Ukraina dhe agjenda e munguar evropiane

Abstrakti

Sadri Ramabaja
17 min readMar 31, 2022

Në Ukrainë edhe pas shuarjes së BRSS, përgjatë këtyre dy dekadave, etnonacionalizmi nuk kishte prodhuar konflikte e përplasje mes etnive ekzistuese: ukrainasve, tatarëve dhe rusëve. Koekzistenca mes këtyre etnive dhe të tjerave më të vogla dukej e mundshme edhe në gadishullin e Krimesë.

Viti që lamë pas i dha fund statusquo-së. Qeveria e Ukrainës humbi kontrollin në Krime dhe në pjesë të tëra të lindjes. Në këtë pjesë të Ukrainës po krijohet me shpejtësi drite, realitet i ri politik. Ukraina de fakto po shndërrohet në një “kuazi-shtet”, siç do të shprehej politikologu Robert Jackson. Gradualisht po rrëshqet në terrenin e shteteve që territore të tëra mbesin jashtë kontrollit të qendërs, të paqeverisura.

BE-ja në rastin e Ukrainës është dëshmuar se mund të kryejë misione historike. Misioni ndërmjetësues i tre ministrave të jashtëm, atij të Gjermanisë, Francës dhe Polonisë, dhanë frutat e para — shmangën përplasjen e Perendimit me Rusinë.

Por a mund të themi tash pas një viti se ka një agjendë të mirëfilltë të BE-së për Ukrainën? Nëse po, duket se Ukraina tek tashti do ta vërej se kjo agjendë, që për moto ka paqen dhe lirinë, ka koston e vet.

Si të kuptohet kjo “mungesë agjende”? A mund të flasim për një ripozicionim gjeopolitik apo rikthim tek aleancat e fjetura? Qarqet konservatore gjermane po tregojnë mirëkuptim ndaj interesave të sigurisë ruse dhe aleates së saj Sebrisë. Ky qëndrim ushqen idetë për promovimin e kursit në dobi të ringjalljes të të ashtuquajturës “traditë e fjetur” ruso-gjermane.

Ky kurs i supozuar është i destinuar të dështojë, meqë ai nuk ka mirëkuptimin e Berlinit zyrtar. Prandaj mund të konkludohet se, ka ardhur koha për ringjalljen e racionalizmit tipik gjerman në fushën e mendimit politik, në dobi të hartimit të një agjende europiane për Ukrainën dhe më gjerë për Evropën Juglindore.

Fjalët çelës: Ukraina, Krimeja, agjenda europiane, gjeopolitika gjermane, diferencimi kulturor dhe konceptual politik, racionalizmi i mendimit politik gjerman.

