Shqiptarët dhe Serbët në Evropën e re
SERBIA NË LABIRINTIN E KOMPLEKSIT HISTORIK: PËRBALLJA ME SHQIPTARËT DHE CIVILIZIMIN PERENDIMOR
,,Nuk mund të ketë kurrfarë aleance mes Rusisë dhe Perendimit, qoftë ajo e bazuar në interesa apo në principe. Nuk ka asnjë lloj interesi apo farë trendi politik në perendim, që është ndërtuar e projektuar kundër Rusisë, para së gjithash kundër të ardhmës së saj, që nuk është provuar që të dëmtohet. Prandaj, e vetmja politikë e natyrshme e Rusisë kundruall perendimit do të duhej të ishte jo ajo që do të nxiste farë aleance me fuqitë perendimore, por ajo që ndanë e përqanë atë (Perendimin). Vetëm atëherë ato fuqi nuk do të ushtrojnë qendrime armiqësore, natyrisht jo nga bindja, por nga pamundësia.”[1] |Fjodor Tjuttslhev, Poet dhe sllavofil, 1864|
Shkruan: Dr Sadri RAMABAJA
Në parathënjen e veprës jetësore të tij ,, Çeta e Profetëve”, Pjetër Bogdani, tek dëshmon për qëllimin që i ka parashtruar vetës për përhapjen e ,,të shenjtës fe”, ai pohon një të dhënë që ndërlidhet me qëndrimin e ngulitur në ndërdijen e sllavëve në raport me përendimin. Natyrisht , serbët, duke qenë fqinjë të shqiptarëve, ata i cilësojnë si perendimorë, ndërkaq ,,Fesë katolike i thonë Arbanashka vera”.[2]
Te logjika dhe mendësia e sllavofilit shoven F. Tjuttscheë-it, duhet ta ketë burimin ai numër aq i madhë projektesh serbe për zhbërjen e shqiptarëve, meqë kjo lagje ideologësh sllav nuk kënaqen vetëm me krijimin e ç arjeve dhe ndarjeve në korpusin politik të Shqipërisë e shqiptarëve. Çfarë ka në esencë në ideologjinë sllave në përgjithëse dhe atë serbe ne ve çanti që ia delë ta bashkojë elitën politike serbe (me përjashtime pa peshë), për t`qenë kaq e homogjenizuar kundër shqiptarëve, pothuajse në të gjitha epokat e regjimet politike? Çfarë i nxitë brezat e tërë të elitës politike klerikale serbe, që ta ushqejnë masën serbe me urrejtje ekstreme kundër shqipëtarve në mënyrë të veçantë? Gjatë epokës së të ashtuquajturit ,,socializëm vetqeverisës” në Beograd, për dallim nga disa kryeqendra tjera sllave, që fill pas LDB kishin ra nën ndikimin e plotë të Moskës, duke u shëndërruar në vasal të Rusisë staniliste, Tito dhe rivali i tij serb, Aleksandër Rankoviq, kishin etabluar një lloj pushteti që gërshetonte nacionalizmin burimor sllav me elemente të ideologjisë bolshevike, që i përshtatej shpirtit kolektiv sllav (te zadrugave — kooperativave) dhe ia mundësonte aparatit shtetror t’i ,,bluaj” identitete, duke i shkrirë në miksturën sllave me emrin Jugosllavi.
Nëse në Perandorinë sllave — në Rusi, që do të shërbejnë si model i carëve serbë, ishin polakët dhe çeçenët ata që ushtronin rezistencë të përhershme, në Mbretrinë Serbo-Kroate-Sllavene (1919) dhe më pas në Jugosllavi, do të jenë shqiptarët ata që do të rezistojnë në mënyrë përmanente të pathyeshme kundër çfardolloj intenceje që kishte për objektiv asimilimin dhe shnërrimin e tyre në sllav. Nuk ishte e rastësishme që Lenini, prijës i Revolucionit Bolshevik (Tetor 1917), e pat cilsuar Rusinë si ,,Burgun më të madh të popujve”. Atë botë, kur Rusia i jipte fund politikave ekspansioniste, nga fundi i shek. 19-të. (Megjithëse pasuesi i Leninit do ta vazhdojë ekspansionin sllav deri nga fundi i LDB), brenda kufijve të Perandorisë ishin më së 100 grupe etnike, që, de facto, bënin jetë burgu. Edhe Jugosllavia, si e vjetra edhe ajo e reja pas LDB (1945–1999), e tillë do të mbetet përherë për shqiptarët- burg i rëndë.
