Nocioni esencial i shtetit-qytetari aktiv në përballje me drejtësinë e kapur

Pse po mw gjykojnë?!

Sadri Ramabaja
45 min readSep 19, 2020

(Fala ime e mbrojtjes)

Të nderuar anëtarë të trupit gjykues,

Më 4 tetor 2017, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, jam përballur me një situatë tepër specifike: segmente me ndërgjegje profesionale e kombëtare brenda AKI-së më paralajmëronin për planin që kishte hartuar Policia për të më arrestuar dhe njëkohësisht më sugjeronin të largohem për disa muaj.

Një zyrtar i AKI-së, i prezantuar si koleg i dy ish-studentëve të mi, më drejtohet duke mbajtur larg shikimin, me këto fjalë: “Profesor, jeni në rrezik jete! Të gjithë skenarët janë të hapur: nga ai i Astrit Deharit, deri tek ai i vëllezërve Kiçina! Ju sugjerojmë të largoheni për disa muaj!”

Ky ishte mesazhi që ma komunikoi zyrtari i shtetit tim, që ka vite është peng i krimit institucional dhe u largua kokulur, me dhembjen që i lexohej në ngjyrën e zërit.

E pranoj: Pas atij çasti, për mua dramatik, isha plotësisht në panik. Nuk më bënin punë dijet e shestimet mbi shtetin dhe drejtësinë, por as edhe gjakimet për mundësitë e puqjes së drejtësisë me të drejtën, për të cilat ideale kisha flijuar një pjesë të rinisë sime në vitet e ‘80-ta dhe isha detyruar të jetoj në mërgim plot 14 vjet të tjera.

Diku nga fundi i qershorit 2017, një mik i imi, bashkëveprimtar sa isha pjesë e LPK-së, më pati njoftuar sesi i ishte bërë me dije atij nga një aktivist i PDK-së nga Ferizaj lakimi i emrit tim dhe Emrush Xhemajlit e Xhevat Bislimit, madje në zyrat qendrore të PDK-së.

Lajmësi më bënte me dije se rrëfimin e përjetonte thellë si element hakmarrës, prandaj shpërtheu në ngulçitje dhe vaj. Ai nuk mund ta merrte me mend se hakmarrja politike, që burimin e kishte së paku te maji i vitit 1998, kohë kur ishte kryer puçi brenda LPK-së/UÇK-së, po merrte tash këtë trajtë të persekutimit politik.

Ndërlidhja e Shoqërisë “Lëvizja” me “Syrin e Popullit”, ne një pjesë e Kryesisë së Shoqërisë që ishim ish shokë të vjetër të ilegales dhe tutje aktiv në jetën politike në Lëvizjen Vetëvendosje, pavarësisht se na dukej absurde dhe inkriminuese, nuk na bënte edhe aq përshtypje. Madje, në periudhën pasuese, sidomos kur mësuam emrat e listës së famshme, të cilën e pati tundur në ajër Hashim Thaçi, disi si Llazar Mojsovi me atë listën e tij gjoja me emrat e udhëheqjes së irridentës në Prishtinë e pranverës kryengritse të vitit 1981. Duke e njohur gjendjen shëndetësore të Murat Jasharit, edhe jemi tallur herë pas here, megjithëse në ndërdije personalisht më shkonte mendja se çmenduria e krerëve të PDK-së mund të jetë e përmasave irracionale dhe aspak më e “butë” nga ajo e Kryesisë së LKJ më 1981. Ndërkohë, gjatë korrikut, më ftoi një mik tjetër, ish-bashkëveprimtar në UNIKOMB, dhe më njoftoi se ishte ftuar në Polici dhe se polici hetues M. K. e kishte pyetur për mua, duke më ndërlidhur me rastin “Vllasi”!

Nuk kam fare të bëj me rastin në fjalë dhe përgjithësisht, ti e di se unë jam kundër dhunës, ia dhashë përgjigjen mikut, duke e mbyllur këtë çështje. Edhe në disa rrethe të gazetarëve, kryesisht të frymës titiste, isha informuar se emri im ishte përmendur si person që mund të ketë nxitur veprime të dhunshme, sidomos nëpërmjet shkrimeve dhe komenteve të veçanta që kisha publikuar.

Sidoqoftë, meqë nuk kisha të bëja fare me projeksione të natyrës së dhunshme, e aq më pak me të ashtuquajturën organizatë-fantome “Syri i Popullit”, që për gjykimin tim duhet të jetë fiktive, as nuk më shkonte mendja të largohesha nga atdheu.

E vazhdova punën me studentët e mi në UBT, por edhe një betejë të re politike — atë me islamin politik, që po më rezultonte si fenomen shumë i rrezikshëm për interesat tona kombëtare në rrafshin strategjik dhe afatmesëm.

1.

Pas reagimit që pata me rastin e defilimit të islamit politik nëpërmjet shtruarjes së iftarit në sheshin e qytetit, që mban emrin e heroit të kombit, Metush Krasniqi, në Dardanën time, duke e vlerësuar atë si akt antihistorik dhe të rrezikshëm, beteja ime politike u shpërqendrua plotësisht.

Përballja me sulmin e përqendruar linçues nga aktivistët e partisë “Fjala”, dhe jo vetëm nga ata, ishte e ashpër, por edhe e dhimbshme. Përmasat e ndjeshmërisë në këtë betejë politike për mua u bënë më të dhimbshme, pas publikimit të distancimit nga Vetëvendosje, respektivisht deklaratës së zëdhënësit të atëhershëm të VV, Shkodran Hoti.

Në vend të shpjegimit detajues dhe kërkimfaljes, kryetari i atëhershëm i VV, Visar Ymeri, në njërën prej pauzave të mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, pas insistimit tim për të mësuar se kush qëndron prapa distancimit, u mjaftua duke më pohuar se ai distancim ka qenë i pakoordinuar me Kryesinë e VV-së. Sidoqoftë, meqë isha deri diku i informuar për gjendjen brenda strukturave të larta të VV-së, sidomos për ndikimin e Sekretariatit mbi organet formale drejtuese dhe përplasjen ndërmjet Albin Kurtit dhe Dardan Molliçajt, por edhe për shkak se hapësira ime e veprimit brenda VV-së ishte vazhdimisht e ngushtuar, unë u përqendrova tutje në jetën akademike dhe po vazhdoja t’i thelloja dijet mbi islamin politik. Produkt i këtij studimi ishte analiza e gjatë prej diku 22 faqesh, që është botuar më 9 tetor 2017 në revistën shkencore mjaft prestigjioze amerikane “Euroasiareëy” në Çikago, bashkëpunëtor i jashtëm i së cilës jam që prej fillimit të vitit 2016.

Krahas kësaj kisha përgatitur dhe dorëzuar te Këshilli Botues Akademik në UBT kumtesën që do ta lexoja në Konferencën shkencore ndërkombëtare, bashkorganizator i së cilës ishin UBT dhe Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës, në fund të nëntorit 2017.

Por, në kulmin e fushatës zgjedhore (11 qershor 2017), Naser Vllasi, nipi i Azem Vllasit, kishte publikuar në disa gazeta dhe në profilin e tij në Facebook insinuata e shpifje të ulëta në adresën time, për çka, diku nga mesi i verës, e ushtrova padinë në gjykatën përkatëse për shpifje dhe cenim të integritetit tim moral prej atdhetari dhe akademiku.

Në shtator 2017, teksa prisja ftesën për përballje me Naser Vllasin në Gjykatën Themelore të Gjilanit, Dega në Dardanë, postieri ma solli ftesën për paraqitje në Prokurorinë Speciale më 9 tetor dhe atë si i dyshuar për dy vepra penale! Pas tri ditësh, ftesën me akuzën e Prokurorisë Speciale e publikova të shoqëruar me një koment, i cili është theksuar pjesërisht edhe në aktakuzë, gjë që dëshmon për shpirtin hakmarrës të prokurorit, për çka edhe më ka mbajtur në paraburgim.

Ndërkaq qëndrimi i prokurorit përballë policëve hetues (të njohur tash më si pjesë e klanit Pronto), gjatë atyre dy përballjeve tona (më 9 tetor 2017 dhe më 5 janar 2018) ishte përulës, siç dëshmohet tashmë edhe me deklaratat e montuara të dëshmitarëve A2 dhe A3, që duhet të jenë pjesë e atij mekanizmi. Në fakt, dëshmia e dëshmitarit A3, respektivisht pjesët e shkëputura të saj, është më se e venerueshme se është e konstruktuar dhe e shkëputur nga konteksti i bisedës së lirë për dy tema krejt të ndryshme:

- Për rrëfimin tim për rastin e Kumanovës (9 maj 2015) dhe për rrëfimin tjetër; — Për takimin tim me ish-këshilltarin e Presidentit (Rexhep Meidani), Dr. Sabit Brokaj, me rastin e dorëzimit të një sasie të madhe barnash që i kisha siguruar nga Ushtria Zvicerane (vlera diku prej 1,5 milion frangash zvicerane), e të cilën e kishte marrë në pranim, me insistimin tim, Shaip Muja.

Takimi im me Dr. Brokajn kishte të bënte me sigurimin e rrugëve për dërgimin e barnave për Krumë. Ai më pati pritur në zyrën e tij, ndërkaq në tavolinë e kishte librin e Ukshin Hotit “Filozofia politike e çështjes shqiptare”, për çka biseduam gjatë.

Pjesa e fundit e dëshmisë është tërësisht shpifje dhe montim i pastër me prapavijë politike. Teksti i kësaj akuze si tërësi dhe tetë faqet që kanë të bëjnë me mua në veçanti, nuk më lënë hapësirë për të ushqyer iluzione për fuqinë e mundshme të drejtësisë me të drejtën gjatë dhe në përmbyllje të këtij procesi tragjikomik.

Sidoqoftë, siç shprehet Ukshin Hoti, individi, nëpërmjet fjalës së tij të mbrojtjes, jo më kot mendon se “mund të ndikojë, jo aq në vendimin eventual të gjyqit, sa në kompleksitetin e rrethanave dhe të situatave që mund t’i shkaktojnë gjykimit” (U. Hoti, 1996).

Në përputhje me këtë rezon logjik, institucionin gjyqësor të fjalës së mbrojtjes e vlerësoj shumë serioz dhe, rrjedhimisht, në rastin konkret, jo krejt formal, meqë kjo “ka të bëjë me dinjitetin e gjyqit si një institucion politiko-juridik” (U. Hoti, vepra e cituar).

Gjykata do të duhej ta deshifronte qartë këtë aktakuzë si përpjekje për të imponuar perceptimin e saj si të vërtetën reale, duke u mësuar me mendimin se ai, pra perceptimi, është shumë herë më i rëndësishëm se realiteti. Ky perceptim, respektivisht kjo këmbëngulje për ta imponuar atë si vetë realitetin, do të thotë qartë se po insistohet edhe në zhbërjen e këtij dinjiteti dhe vrasjen e drejtësisë.

