërisht të drejtë, kur procesin e ribashkimit e shihte të ndërvarur me zhvillimet e brenshme në BRSS, ata nuk po arrinin dot t’i lxonin shenjat e kohës që sinjalizonte fillimi i rënjes së sistemit politik në BRSS, që atëherë kur në krye të tij kishte ardhë Mihail Gërbaçovi,[4] që po luante rolin e mikut të Gjermanisë dhe atë të njerkut të përkushtuar për ndryshime të thella të sistemit politik Rus, duke fshehur arsyet reale të shembjes së këtij sistemi dhe përpjekjet e tij për ,, shembjen e kontrolluar”.
Sipas HD. Gensher-it, e majta gjermane atëbotë kishte mungesë të theksuar analize, rrjedhimisht edhe orjentimi ishte I gabuar. Pasojat janë të venerueshme në jetën politike Gjermane edhe sot e kësaj dite.
Në krahun tjeter të historisë ishte grupimi i forcave të djathta (konservatore). Ai krah shquhej për refuzimin me këmbëngulje alogjike të të ashtuquajturës
,, zgjidhje zero” -Nullösung (1988/89), e që kishte të bënte me çështjen e dislokimit, respektivisht shmangien e dislokimit të raketave me rreze të shkurtëra veprimi në truallin e Gjermanisë Perendimore. Në këtë linjë edhe më këmbëngulës ishte krahu konsevator i NATOS dhe e ashtuquajtura ,,Zonja e hekurt”- kryeministria e Britanisë së Madhe, Margaret Thatcher.
Dislokimin e këtyre raketave në Gjermanin Perndimore ky grupim e shihte me prioritet për sigurinë dhe politikën e jashtme, jo vetëm gjermane.
Edhe grupimi i dytë politik (gjerman), siç e dëshmoi koha, nuk i kishte njohur as për së afërmi ,,shenjat e kohës”. Për pasojë ai ,,ishte mbërthyer në kurthin e mendimeve të vjetra”.[5]
Duke vepruar përkundër këtyre dy rrymave të politikës gjermane, Genscher-I me ekipin e tij, gjithnjë në përputhje me leximin që ua bënte ,,shenjave të kohës”, kishte refuzuar ashpër e me gjuhën e argumenteve politike idetë për modernizimin e raketave me rreze të shkurtër veprimi dhe dislokimin e tyre në truallin e Gjermanisë federale. Këto raketa, pretendohej të vendoseshin në Gjermanin Federale, ndërkaq si cak goditjeje do të duhej të kishin sistemin raketor rus , që ndodhej tashmë i dislokuar në shtetet e Evropës Lindore ( Poloni, Çekosllovaki, Hungari…), pra në shtetet fqinje të Gjermanisë Federale. Ky qëndrim i HD.Genscher-it, i mbështetur tashmë edhe nga Kancelari H. Kohl dhe një grusht i vogël strategësh gjerman, përkundruall çastit historik që po kalonte BRSS, do të dëshmohet shpejt i drejtë e prej vizionarësh, por edhe shumë i dobishëm për përshpejtimin e procesit të ribashkimit gjerman brenda afatit më optimal të mundshëm; çfardo vonese e mundshme, do të kishte kosto edhe më të madhe.
Rikthimi i Gjermanisë me peshen e saj reale në politikën evropiane e botërore; pozicionimi i qartë i saj në raport me idenë për “ripërkufizimin e kujfive mes popujve në Evropën Juglindore”, respektivisht ,, razgarençcenje-n” e A.Vuçiqit, mes shqiptarëve dhe serbëve, duke llogaritur në këtë kuadër, me aneksimin e veriut Serbisë; organizimin e takimit të Berlinit (1919), duke hequr nga tavolina Mogehrinin dhe ekipin e saj që kishin rënë kokë -e-këmbë në kurthin e agjendës politike të Rusisë për Ballkanin; rënja e Qeverisë Haradinaj dhe organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme më 6 tetor 2019… duhet analizuar si realitet i ri politik dhe “shenjë e kohës” që sinjalizon kthesën e madhe që po vjen, por edhe si mundësi për realizimin e objektivave strategjike të Kombit.
