Rasti Marty dhe rëndësia e tij ndërkombëtare
Nga Andrea Mueller
Në fundjavë, Dick Marty e bëri të ditur publikun përmes televizionit zviceran RTS edicioni në frëngjisht se, po kërcënohej me vdekje nga shërbimi sekret serb; kjo është arsyeja pse ai është mbrojtur nga njësiti i ushtarëve elitë të Zvicrës, në shtëpinë e tij në Ticino për më shumë se një vit. Organet zvicerane të sigurisë e kanë konfirmuar këtë deklaratë të ish-prokurorit publik ndërkombëtar dhe Këshillit Federal të Shtetit.
Në Kosovë ky raport shkaktoi disa reagime të fuqishme. Në Zvicër interesimi për “rastin Marty” është i kufizuar. Në fakt, rasti Marty është një “histori” e madhe jo vetëm për Zvicrën dhe Kosovën. Ajo gjithashtu ka një dimension të rëndësishëm ndërkombëtar, madje edhe gjeostrategjik.
Disa çështje pararendëse:
Kryeprokurorja në gjykatën e OKB-së për ish-Jugosllavinë, Carla del Ponte, tashmë ishte përpjekur të provonte se UÇK-ja dhe udhëheqja e saj kishin kryer krime lufte dhe, në veçanti, kishin kryer tregti të gjerë të organeve nga serbët e kapur. Pavarësisht përpjekjeve të mëdha për të shmangur zemërimin e saj të madh, siç shkruan zonja Del Ponte në kujtimet e saj, ajo nuk ia doli.
Më pas Dick Marty rifilloi këtë hetim në emër të Këshillit të Evropës dhe më në fund paraqiti një raport mbi tregtinë (e paprovuar) të organeve dhe krimet e tjera të luftës të UÇK-së.
UÇK-ja dhe lidershipi i saj janë mbrojtur fuqishëm kundër këtyre akuzave dhe janë përpjekur të dëshmojnë se Dik Marti i kishte marrë të gjitha informacionet thelbësore nga dokumentet që shërbimi sekret serb i kishte shpikur dhe përpiluar në një “Libër të Bardhë”. Ish-ministri i Jashtëm i UÇK-së, Bardhyl Mahmouti, ka botuar një libër të tërë (“La grande imposture”) me argumente të forta. Në ndërkohë, gjithnjë e më shumë dalin në dritë prova të cilat vërtetojnë makinacionet e serbëve. Unë kam raportuar për këtë çështje më parë këtu në Contextlink.
Komuniteti ndërkombëtar më në fund arriti të sigurojë që shteti i ri i Kosovës të krijojë një gjykatë speciale në vitin 2015 për të hetuar akuzat. Edhe pse këto “Dhoma të Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar” është institucion i ngritur sipas ligjit kosovar, ai është i vendosur në Hagë, në Holandë. Nga Kosova nuk janë angazhuar as gjyqtarë e as prokurorë.
Në të vërtetë, në vitin 2020, prokurori special amerikan Jack Smith ngriti akuza kundër disa udhëheqësve të UÇK-së, duke pasuar me arrestimin e presidentit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi dhe bashkëpunëtorëve të tij kryesorë. Që atëherë, Thaçi&Co janë në burg, në Hagë, në pritje të gjykimit. Në zgjedhjet pasuese, në vitin 2021, partia e atëhershme qeverisëse PDK humbi presidencën dhe ish partia opozitare Vetëvendosje mori pushtetin.
Para së gjithash, shtrohet pyetja se përse aparati shtetëror serb ka dashur fare të vrasë Dik Martin. Në fund të fundit, dikush do të mendonte se serbët duhet ta konsiderojnë Dik Martin më shumë si mik, sesa armik. Në fund të fundit, hetimi i tij për “trafikimin e organeve” dhe raporti i tij përkatës në Këshillin e Evropës në vitin 2010, çoi në detyrimin e komunitetit ndërkombëtar që shteti i ri i Kosovës të ngrinte Gjykatën Speciale në Hagë, gjë që përfundimisht çoi në arrestimin e Thaçit&Co. .
