Samiti i paqes në Jeddah konfirmoi se lufta vazhdon tutje
Doktrina sovjetike e paisur edhe me elementet e doktrinës Gerasimov, nëse nuk çon në fitore më të përshpejtuar, ka rrezik që luftën ta kthejë në një konflikt të stërzgjatur pozicional me pak shanse për fitore. Në këtë rast Putini mund të pësojë goditje të imazhit dhe doktrina në fjalë fiasko deri në shkërmoçje.
Nga Dr Sadri RAMABAJA
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky këto ditë, derisa ofenziva ukrainase për çlirimin e territoreve të okupuara po vazhdon, por pa ndonjë rezultat domethënës, njoftoi për mundësinë e hapjes së negociatave me Rusinë këtë vjeshtë që po vjen, madje si pjesë e një samiti të drejtpërdrejtë të Rusisë dhe Ukrainës.
Sipas njohësve të zhvillimeve të reja në që të dy frontet: në atë të diplomacisë dhe në betejat e përditshme mes dy ushtrive, siparin e këtij samiti të pritshëm mund ta sinjalizojnë bisedimet e planifikuara të paqes të mbajtura në fillim të gushtit në Arabinë Saudite, pavarësisht se në këto bisedime pala ruse nuk është e ftuar.
Ukraina dhe aleatët e saj nga takimi në Jeddah i këshilltarëve për siguri kombëtare dhe i zyrtarëve të tjerë të lartë nga rreth 40 shtete, prisnin të arrinin ujdi para së gjithash për parimet e përfundimit të luftës, raportoi gazeta “The Guardian”.
Para takimit në Jeddah, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski ka bërë publik gadishmërinë e tij për të hapur portat për negociim për ët ardhmen dhe paqen. Por në takimin e organizuar në Jeddah, ku për habinë e Moskës mori pjesë edhe një delegacion kinez në krye të të cilit është emisari i posaçëm për çështje të Euroazisë, Li Hui, u tha qartë se nuk do të ketë paqe derisa Rusia të tërhiqet nga e gjithë Ukraina, përfshirë Krimenë.
Vjeshta është afër, por ka ende kohë për t’u përgatitur për samitin e paqes dhe për të përfshirë shumicën e vendeve të botës — shtoi Zelenski. Ai dhe ekipi i tij, është raportuar, po punojnë me aleatët për të gjetur mbështetje të gjerë politike për një “samit të paqes në vjeshtë” që synon t’i japë fund luftës së gjithanshme të nisur nga Rusia në shkurt 2022.
“Unë pres që biseda të jetë e vështirë, por prapa nesh është e vërteta, prapa nesh është mirësia”- tha të premten vonë Andriy Yermak, shef i zyrës së presidentit Volodymyr Zelensky dhe emisar i tij në bisedimet e paqes në Arabi Saudite.
Dhjetë pikat e Ukrainës si parakusht për paqe
Me takimin e paqes në Jeddah, Arabia Saudite, Ukraina dhe aleatët e saj në fakt po përgatisin diplomacinë e vendeve mbështetëse për kushtet për paqë të vendosura nga Ukraina në dhjetë pikat e njohura që ka përcaktuar Presidenti Zelensky për negociatat e mundshme me Rusinë.
Le të kujtojmë se nga fundi i vitit të kaluar, pasi Ukraina kishte pranuar ndihma të mëdha ushtarake dhe financiare nga Perëndimi dhe arritjes së sukseseve domethënëse në fushën e betejës, Kievi, kishte formuluar kushtet e tij për negociata të mundshme, të cilat, siç tha Zelensky, bazohen në të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e OKB në 10 pika.
Dokumenti përmban këto pika:
1. Vendosja e sigurisë bërthamore në atë mënyrë që ushtria ruse të tërhiqet nga zona e termocentralit bërthamor Zaporizhia;
2. Sigurimi i eksportit të drithërave të Ukrainës;
3. Vendosja e sigurisë energjetike duke vazhduar kufizimin e çmimeve të produkteve ruse të energjisë;
4. Ndalimi i sulmeve ruse në infrastrukturën e energjisë elektrike dhe krijimi i kushteve për mbrojtjen e saj;
5. Lirimin e të gjithë të burgosurve për çdo arsye që janë në duart e Rusisë dhe kthimin e fëmijëve të marrë nga territoret e pushtuara.