Për një metodë të re të leximit të politikës
Ambienti politik në gjithë hapsirën shqiptare ka nevojë imanente për një metodë të re të leximit, jo vetëm të historisë, por edhe të zhvillimeve aktuale pa iluzione, bazuar në dije e burime informimi, duke kritikuar pastaj koncepte e strategji pa ekuivoke e qartësisht, duke marrë në konsideratë mbi të gjitha të tashmen dhe të ardhmen e Kombit.Vetëm kështu ne do të arrijmë të jetojmë të dinjitetshëm dhe të faktorizohemi si komb.
Në këtë kontekst edhe emrimi i Mathew Palmer-it në poziten e të dërguarit të posaçëm të Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perendimor, na rezulton të jetë sinjal i qartë i rikthimit të ShBA, duke mëtuar dhënien fund të kontestit dhe rivalitetit shekullor shqiptarë- serb. Por, nëse klasa jonë politike nuk I bën një lexim të mirëfilltë të këtij kthimi dhe në komunikim nuk ngulë këmbë për mbrojtjen e interesave jetike të Kombit, në favor të kujt mund të shkojë kz rikthim i shpejtë i SHBA-ve gjatë kësaj administrate?
Ky rikthim i SHBA-ve me emisar që e njohin fare pak Ballkanin, nuk do të thotë se apriori mund të jetë në përputhje të plotë me interesat jetike të Kombit tonë. Administrata e Donald Trump-it dallon esencialisht nga të gjitha administratat eamerikane të deritashme. Në gjirin e saj ka edhe shumë ekspertë që kanë kundërshtuar intervenimin ushtarak të NATOs ndaj Serbisë; këtë fakt nuk guxojmë e nuk duhet ta nënvlerësojmë.
Rikthimin e SHBA-ve në Ballakn citohet ta ketë pohuar vetë Palmer-i në një takim me kryeminisrin e Malit të zi, Dushko Markoviq, më 09/09/2019 në Podgoricë. Në këtë takim, nga të dhënat e papublikuara nga kabineti i Gjukanoviqit, mësojmë se Palmer e ka informuar palën malazeze për tri prioritetet e misionit të tij:
1. Për nxitjen e hapjes së procesit të negociatave për anëtarsim të Shqipërisë dhe Maqedonisë veriore në BE;
2. Për rinisjen e ddialogut Kosovë- Serbi si dhe
3. Për kërkimin e një zgjidhjeje që do të mundësonte funksionalizimin e Bosnjës-Hercegovinës.
A do të thotë kjo se SHBA-të tashmë janë pajtuar për të ashtuquajturin ,,Dejton2” për Bosnjën dhe rishikim të kufirit të Kosovës me Serbinë?
Takimet e fshehta të treshes Vuçiq- Rama-Thaçi dhe ekipeve të ekspertëve, madje edhe në Lindje të largët ( vizita disaditëshe e zotit Thaçi në Japoni kishte këtë mission të fshehtë), flasin për një lloj veprimi dubioz të përfaqsuesve shqiptarë. Ky qëndrim mund të ketë kosto të rëndë për gjeografinë shqiptare edhe si rezultat i mosleximit të duhur e adekuat të ,, shenjave të kohës”!
Kur mungon ujku, majmunët hedhin valle
Mugesa e një lideri politik të formatit të Genscherit ka bërë që ,,klasa jonë politike” të jetë e çarë në momente kritike dhe në kulmin e luftës që po bënte UÇK-ja për çlirimin e këtij krahu të atdheut. Në fakt ai lider nuk mungonte, por, siç dihet, ai mbahej peng në burgjet serbe. Fjalën e kam për Ukshin Hotin.
Sië na ka dëshmuar koha, mosnjohja e shenjave të kohës, si rezultat i zgjimit dhe forumit të vonuar nacional e politik, historia do t’na riciklohet gjatë shek. 20-të plot pesë here! Për pasojë Kombi, e as ky brez, nuk ka realizuar as për së afërmi vizionin politik të rilindasëve.