Në përputhje me dëshirën e Serbisë, kjo ka dëmtuar imazhin e shtetit të ri të Kosovës, i cili akt nuk duhet nënvlerësuar. Hashim Thaçi u arrestua më 11 nëntor 2020. Disa javë më vonë, në dhjetor 2020, shërbimi sekret zviceran u vu në dijeni për atentatin e planifikuar serb ndaj Dik Martit. I vetmi shpjegim i besueshëm për urdhërin e vrasjes së aparatit shtetëror serb më duket interpretimi i dhënë nga vetë Dik Marti gjatë fundjavës: serbët supozuan se pas atentatit të gjithë do të besonin se vrasësit e Martit mund të ishin vetëm kosovarë. Sipas kësaj logjike, organet shtetërore serbe kanë lëshuar urdhrin e vrasjes menjëherë pas arrestimit të Thaçit&Co për të përforcuar imazhin negativ ndërkombëtar të UÇK-së dhe për të nënvizuar korrektësinë e arrestimit të lidershipit të saj politik.
Fakti që shteti serb vret njerëz (madje edhe të vetët) në mënyrë makiaveliste për t’ia lënë fajin armikut për vdekjen e tyre dhe për të nxjerrë përfitime propagandistike prej tyre, nuk është diçka e re dhe e panjohur për kosovarët.
Çfarë do të thotë zbulimi i komplotit serb kundër Dik Martit për gjyqin e ardhshëm në Hagë? A do të lirohet tani Hashim Thaçi&Co?
Vështirë se ka gjasa të ndodhë kjo. Jam i bindur se nuk do të jetë kështu. Kuptohet, mbështetësit e Thaçit janë të mendimit se kjo logjikisht duhet të ndodhë menjëherë, dhe ish bashkëpunëtorët e tij tashmë po bëjnë kërkesat përkatëse. Por, njerëzit e dinë se, trafikimi i organeve nuk luan fare rol në aktakuzën e prokurorit special dhe se provat e Dik Martit për të (në aktakuzë) nuk shfaqen fare. Siç duket prokurori special ato akuza i ka vlerësuar si jo rezistente. Gjatë hetimeve të tyre të gjera dhe intervistave të shumta, oficerët hetues të udhëhequr nga kryeprokurori Smith, me sa duket, gjetën aq shumë materiale të tjera inkriminuese, saqë një aktakuzë justifikohet, ose më kuptimplotë, ata supozojnë se do ta fitojnë gjyqin para gjykatës dhe Thaçit & Co, meqë konsiderojnë se ata janë fajtorë.
Përveç aspekteve thjesht ligjore, çështja Marty ka gjithashtu rëndësi dhe ndikim të madh politik:
Natyrisht, kjo është e rëndësishme për Kosovën në radhë të parë: pozita e Hashim Thaçit dhe ajo e partisë së tij PDK është forcuar me rastin e publikuar Marti. Edhe për shumë njerëz jashtë PDK-së, kjo dëshmon se akuzat kundër Hashim Thaçit & Co janë të rreme, të shpikura nga serbët për të diskredituar të gjithë lëvizjen çlirimtare në fund të viteve 1990 dhe për t’i mohuar Kosovës të drejtën e shtetësisë.
Edhe nëse Thaçi&Co nuk lirohet, pritet që PDK-ja të forcohet sërish në zgjedhjet e ardhshme. Jo rastësisht, ish-partia opozitare tashmë në pushtet Vetëvendosje, ka reaguar me shumë kujdes ndaj lajmeve nga Zvicra.
Çështja Marty ka një rëndësi politike edhe për Zvicrën. Është koha e fundit që pretendimet dhe paragjykimet e pothuajse të gjithë kosovarëve, se raporti i Dik Martit në Këshillin e Evropës mbi trafikimin e organeve bazohej kryesisht në të dhëna dhe histori të fabrikuara nga shërbimi sekret serb, më në fund të marrin një hetim të plotë. Zvicra i detyrohet opinionit zviceran — dhe jo vetëm kosovarëve — që të bëjë sqarim të mirëfilltë të rolit që kishin dy nga prokurorët publikë zviceranë, Del Ponte dhe Marty, në luftën e Kosovës dhe rreth saj.