Përveç këtyre, Ukraina ka vendosur kushte që nuk mund të jenë objekt negociatash, konkretisht:
6. Kthimin e të gjitha territoreve të Ukrainës, duke përfshirë Krimenë dhe të gjithë rajonin e Donbasit;
7. Tërheqjen e trupave ruse nga territori ukrainas në tërësi dhe ndërprerjen e armiqësive së bashku me rivendosjen e kontrollit ukrainas mbi të gjithë kufijtë e Ukrainës me Rusinë;
8. Gjykimi i kriminelëve të luftës dhe krijimi i një gjykate speciale për ndjekjen penale të krimeve të luftës ruse;
9. Parandalimi i ekocidit dhe mbrojtja e mjedisit me fokus në çminimin dhe restaurimin e impianteve të trajtimit të ujit;
10. Parandalimi i rikthimit në konflikt dhe ndërtimi i një strukture sigurie euroatlantike që përfshin garanci për Ukrainën.
Ndërkaq parakushti përmbyllës për këtë marrëveshje të paqes, sipas Ukrainës në fund vije: Krijimi i një dokumenti me shkrim që konfirmon përfundimin e luftës që do të nënshkruhet nga të gjitha palët.
Doktrina amerikane përballë asaj ruse në terrenin e luftës
Administrata e presidentit amerikan J.Biden-it me kohë ka adoptuar politikën e dërgimit të armëve të avancuara me vlerë marramendëse dollarësh në Ukrainë, me idenë dhe bindjen se kështu do t’ia arrijnë ta dobësojnë Rusinë dhe me shpresën e një fitoreje të Ukrainës.
Lufta në Ukrainë ka qenë gjithmonë një luftë ndërmjetëse midis NATO-s dhe Rusisë, megjithëse po zhvillohet në tokën ukrainase, dhe megjithëse përfshin vuajtje të mëdha për popullin ukrainas. Lufta po bëhet gjithnjë e më shumë një konfrontim i drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, të dyja fuqi të armatosura bërthamore.1
Por duket se në përballje mes dy doktrinave ka diçka që nuk ka funksionuar.
Ish-analisti i CIA-së, Ray McGovern në një intervistë për media2 pohon se për rrjedhat e luftës në Ukrainë presidenti Biden është keq-informuar për luftën. Sipas tij Rusia nuk është duke humbur, duke rikujtuar me këtë rast një deklaratë të Medvedevit, tek pohonte se “Rusia nuk do të humbas asesi”, pasi nëse ne humbasim, atëherë do përdorim armët nukleare.
McGovern po ashtu në këtë intervistë, rrëfen se si strategjia ruse është duke arritur objektivat e saj deri në Dnjepër.
Të njetat ndeshtrasha, në mos edhe më të rënda po pëson edhe doltrina ruse.
Me gjithë sforcimin e madhë të gjeneralëve rus, është fakt se forcat ruse deri më tani nuk kanë arritur të marrin kontrollin e plotë mbi asnjë nga katër rajonet e Ukrainës — Donetsk, Lugansk, Kherson dhe Zaporizhia — të cilat Putin i ka shpallur si ato tashmë i janë aneksuar Rusisë. Rusia as pas tetëmbëdhjetë muajve luftë nuk arriti të realizojë asnjë nga synimet e përcaktuara strategjike. Shih për këtë, mund të supozohet në mënyrë të arsyeshme se, strategjia ruse për të tërhequr Ukrainën në një betejë të madhe vendimtare, në të cilën forcat ukrainase do të shterreshin, dhe më pas Rusia do të niste veprimet e saj sulmuese — ka pak shanse për sukses3, konkludon analisti i portalit kroat Geopolitika news. Sipas gjithçkaje që shihet, Ukraina thjesht nuk bie në grackën e ngritur, që I ngjet asaj që ushtria sovjetike kishte ngritur në betejën e madhe të Kurskut.
Në këtëo rrethana presidenti rus Putin ka paralajmruar me gjuhën e stilin e tij të njohur të ashpërsisë se, nëse ekzistenca e Rusisë si komb kërcënohet, qeveria e tij nuk do të hezitojë të përdorë armë bërthamore.
