“REPUBLIKA SRPSKA” ANTE PORTAS
Zajednica është shndërruar në çështje tejet tunduese dhe si e tillë ajo paraqet një kryq kalvari tepër të rëndë në qafën e Kosovës. Prandaj ajo nuk shmanget dot, duke gjuajtur gurë mbi shpinën e Lajçakut dhe duke demonizuar BE-në. Kërkesa për ndryshimin e Biblës, alias kushtetutës, është preteks për bllokimin e dialogut, fajsimin e palës shqiptare dhe penalizimin e saj nga Brukseli. Bllokimi si akt politik, po, mund t’ ju hyjë në punë agjendave serbe për ruajtjen edhe për kohë të pacaktuar të status quo-së.
Shkruan: Dr Sadri Ramabaja
I ngarkuari i BE-së për dialogun Mirosllav Lajçak së fundmi ishte për vizitë pune në Prishtinë dhe më pas vazhdoi turin e tij në Beograd.
Mirosllav është diplomat karriere. Ai në pozicionin që ka, është zëri i Komisionerit të BE — Josep Borrell — Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe Nënkryetar i Komisionit Evropian.
Josep Borrell, ish Ministri i Jashtëm i Spanjës, mori detyrën si Përfaqësues i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe Nënkryetar i Komisionit Evropian, i kryesuar nga Presidenti i ri Ursula von der Leyen.
Këta dy emra e dëshmojnë se në postet më të larta të BE-së janë përfaqsuesit e dy poleve që sot kanë fjalën e fundit në BE.
Poli që Lajçak përfaqëson, duket qartë, ka për objektiv revizionimin për aq sa është e mundshme të asaj që kishte ndodhur gjatë viteve të luftës në Kosovë dhe sidomos gjatë procesit të krijimit të Republiës së dytë shqiptare në truallin e Shqipërisë natyrale. Ky pol ia kishte arritur që të imponojë një kushtetutë që e bën Kosovën jofunksionale. Kosovës, sipas kësaj fryme, i ishin imponuar përveç Pakos së Ahtisarit, edhe tri aktet kapitulluese, që i ksihin nësnshkruar radhas përfaqësuesit e Republikës sonë:
- Marrëveshja e 19 prillit të vitit 2013, e nënshkruar nga ish kryeminsitri Hashim Thaçi, aktualisht president i Republikës, ku ravijëzohej projekti për themelimin e Bashkësisë së komunave serbe, respektivisht Zajednicës.
- Plani për zbatimin e marrëveshjes, po ashtu i “negociuar” dhe i nënshkuar nga ish kryeministri H.TH.;
- Edhe kryeministri pasues, fusheja shqiptar, Isa Mustafa, në përputhje me obligimet shtetërore, ka nënshkruar më 2015 marrëveshjen pasuese, plotësim i të parës, përmes së cilës i vihen themelet ZAJEDNICËS.
- Në këtë linjë të veprimeve anti-shtet, vije kurora e turpit historik: ratifikimi i këtyre marrëveshjeve nga ana e Kuvendit të Republikës.
Lajçak duket se në Prishtinë ua ka kujtuar këto fakte bashkëbiseduesve, ndërkaq kur vajti në Beograd, e bëri të qartë se ai mbetet jo thjeshtë e formalisht përfaqësues i BE, por më shumë përfqësues i polit të shteteve mbështetëse tradicionale të interesave serbe në rajon. Ai ua kujtoj olhokratëve tanë se, dega në të cilën ata varin shpresat, për të shmangur krijimin e Zajednicës nuk i mban dot. Fundja, lidhur me vleresimin e Gjykatës Kushtetuese për perputhshmerinë e parimeve qe permban dokumenti i titulluar “Asociacioni/Bashkesia i komunave me shumice serbe ne Kosovë — Parimet e pergjithshme/Elementet kryesore”, ua rikujton se edhe ai vendim nuk hedhë poshtë idenë bazë për krijimin e Zajednicës. Ndërkaq kornizat e kushteturtës së Republikës sonë që Lajçak nuk e njeh, meqë nuk mundësojnë krijimin e Zajednicës sipas konditave serbe, atëherë duhet ndryshuar ato (kornizat e kushtetutës)! Kushtetuta, u shpreh ai, nuk është Bibël!
Serbia dhe filiala e saj — Lista serbe në Kosovë, insistojnë për krijimin urgjent të Zajednicës. Kryetari i kësaj të fundit, që është edhe zëvendëskryeministër i Kosovës (sic!),nga olimpi serb, paralajmron qeverinë Hoti se, nëse ajo nuk është e gatshme të ecë në këtë plan, duke filluar negociatat pikërisht me këtë rend dite, ata do ta braktisin qeverinë. Kryeministri ilegjitim Avdullah Hoti, përsëritë sa e sa herë se: “Asociacioni do të krijohet, por pa kompetenca ekzekutive”!
Vallë, a i beson ai deklaratës së vet?!
I fundit, në këtë debat, foli megjithatë Lajçaku; ai tha se Asociacioni do të bëhet, e për statusin e tij do të negociohet në Bruksel.