NË KËRKIM TË IDENTITETIT TË RI
Elita intelektuale e Beogradit ende nuk ka dhënë përgjigje të duhur lidhur me pyetjen kruciale në raport me pozicionin gjeopolitik, që bazohet edhe në konceptin e të qenunit serb. Kërkimi i përgjegjes në këtë rrafsh që nga epoka e ngjizjes së vetëdijes nacionale (mesi i shek.19-të), ka prodhuar vazhdimisht qëndrime kontraveze.
Nga epoka e shpërbërjes së Jugosllavisë (1999), Serbia dhe serbët, rrjedhimisht janë në kërkim të një identiteti të ri. Në kërkim të këtij identiteti janë edhe sot, prandaj Beogradi tundet tutje mes Lindjes dhe Perendimit. Nëse në ish Jugosllavi të qenunit serb garantonte pozicion privilegjues në administratë, në parti, në ushtri, në shërbime sekrete etj. çfarë ju garanton një numri të madh të joserbëve sot në Serbi idenfikitimi me serbët? Po vet serbëve? Kjo mund të jetë njëra nga arsyet pse elita kulturore e politike serbe nuk bazohet shumë në etnicitetin, respektivisht në gjuhë e kulturë si element përbashkues të Kombit. Serbët, ngjashëm me sivllëzrit e tyre rus, në krijimin e të ashtuquajturës ,,Ide serbe” bazohen në traditën e famshme që I jep përparëse: ,,ortodoksisë” të ndërvarur nga “autokracai” dhe “nacionalizmi”, që burim ka ,,bashkësinë fshatare” — Zadrugën. Këtë mentalitet duhet ta ketë kultivuar elita e Beogradit sidomos këto tri dekadat e fundit; atë e përjetova edhe vetë, në cilësinë e zyrtarit të lart për politika të Zyrës së Kryeministreit (2005), duke marrë pjesë në një kuvend themelues të një partie serbe (serbëve local), që po mbahej në njërin prej viseve më të bukura të Republikës, në Brezovicë. Delegatët e atij kuvendi përfaqsonin pikërisht atë ,,bashkësi fshatare” tipike serbe, që për nga niveli politik nuk i afroheshin Këshillit Popullor (Struktura bazë) të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK), që kisha themeluar në Graubunden — CH (1987), e që ishte vetë bazamenti i ,,idesë serbe”, respektivisht pasqyra e një fillimi të sistemit politik real serb. Ai kuvend i asaj force politike serbe, se si ma kujtoi studimin e historianit Amerikan Edëard KENAN, të publikuar në fillet e rënies së sistemit sovjetik (Rusi, 1990-ta), ku përshkruhen të gjitha ato veçori karakteristike të sistemit rus, burimi i të cilëve është Mesjeta, por që i ka përballuar të gjitha periudhat, duke ia imponuar, madje duke i shpërfaqur ato elemente shenjuese, në sistemin rus modern.
Kultura politike, ashtu edhe bashkësia feudale sllave që bën jetën në ,,ZADRUGË”, si vetë Oborri Rus, shkruan Kenan-i, është vetë grupi, si përfaqsues, si vlerë më vete, që vazhdimisht shkelë individin dhe shpërfaqë gadishmërinë si tërsi të përballet me rreziqe. Ndërkaq për shpresën e bujarëve, potencon tutje Kenan, ishte e një rëndësie të veçantë të shihen se janë mbështetës të një Cari të fuqishëm edhe nëse e verteta ishte krejt tjetër, madje edhe nëse Cari ishte fare i dobët. Mekanizmat informal ishin më të rëndësishëm se sa institucionet shtetërore të strukturuara e të qëndrueshme. Edhe emisarët e huaj, që vinin në oborret e fisnikëve rus, viheshin me dashje në lajthitje me të vërtetën që luhej aty. Disa qindra vjeçarë me radhë, për vëzhguesit e huaj, ka qenë e vështirë të kuptohën qartë rregulluat e lojës që zhvilloheshin prapa mureve të Kremlinit: ata nuk e kapnin dot “artin” e qeverisies nga administrate ruse dhe cfarë po ushtron politika e jashtme ruse.[3]
Këtë fenomen e kishte vënë re mirë U.Hoti dhe e potencon në letrat e tij nga Burgu, tek analizon dominimin gradual të politikës Serbe të dekadave të fundit të shek.20-të nga ,,Bashkësia Fshatare” e Krahinës së Shumadisë në Beogradin zyrtar. Por pse do të duhej që kjo kulturë politike sllave të përvetsohej e aplikohej nga ,,Klasa politike” shqiptare në shek.21?! Duke dhënë përgjegjen meritore rreth këtij fenomeni, ne do të kontribonim shumë në rikthimin më të shpejtë të kulturës qeverisëse të civilizimit perndimor që selitnin fisnikët shqiptarë në oborret e tyre në epokën e parapushtimit Osman, por edhe në rikthim të ambientit tonë kulturor e politik autentik, që na përafron dhe identifikon me civilizimin Pernendimor, pjesë e të cilit jemi.