Një luftë bërthamore në shkallë të plotë me armë termonukleare do të zhdukte qytetërimin siç e njohim ne, së bashku me pjesën më të madhe të biosferës.
Ky është rreziku ekzistencial i njerëzimit. Prandaj përgjegjësia politike dhe morale për rrjedhën e lufëts, sidomos përgjejgësia e SHBA-ve, sa vije e rritet. Paqia rrjedhimisht bëhet e pashmangshme, qoftë edhe me kosto të lartë për Ukrainën!
Rusia i kishte hedhur poshtë kategorikisht kushtet e parashtruara nga Ukraina, duke konsideruar se ato “injorojnë situatën faktike në terren dhe nuk mund të jenë bazë për asnjë negociatë”. Rusia, me fjalë të tjera, vendos kushtet e saj për negociata bazuar në njohjen e pushtimeve ruse ose, siç do të thoshte Moska, në “situatën faktike ekzistuese në terren”. Sipas Kremlinit, kjo do të thotë se kushtet për negociatat me Ukrainën janë në fakt pranimi i aneksimit rus të Krimesë dhe aneksimi i rajoneve ukrainase Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson në Rusi. Përveç kësaj, rusët kërkojnë “pranimin e një statusi neutral gjeopolitik nga Ukraina, një ndryshim në kushtetutën e Ukrainës që do të përfshinte një dispozitë për refuzimin e vendosjes së trupave dhe armëve të NATO-s në territorin e saj, njohjen e Krimesë, Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhia si territore ruse, çmilitarizimin e Ukrainës dhe “denazifikimin” tok me “shkombëtarizimin” e saj. Bëhet fjalë, natyrisht, për kushte krejtësisht të papranueshme që janë kundër jo vetëm interesave themelore të Ukrainës dhe ligjit ndërkombëtar, por edhe kundër sensit të shëndoshë.4
Ofensiva ukrainase që është duke u zhvilluar me intenzitet të prajshëm, megjithaët, së shpejti, do të kulmojë me të arriturat e pritshme, sidomos pas paisjes së armaëts me aviacionin luftarak përkatës që do të përballonte atë rus. Tek atëherë do të jetë e qartë se sa territor është çliruar dhe sa imponuese do të jetë armata ukrainase në rezultatet e pritshme diplomatike. Ekspertët ushtarak pohojnë se Ukraina ka ende mjaftueshëm kohë, të paktën deri në fund të këtij viti, nëse jo deri në pranverën e ardhshme, për t’u dëshmuar në terrenin e luftimeve. Nga ana tjetër, Rusia po përpiqet të mbajë në duart e saj atë pjesë të territorit ukrainas që ka fituar deri tani.
Shenjtëria e jetës
Në vitin 1985, Mjekët Ndërkombëtarë për Parandalimin e Luftës Bërthamore morën Çmimin Nobel për Paqen. IPPNW ishte themeluar në vitin 1980 nga gjashtë mjekë, tre nga Bashkimi Sovjetik dhe tre nga Shtetet e Bashkuara. Sot, organizata ka një anëtarësim të gjerë në mesin e mjekëve të botës. Profesori Bernard Lowen i Shkollës së Shëndetit Publik të Harvardit, një nga themeluesit e IPPNW, tha në një fjalim të fundit:
“…Asnjë rrezik për shëndetin publik me të cilin është përballur ndonjëherë njerëzimi nuk është i barabartë me kërcënimin e luftës bërthamore. Asnjëherë më parë njeriu nuk ka pasur burime shkatërruese për ta bërë këtë planet të pabanueshëm… Mjekësia moderne nuk ka asgjë për të ofruar, madje as një përfitim simbolik, në rast të luftës bërthamore…
“Ne jemi vetëm pasagjerë kalimtarë në këtë planet Tokë. Nuk na përket neve. Ne nuk jemi të lirë të dënojmë breza ende të palindur. Ne nuk jemi të lirë të fshijmë të kaluarën e njerëzimit ose të zbehim të ardhmen e tij. Sistemet shoqërore nuk qëndrojnë përgjithmonë. Vetëm jeta mund të pretendojë për vazhdimësi të pandërprerë. Kjo vazhdimësi është e shenjtë.”5
Por në qendrat perendimore tashmë kanë filluar të artikulohen edhe qëndrime që janë në përputhje me këtë frymë gjykimi. Kreu i zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Stian Jensen, tha të martën, më 15 gusht, se Ukraina mund të bashkohet me NATO-n nëse pranon të lëshojë territore që refuzon t’i njohë si pjesë e Rusisë. Lajmi është publikuar nga media norvegjeze Verdens Gang dhe raportohet nga agjencia ruse TASS. Lajmin e raportoi sot edhe TV ukrainas “Resident”.