Këtë insistim irracional gjykata nuk duhet ta lejojë assesi. Përndryshe, sado me keqardhje, kjo qeverisje po shkon drejt shndërrimit të Republikës në një vend ku burgu, siç do të shprehej Henri Dejvid Thoro, do të mbetet “shtëpia e vetmuar në të cilën mund të banojë me nder një njeri i lirë.,, (M. Rouzën, “Mendimi politik”, fq. 79).

Në faqen 4 të aktakuzës, pika 2, theksohet: Të pandehurit: Murat Jashari…, Sadri Ramabaja…”, pra përfshirë emrat e të tetë personave që PS na përfshin në këtë aktakuzë, “më datë 15. 5. 2015 si pjesëtarë të organizatës kriminale ‘Syri i Popullit’, me të ashtuquajturit “Avni Rrustema”, diku në një shtet evropian, kanë marrë vendim që në mars të vitit 2017 të fillojnë me aksione të kundërligjshme… Me këtë kanë kryer veprën penale përgatitjen e 3

veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 144, paragrafi 4, lidhur me nenin 136 të KPRK-së”.

Tek po e lexoja këtë pjesë të aktakuzës, sesi më erdhi në mendje aktakuza që kishte Prof. Ukshin Hoti dhe ndërlidhjen që ia bënte Gjykata serbe, duke e shfrytëzuar mbledhjen konsultative të LPK në Kollare të Kërçovës (1993), e njohur për vendimet e saj për riorganizimin e LPK-së që do t’ia vinte themelet UÇK-së. Siç e dimë ne ish-bashkëveprimtarët e Profesor Hotit, ai ka qenë i ftuar. Nuk është vendi të sillen arsyet përse Prof. Hoti nuk mori pjesë në atë mbledhje.

Por, për Gjykatën serbe ishte i mjaftueshëm ky fakt që Prof. Hotin ta akuzonin dhe dënonin si anëtar dhe ideolog të LPK-së, meqë nuk e dënonin dot si kryetar të UNIKOMB-it, derisa ajo parti legale ishte e regjistruar në Ministrinë e Drejtësisë sikur edhe forcat tjera politike që vepronin atëbotë në Kosovë.

Unë kurrë, në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë, nuk kam marrë pjesë në takimet e të ashtuquajturës organizatë “Syri i Popullit”, rrjedhimisht as në takimin e datës 15. 5. 2015, të cilën e thekson prokurori në aktakuzë, mdje nuk kam qenë as i ftuar.

Në faqen 21 të aktakuzës, ku theksohet se, bazuar gjoja në ekzaminimin e provave “shihet struktura e organizatës kriminale ‘Syri i Popullit’”; në paragrafin e katërt thuhet: “Përgjegjës i SHQ — Sakati (që vërtetohet se është i pandehuri Murat Jashari) dhe zëdhënësi i tij Besniku (që është vërtetuar se është i pandehuri Sadri Ramabaja)”.

Tutje në paragrafin pasues thuhet: “Përgjegjës i grupit politik Besniku dhe zëvendësit (7 veta) përgatit komunikatat dhe sipas nevojës edhe reagimet”.

Konstatimi se unë gjoja qëndroj prapa “Besnikut” nuk mund të provohet me asnjë fakt. Madje, edhe vetë ekzistenca e këtij farë grupi politik, siç pretendohet në aktakuzë, përveç në iluzionet e Murat Jasharit, nuk rezulton të ketë ekzistuar. Si arsyetohet nënshkrimi i komunikatës së parë nga i ashtuquajturi shtab operativ, nëse do të ekzistonte ky farë grupi politik? Komunikata e dytë, siç theksohet në aktakuzë, na qenka publikuar vetëm te portali Expres (?!) Mos vallë edhe autorët e komunikatës së parë, që qenka publikuar më 14. 3. 2017, ditën që unë kam qenë në Durrës (ky fakt mund të provohet me fakte materiale dhe me dëshmitarë), duhet kërkuar te zyrat e PDK-së?!

Konkluzioni i prokurorit se unë paskam qenë në krye të këtij grupi politik, nuk ka të bëjë fare me frymën dhe logjikën juridike.

Një përfundim i kësaj natyre, kaq absurd, i ngrehur e bazuar në një dokument të hartuar nga një person me diagnozë të qartë si i papërgjegjshëm penalisht për shkak të shëndetit të tij mendor tërësisht të dëmtuar, nuk do ta bënte asnjë prokuror serioz.

Ndërkaq çfarëdo gjykate kredibile në rrafshin profesional do ta rrëzonte pa kurrfarë hezitimi që në seancën e parë.

Insistimi i mëtejshëm i prokurorit për t’i shfrytëzuar si prova materiale shkresat e Murat Jasharit dhe për të më implikuar mua me organizatën fiktive “Syri i Popullit”, flet për logjikën e njëjtë antihumane mbi të cilën bazohet Prokuroria, për të cilën e ka dhënë shpjegimin e duhur Alain Badio (filozof francez) tek është marrë me çështjen e antihumanizmit “si pika kulmore e shekullit”

Shih paragrafin e dytë të fq. 27:
“Nga shikimi i ekspertizës së Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, datë 22. 9. 2017, nga i cili konkludim del se i ekzaminuari Murat Jashari vuan nga çrregullimi skizoafektiv — tipi manjakal, që në klasifikimin ndërkombëtar të çrregullimeve mendore kodohet në shifrën F25.0 (ICD10)”.

Duket qartë se dominimi i frymës antihumane, kur është hartuar kjo aktakuzë, e ka ngulfatur dhe mbytur racionalitetin juridik.

Për një kohë të gjatë i kam jetuar në kurriz politikat antihumane të SHIK-ut, alias PDK-së. Kjo luftë qe ashpërsuar duke më larguar nga Universiteti Publik i Prizrenit, fill pas aderimit tim në VV. Largimi nga UPZ-ja ishte sinjal i qartë se tani e tutje duhet të pajtohesha ose të jetoja “brenda domenit natyror”, e të vegjetoj “sipas natyrës, d.m.th. sipas kafshës: pa veprim mohues…, duke përfillur në përpikëri urdhrin ditor: ushqehuni dhe jini i kënaqur”, ose ta pranoja flijimin si akt politik. Ata nuk mund ta pranonin autoritetin tim moral, qëndrimin vertikal, ngritjen time permanente akademike dhe njëkohësisht angazhimin politik brenda VV-së, ndërkaq si pretekst e shfrytëzojnë parathënien e librit të M. Jasharit dhe identitetin tim shqiptar “Besnik Berisha”, të cilin prisja ta bëja publik më 17 janar 2018 në Konferencën e dytë shkencore të radhës, që do ta shfrytëzonim si shoqatë për ta iniciuar aksionin për shqipërimin e emrave dhe mbiemrave, duke marrë në konsideratë 550-vjetorin e Gjergj Kastriotit.

Vizatimi i kopertinës së numrit të parë të revistës “Acephale”, i bërë nga Andre Massoni dhe që shërbente si emblemë e “Përbetimit të shenjtë” të kurdisur nga Bataillei dhe një grup i ngushtë miqsh, paraqiste figurën e një njeriu lakuriq, të cilit i mungonte koka (G. Agamben: 2005).

Kjo shpërfaqje së fundmi me një kokë madhështore kau flet qartë për aporinë e thellë që shoqëron gjithë projektin teorik të Batailleit. Çka mund të thuhet nga studiuesit e ardhshëm, pasi ta kenë lexuar aktakuzën e nënshkruar nga prokurori Sylë Hoxha, për sistemin politik pasi të bien maskat dhe çdo gjë të shfaqet lakuriq. Ishte e qartë që në start të kësaj farse gjyqësore se “Syrit të Popullit” i mungonte “koka”, prandaj klani Pronto, nëpërmjet Prokurorisë Speciale, si super-instrument politik, ishte vënë në kërkim të kokës.

Në fillim atë e kërkonin, siç kam mundur ta vë re nga pyetjet e Policisë hetuese, te Kryesia e Shoqërisë “Lëvizja”. Por, me kalimin e kohës, sigurisht edhe për shkak të presionit politik, duket se tek unë kanë shënjuar Leviatanin për ta sakrifikuar në përputhje me doktrinën gnostike. Natyrisht, kalemxhinjtë e klanit Pronto mund të kenë harruar t’ua sqarojnë kokave të klanit që qëndrojnë drejtpërdrejt prapa urdhrit për arrestimin tim, që sipas traditës rabinike, të drejtët, pra ata që sakrifikohen, janë e ardhmja e Izraelit, alias Shqipërisë, dhe rrjedhimisht shënjojnë vetëqenien e saj tashmë të përjetshme. Në këtë garë të egër të homosapiensit për pikëtakim në origjinë, kush rezulton humbës: Murat Jashari me shëndet të rrënuar, më iluzionist somnabull i llojit të vet, apo Prokuroria Speciale, alias kokat e krimit në Kosovë. Nuk po flas tutje për “anëtarët” e kësaj kuazi-organizate që i ka sjellë kjo Prokurori para gjykatës, meqë më rezultojnë vetëm statistë aksidentalë, ngjashëm me viktimat e aksidentit “kolateral” të NATO-s në Krushën tonë gjatë luftës (1999), ndërkaq sakrifikimi im duket qartë se është një hakmarrje politike sui generis, në themel të së cilës është puna si redaktor i librit “Lufta e pambaruar”, është parathënia e atij libri që prokurori ia ka kushtuar plot katër faqe në aktakuzë; është libri im “Federata Shqiptare” (një platformë e qartë politike mbi rrugët që duhet të ndiqeshin në ecjen drejt bashkimit të dy Republikave shqiptare); është recensioni im për librin e Bedri Islamit “Lëvizja — një lindje e përgjakur — bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin”; janë një varg analizash të publikuara në gjithë hapësirën shqiptare dhe mbi të gjitha paralajmërimi im se jam duke punuar në projektin e ri që do të dalë si libër, pas përmbylljes fillimisht të një cikli ligjëratash, mbi historinë politike të Kosovës.

Pse u angazhova në VV?

Politikën e kam konceptuar ashtu sic e ka përkufizuar filozofja Gjermane me prejardhje Hebreje, Hanna Arendt, si veprimtari e njerëzve të lirë, si Vita Ackiva. Angazhimin në radhët e ilegales [1980–1990], fillimisht në kuadër të grupit ,,Para Agimit” [ishte grupi i parë i ilegales në Gjimnazin e Dardanës], e me pas në LPRK [nga themelimi e deri në vitin 1991], ndërkaq në vitet e nëntëdhjeta në UNIKOMB dhe prej vitit 2010 në VV, pra duhet kuptuar se ishte pikërisht në këtë kontekst — të Vita Acktivës. Këtë fakt më vjen mirë që e kanë potencuar miqt e mi dhe intelektual me ndërgjegje të zgjuar politike , në reagimet dhe opinionet të përmbledhura në librin ,,Liri për Dr. Ramabajën” dhe Xhafer Shatri në analizen e tij të publikuar në pesë vazhdime, së fundmi.

Supozimi themelor i filozofisë së moralit është se njerëzit, sipas Robert Pol Ulfit, janë përgjegjës për veprimet e tyre. Shkencat juridike-penale e kanë përvetësuar këtë postulat, por i kanë liruar nga përgjegjësia njerëzit e sëmurë mentalë.