Përmbysja e qeverisë më demokratike që kishte prodhuar sistemi politik shqiptar në fillet e rendit liberal, në krye me Kryepeshkopin Theofan Stilian Noli, një liberal i klasit të parë, njëri nga kryeministrat më erudite në gjithë Kontinentin e vjetër, në mos në botë, në dhjetor 1924, nuk ka mundësi të shpjegohet vetëm duke u bazuar në mendimin racional politik. Përkundrazi, derisa boshti i forcës së kundërrevolucionit të dhjetorit 1924 përbëhej nga Bjellogardistë rus dhe oficerët serbë, ndërkaq si aksion politik ishte pregaditur në Beograd, ai ishte gjithësesi produkt i ,,Ides serbe”, që përjashtonte me çdo çmim promovimin e vlerave Perndimore në kryeqendrën shqiptare, qës sllavët e cilësonin atbotë si “Zonë e interest” jetik. Këtë ndërhyrje të botës sllave, pra jo vetëm të Beogradit, më tërë vrazhdësinë e saj tipike, në jetën politike të Tiranës së dhjetorit 1924, jam i prirë ta shoh si produkt të strategjisë vepruese sllave për mbajtjen e Shqipërisë dhe shqipëtarëve larg ambientit civilizues perendimorë, prej ku ishte shkëputur që me pushtimin Osman.
Mëdyshja se a duhet t’i përkasë Serbia sferës politike kulturore perendimore apo asaj lindore, ua ka hëngër kokën një vargu të prijësve serb, deri tek kryeministri Zoran Gjingjiq, që po tundohej të rreshtohej me perendimin. Por, si carët rus dhe ata serb të shek. 19-te, edhe autokratët modern (Putin,Vuciq), ishin e janë të gatshëm të marrin për model zhvillimi modelin ekonomik e teknologjik europian, por që të dy palët, refuzojnë në mënyrë kategorike idenë që të përvetsojnë modelelin politik evropian — demokracinë liberale, sepse ata janë koshient se ai do të shpjente drejt fundit rendin absolutist rus”.[4]
Qëndrimi i butë e pragmatik i perendimit kundruall Serbisë gjatë gjithë shek. 19-të dhe 20-të, ju kishte dhënë mundësitë idealë politikave ekspansioniste serbe tri herë radhas (1833, 1878, 1912) në dëm të shqiptarëve. Ky qendrim de fakto e kishte kthyer Serbinë dhe Kombin serb në truallin e natyrshëm të politikës: tek ekspansionizmi si objektiv strategjik. Madje për shkak të barazpeshës gjeopolitike, një lagje e shteteve përfundimtare ia kishin mundësuar Serbisë të marrë rolin e shtetit dominues në Evropën Juglindore, dhe atë jo vetëm gjatë epokës së titizmit. Duket që Serbia në prag të shpërbërjes së Jugosllavisë, shih për këtë, po tentonte të bënte me shqiptarët atë që kishte bërë me gjermanët e Vojvodinës, të Banatit e të Sremit (Volksdojç -ët) në prag të përfundimit të LDB.[5]
Duke i trajtuar shqiptarët si ‘’ Kolonë e pestë-” e Perendimit (NATO-s), sidomos gjatë fazës sa NATO-ja po bombardonte cagjet strategjike Serbe (për gjatë 78 ditëve të pranverës së vitit 1999), Serbia sërish po i rikthehej projektit të Vasa Ćubrilloviq të 1944-ës, duke hartuar e intensifikuar realizmin e planit ,,Patkoi” për ,, pastrimin” e Kosovës nga elementi shqiptarë, duke u zhytur thellë në labirithin e komplekseve të saj historike tani në përballje të dyfishtë: Me Shqiptarët për Kosovën dhe me civilizimin perendimor për Evropën Juglindore, si zonë që ajo pretendon ta mbajë tutje nën influencën serbe. Por, atë që Serbia e S. Millosheviqit nuk ia kishte arritur ta realizonte me Shqiptarët dhe Kosovën (si dikur pararendsit e tij me Toplicën…), pragmatizmi politik dhe koketimi i trashëgimtarëve të tij ideologjik: Aleksandër Vuciqi dhe Ivica Daciqi, me Perendimin, në insistiminn e tyre për revizionimin e asaj që kishte pasuar pas bobardimeve të NATO-s, që qe kurorëzuar më 17 Shkurt 2008 me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe krijimin e Republikës së dytë shqiptare në Evropën Juglindore, ata pretendojnë ta realizojnë me veriun e Kosovës, madje pa rënë në kurthin e labirintit historik që do të mund t’i mbante të mbërthyer në të kaluaren dhe kështu të përfitojnë në plane afatshkurta, duke iu bashkuar BE-së, respektivisht perendimit, pas një divorci të përkohshëm me ,,Nënen Rusi”.
