Targat e veturave janë pjesë e juridiksionit sovran

Nga Dr Sadri Ramabaja

Në një intervistë që sot i dha REL, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell deklaron: “Ju e dini, në rolin tim, unë duhet të përpiqem të kuptoj çdo pozicion. Pozicionet e serbëve dhe të kosovarëve. Çfarë qëndron pas kësaj çështjeje të identitetit, të qenët në një shtet, të qenët komb, të mos njihet nga shumë vende të botës, edhe brenda Bashkimit Evropian… E kemi zgjidhur problemin e kartave të identitetit dhe le të themi pasaportës, lëvizjes së lirë të njerëzve. Çështja e targave është më e vështirë për t’u zgjidhur…”

Ndërkaq më poshtë, me gjuhën tipike që burim ka ambiguitetin politik, deklaron:

“Jam duke nxitur diçka që mund ta pranojnë të dyja palët”, thotë Borrell për Radion Evropa e Lirë.

Targat neutrale, si një lloj embrional i “Republikës Srpska” që do ët shpjente drejt federalizimit të Republikës, meqë kështu në themel cënohet vet juridiksioni sovran i Republikës, duket se i parapëlqen të jenë “zgjidhja” e përkohshme për zotin Borrel.

Dikur njëri nga liderët e Kosovës fliste për këtë formë të zgjidhjes “Kosova e hapur ndaj Serbisë dhe ndaj Shqipërisë”!

Zoti Borrel duket se flet si ish ministër i jashtëm i Spanjës, jo si përfaqësues i Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së. Apo ka huazuar stilin dhe metodën e ish politikanit tonë që kishte iluzione se Serbia një ditë në të gdhirë do të tërhiqet nga Kosova falë lutjeve të tij të të premtes?!

Zoti Borrel, Kosova më 17 Shkurt 2008 i ka dhënë fund pozicionit të saj kolonial me Serbinë — ka shpallur mëvetësinë. Këtë status të kolonisë së fundit në Europë, pavarësisht se si i proces ai ishte përmbyllur edhe në Afrikë, Serbia po vazhdonte ta kultivojë në Kosovë deri në 12 qershor 1999. Ishte pikërisht qëndrimi i kancelarive europiane aleate të Serbisë tradicionalisht, që po ia rezervonte Serbisë tutje atë status të kamufluar në formën e neokolonisë, deri më 17 Shkurt 2008.

Kosova z. Borrel, ka vite që po ndërton fizionominë e vet si shtet i pavarur. Ndërkaq duke kultivuar në qeverisje demokracinë progresiv, ndërkohë mëton të jetë pjesë e shtëpisë së përbashkët europiane (BE), të cilën Ti e përfaqëson në politikën e saj të jashtme.

Targat e veturave janë pjesë e juridiksionit sovran, respektivisht sistemit të sigurisë së shtetit. Koha për veprime duale po kalon.

Serbia duhet të mësohet të respektojë pavarësinë dhe autonominë e veprimit të institucioneve të saj, por këtë duhet ta kuptoni edhe ju z Borrel.

Ka ardhur koha që përveç Beogradit, edhe pesë shtetet e BE-së, ta kuptojnë dhe pranonë realitetin faktik se, në një cep të Dardanisë antike, tashmë funksionon Republika e Kosovës.

Ky realitet do të jetë i tillë, derisa të krijohen rrethana të reja që, krejt ngjashëm me Gjermaninë Federale dhe Gjermaninë Demokratike, dy republikat egzistuese shqiptare sot, të ecin drejt bashkimit të natyrshëm.

--

Get the Medium app

A button that says 'Download on the App Store', and if clicked it will lead you to the iOS App store
A button that says 'Get it on, Google Play', and if clicked it will lead you to the Google Play store