Kafeja që kisha pirë në vilën “Panorama” më 11 mars 2017 me Murat Jasharin, për mua edhe sot mbetet si akt i mirësjelljes dhe respektimit të kulturës e qytetërimit shqiptar, pavarësisht që ka pasur pasoja të tmerrshme për mua dhe për familjen time.

Me të drejtë djali im, Taulanti, e ka vlerësuar se ajo kafe ishte në kohë jo të duhur dhe në vend jo të duhur. Pavarësisht kësaj, si akt nuk ka të bëjë asgjë me teoritë makiaveliste të klanit Pronto. Përkundrazi, ai akt (për mua) mbetet edhe më tej shënjuesi dhe “privilegji i pandalshëm i fisnikërisë” (G. Agamben:40), respektivisht një lloj dëshmie e “mbijetesës së njeriut dhe e njerëzores”, diçka e ngjashme me aktin e ceremonisë së pirjes së çajit te japonezët.

Për mua ai ishte i dyti, nëse nuk e llogaris takimin dhe përshëndetjen që kisha me M. Jasharin gjatë të pames për Astrit Deharin, që de facto ishte një ritakim pas plot 20 vjetëve.

Mua më 11 mars 2017 më mjaftuan ata 10–15 minuta të parëqë të vija në përfundim që kishin ardhur paraprakisht neurologët zviceranë dhe ndërkohë edhe neurologët tanë në QKUK për shëndetin mendor të M. Jasharit. Për këtë, gjithsesi, u ndjeva shumë keq, pavarësisht se për gjendjen e tij shëndetësore vite më parë më kishin njoftuar ish-bashkëveprimtarë tanë të LPK-së.

Duke e lexuar aktakuzën, dëshminë e ekspertizës, por edhe dëshmitë e atyre që e kanë njohur nga afër M. Jasharin, përfshirë edhe udhëheqës të institucioneve, vetvetiu shtroja pyetjen: Si ka mundësi që Prokuroria edhe tash, pasi i ka në dorë raportet e mjekëve, dëshmitë e tyre… t’i përdorë shkresat e M. Jasharit si “prova” dhe “fakte materiale” për ngritjen e kësaj akuze?!

E kam të qartë se pse Prokuroria e ka të vështirë ta bëjë deshifrimin e përballimit ndërmjet asaj që ndodh me “ngarkesën shtazore të njeriut në post-histori dhe snobit japonez, respektivisht trupit të tij, por edhe mes këtij trupi dhe “krijesës së pakokë të përftuar nga intuita e Batailleit (G. Agambeni: 43), për çka fola më lart. Në këto rrethana, për Prokurorinë Speciale përparësi merr jo jeta dhe shëndeti i njeriut, por përkujdesja për jetën e vet shtazore, në të cilën jeta natyrore bëhet qendra e ushtrimit të atij, që Foucault e ka quajtur biopushteti.

Në paragrafin e dytë të aktakuzës, në fq. 27 theksohet tekstualisht: “Nga shikimi i ekspertizës së Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, i datës 22. 9. 2017, nga i cili konkludim del se i ekzaminuari Murat Jashari vuan nga çrregullimi skizofrenik — tipi maniakal, që në klasifikimin ndërkombëtar të çrregullimeve mendore 6

kodohet me shifrën F25–0 (ICD10)”. Ky çrregullim ka karakter të përhershëm me psikosimptomatologji të shkallës nga mesatarja në të rëndë”.

Kjo dëshmi do të ishte e mjaftueshme që Prokuroria Speciale të mos binte në këtë nivel të absurditetit dhe të ngrejë akuzë ndaj cilitdo prej nesh si gjoja bashkëpunëtorë të M. Jasharit. Shih për këtë, përfshirjen time në këtë farsë gjyqësore, e vlerësoj edhe si fyerje të inteligjencës sime.

Se unë jam redaktor i librit nuk ka pasur nevojë të konfirmohet nga pala e tretë, meqë këtë e kam pohuar që në përballjen time të parë me prokurorin, madje duke shtuar se pas aktit të M. Jasharit ndaj Azem Vllasit i kam analizuar edhe gazetat dhe portalet ku janë publikuar letrat e përmbledhura në libër dhe jam interesuar të siguroj informacione se pse janë publikuar pikërisht në ato gazeta dhe portale që kanë pasur qëndrim të njohur anti-UÇK. Madje kam shprehur gatishmërinë time në këtë rrafsh për t’i vënë në dispozicion njohuritë e mia profesionale për hetim të kësaj çështjeje.

Ndërkaq këmbëngulja e prokurorit për ta përfshirë emrin tim në kontekst të fajit që paskam bërë si redaktor i librit është abuzim i pastër dhe me motive politike. Personalisht dhe në prani të policëve hetues dhe avokatit tim kam pohuar se jam redaktor i librit dhe autor i parathënies. Lidhur me emrin Dr. Besnik Berisha e kam dhënë shpjegimin se ai është identiteti im, të cilin kisha planifikuar ta bëja publik më 17 janar 2018, në Konferencën e dytë shkencore që e kishim paralajmëruar si shoqatë të mbahet dhe atë si fillim i aksionit për shqipërimin e emrave dhe mbiemrave, duke e ndërlidhur këtë iniciativë me vitin e Gjergj Kastriotit, në këtë 550-vjetor.

Në paragrafin e tretë, fq. 74 të aktakuzës, prokurori sikur ta shkruante aktakuzën diku në vitet 1981–1989, thekson:

“I pandehuri Sadri Ramabaja gjatë mbrojtjes ka tentuar t’i ikë përgjegjësisë juridiko-penale, duke mos e shkruar emrin dhe mbiemrin e vet si redaktor i librit “Lufta e pambaruar.”

Ky konstatim flet shumë për përcaktimin politik absurd dhe mungesën e dinjitetit profesional të prokurorit. Çfarë përgjegjësie juridiko-politike është redaktimi dhe shkrimi i një parathënie të një libri, çfarëdo qoftë ai?!

Para disa vjetëve, më sakt në vitin 2012, është publikuar në shqip (si edhe në sa e sa gjuhë të botës) libri i Adolf Hitlerit “Mein Kampf” (“Lufta ime”) dhe sipas logjikës së prokurorit Sylë Hoxha, redaktori i atij libri na paska përgjegjësi penalo-juridike!

Sylë Hoxhës edhe mund t’i ketë ngelur ora në vitet 1984…, 1986…, por gjykata nuk duhet ta lejojë këtë sjellje e qasje kaq joprofesionale të drejtësisë së Republikës për të cilën kanë sakrifikuar breza të tërë.

Duke e lexuar romanin autobiografik të mikut tim Bedri Halimi “Ecje në furtunë”, më bëri përshtypje një fragment i tërë në fq. 76.

“Në këtë sistem të çoroditur, antishqiptar, kush pyeste për rregullsi. Këtu nuk merret vesh kush ishte hetuesi, kush prokurori, a gjykatësi. Ndarja ishte vetëm formale, të gjithë prokurorë dhe të gjithë gjykatës”.

Kjo gjendje u përsërit më 11 korrik 2019 në këtë sallë, kur Presidenti i Republikës mori rolin e Prokurorit!

Por, duke vazhduar leximin e romanit në fjalë, në faqen pasuese (77), trishtimi im merr përmasat e groteskut politik, vallë në ç’kohë jetoj?! Si preambula e akuzës edhe fjalia e fundit, janë pothuajse identike me akuzat serbe që na i bënte UDB-ja në vitet e tetëdhjeta!

Shih f.75: “Akuza është e provuar dhe në ligj e bazuar”.
Para cilës, Prokurori jam: asaj serbe të vitit 1984, apo Prokurorisë së Republikës sime?!

Është tepër e qartë: Prokuroria Speciale, Policia hetuese, klani Pronto, që e ka kapur sistemin e drejtësisë, e ka shfrytëzuar fatkeqësinë (sëmundjen mendore) e Murat Jasharit për skenar makabër politik, ndërkaq mua personalisht, duke keqpërdorur iluzionet dhe projeksionet fatnazmagorike të një të sëmuri, pretendon t’ia arrijë qëllimit: t’më likuidojë nga jeta publike, akademike e politike.

Në paragrafët e parë në fq. 27 të aktakuzës, prokurori sjell shikimin e ekspertizës nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike të Kosovës dhe diagnozën reale të Murat Jasharit.

Ndërkaq në paragrafin e fundit, ai vazhdon:
“Gjatë hetimeve në këtë çështje penale, duke shtjelluar dhe analizuar shkresat e lëndës, e kemi siguruar një ekzemplar të librit ‘Lufta e pambaruar’ të të pandehurit Murat Jashari, botuar në Prizren, më 2016”.

Libri ka qenë në shumë librari gjithandej, pra edhe në Prishtinë. Nuk besoj se ka pasur nevojë të humbë kohë Prokuroria Speciale që ta gjejë. Ndërkaq, siç e theksova më lart, që në përballjen e parë me prokurorin, unë e kam pohuar se jam redaktor i këtij libri dhe për rrjedhojë nuk ka pasur nevojë për insinuata as prokurori, e as Policia hetuese, që ta konfirmonin se Dr. Besnik Berisha, pra redaktori, jam unë.

Insinuatat dhe pandehmat këtu nuk kanë vend, zoti prokuror! Pavarësisht këtij fakti, ju në aktakuzë më tej shkruani se:

“Nga kjo vërtetohet se i pandehuri Sadri Ramabaja me qëllim dhe plan të detajuar i ka ikur publikimit të emrit të saktë si redaktor i librit dhe e ka shkruar emrin dhe mbiemrin tjetër. Me këtë i ka ikur identitetit të vërtetë, pasi është i involvuar direkt në organizimin, planifikimin e planeve të organizatës ‘Syri i Popullit’ në terren, si dhe në shkresat operative si përgjegjës i grupit politik (Besniku), i cili ka pasur për detyrë të lëshojë komunikata, njoftime dhe sipas nevojës edhe reagime” (fq. 27).

Supozimi se qenkam i involvuar “direkt në organizimin, planifikimin etj. të organizatës “Syri i Popullit” mbetet tërësisht supozim, pa mbulesë dhe pa të vetmin fakt juridik.

Cilat nga “shkresat operative” qenkan shkruar nga unë? Nga kush janë lëshuar komunikatat? Pse komunikata nuk qenka nënshkruar nga “Grupi politik”, por, siç rezulton nga mediat, nga “Shtabi Operativ”!?

Bazuar në të famshmin “Plan operativ”, në të cilin thirret prokurori, si intervistues të personaliteteve të UÇK-së na qenkan angazhuar të jenë: Ibrahim Kelmendi, Muhamet Kelmendi, Gafurr Elshani dhe Emrush Xhemajli, ndërkaq në cilësinë e ekspertit kushtetues — Mazllum Baraliu. Dhe, në fund fare, për ta përmbushur ëndrrën e tij (iluzionet) në atë “Plan operativ” na vjen “Këshilli iniciues” për formimin e LPK (e shekullit XXI!), në krye të të cilit ai (M. J.) sheston ta ketë Albulenë Haxhiun, mbesën e heroit të popullit, Ahmet Haxhiu!

