Kur “kurthi diplomatik” përballet me pragmatizmin politik

Sadri Ramabaja
3 min readMar 2, 2021

--

Nga Jerusalemi, ku Albin Kurti pritet ta inagurojë ambasadën tonë, duket se do ta ketë mundësinë që t’ju dërgojë mesazhin e duhur jo vetëm Ankarasë së neotomanit Erdogan, por edhe bashkëautorëve të „kurthit diplomatik“- kolonës së pestë. Me këtë akt Kurti shndërron këtë kurth diplomatik në instrument për kundërveprim në përputhje me interesat jetike të kombit.

Shkruan Dr Sadri Ramabaja

Prishtinë, 2 mars — Kryeministri në ardhje Albin Kurti ditë më parë pranoi dy notat diplomatike ng dy qendra politike me peshë në skenën e diplomacisë botërore: njëra nga nga kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu dhe tjetrën nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Që të dy këto nota diplomatike Albin Kurti, konform diplomacisë moderne që duket se ai preferon, i bëri publike, madje në të njejtën ditë.

Këto dy nota diplomatike si në përmbajtje ashtu edhe me mesazhe janë në kundërthënie të thella: përderisa Netanyahu i ka shkruar Kurtit se e mirëpret në Izrael “për të inauguruar Ambasadën e Republikës së Kosovës në Jerusalem”, në anën tjetër, Erdogan-i larg çfardo mirësjelljeje diplomatike, ia kujton Kurtit se “do të ishte e dobishme që të shmangej një hap të tillë, i cili mund t’i shkaktonte dëme të mëdha Kosovës”.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti pas takimit disi me urgjencë që ia kishte kërkuar ambasadori turk në Prishtinë, Çağri Sakar, më 1 mars, paralajmëroi se do ta shqyrtojë çështjen se në cilin qytet, Tel Aviv apo Jerusalem do të vendoset Ambasada e Kosovës në Izrael, duke thënë se për këtë gjë do të shohin “edhe dokumentacionin e qeverisë në ikje”.
Të kujtojmë faktin se ambasadori turk në Prishtinë më herët kishte kundërshtuar hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Por, çfarë potencohet në të drejtën diplomatike dhe konsullore, në kuadër të standardit të së drejtës ndërkombëtare publike, ku bëhet fjalë për lokacionin e përfaqësive të huaja diplomatike? Ajo është e qartë dhe ka rregulluar edhe këtë çështje. Sipas saj, është e drejtë ekskluzive kushtetuese dhe sovrane e shtetit që i pranon ato përfaqësi.
Për Kosovën është me ërndësi kruciale lidhja e këtyre marrëdhënieve, ndërkaq lokacioni i ambasadës është çështje që edhe mund të rishikohet në akordancë me nikoqirin, por edhe me aletin tonë të përbashkët strategjik.

Konform asaj që është bërë publike, më 4 shtator në Uashington, Kosova ka nënshkruar zotimin, që paraqet njohjen ndërmjet dy shteteve, Kosovës dhe Izraelit, ndërkaq akti i dytë që ka prodhuar ai zotim ishte themelimi i marrëdhënieve diplomatike në rrafshin formal ndërmjet dy shteteve, që u nënshkrua në një ceremoni virtuale më 1 shkurt. Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi po atë ditë potencoi se, ka miratuar kërkesën e ministres në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovë, Meliza Haradinaj-Stublla që Kosova të hapë ambasadën në Jerusalem. Ndërkohë e dërguara e Kosovës në këtë detyrë në Izrael tashmë mud të jetë akomoduar në Jerusalem.

“Në marrëveshje për themelimin e marrëdhënieve diplomatike, palët nuk mund t’i diktojnë njëra-tjetrës lokacionet se ku mund të jenë ambasadat, përkatësisht, përfaqësitë diplomatike dhe konsullore. Kjo për shkak se atë e përcakton shteti i pranimit, shteti mikpritës, në këtë rast, Izraeli. Çdo shmangie nga ky rregull, nënkupton devijim të politikës bilaterale me Izraelin dhe orientim të Kosovës me vendet e Lindjes së Mesme që kanë orientim islamik”, rikujton në një intervistë dhënë REL profesori i të drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Enver Hasani.

Duket se kryeministri i ri në ardhje i Kosovës këtë “kurth diplomatik” e kaloi me pragmatizëm të theksuar. Ai këtë çështje megjithatë ia la kohës, duke i paralajmruar se do të marrë në konsideratë kërkesat e administratës ës re të SHBA-ve për këtë çështje. Shih për këtë, me gjasë, pas destinacionit të parë — Tiranës, Albin Kurti, para Brukselit, ta ketë destinacion të radhës Jerusalemin. Nga kjo qendër historike ku ai pritet ta inagurojë ambasadën tonë, duket se do ta ketë mundësinë që t’ju dërgojë mesazhin e duhur jo vetëm Ankarasë së neotomanit Erdogan, Brukselit të dyzuar e Moskës, por edhe kolonës së pestë. Kjo nuk do të thotë, megjithatë asesi se Prishtina do të neglizhojë marrëdhëniet me Ankaranë, e aq më pak me Brukselin.

Me këtë akt Kurti shndërron kurthin diplomatik në instrument të diplomacisë për kundërveprim në përputhje me interesat jetike të kombit.

--

--

No responses yet