“Unë mendoj se mund të jetë një zgjidhje që Ukraina të heqë dorë nga territori dhe në këmbim të anëtarësohet në NATO. Në të njëjtën kohë, Ukraina duhet të vendosë vetë se kur dhe në çfarë kushtesh dëshiron të negociojë”, tha Stian Jensen.
I pyetur nëse mendon se Ukraina duhet të heqë territoret e saj për të arritur paqen me Rusinë dhe për t’u bashkuar me NATO-n, Jensen tha se statusi i Ukrainës i pasluftës tashmë është duke u negociuar dhe se tashmë është ngritur çështja e dhënies së territorit Rusisë. “Nuk po them se duhet të ndodhë. Por kjo mund të jetë një zgjidhje e mundshme”, tha një zyrtar i lartë i Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut.
Doktrina ruse është e bazuar në atë sovjetike dhe përgjithësisht ajo cilësohet si doktrinë mbrojtëse. Ekspertët ushtarak vlerësojnë se qëllimi kryesor i mbrojtjes ruse të stilit sovjetik është të dobësojë forcën sulmuese të kundërshtarit, duke kryer një mbrojtje aktive, të lëvizshme dhe fleksibël, dhe në momentin që sulmuesi arrin një nivel kritik të rraskapitjes dhe dobësisë, ata, pra rusët, planifikojnë të nisin një kundërsulm. Pala ukrainase duke qenë edhe vetë për kohë të gjaët planifikuese dhe ekzekutuese e kësaj doktrine, në kundërofenzivën aktuale ka bërë çmos që të mos bie në një kurth të tillë dhe të mos i lejojë kundërshtarit mundësinë e një kundërsulmi me një aksion ofensiv gradual. Prandaj, kundërofenziva ukrainase është karakterizuar me përparim të prajshëm, por që i garanton edhe ruajtje të forcave të veta për luftë afatgjatë.
Në vijim të betejës, nëse Rusia nuk do të jetë në gjendje të krijojë një forcë sulmuese që do të pushtonte qytetet e mëdha ose të paktën të përfundonte pushtimin e plotë të Donbasit, ky fakt do ta sillte Putinin në një situatë alarmante. Doktrina sovjetike e paisur edhe me elementet e doktrinës Gerasimov, e miratuar nga Putini, nëse nuk çon në fitore më të përshpejtuar, ka rrezik që luftën ta kthejë në një konflikt të stërzgjatur pozicional me pak shanse për fitore. Në këtë rast Putini mund të pësojë goditje të imazhit dhe doktrina në fjalë fiasko deri në shkërmoçje.
Leksioni për Serbinë
Lufta në Ukrainë ka treguar se shumë gjëra që konsideroheshin të pamundura janë bërë të mundshme. Rezistenca ukrainase dëshmoi se, kur populli e don Atdheun e lirinë, ai është në gjendje të bëj çmos që t’i ruaj.
Kushti serb për negociatat me Prishtinë është praktikisht kapitullimi i Kosovës dhe pajtimi me opsionin serb që nënkupton rikthim tek Marrëveshja e prillit të vitit 2013, që për shumëçka na kujton marrëveshjen e fshehtë Zogu — Pashiq të gushtit 1924. Ky opsion do të shpjente tek shpërbërja e Republikës së Kosovës. Ndërkaq pala kosovare me të drejtë pret që Beogradi të ndërgjegjësohet dhe të noh realitetin politik të krijuar tashmë me pavarësinë e Kosovës. Kjo do të thotë se kushtet reale të Kosoëvs dhe Serbisë për çdo negociatë, qoftë edhe për atë që ka të bëjë me të drejtat e minoritetit serb në Kosovë, ndryshojnë plotësisht dhe nuk mund të ofrojnë pritshmëri që në të vërtetë do të ndodhin ndonjë negociatë serioze, për aq kohë sa vazhdon lufta në Ukrainë dhe Perendimi vazhdon ta përkëdhelë Beogadin.