Në dëshmitë e tyre, asnjëri nga këta persona, siç shihet, nuk ka qenë fare i informuar paraprakisht për këtë farë “Plani operativ” dhe për “detyrat” që ua ka përshkruar M. Jashari.

Këtë e besoj plotësisht, meqë edhe mua në asnjërin nga ato dy takime që kam pasur me Muratin (në janar dhe në mars 2017) nuk më është zënë në gojë kurrfarë “platforme operative” apo “grupi politik”, natyrisht as organizata fantome “Syri i Popullit”. Ende, M Jashari edhe sot e gjithë ditën, nuk kam njohuri se kur paska arritur të mi ndajë “detyrat”? Në fakt, për këto “detyra” ishte kujdesur të më informojë prokurori Sylë Hoxha, ndonëse krejt këto ishin fantazira që s’kishin kurrfarë pikëtakimi me realitetin. Pra, po del se atë që nuk kishte arritur ta kryejë iluzionisti M. Jashari, tani me njëfarë zelli të pashpjegueshëm po e kryente prokurori Hoxha, por me një qasje dhe format aspak dinjitoz për pozitën e tij në sistemin e drejtësisë.

Siç shihet ,dokumenti bazë që i ka shërbyer Prokurorit për ngritjen e kësaj aktakuze ka qenë pikrisht ky ,,plani operativ”, që bazuar në gjuhën dhe stilin e tij, ka për autor Murat Jasharin, një të sëmurë mendor, të diagnostikuar nga dy ekipe mjekësh specialistë, në mënyrë të pavarur: i pari në Zvicër, diku para vitit 2012, crregullime Skizofrenike të tipit Maniakal, e në Kosovë pas marsit 2017.

Në procesin Gjygjësor historik kundër Kongresit Nacional Afrikan [ANC] të koduar si ,,Shteti kundër Nelson Mandelës dhe të tjerëve”, Prokurori i shtetit bën një gafë larg më të ,,arsyeshme”, duke përdorë si provë materjale një Platformë veprimi, që ishte De fakto një skicë e shkruar me dorë, por e pamiratuar nga trupat drejtuese të NAC-së. Gjykata, sado që ishte instrument i pushtetit që kishte promovuar Aparthejdin, për hir të profenializimit, kishte hedhur poshtë atë pjesë të aktakuzës.

Cili forum i ,,Syrit të popullit”, nëse vërtetë egzistuoka kjo organizatë, na e paska miratuar atë ,,Platformë” të Murat Jasharit?!

Për këtë pandehmë logjike mungon cfardo prononcimi nga ana e prokurorisë, meqë de fakto, mungon edhe vetë organizata ,,Syri i popullit”!

Por jo vetëm kaq, Prokuroria nuk ka denjuar të sjell edhe ekspertizën Grafologjike, Forenzike, si dhe atë të stilit, të gjuhës, e mos të flasim për analizën logjike të tekstit.

Për mua, si njohës i gjuhës dhe stilit të Murat Jasharit, është e qartë se këto kauzodokumente që Prokuroria po i përdorë si prova materjale, kanë për autor Murat Jasharin. Këtë fakt e pohoi M. Jashari edhe në seancen e 10 majit 2019. Pa këtë ekspertizë, Gjykata vihet qëllimisht në lajthitje.

Nëse pohimet e të gjithë ish-bashkëveprimtarëve të mi që zura në gojë më lart janë të sakta, e gjithsesi se janë, atëherë pse unë do të duhej të isha “Besniku” i iluzioneve të M. Jasharit?! Me ç’fakt relevant na e paska verifikuar prokurori apo Policia hetuese?!

Insistimi i Prokurorisë në këtë rrafsh e shpërfaq de fakto “Planin operativ” të montimit të këtij procesi politik ndaj meje për qëllime të pastra hakmarrëse politike.

Aktakuza është e stërmbushur me dubioza të terminologjisë juridike, tipike për proceset e montuara. Është e qartë se grupimi politik që po e mban Republikën peng të llojit të vet, së paku prej vitit 2011, nga çasti i aderimit tim në Lëvizjen Vetëvendosje, më ka shënjestëruar, natyrisht jo për “veprat e pakryera penale”, por thjesht dhe vetëm për motivet politike, që ndërlidhen me oponencën time të mendimit.

Në fakt, burimi i aktakuzës mund të shkojë edhe më thellë në histori: ndoshta në majin e vitit 1998, kur klani që sundon Kosovën për plot dy dekada, pati ushtruar komplotin e 9

njohur brenda LPK/UÇK-së. Por, meqë unë atëbotë isha pjesë e UNIKOMB-it, pra nuk kisha ndërlidhje të drejtpërdrejtë me rrjedhat brenda LPK-së, gjykoja deri vonë se nuk ua zija “hisen e diellit” asnjërës palë. Madje, pavarësisht se isha i informuar për ato rrjedha, unë dhe UNIKOMB-i po bënim krejt çka ishte e mundur t’i shërbejmë kauzës së lirisë dhe UÇK-së, qoftë në rrafshin e diplomacisë, logjistikës, por edhe drejtpërdrejt në terren, duke i ngjeshur radhët e UÇK-së, pa interferuar në përplasjet brenda LPK-së. Kjo është periudha kur unë e kisha shndërruar banesën time në Basel (Zvicër) në një zyrë informimi dhe komunikimi. I kisha intensifikuar kontaktet me Ministrinë e Jashtme të Zvicrës, me televizionin zviceran DRS dhe me mediat e shkruara. Duke qenë ndërkohë edhe anëtar i Shtabit Mobilizues të UÇK-së për Zvicër dhe hartues i dokumentacionit politik të atij shtabi, krijuam bazë të gjerë lobuese dhe forcuam fondin “Vendlindja Thërret”, ndërkaq duke qenë që moti (1993) në Kryesinë e Organizatës Humanitare “Promentes Kosova”, që e kishte iniciuar miku im Christian Gieger, ndërkohë, në fillim të vitit 1999, kishim arritur të nxjerrim nga kazermat e Ushtrisë zvicerane një sasi të konsiderueshme të barnave për terrene lufte, kryesisht barna kundër helmeve biologjike e kimike, në vlerë prej rreth 1,5 milion frangash zviceran. Këtë sasi barnash e kisha orientuar për te Logjistika e UÇK-së në Tiranë, që atëbotë drejtohej nga dr. Shaip Muja, vëllai i bashkëveprimtarit tim në ilegale (1986), Shaban Muja.

Por, brenda kësaj periudhe kisha kontribuar që përfaqësues të shtetit zviceran, sidomos nga Ministria e Jashtme, të fillojnë ta shikojnë e gjykojnë UÇK-në si një forcë reale politiko-ushtarake me të cilën, qoftë edhe nëpërmjet Republikës së Shqipërisë, të vihen kontakte të veçanta.

Në shërbim të këtij qëllimi, ishin edhe dy ligjëratat e mbajtura në Universitetin e Baselit, madje në të dytën duke e ftuar edhe përfaqësuesin politik të UÇK-së për Gjermani, mikun tim, Dr. Sabri Kiçmarin, deri vonë ambasador i Republikës sonë në Australi.

Të kësaj periudhe të ngjeshur me aktivitete diplomatike dhe të ekspertizës akademike, sidomos pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, por edhe gjatë Konferencës së Rambujesë, janë përpjekjet e mia për të kontribuar për arritjen e një marrëveshjeje sa më të suksesshme për Kosovën. Analiza që i bëmë Marrëveshjes së Rambujesë, variantit të parë, tok me Prof. dr. Stephan Kux, besoj që ishte një kontribut i veçantë. Atë analizë ia përcolla delegacionit tonë nëpërmjet Bilall Sherifit.

Ndërkaq vetëm katër ditë pas fillimit të bombardimeve, nga banesa ime, gazetari i DRS Andrea Muller, një mik imi (që më mori në mbrojtje edhe tash), përndryshe atëbotë edhe këshilltar i zonj. Kalmy Rey, ish-presidente e Zvicrës, realizoi intervistën nga më të veçantat me komandantin e UÇK-së për Zonën e Dukagjinit, Ramush Haradinaj, telefonin e të cilit e kisha siguruar nëpërmjet Ahmet Isufit, bashkëveprimtarit tim të kohës së ilegales (1982…), me të cilin ishim dënuar në vitin 1984. Intervista qe emetuar jo vetëm në DRS, por edhe nga shtëpi të tjera televizive dhe agjenci lajmesh, dhe pati shumë efekt, meqë komandanti Haradinaj kishte arritur ta përcillte mesazhin shumë bindës se UÇK-ja, pavarësisht çmimit, do ta vazhdojë luftën deri në liri. Për këtë kontribut timin, unë gjithsesi ndihem krenar. Ndërkaq organizimi në VV më ka mjaftuar që ta ndjejë veten të realizuar politikisht.

3.

Deri nga fundi i vitit 2008, unë vazhdova ta kultivoja një lloj mirëkuptimi edhe për ekzistencën dhe aktivitetin e SHIK-ut. Kisha kontakte miqësore edhe me ndonjërin prej oficerëve të lartë të tij. Isha më se i bindur se angazhimi i tyre, sidomos në Anamoravë, kishte efekte pozitive, ishte edhe në shërbim të ruajtjes së kohezionit politik të sigurisë. Këto efekte 10

i kisha vënë re sidomos gjatë kohës sa isha ligjërues dhe dekan në Kolegjin Universitar “Gjilani”, në Gjilan (2007–2010).

Por, duket që kokat e kësaj strukture nuk ma falën kalimin tim në VV. Këtu, de facto, zë fill lufta e pakompromis e kësaj strukture kundër meje. Menjëherë, si hap të parë, më larguan nga Universiteti Publik i Prizrenit, madje me ta përmbyllur vitin e parë akademik.

Por, vetëm pasi jam arrestuar, e kam kuptuar se edhe angazhimi im në Shoqërinë “Lëvizja”, në Kryesinë e së cilës isha dëshmuar tejet aktiv në profesionalizimin e saj si një institucion specifik që do të angazhohej në shërbim të ruajtjes dhe kultivimit të së vërtetës historike që ndërlidhet me LPK/UÇK, fillimisht me promovimin e Konferencës shkencore, me rastin e 35-vjetorit të rënies së heronjve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, e që përkonte edhe me 35-vjetorin e themelimit të UÇK-së, atëbotë krerët e PDK-së ishin pozicionuar qartë për të na penguar pa zgjedhur mjete.

Organizimi me sukses i Konferencës së parë, por edhe paralajmërimi se ajo do të jetë e përvitshme dhe bosht i aktivitetit të Shoqatës, tok edhe në bashkorganizim me Institutin e Historisë, Institutin Albanologjik dhe Shoqatën e të Burgosurve Politikë, pati jehonë pozitive, por njëkohësisht ringjalli drojën e atyre që ia kishin kthyer me të keq lëvizjes sonë kombëtare për çlirim, duke iu frikësuar së vërtetës historike që po fillonte të fliste me argumente shkencore, pra ky aktivitet shënoi për mua përballjen e paimagjinueshme, që përfundoi me arrestimin tim.