Vizita e presidentit francez, E.Makro, së fundi në Beograd (korrik 2019) dhe potencimi i vizionit frëng për vendin e Serbisë në gjirin e familjës evroiane, duke mos e lënë pa e theksuar nevojën për ,,kompromisin” me shqiptarët, flet gjithsesi në dobi të strategjisë serbe për aneksimin e veriut të Kosovës dhe në kërkim të ,,identitetit të ri” serb.
Serbët evropjan ambivalent
Të gjithë udhëheqësit serb, liderët shtetëror dhe ata të Kishës Ortodokse Serbe, i kanë cilësuar shqiptarët në esencë si perendimor, si pjesë e civilizimit evropjan, ledhin mbrojtës të tij; prandaj ata në raport me shqiptarët, me historinë dhe qenien e tyre, kanë ushqyer edhe ndjesi gjelozije. Jo rrallë, ata i ka fascionuar shpirti krijues, por edhe aftësia për mbijetesë që kishin shqiptarët. Shih për këtë, tendenca për t’i prezantuar shqiptarët në perendim si ,,kolonë e pestë e islamit politik” në trupin e Evropës Juglindore, sa më shumë që brezat e politikanëve perendimor kanë njohur historinë e kësaj pjese të kontinentit të vjetër në përgjithsi, e atë shqiptare në veçanti, ju ka dështuar. Sidoqoftë, kjo luftë speciale e Serbisë gjatë shekujve të ngjizjes së vetëdijës nacionale të popujve edhe në Evropën Juglindore, sdomos gjatë Rilindjes nacionale greke e serbe, pati efekte të ndjeshme që qenë përkthyer në mbështetje të zgjerimit hapsinor të Greqisë dhe Serbisë në dëm të Shqiprisë dhe shqiptarëve, madje edhe për tolerimin e Serbisë që ta trajtojë Kosovën për gadi një shekull (1912- 1999) si koloni të saj.
Evropa e ka trajtuar Serbinë që nga njohja e saj si shtet i pavarur (1878- Kongresi i Berlinit) edhe si partnerin e saj serioz në Evropën Juglindore. Ndërkaq, pas LPB, bashkimi i sllavëve të jugut nën siglën e Jugosllavisë, do të shërbejë për Francën dhe Anglin edhe si partner strategjik, respektivisht si ledh kuadër influencës gjermane në rajon. Këto raporte janë kultivuar ndjeshëm edhe gjatë luftrave brenda truallit të ish Jugosllavi në dekadën e fundit të shek-20-të, duke favorizuar interesat serbe pothuajse hapur. Krijimi i Republikës Serbska në Bosnjë dhe imponimi i saj në marrëveshjen e Dejtonit, mund të shihet edhe si korigjim i historisë dhe rikthim tek projekti serb para,,Krizës së Lindjes- 1875” për zgjerimin e Serbisë në krahun verior- në truallin e Bosnjës. Ndërkaq, aktualisht Serbia mbështet në procesin integrues në BE, sidomos në rrafshin ekonomik, më shumë se cilado republikë tjeter e ish Jugosllavisë. Serbia ndërkohë është vendi ku investitorët perendimor, sidomos ata gjerman e austriak, kanë derdhur miliona euro. Mes viteve 2007 dhe 2014përmes instrumenteve për ndihmë (IPA) janë investuar në vendet e Evropës Juglindore rreth 5,1 mrd. EURO. Të gjitha këto të projektuara për realizim të projekteve nacionale dhe rajonale, prej tzre vetëm Serbia ka përfituar 1,385 mrd. EURO. Ndërkaq për periudhën 2014‐2020 vetëm Serbia logaritet se do të përfitojë mbi 1,508 mrd.[6]
Kujt i përket Serbia aktualisht? Evropës apo Azisë, respektivisht Perendimit, apo Lindjes? Në rrafshin gjeopolitik, ekonomik e tj. është e qartë: ajo është pjesë e kontinentit të vjetër dhe duhet t’i përkasë atij. Por historia, jo rrallë, e ka hedhur atë në krahët e Lindjes, respektivisht të Rusisë. Nëse dy shekujt e fundit kanë dëshmuar se Rusia i përket sa Evropës aq edhe Azisë, kjo dilemë nuk është për Serbinë. Serbët nuk mund të jenë tutje evropianë ambivalent. Ky identitet dubioz, në rirreshtimet e reja gjeopolitike, që pritet të marrin fund me aderimin e të gjitha shteteve të Evropës Juglindore në NATO dhe BE, merr fund. I ashtuquajturi ,,Rrethim demokratik” i Serbisa ka filluar që me aderimin e Rumanisë dhe Bullgarisë në NATO-ja dhe BE-ja dhe do përmbyllet me aderimin e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Ksova, edhe poqëse njihet nga Serbia përjetësisht, eshtë pjesë e natyrëshme e Shqiprisë, ndërkaq përmes krijimit të federatës shqiptare,rrjedhimisht do të bëhet pjesë e NATO-s dhe shpejt edhe e BE-së. Serbët, elita intelektuale dhe para se gjithash ajo klerikale, asnjëherë nuk e kanë ndje veten si pjesë integrale e evropjanëve të bindur. Kjo ambivalencë është edhe më e theksuar sot. Me gjithë përpjekjet e Evropës, madje edhe pse është trajtuar si e perkdhelura e rajonit, euroskepticizmi në Serbi ka shënuar rritje, ndërkaq përparimi me Rusinë është demonstruar fuqishëm. Kjo po ndodhë sidomos në rrafshin strategjiko-ushtarak, meq Serbia nuk dëshmon vullnet politik për integrim në strukturat e sigurisë euroatlantike, që janë parakusht qensorë për integrim në BE. Vetëm dalja e saj nga labirinti i kompleksit historik në raport me shqiptarët, e bënë atë të aftë e të maturuar për integrim në familjen evropjane, respektivisht të gatshme për koegzistencë me civilizimin perendimor.