Ø Herën e parë ,, Shenjat e kohës” nuk kishte arritur dot t’i lexonte (nuk kishte si ?), ajo shtresë feudalësh e klerikësh otoman në shpirt, pavarsisht momentit që po ia afronte historia, kur në kryeqytetin e vilajetit të Kosovës, në Shkup, në korrik 1912, nën drejtimin e Hasan Prishtinës, kishin marrshuar dhe po hynin si çlirimtar e fitimtar mbi 30.000 kryengritës.
Ø Herën e dytë, shenjat e kohës nuk kishin arriyur dot t’i njihnin pjesa dërmuese e linderëve politik dhe prijës popullor të Kosovës gjatë pothujse gjithë Luftës së Dytë Botërore. Në vend që të pozicionoheshin qartë në krah të Aleancës Antifashiste, të rreshtoheshin krah Frontit Nacional- Çlirimtar e Antifashist, e të krijonin kudo në hapsirën shqiptare, brigadat e njësitë partizane, siç sugjeronin e insistonin me shembullin personal ai grushti i idealistëve e politikanëve progresist, si Zenel Hajdini, Hajdar Dushi, Xhevdet Doda, Emin Duraku e tj:, eashtuquajtura ,, Elitë e Kombit”, zotërinjtë konservator të tipit të Xhafer Devës, Rexhep Mitrovicës, Bedri Pejanit, Hysen Tërpezës etj., do të krijonin “Lidhjen e Dytë të Prizerenit” dhe, si për t’ia vënë qershinë mbi tortë, edhe Batalionin SS ,,Skanderbeg”!
Ø Herën tretë, mosnjohja e ,,shenjave të kohës” nga elita politike drejtuese legale, do të riciklohej në pranveren e vitit 1981. Në këtë fazë të fillimit të përmbytjeve ideologjike me rrjedhoja të mëdha për historine moderne të Evropës, elita politike e Kosovës që u gjetë në krye të Autonomisë dhe institucioneve të saj, u pozicionua kundër Republikës (!), që ishte kerkesa qëndrore politike e demonstruesve dhe ilegales politike.
Ø Herën e katërt, duket se nuk kishim të bënim aq me mosnjohjen e shenjave të kohës, sa me kalkulimin e pastër politik pro serb!
Ishte viti 1995, kur Serbia ishte e zhytur thellë në luftimet në dy fronte: në Kroaci dhe në atë të Bosnjës.Tomë Berisha, një gjeneral i ish APJ, megjithatë atdhetar i kulluar nga Malësia e Madhe, merr iniciativen për përgaditjen dhe shpërthimin e frontit të tretë, atë të jugut, në Kosovë, natyrisht në koordinim të plotë me faktorin politiko-ushtarak të Kroacisë. Për këtë qëllim ai kishte organizuar një takim konsultativ me një pjesë të mirë të elitës politike të Kosovës, në krye me Ibrahim Rugovën në Gospiç (Kroaci).
Jemi vetëm disa muj para Konferencës së Dejtonit, ku do të mirret vendimi historik për ndërprerjen eluftës në Bosnjë. Për Kosovën, sërish, si në rastin e Konferencës së Londrës (1992), por edhe me herët, kur ishte marrë vendimi për formimin e Komisionit që do të vendosete kornizat mbi të cilat do të tumirej shpërbërja e YU — Komisioni Badinter-Herzog, do tëvazhdohet të mbahet pozicion jo i drejtë, duke e lënë fatin e saj në duart e Milosheviqit!
Milosheviqi tutje e cilësonte Kosovën si oazë të ,,qetësisë dhe demokracisë”! Faktori revolucionar ishte në defanzivë të pakuptueshme. Në popull ishte pranuar në masë të madhe e ashtuquajtura ,,Platformë e paqes” e LDK-së, që kishte selitur ,,Shtetin fiktiv” dhe sistemin paralel në fusha si arsimi e shëndetsia.
Ende nuk kemi farë studimi mbi atë se cilat do të mund të ishin benifitet e prekshme në rrafshim politik, atë gjeostrategjik e gjeopolitik, në rast se do të shpërthente “fronti i jugut” në verën e vitit 1995?
Çfarë do të mund t’i impononte faktorit ndërkombëtar ky front i ri i luftës në Jugosllavinë e mbetur?