Përgjithësisht nga policët hetues, por pjesërisht edhe nga prokurori, gjatë atyre dy seancave që kisha, e kuptova se problem ishte pjesa e Kryesisë së Shoqërisë që ishim ish-anëtarë të vjetër të LPK-së dhe tani anëtarë të VV-së. Dukej qartë se komplet këtë pjesë të Kryesisë së Shoqërisë “Lëvizja” kishin projektuar ta “bartnin” tek i ashtuquajturi “Grupi Politik” i iluzioneve të Murat Jasharit, në kuadër të të ashtuquajturës organizatë, “Syri i Popullit”.

Në këtë piramidë të konstruktit politik, siç shihet edhe në aktakuzë, më kishin projektuar mua!

Pse e bënë këtë inskenim promotorët realë të këtij procesi politik? Duket qartë se ata kishin nevojë imediate të më largonin nga jeta publike aktive, të m’i pamundësonin kontaktet me studentët dhe kolegët e mi, me lexuesit dhe përcjellësit e mi të shumtë e përherë në rritje, të më eliminonin nga jeta politike dhe të më izolonin nga bota akademike, sidomos të ma pamundësonin pjesëmarrjen në konferencat shkencore jashtë.

Tashmë katërciprisht shihet se, për shkak të koncepteve të mia politike, unë dhe familja e ime, po paguajmë kosto të lartë.

“Syrit të Popullit”, si një konstrukt i shpikur, ose pjesë e kompleksit të iluzioneve të M. Jasharit, i duhej një kokë politike. Këtë ia thashë në sy prokurorit në seancën e dytë. Më tej, ia pohova edhe hamendësimet e mia të ndërlidhjes së Dhomave të veçanta (të Gjykatës Speciale) me Prokurorinë Speciale dhe këtë proces politik.

Atë që nuk e bënë dot kundër meje dhe një pjese të veprimtarëve të vjetër të LPK-së, pra ndaj kësaj pjese që kishim qëndruar vertikalisht, të dinjitetshëm dhe gjithmonë në mbarëvajtje të interesit kombëtar, në përballjet tona në gjithë shekullin tonë të jetës aktive politike, rrjedhimisht duke e pasur Serbia dhe aleatët e saj të pamundur të na implikojnë në listat e të përndjekurve nga Gjykata Speciale, duket se atë kanë projektuar ta bëjnë nëpërmjet Prokurorisë Speciale dhe mbetjeve të UDB-së në sistemin tonë të Gjyqësorit.

Sidoqoftë, do të besoi se ky proces, në esencë sado absurd, nëse e përdori një term Hegelian-Inteligjibiliteti-duhet të ketë një fund të logjkshëm-të shpallet i dështuar.

Unë e kam parasysh se Serbia nuk heq dot dorë nga përndjekja ime, sidomos tash pas publikimit të librit tim “Federata Shqiptare — Kohezioni i shtetit komb në BE” dhe analizës sime mbi transferimin e pritshëm të një pjese të bazës ruse nga Nishi në Sfircë.

T’jua përkujtoj se vetëm një javë pas publikimit të kësaj analize pati reaguar Këshilli Evropian dhe Brukseli zyrtar, ndërkaq nga Tirana kisha përgëzimet e para të mikut tim, ish-ambasadorit Shaban Murati dhe personaliteteve tjera nga Lugina e Preshevës dhe Medoka (Medvegja) ime.

Por, të jem i sinqertë, përndjekje të kësaj natyre që përjetova nuk prisja nga drejtësia e Republikës sime, së paku jo deri më 4 tetor, kur e mora paralajmërimin nga një zyrtar i AKI-së, ngjashëm siç nuk e prisja që aktakuza ndaj meje në esencë t’i ngjajë asaj të UDB-së si veza-vezës, t’i mungojë kaq shumë logjika e argumentit, e të jetë me kaq stisje e shpifje nga më primitivet (citim: “ nga kjo që e thamë më lart, shihet se i njëjti ka vepruar në kontinuitet me urrejtje ndaj figurës së Azem Vllasit, krerëve institucionalë shtetërorë, siç e kanë paraparë në “planin operativ” të organizatës “Syri i Popullit”… (fq. 76).

4.

Me Azem Vllasin dhe ndaj tij nuk kisha dhe nuk kam asgjë personale. Ne kishim dhe i kemi të ndara rrugët politike. Qëndrimi i tij ndaj ilegales shqiptare dhe kryeveprës së saj — Demonstratave të vitit 1981 dhe kërkesës për Republikë, na ka ndarë dhe na ndan edhe sot.

Në fjalën hyrëse të këtij procesi farsë, si kundër meje, por përgjithësisht edhe kundër brezit të Republikës, u pa qartë se Azem Vllasin e mban të mbërthyer edhe më tej, siç do të shprehej Niçe, pesimizmi i indinjatës. Shih për këtë, Vllasi sajoi përgjegjësi dhe tok me prokurorin kanë arritur në një lloj dakordimi metodik për të më mbajtur tutje prapa grilave. Me këtë qëndrim prej marionete të përjetshme, duket se Vllasi e krijon ndjenjën e këndshme për vetveten — hakmarrjen, të cilën ndjesi Homeri do ta vlerësojë si “më të ëmbël se mjalti”.

Azem Vllasi, siç edhe ka dëshmuar në librin e tij, nuk ka arritur dot ta kuptojë se Demonstratat e 81-shit, si për nga plotënia e formës, ashtu edhe për nga përmbajtja, ishin një kryevepër e mendimit politik shqiptar. Ato, prandaj, shënojnë epokë.

Demonstratat e pranverës së vitit 1981 e shëndërruan Kosovën gradualisht në një Armegadon biblik, ku kulmoi ballafaqimi i së keqes me të mirën. Një fjalë e urt malazeze thotë: ,,Nuk bie bora për ta mbuluar bregun, por për ta zbuluar bishën”. Në Kosovë, më 1981, tok me zbulimin e bishës ranë edhe maskat e kolaboratorve.

Demonstratat e vitit 1981 ishin me këtë përmasë historike, meqë në esencë kishin vrullin e ndjeshëm dhe energjik, që filozofët realë do t’i krahasonin me kryeveprat e mendimit klasik grek që kombinonin imagjinatën rinore me burrërinë e logjikës. Shih për këtë, unë i cilësoj Demonstratat e 1981-shit dhe atë brez të rinisë, si manifestim historik par exelence, duke e identifikuar atë me frymën e vitit 1968 që e ka dominuar Evropën, e që e shndërroi brezin në pjesë të homopolitikusit modern.

Kolaboratorët shqipfolës, kishin përvetsuar shumëcka nga filozofia politike e Bizantit, prandaj ata edhe sot potencojnë formën e Autonomisë, duke e lënë nën hije përmbajtjen.Këtë fenomen e kishte vënë re mirë Arbër Xhaferi. Shih për këtë ai shkruan: ,,Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë shpërthyen ngaqë autonomia ishte formale, e dedikuar për nomenklaturën politike, për oligarkinë komuniste dhe nuk kishte shtet të vërtetë”. [A. Xhaferi, vepra 1, f. 36] Azem Vllasi ishte vetë simboli i elitës së popullatës së nënshtruar, pa pushtet real por që ishin ,,Transmision, përques i pushtetit dhe qarqeve të hirta “. [A. Xhaferi, vepra lll, f.141].

Në gjuhën frënge ekziston një togfjalësh i veçantë, që unë kam dëshirë ta ndërlidh me brezin e vitit 1981, “noblesse obligo”. Duket se historia ia kishte ngarkuar rinisë fisnike të 1981-shit atë barrë të madhe, që ajo e kreu me sukses — ndarjen e epokës, shënimin e kthesës së madhe historike, prej nga më nuk kishte kthim prapa. Ky ishte kufiri që ndante politikat kolaboracioniste të Kosovës me një filozofi tjetër të të menduarit e të vepruarit, për të rezultuar pastaj në një formë shumë konkrete të rezistencës, që e prodhoi Ushtrinë e lavdishme Çlirimtare të Kosovës. Ky brez dhe ai që do të pasojë, do të jenë bartësit e aktivitetit politik të ilegales, që u kurorëzua me themelimin e LPRK-së, dhe më pas UÇK-së — këtë binom politiko-ushtarak, që do t’ia sjellë tok me NATO-n, edhe lirinë e gjakuar kësaj pjese të atdheut tonë, duke imponuar solucionin politik të Republikës së dytë shqiptare në truallin dardan.

Azem Vllasi do të duhej të ishte i ndërgjegjshëm që nëpërmjet librit të tij dhe prononcimeve të tij për Demonstratat e vitit 1981 ka irrituar lagje të tëra idealistësh dhe e ka fyer historinë, dhe bashkë me të edhe logjikën e zhvillimit të ngjarjeve. Ndërkaq nëpërmjet qëndrimit egërshan e irracional ndaj meje gjatë fjalës hyrëse, pavarësisht se nuk mund të më akuzonte drejtpërdrejt, mua dhe brezit tim na e përkujton qëndrimin e tij prej Zeusi ulur në fronin e pushtetit që dikur i garantonte posti i tij prej kryetarit të LKJ-së në vitet e ‘80-ta në Kosovë. Kështu egërshan ai ishte edhe në procesin e diferencimit ideopolitik të intelektualëve brenda e jashtë Universitetit të Prishtinës në vitet 80-ta. Le të kujtojmë disa nga gjurmëmëdhenjtë tanë të atyre viteve, që Vllasi dhe suita e tij i pati marrë në shënjestër: Ali Hadri, Ukshin Hoti, Kadrush Radogoshi, Mark Krasniqi, Ekrem Kryeziu, Insinuatat e tij në fjalën hyrëse, duke më shënjestëruar si pjesë, respektivisht ideolog i një organizate fiktive, është e qartë se, për objektiv kanë likuidimin tim nga jeta akademike dhe politike.

Thuhet se Kleopatrës i pëlqente të ngjiste mbërthecka / karfica të arta në kraharorin e skllevërve të saj dhe kënaqej me të bërtiturat dhe vuajtjet e tyre.

Në këtë sens, Azemi nuk dallon fare nga vëllai i tij Aliu, ish-kryehetuesi im, që kur ushtronte dhunë psikike e fizike mbi mua (1984/85), pa përjashtuar edhe përdorimin e elektroshokut, që dukej se e provonin për herë të parë ndaj meje, në Gjilan (prill 1984), ndërkaq improvizimin për pushkatim e bënin në kufirin bullgar, në malet e Vllasinës (korrik 1984), ai, pra Aliu, ndiente kënaqësi të llojit të vet prej sadisti, që ua kalonte ndjesive të Kleopatrës.

