Republika autonome e tipit rus

Sadri Ramabaja
5 min readFeb 22, 2024

Modeli i projektuar i Republikës autonome nga Ivan Stambolliqi me shokë (ku bënte pjesë edhe Azem Vllasi), kishte gjasa reale të ishte i pranueshëm si për Moskën, ashtu edhe për Uashingtonin, por gjithsesi me këtë projekt do të kënaqej edhe Brukseli.

Dokumentet arkivore do të hedhin dritë mbi faktorët që ndikuan në dështimin e atij projekti, që duhet të jetë hartuar nga akademikët e krahut të nacionalistëve të matur të ASHA-së të Serbisë, që angazhoheshin njëkohësisht edhe për ruajtjen e Jugosllavisë.

Por, a mund të ruhej Jugosllavia më tej si një tamponzonë, kur blloku rus pritej të shembej dhe ribashkimi i Gjermanisë tashmë ishte bërë akt i kryer?

Dukej që krahu i nacionalistëve konservatorë serbë, të mbështetur edhe nga Kisha, meqë e kishin të qartë se shpërbërja e Jugosllavisë, tashmë kur Lufta e Ftohtë po luante epilogun e saj, e bashkë me të do të pushonin edhe arsyet e natyrës gjeopolitike të mbijetesës së Jugosllavisë, do të përqendrohen në dy fronte njëkohësisht: i pari, që kishte të bënte me krijimin e rrethanave politiko-ushtarake, duke sjellë opinionin para aktit të kryer, që do të garantonte ruajtjen e Kosovës si “Zonë të interesit jetik nacional serb” dhe, në frontin e dytë, që kishte të bënte me zgjerimin e Serbisë në Perëndim, drejt Bosnjës.

Perandoria Austro-Hungareze tashmë mungonte, që ta pengonte këtë objektiv të kahershëm serb (1875), të zgjerimit serb drejt Perëndimit. Shtabmadhoria Serbe në këtë kthesë epokash gjykonte se Kosovën e kishte në dorë tashmë, prandaj me urgjencë ata do t’i jepnin fund statusit formal të autonomisë (23 mars 1989, duke intensifikuar dealbanizimin (në radhë të parë në rrafshin demografik). Në këtë rrafsh, Beogradi do të shënonte rezultate në dy nivele: së pari, duke i lënë terren të lirë LDK-së për mirëmbajtjen e “Piramidës mashtruese” përmes “tolerimit” të të ashtuquajturit “shtet paralel” në fushën e arsimit, atë sociale e humane. Ndërkaq, në planin tjetër, duke nxitur e stisur shpërnguljen masive të të rinjve. Brenda disa vitesh, sidomos gjatë dekadës së fundit të shek. XX, Kosovën do ta lënë mbi 500 000 veta, shumica dërmuese djem të rinj, duke e lënë, siç do të thoshte Fishta, Kosovën n’vasha!

Përgjigjja e pyetjes se përse ndodhi çarja e thellë mes institucionalistëve dhe kriptoelitës pas demonstratave të viti 1981, duhet kërkuar brenda tri rrymave ekzistuese të institucionalistëve:

- rrymës së parë, që identifikohej me Fadil Hoxhën, e strukturuar brenda Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, por që shquhej për një lloj sensi të nacionalizmit institucional, e që shpërfaqej me idealin për zhvillimin kombëtar të Kosovës, gjithmonë pa dalë nga kornizat e sistemit jugosllav;

- rrymës së dytë, e strukturuar fuqishëm brenda Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, që prihej nga Ali Shukriu, i njohur si reaksionar e kolaborator i bindur ndaj Beogradit, prandaj ajo do të gëzojë mbështetje të fuqishme nga Beogradi përgjatë gjithë periudhës 1981–1989, duke gëzuar privilegje të theksuara.

- Ndërkaq, me kalimin e kohës do të krijohet rryma e tretë, që për ideator kishte Azem Vllasin, i cili, në koordinim me Ivan Stambolliqin, kryetarin e Lidhjes së Komunistëve të Serbisë për një periudhë të gjatë, do të angazhoheshin për ngritjen e statusit të Kosovës në një tip miksi, as autonomi e as Republikë, siç ishin ca të ashtuquajtura Republika autonome në Bashkimin Sovjetik.

Azem Vllasi në të gjitha analizat serioze politike dhe studimet për historinë politike të Kosovës, pa mëdyshje, nga i gjithë eshaloni i titistëve kosovarë, do të vlerësohet si pjesëtari më sharlatan i asaj nomenklature. Në bisedat private që pata me Mahmut Bakallin përgjatë kohës kur të dy ishim të angazhuar në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, ai si këshilltar politik, ndërsa unë si zyrtar i lartë për Çështje Politike, kur kryeministër ishte Ramush Haradinaj (mandati i parë), ai e cilësonte me fjalorin më pezhorativ të mundshëm. Ndërkaq, për ne, brezin e mesëm, që i mbajmë mend paraqitjet e tij publike nën petkun e komunistit jugosllav, intelektualisht pak dallonte nga Ali Shukriu.