Nëse veprimet taktiko-strategjike të kryera nga Prishtina gjatë këtyre dy viteve të fundit në veri të Republikës, tashmë kanë rezultuar me efekte të prekshme në rrafshin e shtrirjes së sovranitetit edhe në veri, kjo, me mbështetjen politike të grupit të shteteve perendimore prej nga janë politikanët dhe diplomatët nënshkrues të letrës drejtuar SHBA-së dhe BE-së dhe Britanisë së Madhe, do ët jetë edhe më efektive.
Javën që lamë pas politikanë të rëndësishëm të politikës së jashtme nga vende të ndryshme perëndimore i kanë bërë thirrje BE-së, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe që të jenë më kritikë ndaj Serbisë në lidhje me përshkallëzimin e konfliktit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe të kenë qasje më të ekuilibruar sa i përket rasteve si ai i joproporcionalitetit të masave që janë ndërmarrë ndaj Kosovës.
Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns në një postim të bërë në llogarinë e saj zyrtare në Twitter, tha se është e rrallë që kaq shumë Kryetarë të Komiteteve të Punëve të Jashtme të mblidhen bashkë për të ngritur shqetësimet e tyre. “10 Kryetarë të Komiteteve të Punëve të Jashtme dhe 56 parlamentarë i kanë bërë thirrje ShBA-së, BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar që të ndryshojnë qasjen në drejtim të Kosovës dhe Serbisë”, tha ajo.
Nëse Serbia përmes enklavave serbe, sidomos asaj në veriun e Kosovës, pretendon ta krijojë një bazë politike, që nesër do t’i krijonte mundësitë reale për rikthimin e ushtrisë dhe aktiviteteve luftarake, atëherë duket se ajo nuk ka nxënë asgjë nga leksioni i Ukrainës. Paragjykimi se rikthimi tek opsionet ushtarake është prakushti i vetëm që garanton rikthimin e Kosovës, respektivisht të veriut të saj kaq shumë të gjakuar, është iluzion I lloit të vet. Ndërkaq insistimi për “Anschllosin” e Republikës Serbska tok me penetrimin e thelë brenda Malit të Zi dhe aneksimin e veriut të Koosëvs qoftë edhe përmes një “Blic Krig-e”, me qëllim të krijimit të “Botës Serbe”, mund t’i kthehet në një kundërgoditje strategjike, që do të shpjente tek rikthimi i Serbisë në Pashallëkun e Beogradit, në shtratin e saj real. Vuçiqi, ashtu si edhe Putini, gjykon se heqja dorë nga politikat ekspansioniste, do ëa shpjente atë më shpejtë drejt rënies nga pushteti. Të gjithë treguesit — ushtarakë, ekonomikë, diplomatikë — thonë se strategjia serbe për zgjerim me çdo çmim po shkon në drejtimin e gabuar, ndërkaq Vuçiqi dhe ekipi I tij në Kalimegdan nuk kanë një fund politik të zakonshëm.
_____________________
- John Scales Avery: https://www.eurasiareview.com/15082023-ukraine-and-the-danger-of-nuclear-war-oped/
2. https://www.youtube.com/watch?v=SZjCiIXQy38
3. Mario Stefanov: https://www.geopolitika.news/analize/m-stefanov-mirovni-summit-je-potvrdio-da-ce-rat-trajati-jos-dugo/?utm_source=Onesignal&utm_campaign=Pushnotification
4. Mario Stefanov: https://www.geopolitika.news/analize/m-stefanov-mirovni-summit-je-potvrdio-da-ce-rat-trajati-jos-dugo/?utm_source=Onesignal&utm_campaign=Pushnotification
5. Dr John Scales Avery: https://www.transcend.org/tms/2023/08/ukraine-and-the-danger-of-nuclear-war-2/