Azem Vllasi në fillim të këtij procesi, ndonëse është i vetëdijshëm se ne jetojmë në epokën kur do të marrë rrugë funksionalizimi i Republikës, u pa se tutje mbetet larg familjarizimit dhe harmonizimit të veprimeve të tij që do të ishin në përputhje me orientimet e shkencës dhe arsyes, prandaj ai edhe gjatë këtij procesi tragjikomik përdori ndaj meje gjuhën e karficave të Kleopatrës

Në fund të këtij procesi do të ishte e logjikshme që ai [Azem Vllasi] ta kujtoj aktin e pendesës [ sidomos në raport me insinuatat e ushqyera ndaj meje] si mundësi për INTROSPEKCION MORAL dhe sens njerzor për ta shpërfaqur shlirë TURPIN edhe NDJESEN. Por këto veti njerzore i mungojnë Azem Vllasit.

Sidoqoftë, në fjalën time në këtë pjesë nuk mund ta shmang urtësinë e nobelistit hebre për letërsi — Amoz Oz, që ka të bëjë me raportet ndërmjet izraelitëve të tij dhe palestinezëve, meqë besoi se mund t’i hyjë në punë për reflektim.

Në esenë e njohur të tij “Si ta kurosh një fanatik”, Oz u drejtohet arabëve dhe bashkëkombësve të tij hebre, duke u bërë thirrje që në fund ta kuptojnë se ata, të gjithë së bashku, janë viktima të Evropës.

Si ai (A. Vllasi) dhe unë, pra tok, në këtë rast, jemi viktima! Ai nuk do të duhej të shpërfaqet naiv dhe të bëhet sikur nuk e di. Madje ai dhe unë e dimë fare mirë se viktima të kujt jemi, pavarësisht se edhe tash vazhdojmë të jemi politikisht në dy taborë të kundërt. Urdhëri i pa zbatuar i prokurorit për arrestimin e Murat Jasharit me të hyrë në Kosovë, pra 6 ditë para se ai të tentonte ta ushtrojë atentatin ndai A. Vllasit, flet shumë edhe në këtë plan.

Evropianizimi i Kosovës është proces i pa ndalshëm; ai do të bëhet parasegjithash në planin Formalo -Juridik, cka nënkupton se, do të fillojë funksionimi i shtetit të së drejtës. Rrjedhimisht përfitues do të jenë të gjithë qytetarët e Republikës, natyrisht edhe ish kolaboratorët dhe familjet e tyre, meqë në Kosovë do të promovohën gjithnji e më shumë vlerat e qytetarimit evropian, pjesë e së cilës jemi si KOMB. Në funkson të këtij procesi evrpianizues, unë kam kërkuar që në korrikun e vitit 2018, tek e pata bërë publike fjalën time që do të duhej ta lexoja në seancën fillestare, që ky proces të monitorohet nga mediat dhe shoqria civile, EULEX-i dhe instituconet e specializuara të BE-së, ndërkaq me shkresë të vecantë kam autorizuar Avokatin tim, t’i bëjë ftesë po për këtë qellim, edhe Ambasadës të SHBA-ve

Kam qen shumë i interesuar që ata ta kenë në dorë edhe aktakuzën. Këtë e kam bërë i bindur se në fund të këtij procesi, verdikti i drejtësisë duhet të jetë sa në dobi timen, shumë më shumë edhe të Kosoves. 1) Kam vënë re më pas se, seancat janë përcjellë rregullisht nga përfaqësuesit e Eulex-it dhe ata të Ambasadës Amerikane. Ju jam mirënjohës për mirëkuptimin dhe i falenderoj publikisht.

Unë jam i kënaqur që në jetën time politike kam arritur të jem autentik dhe koherent në ide e veprime, përherë vertikalisht, gjithmonë duke vepruar në përputhje të plotë me interesat jetike të kombit.

Ndërkaq, ti A. Vllasi duket se ke parapëlqyer të mbetesh deri në fund marionetë e pushteteve.Kjo është përzgjedhja e jote.

5.

Djalli … është një vrasës që nga fillimi dhe s’ka të bëjë me të vërtetën, sepse në të nuk ka të vërtetë. Kur thotë gënjeshtra, flet nga vetja e tij, sepse është gënjeshtar dhe i ati i gënjeshtrës.”(1) Gjoni 8:44)
(Cituar sipas botimit:
Shkrimet e shenjta,Njujork 2007 f,1354)

Segmente të veçanta të drejtësisë në Kosovë, duke qenë se janë mbetje të sistemit të drejtësisë serbe të epokës së Milosheviqit, të selitur në një “mjedis të moralit të përlyer”, siç do të shprehej Vaslav Havel, lehtësisht janë shndërruar në instrument të politikës edhe tashti; ata e kanë të vështirë ta kuptojnë kauzën për Republikë të pavarur e njerëzore, prandaj për çdo ditë po dëshmohet se vetëm kanë ndërruar padronët.

Duke reflektuar ndërkohë pas seancës së dhjetorit (2018) në përballje me shpifjet e ulëta të dëshmitarit, Hashim Thaçi, që për fatin tragjik të këtij brezi dhe të Kosovës, është edhe president i Republikës, krahas aferës së njohur të Drajfusit, është koha ta risjellim në vëmendje edhe Magna Kartën , që tashmë ka bërë 800 vite histori. Karta e Lirisë, si themeli i të drejtave të njeriut, ose siç është shprehur Uinston Çërçilli për të në një plan më të gjerë: “Karta e çdo njeriu që e respekton veten në çdo kohë e çdo vend”, ia mundësoi aristokracisë angleze t’ia bëjë të qartë mbretit se “Ligji dhe jo mbreti është sovrani”, ndërkaq ne sot “mbretit tonë të pakurorë”, ka ardhur koha t’ia bëjmë me dije se ai nuk mund të jetë assesi mbi ligjin dhe se shpifja vazhdon të jetë e sanksionuar si vepër penale.

Në dëshminë e tij dëshmitari Hashim Thaçi, përveç të tjerash, ma veshi autorësinë edhe të kumtesave të para të “ Shtabit inegzistent “, siç u shpreh ai abetarisht, për Shtabin mobilizues të UÇK-së në Zvicër. “Ai shtab bënte kumtesa që na e patën dëmtuar shumë luftën në Kosovë”, foli Thaçi nga froni i Zeusit edhe më 28 dhjetor 2018, duke drejtuar gishtin nga unë si autor i atyre kumtesave dhe rrjedhimisht edhe si autor i letrave të Murat Jasharit, të adresuara publikisht një pjese të politikanëve aktual!

Gradacioni i akuzës pastaj erdhi duke u intensifikuar. “Pas kësaj ndërmarrje kriminale vrasëse (e kishte fjalën për “Syrin e Popullit”, që po rezulton të jetë organizatë fiktive, e krijuar nga SHIK-u), qëndron Sadri Ramabaja, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca!”

Thaçi vazhdon me shpifje të paskrupullta tutje: ”Shkrimet e letrave kanë qenë të orkestruara nga Sadri Ramabaja, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca dhe nga dy-tre miq të Ramabajës që jetojnë jashtë!”

Më tej, duke prekur kulmin e marrisë, Thaçi lëshon bombën plot tym: ”Iniciator për themelimin e “Syrit të Popullit” dhe ideatorë të saj janë: Sadri Ramabaja, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca, dhe atë që në vitin 1998/99!

Thaçit sikur nuk i bëhet vonë fare se Glauku atë botë mund të ishte 13 a 14 vjeç, pra fëmijë!

Por akuzën ai nuk e përmbyll dot vetëm më kaq. Vazhdoi tutje, duke ngritur zërin: ”Këta janë një bërthamë e vogël e organizatës “Syri i Popullit”, flas për z.Ramabaja; janë të strukturuar , kanë marrë vendime për themelimin e kësaj organizate kriminale; kanë angazhime të planifikuara me qëllime politike, një metodologji të kësaj natyre ata e kanë aplikuar edhe në vitet 1998/99, kur Sadri Ramabaja dhe dy-tre të tjerë nga diaspora, të nxitur 15

nga shërbimet e ndryshme, për ta kompromentuar UÇK-në, kanë hartuar e publikuar komunikata e shkresa të tjera të përafërta me ato që ia kanë shkruar Murat Jasharit”! Pasojnë ndëerkohë demantet e pritshme nga Jakup Krasniqi, ish anëtar i SHP të UÇK-së dhe zëdhënës i tij, por edhe nga Bardhyl Mahmuti, ish përfaqësues politik i UÇK-së për Zvicer. Ata që të dy pohoinë se të gjitha kumtesat janë shkruar dhe miratuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

Pas krejt këtyre akuzave, që nuk janë në aktakuzën e ngritur nga prokurori shumë i zellshëm i PS, z. Hoxha, duket se Gjykata do të jetë në hall se cilën akuzë ta marrë të mirëqenë. Faktet juridike mungojnë, si për aktakuzën e z.Hoxha, dhe për këtë të z.Thaçi.

Në të njëjtën linjë politike ishte edhe dëshmitari tjetër pararendës, Kadri Veseli, që fatkeqësisht është i Parlamentit, pra i tempullit të demokracisë!

Derisa ndaj shpifjeve të Kadri Veselit nuk reagova fare, duke u pajtuar me paralajmërimin që i bëri avokati im, për ngritjen e padisë për shpifje, ndaj deklaratave të “shoumenit” Thaçi, reagova shkurt: “ Këto çka dëgjuam nga dëshmitari Thaçi, e nderuara gjykatë,, nuk janë asgjë tjetër, përveç insinuata të ulëta, tejet të paskrupullta dhe shpifje ordinere”. Ndërkaq, pas ndërhyrjes së kryetares për ta ndërprerë fjalën, nëse nuk kam pyetje konkrete, shtova:” Po, kam edhe pyetje konkrete, duke iu drejtuar dëshmitarit: “ z. Thaçi, a ndjeheni keq, kur publikisht gënjeni?”

Pas kësaj pyetje, ju znj. kryetare e trupit gjykues ma ndërpret fjalën, duke më paralajmëruar se mund të më largoni nga salla përdhunisht, ndërkaq unë reagova duke e cilësuar gjyqin: tërësisht politik, të tipit stalinist. Uroi që fundin mos ta ketë të tillë.

Në atë seancë, që gjithsesi do të hyjë në analet historike të gjyqësorit tonë, jo vetëm unë, por besoj thellë se edhe opinioni, kemi mësuar se organizatën fiktive “Syri i Popullit”, me gjasë reale, e ka krijuar SHIK-u, pra dyshja Thaçi-Veseli dhe bashkëpunëtorët e tyre, që në Kosovë më shumë njihen si klani Pronto.

Intenca këmbëngulëse për ta lidhur “Syrin e Popullit” me VV-në shpjegon çdo gjë. Akuzat ndaj meje të dyshes Thaçi-Veseli dhe të zgjeruara tashti në gjykatë, por jo të dhëna me shkrim tek prokurori, nga ana e Thaçit, jo vetëm për mua, por edhe për Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcën, duke sjellë si “provë” deklaratën e tipit banal: “e kam dëgjuar vetë kur Albin Kurti i ka thënë Glaukut se këta duhet eliminuar”, e dëshmojnë katërçipërisht pohimin e kahershëm të Dilaver Goxhajt , ish- zvëvendësshef i Shtabit Operativ të UÇK-së, se “Syri i Popullit” është krijuar nga Kadri Veseli dhe vartësit e tij në SHIK”. Ai këtë e thotë duke iu referuar pohimit të Jakup Krasniqit në librin e tij ”Kthesa e madhe — Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, por edhe për faktin se ky proces është një recidiv i kulluar i praktikave të UDB-së, rrjedhimisht edhe i proceseve të montuara politiko-ideologjike.