ØHerën e pestë, të fundit për shek. 20-të, mosnjohja e “shenjave të kohës” nga elita politike jona, ishte në çastin historik: pranverë 1998, kur nga Drenica e panënshtrueshme, Timoteu i epokës sonë — Adem Jashari, me aktin e tij, po i jepte shpirt Kombit, po përmbyste historinë, duke ringjallur shpresen e ngritur në këmbë një Komb të tërë.
Edhe në këtë çast historik, e ashtuquajtura elitë politike, në vend se të ndërgjegjësohej dhe të hidhej në ballë të luftës, ajo do ta ushtrojë aktin e radhës të turpit e talljes me demokracinë, duke i organizuar ,,zgjedhjet e lira” për kuaziparlamentin (inegzistent) të Republikës vetëm tri javë pas maskrës në Prekaz! Ky akt, LDK-së nuk do të duhej t`i falej aq lehte e në heshtje të plotë, sikur të mos kishte ndodhur gjë e keqe!
Krahas kësaj sjellje të padenjë e të mbuluar me turp të LDK-së, ata që shpejt do ta bënin puçin brenda UÇK-së, reflektonin sikur t’ju ishte hequr nga qafa një gurë I rëndë, duke e lënë disi në heshtje fillimisht rënien e Adem Jasharit dhe jasharëve tjerë në Epopenë e Prekazit!
Në këtë vazhdë të turpit historik, pa kaluar dy muaj të plotë, atëherë kur radhët e UÇK mbusheshin me vullnetarë të rinj nga e gjithë hapsira shqiptare dhe diaspora e re (Evropa e SHBA-të), ky grusht arrivistësh politik e marionetash të shërbimeve të huaja që kishin arritur të penetroheshin në LPK, po ushtronte puçin brenda LPK/ UÇK-së (2 e 3 maj1998), duke e lënë kështu UÇK pa kokë politike, pasojat e të cilit akt do t’i ndjejë Republika për gjatë dy dekadave të para të shek.21.
Ky grusht olhokratësh modern, duke u vënë në shërbim të agjendes politike ruse e serbe për Ballkanin, do ta sjellin Republiken buzë dështimit.
Me gjithë këtë tatpjetë politike, populli vazhdon të jetë i lumtur dhe natyrisht edhe naiv. Riciklimi i këtij fenomeni në formën e binomit: Edhe i lumtur edhe naiv madje edhe gjatë këtyre dy dekadave të lirisë, i shkoi për shtati, fashistëve modern të qendravepolitike antishqiptare.Shih për këtë, në shpërputhje të thellë me interesat jetike të Shtetit dhe Kombit, stadi i krizës së thellë morale e politike, ku e ka sjellë kjo ,,elitë politike” Repoblikën sot (2019), e ndërlidhë dhe e bën shumë të varur Kosovën, ndryshimin e gjakuar, me sjelljet triviale të LDK-së dhe ish kolaboracionistit Isa.M.
Tek po shestoja këtë mundësi për katarsis që po ia afron historia sërish Isa. M. krejt natyrshëm më erdhi në mendje eseja e veçantë e Arbër Xhaferit me titullin shumë sinjifikativ,,Skemat piramidale të Rugovës”, që e kisha rilexuar kohë më parë në qelinë nr 8 të pavionit A po në këtë burg (Lipian), ku po e shkruaj këtë ese tashti.
Çka kanë të përbashkët dhe çfarë i bën të dallueshme prej njëra- tjetrës skemat piramidale të Rugovës ( 1981–1999) nga ato të Isa Mustafës (1982- 2019)?