Procesi i Berlinit i ka dhënë përgjigje dilemës serbe se kujt i përket: Evropës apo Azisë, respektivisht Perendimit apo Lindjes. Por, ky proces gjithëashtu e ka paralajmruar qartë Serbinë se, ka përfunduar tashmë epoka e ekspanzionizmit serb në dëm të shqiptarëve.
***
Në librin e saj me titull sinjifikative ,, Rusia e Putinit”, Angela Stent, potencon rolin e Evropës, jo vetëm si ide dhe model, por edhe si realitet gjeopolitik. ,, Evropa shikuar në rrafshin historik, në të gjitha këndëvështrimet, për Rusinë ishte e rëndësisë së vëçantë: si ide politike, si model ekonomik dhe si realitet gjeopolitik, që ia ka mundësuar Rusisë shëndërrimin në fuqi botërore dhe të mbesë e tillë edhe sot. ,,Evropa” si ide përbën koncepte që ishin në përputhje dhe varshmëri me iluminizmin: Rolin dhe rëndësinë e individit, reprezentimin politik, tolerancën religjioze, përkufizimin e fuqisë së sunduesve, krijimin e shtetit të së drejtës, e me vonë edhe të vetë zhvillimit të kapitalizmit dhe demokracisë”.[7] Ndërkaq për Serbinë, Evropa, respektivisht shtetet si Franca, Anglia etj. do të bëheshin protektorë të mirëfillt të saj, duke ngelë sot aleatët e saj më besnik, e duke e përkthyer këtë aleancë reale me mbështetjen e fuqishme që ia bëjnë në rrugën e saj për integrim në BE, qoftë edhe me kushtin që ajo (pra Serbia), ta ruaj statusin neutral në raport me NATO-n. Si realitet gjeopolitik, ndërkohë, pas konfrontimeve të ndjeshme të Gjermanisë me Rusinë që ndërlidhen me aneksimin e Krimes nga ana e Rusisë dhe tendencat e hapura të Moskës .për krijimin e zonave të konfliktit të ngrirë në Ukrainën lindore, ajo, pra Evropa, merrë peshë edhe më të madhe. Në këtë vorbull ngjarjesh të reja që po imponon rirreshtimi gjeopolitik i Evropës dhe fuqive tjera rajonale, çështja për Serbinë shtrohet si vijon: a ka gjasa që ajo (Serbia) të mbetet forcë dominuese në Evropën Juglindore edhe në shek. 21, ashtu si ishte duke qenë timonjere e Jugosllavisë për mëse tetë dekada, madje pa ndihmën e drejtëpërdrejtë të Evropës?
Nevojat urgjente të Serbisë që të gëzojë mbështetje ekonomike nga Evropa për të sanuar humbjet që i kanë shkaktuar katër luftra radhas dhe sidomos pas humbjes së kolonisë së saj -Kosovës (1999), e kanë motivuar Beogradin që të ruajë e kultivojë pajtushmëri politike me qendrat politike të Evropës, tashmë në përmbyllje të BREX-i tit, sidomos me Berlinin dhe Parisin, por edhe të reagojë pozitivisht në raport me shestimet e këtyre qendrave dhe iniciativat e tyre për integrimin e Evropës Juglindore (Ballkani Perendimor sip o e clësojnë ndrzshe) si tërsi në BE në përputhje me interesat gjeopolitike të perendimit. Këto politika e kanë sjellë Beogradin me afër Evropës dhe, paqëse pajtohet me realitetin e ri politik të krijuar tashmë me Republikën e Kosovës, gjasat janë që brenda dekadës së tretë të këtij shekulli, Serbia përfundimisht të shkëputet nga influenca Ruse dhe të bëhet pjesë integrale e BE-së, respektivisht pjesë e një realiteti të ri gjeopolitik, që de fakto nënkupton një Evropë të re edhe më të bashkuar.