Në vitin 1913 dhe 1914 Hitleri për herë të parë shpreh disa opinjone që ai i ndërlidhë me sigurin e të ardhmes së kombit Gjerman në ndërvartësi me mundësit e shfarosjes së Marksizmit (A. Hitler, Mein Kampf, Tiranë, 2012 f. 259) që nënkuptonte Partin Socialdemokrate.

Procesi i montuar tërsisht, e ndërkohë i koduar me emrin ,,Shteti kundër ,,Syrit të Popullit”, që në fakt po rezulton të jetë, shteti kundër VV, dhe kundër meje ekskluzivisht, duket se 16

përputhet me opinionet dhe projektin e Hitlerit. Pavarësisht kësaj, unë, me bindje politike, mbetem socialdemokrat, e besoj se ashtu do të mbetet edhe VV.

Akademiku i njohur amerikan, liberali Samuel Ghatington, duke u marrë me fenomenin e pushtetit dhe intencave për mbajtjen e tij me çdo kusht e çdo çmim, qe shprehur: “Arkitektët e pushtetit në Shtetet e Bashkuara duhet të krijojnë një forcë që ndihet, por nuk shihet. Pushteti vazhdon të jetë i fortë kur mbetet në errësirë; kur i ekspozohet dritës së diellit, fillon të avullojë”.

Këtë këshillë të Ghatington-it duket se krerët e ShIK-ut nuk e kanë marrë parasysh, kur bënë transformimin e tyre në vitin 2008. Pushteti i SHIK-ut ishte i fortë atëherë kur vazhdonte të vepronte nga errësira, i strukur në prapaskenat e politikës dhe biznesit. Kur ai “u shua” zyrtarisht dhe mori nën kontroll të plotë institucionet publike e kushtetuese, duke katapultuar në krye të agjencive shtetërore të pavarura, të institucioneve të drejtësisë e sigurisë, të ndërmarrjeve publike, të universiteteve e deri tek çerdhet për fëmijë, njerëzit e vet — militantët tipik, pra kur ai iu ekspozua dritës së diellit, nuk kishte si të mos fillonte procesi i ,,avullimit”.

SHIK-u që është nusprodukt i Drejtorisë Politike të UÇK-së, Drejtorisë për Informim Publik, Drejtorisë për Propagandë, por njëkohësisht edhe i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, duke krijuar “Syrin e Popullit”, duke shpifur “armiqtë e popullit” përmes një inxhinieringu politik, tipik për qeveritë autoritariste (si ato në Venezuelë, në Rusi, në Hungari, Turqi, etj.), në përputhje me metodologjitë e UDB-së së epokës së Rankoviqit apo KGB-së së Stalinit, natyrisht duke shpërfillur parimet bazike të shtetit të së drejtës dhe drejtësisë që rezervon prezumimin e pafajësisë, duke ma rezervuar mua fatin e Krishtit, më 28 dhjetor 2018 u hodhë tërësisht në sulm. Thaçi dhe Veseli, në fakt, më 28 dhjetor 2018 zëvendësuan prezumimin e pafajësisë me prezumimin e fajësisë. Madje, duke e fuqizuar prezumimin e fajësisë “me harangën e dënimit paraprak e paragjyqësor, ndëshkimit e persekutimit publik, moral e shoqëror”, siç do të shprehet, me plot të drejtë e plot mllef, Hydajet Hyseni.

Por, jo vetëm kaq, kjo dyshe që mban peng Republikën aktualisht, tok me vartësit e tyre, më 28 dhjetor 2018, dëshmoi se, edhe pas 20 viteve ata vazhdojnë ta kenë obsesion ish udhëheqjen e vjetër të LPK-së, pavarësisht se që nga puçi i majit të 1998 , ajo është larg çfarëdo ndikimi real në jetën politike të vendit. Por, më shumë se atë grusht idealistësh të LPK-së, tashmë pa ndikim në skenën politike, ata e kanë obsesion secilin intelektual që merr guximin dhe angazhohet brenda dhe tok me VV-në.

Në raport me intelektualët ata sillen kështu me që vuajnë nga sindromii lojës së shumës zero ,, Nullsummenspiel”.

Sa më afërintelektualve t’i sjellë jeta, aq më t’pa vlerë e të vegjël, e shohin se janë.

Kulmi i obsesionit gjithsesi mbetet Vetëvendosja, meqë klani Pronto gjykon se është ajo që mund t’ia rrezikojë pushtetin.

Në studimin e jashtëzakonshëm të dy profesorëve të Harvardit — Steven Levitsky, Daniel Ziblatt: ”Si vdesin demokracitë”(Hoë Democracies Die by Croën), New York 2018 , tek marrin në objekt të vëzhgimit procesin e varrimit të demokracisë, shprehen: “ Përderisa 17 diktaturat e shkollës së vjetër, rivalët e tyre shpesh i izolonin, ose edhe i detyronin të shkonin në ekzil dhe atje i vrisnin, autokratët e ditëve tona me dëshirë represionin e tyre e fshehin prapa fasadave legale“. Seanca e 28 dhjetorit 2018 na e shpërfaqi pikërisht këtë fasadë legale.

Shih për këtë, ata që në të ardhmen e afërt do të merren me historinë politike të Kosovës, duke marrë në konsideratë stenogramin dhe procesverbalin e kësaj seance, fare lehtë mund të konstatojnë se, pikërisht në atë seancë, është inauguruar “Diktatura e dezinformimit“. Qëndrimi dhe metodologjia përmes së cilës Thaçi imponoi, krejt kundërligjshëm, manipulimin e opinionit përmes mbylljes së seancës për mediat dhe publikun, gjoja në emër të ruajtjes së sekretit shtetëror, megjithëse nuk tha asgjë të re që nuk kishte thënë në pjesën e hapur të seancës, lë të kuptohet se ai është në panik. Kjo sjellje e tij mund të jetë në përputhje me kulturën e rrenës që ka promovuar Dobrica Qosiqi e që e ka përvetësuar Thaçi, por mbetet krejtësisht në shpërputhje me kulturën tonë, etnopsikologjinë e Kombit tonë.

Sociologu zviceran, Norbert Elias, vë në spikamë se humbja përmbajtjesore e pushtetit paraqet një ngjarje traumatike. Duket se ata (Thaçi dhe Veseli) po e parandjejnë humbjen e shpejtë të pushtetit, prandaj edhe e përjetojnë këtë fakt në mënyrën më traumatike të mundshme.

Droja që kanë këta elementë në përballje me të vërtetën historike dhe me atë që ka të bëjë me UÇK-në, e shtyri Thaçin të shpifte aq hapur e primitivisht, duke ma veshur mua autorësinë e komunikatave të para të lëshuara nga institucioni përgjegjës — Kryesia e atëherëshme e LPK-së!

Ato komunikata e dokumente të tjera të lëshuara në emër të Shtabit të UÇK-së tashmë janë publikuar në librin “UÇK- dokumente dhe artikuj”, në editim të Gafurr Elshanit, në Prishtinë, në vitin 2003. Informacionet shtesë lidhur me atë periudhë dhe për këtë çështje na sjell edhe libri i i Dr. Muhamet Kelmendit: ”Pse nuk u krijua Fronti për Çlirimin e Kosovës”, Tiranë 1999, të cilave unë iu kam referuar në analizat dhe studimet e mia.

Pavarësisht këtij realiteti Thaçi vazhdon me dezinformatat e tij, që kanë për qëllim ta vënë në lajthitje, jo vetëm gjykatën, por edhe opinionin, natyrisht duke përllogaritur paraprakisht shkatërrimin tim. Ndërkaq ky proces kishte për cak të arrijë dy objektiva:

1. Të krijojë alibinë juridike për shpalljen e VV të jashtëligjshme;

2. Duke ma imputuar mua autorsinë e kumtesave të para të SHP të UÇK-së, që duket se jan objekt trajtimi nga gjykata speciale, ta vë në lajthitje edhe gjykaten speciale.

Intelektualët në epokën tonë, përveç tjerash, konsiderohen si mbrojtës të drejtësisë; ata i bëjnë ballë pushtetit me kurajë dhe integritet. Shih për këtë, ata konceptohen si kategori shoqërore specifike, madje që nga dita kur shkrimtari i madh francez, Emil Zola, i qe drejtuar me një letër presidentit të Francës, përmes së cilës ai dënonte akuzat e tij, pra të presidentit , duke i cilësuar si të rreme, e që ishin drejtuar ndaj oficerit të artilerisë, Alfred Dreyfus, si dhe mbulimin më pas të çështjes nga ushtria.

Afera të kësaj natyre nuk e nderojnë Republikën tonë. Akuza ndaj meje, që i shëmbëllen asaj të Dreyfus-it, është motivuar nga dy të këqija të veçanta — do të shprehej Chaim Hercog, ish-luftëtarë i lirisë dhe president i Izraelit: nga padija dhe nga urrejtja. Padija, urrejtja dhe frika, e shndërruar në merimangë krimi, nëse nuk e marrin përgjigjen e merituar dhe të shpejtë, jo vetëm nga inteligjencia jonë, por edhe nga politika, si instrument i shtetit dhe demokracisë, fare lehtë mund ta shndërrojnë Republikën tonë në shtet të dështuar.
Për fat të mirë, kjo përgjigje erdhi nga sovrani më 6 tetor 2019.

6.

Miku im Emin Azemi, tani ligjërues në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, në shkrimin e tij me titull sinjifikativ “Rasti Ramabaja ose huqja e një hetimi”, të publikuar menjëherë pas arrestimit tim, pati theksuar, përveç tjerash, se:

“Ka shumë indikacione që të shtyjnë të dyshosh se emri i Dr. Sadri Ramabajës është përfshirë jorastësisht në këtë dosje inkriminuese. ‘Analistët’ e proceseve të montuara nuk e kanë pasur vështirë të identifikojnë katër “dobësi” në fushëveprimin publik të Ramabajës.

E para, është përfaqësuesi më aktiv i VV që ka goditur oponentët e rinj e të vjetër, të majtë e të djathtë, titistë e rugovistë, pacifistë e uçk-istë;

E dyta, është ndër intelektualët e rrallë që aderimin në një organizatë politike nuk e bën për qëllime karrieriste (siç veprojnë shumica e aparatçikëve që vegjetojnë nëpër parti politike), por për çështje të bindjeve;

E treta, është një sfidues publik që asnjëherë nuk gëzoi mbështetjen e merituar të subjektit ku aderon.

E katërta, do të ketë shumë persona (me mjekra e pa mjekra) që arrestimin e Ramabajës do ta festojnë me thënien: ‘moti kohë e ka lyp këtë’”.