Në rrafshin politik, secila analizë e mirëfilltë, duke pasur parasysh teoritë politike moderne të analizës, do ta shpërfaqte si njërin nga arrivistët dhe politikanët më të ulët të Kosovës së viteve 1970-’80, rrjedhimisht edhe tejet të rrezikshëm për fatin e Kosovës. Ai na rezultonte shumë i ngarkuar ideologjikisht si një nga titistët më fanatikë, ndërkaq, në përcaktimin e tij politik prej kuislingu, atij mund t’ia kalojë vetëm Sinan Hasani dhe Ali Shukriu[1].

_______________

Shënim
Po sjellim një dëshmi konkrete nga një përballje atipike, në një nga zyrat e burgut të Vrajës, me Ali Vllasin (vëllai i Azemit që ishte hetuesi im kryesor), Ramadan Sermaxhajn dhe Daut Morinën.

Ishte diku fillimi i marsit i vitit 1985. Një i ftohtë i thatë, sikur donte ta mbante tutje pushtetin e acarit të atij dimri që kishim lënë prapa. Zyra ku më prisnin që të tre ish-UDB-ët sadistë shqipfolës, në krahasim me qelinë ku isha, ishte e ngrohtë dhe plot dritë. Vazhdimi i marrjes në pyetje dukej se ishte më shumë shenjë e mbylljes së kapitullit të hetimeve me një varg ish-të burgosurish të dhjetorit 1984 dhe janarit 1985, me të cilët hetuesit kishin supozuar se mund të isha i ndërlidhur, sesa një çështje rutinë e UDB-së. Meqë shokët e burgosur gjatë valës masive të arrestimeve që kishin ndodhur, nuk kishin folur, çdo gjë ishte mbyllur, ashtu siç nuk e priste Ali Vllasi, prandaj stili i komunikimit me mua kësaj radhe ishte disi më “i përgjegjshëm dhe më intelektual”! Mungonin shkopinjtë e gomës dhe ombrella elektrike, që kishte përdorur për më se nëntë muaj hetime intensive, sa kisha kaluar në Gjilan e Vrajë, gjatë periudhës prill-dhjetor 1983.

– E di se ti na cilëson si kuislingë, tradhtarë e çka jo, — filloi Ali Vllasi ligjëratën tij bukur të gjatë. — … Por një gjë mund të ta garantoj, — u shpreh nga fundi i fjalës së tij: — Ne do të fitojmë dhe do ta udhëheqim Republikën tonë autonome në vitin 1989. Juve, të burgosurve politikë, do t’ju mbajmë në vështrim dhe përherë do të jeni të shtypur e të përndjekur, madje ca prej jush edhe nëpër burgje përjetësisht. Përndryshe, në Republikën që do të udhëhiqni ju, unë as që do të pranoj të jetoj. Do të shkoja e të kërkoja azil politik në Rumani, e në Republikën tuaj nuk do të jetoja!

- Është çështja juaj se ku zgjidhni të jetoni e si do të jetoni, si shqiptar, respektivisht qytetar i rendit të parë, apo si vasal e shërbëtor i përhershëm, — ia ktheva unë.

Në këtë rast reagoi Daut Morina me një fjalor të pisët, duke më fyer si rrugaçët tipikë të Gjilanit. Më kujtohet se vetëm me ndërhyrjen e Aliut u ndal dhe e mbylli atë maskaradë banale me shprehjen: “Çka po kujton, bre, ti, se mua më ka ba k… i Stojanit, a? Po, edhe unë jam shqiptar!”

Ndërsa po kthehesha në qeli, mendjen e kisha te “Republika autonome” që paralajmëroi Ali Vllasi dhe vitin 1989.

Në momentin e përshtatshëm njoftova Emin Krasniqin dhe bëmë një diskutim rreth ca informacioneve që atij i kishin ardhur nga baca Metush (Krasniqi).

Ma pohoi si fakt dhe informacion të verifikuar çështjen e Republikës autonome të tipit rus. Dhe dolëm në përfundimin se nomenklatura titiste në Kosovë, në bashkëpunim me Rusinë, po përgatitej për ngritjen e statusit të Kosovës në një tip të “Republikës autonome”, siç i kanë disa republika në Rusi:” E reja, — e mbylli diskutimin Emini, — qenka fakti se ata e paskan shënjuar një vit se kur do të fillojnë të angazhohen për ta kurorëzuar këtë projekt B”.

--

--