Por, a ka gjasa që ky hap historik të bëhet tashti, kur në krye të Serbisë janë pinjollët e Millosheviqit? Vështirë e besueshme. Nëse kihet parasyshë fakti se, në fushën e sigurisë Serbia gjithënjë e më shumë po bëhet e ndërvarur nga Moska, ndërkaq liderët serbë mbrojnë publikisht pikëpamjen se ,, Serbisë nuk do të duhej t’i imponohet zgjedhja mes BE-së dhe Rusisë”, realiteti i ri gjeopolitik shtyhet tutje.
Vetëm shkuarja në histori e nomenklaturës aktuale politike serbe, krijon parakushtet që realiteti i ri gjeopolitik i Evropës të përmbyllet në dekaden pasuese.
Shqiptarët dhe Serbët- rivalë të përjetshëm?
Interakcioni mes Rusisë dhe Gjermanisë është njeri prej faktor ëve që ka influencuar më së shumti në sigurinë dhe mirëqenjen e Evropës. Në shek. 20-të ishte Gjermania ajo që luajti rol vendimtar në lindjen dhe vdekjen e unionit sovjetik.[8] Paralele të përafërta mund të tërhiqen edhe në raportet mes Shqipërisë e Serbisë, respektivisht shqiptarëve dhe serbëve. Lavjerrësi në këtë peshore, gjithësesi anon në anën e Serbisë. Vetëm brenda 35 viteve (1878–1912) Serbia do të zgjerojë teritorin e saj dy herë në dëm të shqiptarëve. Shqiptarët do të humbasin në vitin 1878 gjithë Toplicën dhe Pustarekën e Medokën (Medvegjen) me një pjesë të ndjeshme të Moravës, saktësisht 998 katunde dhe 8 qytete, përfshi Kushumlinë dhe Meokën që ishin pothuajse etnikisht të pastra shqiptare, ndërkaq në periudhën korrik — tetor 1912 komplet vilajetin e Kosovës (me kryeqendrën e tij Shkupin) dhe pjesën dërmuese të vilajetit të Manastirit. Dy nga katër kryeqendrat shqiptare do t’i aneksohen Serbisë (Shkupi e Manastiri), një qendër (Janina) do t`I aneksohet Greqisë, ndërkaq vetëm njëra prej kryeqendrave shqiptare (Shkodra) do t’i mbetet Shqipërisë politike (1912). Harta politike e Shqipërisë së pavarur në nëntorin e 1912-së kishte mbetur si një TORZO e turpit të saj të sakatuar, pa qendrat më të mëdha që kishte paraprakisht. Në rastin e parë ishte kongresi i Berlinit (qershor 1878), pra edhe Gjermania, që do të tumirë zgjerimin e Serbisë në jug të saj, si kusht për shtrirjen e Austrisë në Bosnjë, që nënkuptonte pushtimin e pjesës ballore të Shqiprisë verilindore, që ishte përballur pafundësisht me mësymjet sllave, ndërkaq heren e dytë, ishte konferenca e Londrës (1913), konkretisht treshja e superfuqive të kohës: Rusia, Anglia dhe Franca, ato që morën vendimin tragjk për gjymtimin e Shqiprisë sërish, duke ia aneksuar Kosovën dhe hapësirën shqiptare të Maqedonisë perendimore, Serbisë. Kjo mbështetje e Serbisë në dëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve, rezulton të jetë më shumë produkt i leximit sipërfaqsor të historisë, respektivish neglizhimit të realitetit historik për të cilin flet Pjetër Bogdani në parathënjen e kryeveprës së tij ,,Ceta e profetëve”(1685). Trajtimi i shqiptarëve si ,, pjesë e mbetur e Perandorisë Osmane në trupin e Evropës” është në shpërputhje të plotë me realitetin historik dhe vetë këndvështrimin real të serbëve, që edhe sot, sado që përmes prapagandës pretendojnë t’na identifikojnë me ,,Islamin fashist”, në ndërdije na cilësojnë ashtu si jemi: Perendimorët real të Evropës Juglindore, pavarsisht se tashti, Fesë katolike nuk i thonë më si në epokën e Pjetër Bogdanit-,,ARBANASHKA VERA”
***
Vizioni për një Evropë të lirë, të bashkuar e në paqe, mund të konsiderohet i përmbyllur vetëm atëherë kur Evropa Juglindore integrohet plotësisht në strukturat euroatlantike. Aktualisht pengesa më serioze për përmbylljen e këtij vizioni e misioni njëkohsisht, mbetet Serbia. Fakti që Shqipëria është pjesë e arkitekturës së sigurisë së perendimit (NATO-s), ndërkaq, më në fund, pritet shpejt ta hedhë hapin vendimtar për aderim edhe në BE, dëshmon se perendimi në raport me Shqiprinë edhe Kombin Shqiptar, merrë në konsideratë përcaktimin politik mbi të ardhmen e Evropës Juglindore dhe gadishmërinë e elitave politike e kulturore shqiptare për shkëputje nga çfardo ndikimi të mundshëm ideologjik nga lindja, sidomos nga ai i sferës civilizuese, se sa propagandën serbe dhe alibitë e rrejshme të stisura përmes rrymave të Islamit fashist, që kanë penetruar në trupin e kombit.
