Takimi në Bruksel — prologu i rënies së maskave

Sadri Ramabaja
2 min readAug 16, 2022

Nga Dr Sadri Ramabaja

Nusprodukti politik i Sllobodan Milosheviqit, Aleksandër Vuçiq, që ka vite është në krye të Serbisë si politikani më i fuqishëm, mbetet personaliteti politik serb më besnik i Putinit, rrjedhimisht më i rrezikshmi për paqen dhe sigurinë në Europën Juglindore.
Ai ka minuar kaherë çfardo mundësish për ndryshime reale të skenës politike dhe ka pamundësuar promovimin e demokracisë liberale në Serbi. Ai, de fakto, mund të bëhet varrëmihësi i saj — demokracisë për rajonin.

Marrëveshjet e nënshkruara (prill 2013 dhe gusht 2015) nga dyshja Thaçi-Mustafa, që gjithnjë e më shumë katërcipërisht identifikohen të kenë qenë marioneta atipike që dominuan skenën tonë politike, kanë krijuar parakushtet për mbajtjen peng të Republikës në dobi të axhendës politike serbe. Vetëm shpërthimi i luftës në Ukrainë ka përmbysur kursin gjeopolitik të aksit Paris-Berlin, ndërkaq pozicionimi i Uashingtonit pro pacënueshmërisë së rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, e bën përfundimin e dialogut Kosovë — Serbi, imediat.
Presidentit serb duket se, para se të udhëtojë për takimin e pritshëm në 18 gusht në Bruksel, diplomacia perendimore t’ia ketë bërë të qartë faktin se, Republika e Kosovës tashmë është një realitet politik i ri. Këtë realitet ai duhet ta njohë. Këtë fakt, sot në një konferencë për media, madje në Beograd, e pohoi njëri nga liderët e Listës Serbe, filialës së Vuçiqit në Kosovë. Njohja e këti realiteti nga ana e përfqësuesve të minoritetit serb në Kosovë — Listës Serbe, që d.t.th shqeto njohje e pavarësisë së Kosovës, është parakusht i pakalueshëm.
Takimi i Brukselit mund të shërbejë edhe për diskreditimin e plotë të Vuçiqit, duke e shpërfaqur atë ashtu si është - si politikan tepër i rrezikshëm.
Takimi në Bruksel megjithatë, do të dëshmojë se dialogut, në formatin që është zhvilluar nga viti 2011, po i vije fundi.
Qoftë edhe vetëm ky fakt e bën Vuçiqin të ndjehet i frustruar.
Por, mënyra më e mirë për t’ia hequr maskat e politikanit të moderuar presidentit serb, mbetet pikërisht pozicioni i qartë i kryeministrit Kurti në raport me rikonfigurimin e dialogut që për bazë ka njohjen e Kosovës.
Ky hap fillon me strategjinë për fuksionalizimin e Republikës, përfshirë këtu edhe implementimin e reciprocitetit në raportet Serbi-Kosovë.
Ky modus do të fillojë të implementohet nga një shtatori.

--

--