“ Pse shoqëria shqiptare toleroi një prijës që nuk priu, një president që nuk mëkëmbi institucione shteti që të qeverisë realisht; pse nuk kërkon logari nga ai që nuk i priu, nuk qeverisi vendin, nuk komandoi, por e la popullin e vetë të pambrojtur, të papërgaditur ndaj rreziqeve; pse shoqëria jonë nuk mori masa ndaj të ashtuquajturit “president historik”, jo vetëm për shkeljen e premtimeve dhe të obligimeve, por edhe për shkak se vazhdoi me avazin e vjetër, me mashtrimin e vetëdijshëm të opinionit, perms mistifikimit, mbylljes së konfuzionit të shpresave të kota… janë këto më shumë përgjigje se sa pyetje”[6], konkludon plot dëshprim Arbër Xhaferi, ndërkaq më poshtë i vë pikën po këtij konkluzioni tek e përmbyllë me fjalinë: “Rugova mjeshtrisht u fsheh prapa idesë së madhe të pavarësisë së Kosovës, por asnjëherë, realisht nuk u angazhua për çlirimin e saj. (…) Ai, prijësi jonë, me shall dhe xhepa plot me gurë të kristaltë që indanë si sheqerka, i përngjet Esat Pashë Toptanit i cili me të njejtën përbuzje pyetjes së një atdhetari idealist “Pse na shite o Esat?” I përgjigjet me qesendi: “Desha, por s’ju bleu askush”[7].
Çfarë dallon në këtë mes Isa Mustafa i vitit 2019 me Ibrahim Rugovën e viteve ’90-ta e deri në vdekjen e tij (2006)?
Asgjë, do të thoshte studjuesi i vëmendshëm, meqë janë të një shkolle politike. por një zë i brendshëm më sjellë në kujtesë monografinë e psikoanalistit dhe shkrimtarit të madh austriak me origjinë hebreje, Stefan Cvaig, për përsonalitetin e jashtëzakonshme të Francës- Josez Fushesë, nga karakteri i të cilit duket të këtë marrë shumë Isa. Mustafa gjithësesi më shumë se kushdo tjetër nga galeria e politikanëve tanë kameleon, jo të paktë që kishim gjatë shek. 20-të, duket se do të shkojë në histori si vrasësi I shpresës së një brezi!
Në cilën anë të historisë do të rirreshtohet tani Fusheja ynë, kur po i afrohemi epilogut të një epoke të historisë që do të shenojnë 6 tetori 2019?
A ka gjasa që historia të na përsëritet në një trajtë me adekuate, origjinale, duke përcjellë grimcat atomike të Timoteut tek një brez i ri që po hyn në skenën politike, meqë nuk ka nevojë të ,,riinkarnohet” Timoteu historik me emrin Adem Jashari, që t’i bëjë të pa kjenë politikisht ,,Liderët” e Prishtinës, si dikur në marsin e ftoftë të 1998-ës? Shpresat janë të mira. Prandaj optimizmi real ngre kokë sërish.
Thaçi amplifikon skemat piramidale të Rugovës
Skemave piramidale politike të Rugovës dhe Thaçit po i vije fundi. Ata që të dy, si dhe Fusheja si një amalgam çudibërse që ju shërbeu që të dyve, rrënuan sisitemin e vlerave të njëmendëta kombëtare. Nëse Rugova perms “koonfuzionit që përhapte, relativizimit që e bënte, nuk do të lejojë të ndërtoheshin aksiomat kombëtare, kun ë themel do të vendosej lufta jonë çlirimtare”, siç do të shprehej qartë Arbën Xhaferi, dyshja Thaçi — Mustafa sot, duke zgjeruar gamën e skemave piramidale të mashtrimit, kanë defunksionalizuar Republikën dhe është rrezik ta dëmtojnë keq Atdheun! Nëse esat Pashë Toptani, megjithë dëshirën që amplifikoi për shitjen e pothuajse gjithë Shqipërisë, nuk kishte “gjetur blerës”! pasuesit e tij sot, e dëshmuan se blerësit tashmë i kanë te dera.
Thaçi ka kohë që ka shtresuar amplifikimin e skemave piramidale mashtruese të Rugovës në përballje me oponencën reale politike.
Skemat e tij për Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin si komunist, si islamist, agjent i Iranit, radikal, antiamerikan… ua shkojnë atyre të Rugovës që ai pat aplikuar kundër ish të burgosurve politik, UÇK-së etj.
Çfarë energjishë do t’i duhen këtij brezi të rinnjë politikanësh për t’i relativizuar këto skema pramidale mashtrimi?