Kjo propagandë serbe, po edhe ky penetrimi i ,,Fashizmit islam” janë dëshmia më e qartë për vullnetin që kanë këto qarqe për revizionizmin e këtij vizioni të Perendimit kundruall Shqiprisë dhe shqiptarëve në raport me Evropën e së ardhmes së afërt. Shih për këtë, tentativat për hapjen e pakos së Ahtisarit janë tepër të rrezikshme. Madje, tendenca për rishikimin e saj në dobi të krijimit të çfardo entiteti serb në veriun e Kosovës, e defunksinjalizon tërsisht Repoblikën dhe i hapë rrugë penetrimit rus në Kosovë dhe etablim të saj në këtë pjesë tëEvropës. Ashtu si iu mbivendosë pakoja e Ahtisarit kushtetutës së vendit, koha po e dëshmon se ajo ishte dhe mbetet një lloj eksperimenti i inxhejeringut të një shoqërie kuazi shumë-etnike, pavarsisht se në Kosovë janë mbi 92’/ e popullsisë të përkatësisë shqiptare; rrjedhimisht ajo paraqet entitetin politik më homogjen në Evropën Juglindore.
Idetë për revizionim të vizionit për një Evropë të lirë e të bashkuar, po cenohen edhe si rezultat i ndërhyrjes dhe cënimit të sovranitetit të Republikës përmes mbivendosjes ndaj planit të Ahtisarit të projektit mbi të ashtuquajturin Asociaacion I komunave serbe, që u tentua të arrihet gjatë të ashtuquajturës ,,fazë e dytë e dialogut” Serbi- Kosovë të ndërmjetsuar nga Brukseli (2013- 2018). Brukseli, i nxitur nga Rusia dhe Serbia, në emër të akomodimit të nevojave serbe, përmes krijimit të ,, Zajednicës” Serbe, si një bërthamë e Republikës Srbska në Kosovë, respektivisht federalizmin de fakto të Kosovës përmes ndarjes në dy entitete,që do të shërbejë si një trampolinë për ndarjen de fakto dhe de jure të Kosovës!
Përfundim
Qershori i vitit 1999 ka shenuar korrekturën e parë, sado që të pjesshme, në historinë e përballjes mes ,,Rivalësh shekullor” në Evropën Juglindore. Kësaj korrekture historike, përmes lindjes së Republikës së dytë Shqiptare i ikishte hapur rrugë rinia shqiptare përmes zgjimit të saj historik në pranveren e vitit 1981, që shënonte njëkohsisht prologun e fundit të krijeses së Versajës (YU) dhe dominimit serbe në Evropën Juglindore. Duket se ajo që përbënte Gjermania Lindore (DDR) për raportet Përendim-Lindje gjatë epokës së Luftës së ftohtë, vlenë edhe për rolin e Kosovës në raportet e Serbisë me Evropën.