Megjithatë, çështja Marty ka gjithashtu një dimension ndërkombëtar, nëse jo gjeostrategjik që deri më tani nuk është vënë re publikisht — jo më pak në lidhje me luftën ruse në Ukrainë dhe një riorganizim të mundshëm të Evropës pas përfundimit të luftës:
A do të arrijë Evropa, Serbia, e cila është plotësisht e varur ekonomikisht nga Evropa, ta ndajë atë nga sfera e ndikimit të Rusisë dhe ta integrojë atë në strukturat perëndimore (BE, NATO)?
Ka pasur zëra për javë të tëra se, presidenti serb Vuçiç ka spekuluar për negocimin e një marrëveshjeje me fuqitë perëndimore dhe atë me mbështetjen e Hungarisë: Serbia është e gatshme të kalojë në anën e kampit perëndimor nëse merr në këmbim Kosovën veriore dhe Republikën Srpska (Bosnjë).
Por politikisht, kush në Evropë mund t’ia lejojë vetes të akomodojë një shtet të mjerë si Serbia, brenda familjes së shteteve perendimore, kur ka dëshmi se ajo nuk i shmanget vrasjes së liderëve perëndimorë si Dik Marti për arsye makiaveliane?
Të njohurit e mi kosovarë më tregojnë gjithashtu se shërbimet sekrete serbe dhe ruse vazhdojnë të kenë lidhje shumë të ngushta. Dhe sigurisht Rusia ka çdo interes që ta largojë Serbinë nga Evropa sa më shumë që të jetë e mundur dhe kështu ta mbajë atë brenda sferës së saj të ndikimit.
Dhe pastaj mbetet pyetja pse Dick Marty tani po e bën publik kërcënimin serb:
Kushdo që e ka parë filmin në TV e Zvicrës Perendimore në gjuhën frënge, në të cilin Dick Marty përshkruan situatën e tij, dyshon se 77-vjeçari tashmë është duke kërkuar thjesht një rrugëdalje nga izolimi dhe mbrojtja. Ai dëshiron, për shembull, të jetë në gjendje të shëtisë shlirë e përsëri qenin e tij në zonën e afërt. Natyrisht, Dick Marty nuk e ka bërë njoftimin e tij publik pa u konsultuar me forcat zvicerane të sigurisë që e kanë mbrojtur deri më tani.
Ajo që më duket më e besueshme është se, u arrit në përfundimin se bërja publike e kërcënimit serb ishte për sigurinë e Martit. Prandaj, kërcënimi me vdekje nga ana e serbëve është tashmë praktikisht i vjetëruar. Shteti serb nuk mund të jetë më i interesuar për vrasjen e Marty-t, sepse tani ai do t‘i kthehej si bumerang vetë Serbisë.
Megjithatë, ende mund të ngrihet pyetja se pse Marty dhe autoritetet e sigurisë vetëm tani po raportojnë për kërcënimin dhe pse autoritetet zvicerane nuk kanë bërë përçapje tek mediat në Beograd — betejën mediatike për të denoncuar monstruozitetin serb dhe ashtu ta marrin në mbrojtje edhe yllin e tyre të vjetër z. Marty, por për ta shpëtuar atë meqë për muaj ai kishte jetuar në ankth, duke kaluar në izolim të plotë.
Përditësimi më 12 prill 2022:
Ndërkohë, shërbimi sekret serb BIA mohon të ketë dhënë urdhër për vrasjen e Dik Martit. Dy mendime për klasifikimin:
Një mohim zyrtar nga shërbimi sekret nuk do të thotë se informacioni nuk është i saktë. Por:
Dick Marty brenda shërbimit sekret zviceran gjithmonë ka folur për “qarqe të caktuara të shërbimit sekret serb” që kanë urdhëruar vrasjen; d.m.th qarqe brenda shërbimit sekret serb që janë të gatshëm dhe të aftë të veprojnë pa pëlqimin zyrtar të udhëheqjes dhe gjithashtu kundër interesave të tyre.
Siç mësohet sot, Dik Marti do të vazhdojë të mbrohet nga policia zvicerane. Forcat zvicerane të sigurisë padyshim nuk ndajnë vlerësimin tim në artikullin e mësipërm se kërcënimi për Dick Marty nuk ekziston më me zbulimin e tyre.
Unë vetëm mund të spekuloj se pse. Por unë nuk dua ta bëj këtë këtu tani.