Përfundim
Në Kosovë ndryshimet pothuajse përherë kanë ardhur nga poshë, duke imponuar pastaj rrjedhën e re të historisë. Për dallim nga revolucionet e Evropës Qendrore e asaj Lindore, që shpërthyen në fillim tëviteve 90-ta (të shek.20), në Kosovë
,, Lëvizja tektonike” nuk erdhi si rezultat i ,,Kryengritjes popullore” ; përkundrazi, ato i imponoi Uni, bërthama e grimcave atomike të shpirtit Timotean që kishte ruajtur ADN e shqiptarit tek familjet si ato të Adem Jasharit, Fehmi Lladrocit, Rexhep Bislimit, Zahir Pajazitit, Luan Haradinajt….
Brezi i nacionalistëve progresiv urban sot, i mbledhur tashmë rreth figurës emblematike të Albin Kurtit, e ka të qartë se, Rrepublika mund dhe duhet të funksionalizohet dhe të shndërrohet në Piemont të Kombit, nëse në filozofinë e tyre politike vazhdon të insistojë ta kultivojë autencitetin politik e kulturor, q.d.th. nëse qytetari i lindur në epokën e lirisë, do ta ketë të qartë se, liria që ai gëzon nuk është produkt vetëm i gjeopolitikës, por para së gjithash edhe i shpirtit liridashës dhe sakrifikues i brezave pararëndës. Pra, kjo liri e sublimuar në trajtën juridiko-politike të Republikës si gjakim, nuk mund të selitet, nëse ky brez nuk i kthehet idealit që bartë në vete kauza për shtetin e së drejtës tok me shtetin zhvillimor e të mirëqenjes sociale, jo thjeshtë si pikëpamje politike a reminishencë ideologjike e një epoke që kemi lënë prapa, por si ideal i agurës moderne që korrespondon mirë me epokën e digjitalizimit.
__________________
Burgu i Lipjanit, shtator 2019
[1] Hans-Dietrich Genscher, Erinerungen, München 1997, f.737
[2] Po aty, f. 738
[3] Derisa po shkruaja këtë ese, nuk mund ta mirrja me mend se Dhomat e Specializuara (Gjykata Speciale) të Gjykatës së Kosovës me rezidencë në Hagë, do të shërbejnë një ditë si një lloj Deus ex machine, dhe do t`ia heq qafe këtë gurë të rënd, megjithëse me çmimin që dëmton imazhin e UÇK-së dhe gjithë Kombit. Ky fakt do të bëhet object I analizës në esen me titull … që këtu është në kapitullin…
[4] Çuditërisht Hans Ditrih Gensheri në kujtimet e tij, vazhdimisht, flet me respect të thellë për këtë udhëheqës rus, duke ju drejtuar përherë me titullin zyrtar “Sekretari general”! Në një organizim të veçantë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Konfederatës Helvetike (Zvicrës), në pjesën e dytë të vitit 1999, në Bern, në cilësinë e referuesit, përveç dy referuesve kryesor, ishte edhe Mihail Gërbaçovi. Në atë konferencë isha to me mikun tim, professor në Institutin për Studime Europiane të Universitetit të Baselit, Stepfan Kux. Gërbaçovi në fjalën e tij qortoi ashpër ndërhyrjen e NATO-s ndaj Serbisë, dukeu thirrë në të drejtën konvencionale të mosndërhyrjes në punët e brendshme të Shtetit dhe në të drejtën historike që gjoja gëzon Serbia mbi Kosovën etj. Unë po mbaja shënime dhe po bëhesha gadi t`i lajmrohem organizatorit që në fund t`ma jipnin fjalën. Profesor Kux-i, duke pas parasysh peshën e konferencës, më tha se do të reagonte ai, mjafton t`i komunikoja ato që kasha shënuar. Ashtu edhe veprova. Rezultati ishte shumë më I mirë ngasa e mirrja me mend. Aureola e “Politikanit humanist që shpëtoi Evropën” që gëzonte Gërbaçovi nuk I mjaftoi që ta bindëte audiencën se ishte objektiv në rastin e Kosovës. (H.D.Genscher, Erinerung, Munchen 1997, f. 825).
[5] H.D.Genscher, Erinerung, Munchen 1997, f. 825
[6] Arbën Xhaferi, Vepra, Vëllimi 3, f. 144
[7] Po aty, f. 145