,,Kontrollimi i Gjermanisë Lindore dhe Berlinit Lindor ishte CONDITO SINE QUA NON në raportet mes Moskës dhe Perendimit”[9], shkruan studiusja Avgela Spent. Një paralele e kësaj natyre mund të tërhiqet edhe në rastin e Kosovës, e sidomos veriut të saj, në raportet Bruksel: Beograd. Ndërhyrja e NATO-s në luftën e Kosovës (1999), por edhe nga Bosnja në Kosovë dhe atë vetëm një ditë para hyrjes së trupave të NATO-s, (12 Qershor 1999) dhe më pas ngritja e bazës ushtarake Amerikane e Bonstill-it në një hapsirë strategjike të klasit të parë mes Ferizajt dhe Shkupit, është plotësisht në përputhje me tezën që flet për rëndësinë dhe interesat jetike të perendimit për këtë krah të hapsirës së civilizimin perendimor. Kjo përputhje interesash gjeostrategjike mes perendimit dhe Shqiprisë e shqiptarëve na rikthen tek epoka skenderbegiane dhe më pas tek ajo e Pjeter Bogdanit. Le te kujtojmë se Bogdani ynë tok me Gjeneralin austriak Pikolini, po bënin çmos për korigjimin e histories, duke ndje me të drejtë një dozë ankthi se ai (korigjim), me kalimin e kohës do të mund të bëhej i parikthyeshëm edhe në rrafshin konceptual e kulturorë. Ky konfrontim fillimisht i natyrës ideologjike e konceptiale, i bartur tashmë në terrenin real, progmatik, i nderlidhur me territor dhe interesa strategjike, e bënë të vështirë, por jo të patejkalueshëm rivalitetin shekullor shqiptaro-serb, që daton që prej dyndjeve sllave në këto hapsira të Evropës Juglindore (shek. VI e VII-të), e që shenjon fillet e përballjes me shqiptarët dhe civilizimin perendimor.
Gusht 2019
[1] Kirk Benett, “The Myth of Russia`s Containment”, në: American Interest, 21 dhjetor 2015
http://www.the American-interest.com/2015/12/21`the-myth-of-russias-containment.
[2] Pjetër Bogdani, “Çeta e Profetëve”, Prishtinë 1990, f. 91
[3] Edwand L. Keenan, ,,Museovite Politicad Polkways”, në: Russian Revie 45, nr 2 (1986); f. 115–181.
[4] Angela E.Stent, ,,Reluctaut Europerns: Free Centuries of Russian Ambivalence To ëord the Ëest”, në Robert Lagvold (Botues) Russsian Foreign Police in the Thëenty- First Gntry und… (f. 496)
[5] Në Memorandumin politik të shkruar nga studjuesi dhe politikani serb I Bosnjës, Vasa Ćubrilloviq, për “Problemin e pakicave në Jugosllavinë e re”, paraqitur në Beograd më 3.11.1994, ndër të tjera potëncon:
(…) “Problemi më i madh me të cilin ballafaqohemi është si t` I thyejmë blloqet e pakicave që jetojnë në pozicione strategjike gjeopolitike. Qeveria federative duhet ta ushtrojë gjithë fuqinë shtetërore për ta zgjidhur këtë problem.” (…) Duke shpalosur metodat sovjetike për “zgjidhjen” e “këtij problem” ai konkludon se dëbimi është zgjidhja, duke I sugjeruar qeverisë federative edhe prioritetet në këtë plan. “Sa u përket prioriteteve për dëbim, besoj se duhet t`I përmbahemi këtij rendi: gjermanët, hungarezët, shqiptarët, italianët dhe rumunët.
(…) “Kërcnimi më I madhë vjen nga blloqe të mëdha pakicash në rajonet kufitare të një rëndësie strategjike dhe ekonomike. (…) “Prandaj, për ne është jetike që t`I spastrojmë gjermanët dhe hungarezët nga Vojvodina dhe shqiptarët nga Serbia e vjetër (Kosova) dhe Maqedonia. … Të nisim me Vojvodinën.”
Ćubrilloviq kalon në udhëzime konkrete. Sipas tij, “roli I ushtrisë merr rëndësi të madhe në këto veprime. Janë forcat e armatosura që kanë për detzrë të dëbojnë pakicat nga shteti ynë.” Për këtë qëllim ai sugjeron krijimin e “Komande supreme” të UNÇ, duke u sugjeruar njësive partizane edhe krijimin e një “departamenti të veçantë përbrenda, detyra e të cilit do të ishte që ta kryente spastrimin etnik gjatë luftës.” Duket se këto sugjerime qenë përfillur nga marshalli Tito dhe trupat jugosllavedo t`ia mësyjnë që në qershor 1944 Kosovës. Sidoqoftë, rezistenca e gardës kufitare kosovare “ishte fanatike dhe në maj, korpusi I dytë në përpjekje për të depërtuar në mallet e Zeza (të Shkupit — SR), si dhe në korrik, forcat serbe të general-lejtnantit Popoviq, që përpiqeshin të depërtonin nga veriu (26 korrik, në Kikë- SR) për në Gjilan, u dëbuan”, por disa ditë më pas, do të depërtojnë në mësymjen pasuese nga malësia e Bujanoci (Mali I Ushit). (Shih gjerësisht> Robert Elsie & Bejtullah Destani: KOSOVA- Një histori dokumentare, Prishtinë 2019, f. 489–504.
[6] Burimi: Parlamenti Europian
https://www.europarl.europa.eu/doceo/document/P-8-2016-007585_DE.html
[7] Angela Stent, Putins Rusland, Hamburg 2019, f.71
[8] Po aty, f. 125
[9] Po aty, f.125