Me këtë rast, ia vlen t’ i kujtojmë diplomatit Lajçak se, kjo deklaratë, de fakto, e shpërfaqë atë plotësisht të njëanshëm dhe rrejedhimisht, dialogun e bën të rrëshqas tutje drejt të vetmes alternativë: status quo ose dështim i plotë.
Faktin se kushtetuta nuk na qenka Bibël, Lajçaku do të duhej t’jua kujtonte para së gjithash nikoqirëve në Beograd. Ka disa arsye bazike se, përse de fakto do të duhej ndryshuar pikërisht Bibla serbe, alias Kushtetuta e Serbisë. Aty, përveç tjerash, në preambulën e saj, thuhet taksativisht për Kosovën:
“Bazuar ne traditën shtetërore të popullit serb dhe barazisë së gjithë qytetarëve dhe bashkësive etnike në Serbi; bazuar në faktin qe Krahina Autonome e Kosovës dhe Metohisë është pjesë përbërëse e Serbisë, pra se ka pozitën e saij si pjesë përbërse e shtetit sovran të Serbisë dhe se nga kjo pozitë Krahina Autonome e Kosovës, organet e saj si dhe të gjitha organet shtetërore kushtetuese, kanë obligime dhe detyra të mbrojnë interesat shtetërore të Serbisë në Kosovë dhe Metohi në të gjitha mardhëniet politike të brendshme e të jashtme“.
Ndërkaq në kapitullin e shtatë të kushtetutës serbe, Kosova trajtohet si pjesë organike e saj në shtatë nene të veçantë.
Kush do të duhej ta ndryshonte kushtetutën në këtë rast?
Zoti Lajçak, Kosova nuk kthehet dot në kthetrat e Serbisë, tek statusi kolonial, siç ishte deri në qershor 1999. Është pikërisht lufta e UÇK-së dhe ndërhyrja e demokracive perendimore përmes mekanizmit të saj të sigurisë — NATO-së, që e bëjnë të pamundur realizimin e projektit tuaj. Ndërkaq realizimin e Srbska Republikës në veri të Ibrit, si prolog për ndarjen e Kosovës dhe me këtë, zhbërjen e Republikës, sot e bën të pamundur vetë populli. Mos harroni, ai ka shijuar tashmë lirinë dhe për disa muaj madje edhe qeverisjen e mirë të Republikës.
Por, sidoqoftë, shqiptarët duhet të të jenë mirënjohës për këtë deklaratë. Ju vetëm sa artikuluat atë që de fakto keni shestuar ta shfrytëzoni si mjet presioni, dhe atë tok me hartuesit e projektit për ndarjen e Kosovës. Zatën, janë pikërisht ata që sot luajnë rolin e gardianit të kushtetutës dhe janë shndërruar në denoncuesit më të madhenj të Zajednicës, që popunojnë për ndarjene Kosovës!
E qartë, Thaçi dhe C0 nuk e kundërshtojnë sot Zajednicën nga pozicionet parimore, siç do të duhej ta bënin.
Zajednica është hapi i parë drejt bosnjizimit të Republikës, defunksionalizimit të saj. Duket se ky kundërshtim tani bëhet në dobi të variantit të trumpetuar gjatë gjithë vitit 2018 - atij për korigjimin e kufijve, respektisvisht aneksimin e veriut Serbisë.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në raport me Marrëveshjen e vitit 2013 dhe atë të vitit 2015, e të miratuar nga Kuvendi i Kosovës me dy të tretat e votave, nuk e nulifikon Zajednicën. Përkundrazi, ai vendim e obligon Kosovën për realizimin e Bashkësisë Serbe, që d.t.th. duke marrë në konsideratë që ajo të mos ketë kompetenca ekzekutive që do ta shndërronin Zajednicën në Republika Serbska, respektivisht Shtet në shtet.
Kjo çështje është tejet tunduese dhe paraqet një kryq kalvari tepër të rëndë në qafën e Kosovës. Si e tillë nuk zgjidhet dot duke gjuajtur gurë mbi shpinën e Lajçakut dhe duke demonizuar BE-në në tërësi. Deklarata mbi domosdonë e ndryshimit të Biblës, alias kushtetutës, është truk diplomatik, për alibin mbi “arsyet” e blokimit të dialogut. Ky bllokim do ët shfrytëzohet si preteks për fajsimin e palës shqiptare dhe penalizimin e Kosovës nga Brukseli. Bllokimi i dialogut, duke fajsuar palën shqiptare, po, mund t’ ju hyjë në punë agjendave serbe për ruajtjen edhe për kohë të pacaktuar status quon. Kaq.Por status-quaoja nuk i ndimon as BE-së.
Prandaj në pyetje është guximi qytetar, veprimi qytetar i koordinuar me aksione të mirëfillta politike, jo performanca kuazipolitike e debate koti.
Nëse duam ta ruajmë Republikën, atëherë këtë qeveri duhet dërguar në histori.