Mikut tim të vjetër e të shtrenjtë, Emin Azemit, i jam shumë mirënjohës për këtë reagim, por edhe evidentimin pedant të këtyre “dobësive” të mia, të cilat duket se i ka shfrytëzuar edhe Prokuroria Speciale dhe ata që qëndrojnë prapa këtij procesi të montuar politik. 1)Këtëevidentim pedant të ,,Dobsive” të mia në raport me subjektet politike, Emin Azemi e ka bërë, meqë është ndërtë paktit miq të mi që e njeh në esencë unin tim prej nacionalisti progresiv dhe disident etik, sic do të thoshin Gjermanët.

Më duhet ta pranoj publikisht se ajo që më pati goditur shumë, duke më thyer shpirtërisht, ishte pikërisht heshtja e VV-së. Edhe pasi ua dërgova ftesën me akuzat që kisha marrë nga Prokuroria, madje edhe pasi e pata bërë publike, duke ia bashkangjitur komentin tim. Ishte fare i pritshëm reagimi, por VV-ja heshti!

Ndërkaq reagimet pozitive nga Tirana, Tetova dhe mërgata jonë, por edhe nga miq të mi profesorë gjermanë e zviceranë, i kam pranuar si qasje njerëzore e që më kanë bërë të ndihem mirë.

Pas leximit të aktakuzës, e kam edhe më të qartë se në raport me mua, Prokuroria Speciale ka bërë lajthitje marramendëse edhe në rrafshin logjik, e jo vetëm në atë juridik, duke përdorur dubiozitete terminologjike-juridike dhe kalke të psiko-analizës, që ia kanë mundësuar manipulimin e opinionit, duke përdorur shprehjet madje vend e pa vend, si këto: “Tentim vrasje”, “Përgatitje e veprave terroriste”, kryerës të “veprës politike”, “ka vepruar në kontinuitet me një urrejtje ndaj figurës së A. Vllasit, krerëve institucionalë shtetërorë” etj.

Ta përkujtoj faktin se aktakuza u është dërguar mediave disa ditë para se t’i jepet avokatit tim, e plot tri javë para se t’më ishte dërguar mua (?!). Edhe ky fakt flet shumë për projeksionet e Prokurorisë Speciale, alias autorëve real të këtij procesi, duke e shpërfaqur atë ashtu si në fakt edhe është: tërësisht të montuar politik. Shih për këtë, do të doja që, për hir të drejtësisë, për hir të Republikës, ky proces të mbetet në kujtesën historike të Gjyqësorit tonë si gostia e përgatitur e “Këpushës”, respektivisht “Darka e saj e mbramë”, siç do të thoshte Agambeni (A. Agambeni: 80). Që kjo të ndodhë, ky proces duhet t’i nënshtrohet tutje jo vetëm presionit publik, por mbi të gjitha monitorimit të rreptë nga Ambasada e SHBA-ve dhe institucionet e specializuara të BE-së.

Më gëzoj lajmi që mësova nga analiza e Xhafer Shatrit për këtë akuzë dhe për këtë proces se, ajo qenka tashti objekt trajtimi edhe nga një prej kabineteve më të njohur të avokatëve të Zvicrës, sipas gjasave, i angazhuar nga një institucion ndërkombëtar.

Zonja kryetare e Trupit Gjykues,

Të nderuar anëtarë të Trupit Gjykues,

Përveç arsyeve që i theksova më lart, të cilat i kanë shërbyer Prokurorisë për ngritjen e aktakuzës, më lejoni që përmbledhtas t’i sjell edhe tri arsye shtesë pse sot jam këtu para trupit gjykues: Siç mund të konkludohet qartë në trajtesat e publikuara brenda dhe jashtë, unë kam shprehur pikëpamjet e mia që dallojnë esencialisht nga mendimi politik i etabluar për historinë politike moderne të Kosovës, veçanërisht në këto tri dekadat e fundit, e që ndërlidhen me të vërtetën mbi LPK/UÇK-në. Ndërkohë kisha paralajmëruar se jam duke mbledhur materiale faktike si referenca shkencore bazë, që do të më shërbenin për librin e ri, që po e mbarështroja për historinë politike të Kosovës.

Në qarqet akademike, këto vitet e fundit, isha aktiv në tryeza shkencore e tribuna tjera, ku objekt trajtimi ishte e ardhmja politike e Kosovës dhe e shqiptarëve në proceset integruese evropiane. Arsyeja pse ftohesha dhe isha pikë reference nuk ishin vetëm prononcimet e mia në media, por mbi të gjitha bazë ishte teza ime e disertacionit, që në nëntor të 2016-tës është publikuar si libër, me titullin “Federata Shqiptare”, nga Instituti për Studime Politike “Albanica” i Lubjanës, nën drejtimin e mikut tim Dr. Martin Berishaj, profesor në Universitetin e Lubjanës, që ishte edhe njëri nga recensentët e librit.

Autonomia e Kosovës që u sanksionua me Kushtetutën jugosllave të vitit 1974, thekson Prof. Ukshin Hoti, “ishte në të vërtetë refleksion i ndeshjes së dy politikave globale, pas të cilave qëndronin dy shoqëri globale…”

Edhe Republika e Kosovës si një surrogat politik sui generis, me kufizime të sanksionuara në Kushtetutë, siç imponon Grupi i Kontaktit, rezulton të jetë produkt i aktit final të përplasjeve të këtyre dy politikave globale të shekullit XX. Në fakt, këto përplasje të karakterit të pastër gjeopolitik, siç thekson Henry Kissinger, duke rikthyer influencën e Perëndimit dhe duke e mundësuar SHBA-ve të zëvendësojë e të kryejë “të njëjtat funksione që patën kryer perandoritë austriake dhe osmane në fund të shek. XIX, të ruajtjes së paqes, duke ngritur protektorate…” në rajon, natyrisht për ta mbajtur Serbinë sa më larg ndikimit rus, pra kjo përplasje e këtyre politikave, nuk përjashtohet se në rrethana të reja mund të rikthehet në skenë, ndërkaq këto përllogaritje të karakterit strategjik nga Serbia imponojnë mbajtjen e Kosovës edhe më tej si shet jofunksional. Këtë unë e kisha të qartë, jo thjesht dhe vetëm si rezultat i studimeve në këtë fushë, por edhe nga kontaktet e para që kisha me diplomatët zviceranë e gjermanë në prag të Konferencës së Rambujesë, me ç’rast kisha mësuar mbi arsyet reale përse UÇK ishte lënë pa kokë politike.

Insistimi im pararendës, në njërën prej mbledhjeve të Shtabit Mobilizues të UÇK-së për Zvicër, për krijimin urgjentisht të Drejtorisë Politike. nuk u vlerësua drejt nga Kryesia e atëhershme e LPK-së, ndërkaq nga grupi që sot është në krye të PDK-së dhe rrjedhimisht edhe në krye të Republikës, u keqpërdor në masën më të madhe të mundshme si ide për ta futur UÇK-në tërësisht nën kontroll. Sot, veriu i Kosovës, tutje, mbetet pengu më objektiv i vazhdimit të përplasjeve të atyre dy politikave globale me karakter të theksuar gjeopolitik, që e sollën dhe po e mbajnë në pushtet këtë garniturë pushtetarësh, ndërkaq unë jam shndërruar në peng politik, nga një qytetar dhe intelektual aktiv që isha, duke u identifikuar kështu me fatin e Republikës.

Të nderuar anëtarë të Trupit Gjykues,

Ndërkohë po bëhet plot 28 muaj që kur jam privuar lirie dhe mbahem në paraburgim. Ju besoj se jeni koshient se kështu keni cenuar rënd Kushtetutën dhe me vendimin e njëpasnjëshme për zgjatje të paraburgimit dhe zvarritje të procesit, keni cenuar edhe Konventën Evropjane për të drejtat e njeriut. Me këto veprime është goditur besimi i qytetarëve në gjygjësorin dhe drejtësinë.

Më ndjeni që ju kujtova këto fakte të natyrës jo vetëm Juridike dhe, ju lus për mirëkuptim edhe për pak minuta, sa do të zgjasë fjala e ime, duke ju kërkuar vëmendjen tuaj.

Politokologët Amerikani Steven Levicky dhe Daniel Ziblatt, që zyra në gojë edhe më lart, e vënë pikën mbi i, kur konstatojnë me dhimbje se ,, Demokracia duket të jetë në rrezik gjithandej, madje edhe atje ku konsiderohej s’i e vetëkuptueshme”.

,, Nëse ne nuk dalim nga kjo krizë, që e ka vënë në pikëpyetje zhvillimin e Demokracisë Evropjane, atëherë do të ketë gërmadha”.

Duke e kuptuar si duhet rrezikun që i kanoset Demokracisë, Filozofi Gjerman Dieter Thoma, në librin e ti të fundit me titull sinifikativ ,,Përse Demokracitë kanë nevojë për heronj”, që në hyrje të tij, potencon me bindje se, koha kërkon Heronjtë e vet.

Sipas Filozofit Thoma, janë heronjtë e Demokracisë ata që ,, Do të mund të ndihmonin për tejkalimin e krizës, jo duke e zhvilluar Demokracinë, por duke e forcuar atë”. Prandaj, përfundonai, koha,, Kërkon Heronjtë e Demokracisë”.

Më 6 Tetor blloku i Prekariatit (ajo armatë e tërë e të arsimuarve të teknokratëve të rinj dhe mërgata jonë) votuan për ndryshim; ata dëshmuan se janë heronjtë e mirëfilltë të Demokracisë sonë të brishtë.
Unë ju përulem atyre.
Pas kësaj shpërfaqje sublime të heroit kolektiv, po vije koha, kur edhe gjygjësori të ketë heronjtë e vetë të Demokracisë… si Gardian të Kushtetutës dhe Ligjshmërisë.

Zonja kryetare dhe ju anëtarë të Trupit Gjykues,

Më lejoni që në fund të fjalës sime të mbrojtjes të vë në pah 3 konkluzione që mendoj se mund t’u hyjnë në punë juve në marrjen e vendimit të drejtë, e që mund të jenë të dobishme edhe për sistemin e drejtësisë:

1. Me një gjykim objektiv, të drejtë dhe pa ekuivoke, duke e shpallur aktakuzën ndaj meje siç është — të motivuar politikisht, duke i dhënë fund persekutimit tim politik, ju do t’i bëni një shërbim të madh çlirimit të sistemit të drejtësisë nga mbetjet e UDB-së, por edhe nga injoranca profesionale dhe kapriçiot e klanit Pronto dhe përgjithësisht mafisë politike;

2. Me këtë akt të drejtësisë së çliruar nga politika, me shpalljen time i pafajshëm e i lirë, ju do t’i shërbeni drejtpërdrejt çlirimit të Gjyqësorit dhe me këtë edhe funksionalizimit të Republikës dhe rrjedhimisht do t’i hapni rrugë inaugurimit të shtetit të së drejtës;

3. Duke i dhënë fund këtij gjyqi farsë, ju do t’i jepni sinjal politikës se rregullatori i balancës së tri pushteteve po fillon së funksionuari dhe se Republika e lirë nuk duron tutje të burgosur politikë.

Ju Faleminderit!

Pallati i Drejtësisë/Prishtinë, 22 janar 2020

--

--

No responses yet