Hyrje

Rënia e “Perandorisë” moderne ruse, që në historinë politike të shekullit XX-të qe pagëzuar si Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike, para dy dekadave solli në jetën reale të gjeopolitikës Ukrainën si Republikë të pavarur, me kufijtë e saj që ishin përcaktuar gjatë epokës kur kjo “Perandori” ishte në kulmin e lulëzimit të saj. Për dallim nga ish-republikat tjera të rajonit, në Ukrainë përgjatë këtyre dy dekadave, etnonacionalizmi nuk kishte arritur të shpërfaqë përplasje mes etnive ekzistuese: ukrainasve, tatarëve dhe rusëve. Një lloj koekzistence mes këtyre etnive dhe të tjerave më të vogla, vazhdonte të dukej si e mundshme edhe në gadishullin e Krimesë, ku një pjesë e mirë e popullsisë janë të përkatësisë ruse dhe ku vazhdonin të ishin të dislokuara nëndetëset ruse. Një vështrim qoftë edhe sipërfaqësor i hartës së Ukrainës do të dëshmonte pozicionin strategjik që ka ky vend, madje si për NATO-n ashtu edhe për Rusinë. Në lindje vendi kufizohet drejtpërdrejt me Rusinë, ndërkaq tubacionet e gasit në drejtim të Europës kalojnë pikërisht nëpër Ukrainë. Nëpër këto tubacione kalon pothuajse 80% e gasit rus. Ekonomia ruse de fakto të ardhurat jetësore të devizës së dollarit i ka pikërisht falë këtij transporti. Toka humus e njohur e Ukrainës, Chernozem, që përfshinë pothuajse dy të tretat e hapësirës së Ukrainës, vlerësohet si dheu më frytëdhënës në gjithë botën.[1] Ndërkaq rajoni që laget nga brigjet e lumenjëve Dnjepr dhe Dnjestr është i vetëmi në botë, ku gjindet i ashtuquajturi dhe “i ëmbël” që ka një gjerësi prej 500 kilometrash. Kjo sipërfaqe toke cilësohet si pasuria më e madhe e vendit, meqë garanton të korra të mira të grurit.
Ndërmarrësit e mëdhenjë të fushës së agrobiznesit nga Perdimi si Monsanto, Cargill, AMD dhe Kraft Foods, duke logaritur në fundin e përplasjeve të brendshme politike, kanë filluar të vënë dorë në këtë pasuri ukrainase.[2] Në Ukrainën Lindore që kufizohet në tërësi me Rusinë, jetojnë diku mbi 15 milon qytetarë rus, ndërkaq meqë është rajoni më pjellorë ai konsiderohet si hambari i Evropës Lindore. Në vitin 2009 Ukraina ishte, pas SHBA-ve dhe BE-së, pra para Rusisë, prodhuesi më madhë i drithrave të grurit në botë.[3] Duke i shtuar kësaj pasurie edhe rezervat e mëdha të metaleve të ndryshme, mund të parafytyrojmë në përmasa më reale rëndësinë e Ukrainës për secilën nga fuqitë egzistuese të botës. Prandaj mund të konkludojmë se viti 2004 shënon kthesën historike për Uashingtonin, si viti kur është hedhur hapi më strategjik në rrugën drejt »Full Spectrum Dominance« (Dominimit të plotë), si në tokë, oqeane dhe hapësirën yjore, potencon me plot të drejtë Pentagoni. Le të rikujtojmë një fakt: që në vitin 1919 shkruante Halford John Mackinder, babai i gjeopolitikës britaneze, në librin e tij të famshëm Democratic Ideals and Reality (në shqip: “Idealet demokratike dhe realiteti” — zu Deutsch: Demokratische Ideale und Wirklichkeit): “Kush qeverisë Europën Lindore, ai zotëron zemrën e tokës, ai zotron ishujt e botës (kështu e quante ai Euroazinë) — kush qeverisë ishujt e botës, ai zotëron gjithë botën”.[4]
Ukraina me mbi 46 milion banorë paraqet tregun më me interes për prodhuesit gjerman, fill pas atij rus. Deri aty nga fillimi i krizës kishte mbi 2500 firma gjermane që kishin ngritur filialet e tyre ose kishin bashkuar kapitalin me simotrat e tyrenë Ukrainë dhe ishin prezent në tregun ukrainas. Koncerne të mëdha gjermane si: Leoni, ODW, Metro, HeidelbergCement, Rhenus Revival, DHL dhe Remondis janë tashmë prezent në tregun ukrainas.

Fundi i statusquo-së

Viti që lamë pas (2015) i dha fund statusquo-së edhe në këtë gadishull. Qeveria e re e Ukrainës ndërkohë ka humbur kontrollin në Krime. Në përleshjet mes palëve, forcat radikale proruse, në Simferopol, brenda një kohe të shkurtër morën parlamentin rajonal. Në procedurë urgjente, që i ngjante skenarëve të Këshillit Nacional Serb të veriut të Kosovës, forcat proruse, në përmbyllje të puçit, zgjodhën kryeministrin e ri të Krimesë, që nuk njeh qeverinë e Kievit. Në veprim tashmë janë vënë edhe forcat ushtarake ruse. Aeroporti i Simpferpolit tashmë ndodhet në duart e armatës ruse. Nëpër rrugët dhe sheshet e qytetit marshojnë tanket ruse. Qyteti po vazhdon të bëjë jetën e pengut. Në këtë pjesë të Ukrainës u krijua me shpejtësi drite, realitet i ri politik. Duket se ky realitet i ri, sa ishte produkt i naivitetit politik të opozitës nacionaliste, me tone të theksuara fashizmi, aq edhe i cinizmit të përkryer rus.

Brenda orëve, kur në Kiev, pas largimit të presidentit pro rus Viktor Yanukovych, vrushkujt e nacionalizmit kishin vërshuar dhe kishin përmbytur bashkë me sheshet dhe rrugët e Krimesë, duke mbytur edhe racionalitetin politik, po merrej vendimi për heqjen e gjuhës ruse si gjuhë zyrtare në rajonin e Krimesë, duke i dhënë kështu një lloj “legjitimiteti” ndërhyrjes ruse. Në krejt këtë garë pozicionimi, humbës të mëdhenj rezultojnë të jenë, para së gjithash, tatarët e deportuar në epokën e Stalinit, që përbëjnë më se 12% të popullsisë. Ndërkaq, diplomacisë i mbetet të shpëtojë aq sa është e mundur të shpëtohet. Kjo është arsyeja përse vetëm brenda një periudhe fare të shkurtër, Sekretari i Jashtëm i SHBA-ve, John Kerry dhe ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, qenë takuar katër herë. Takimet e fundit ishin dëshmi shtesë për të promovuar se ç’peshë ka fituar Gjermania në relacionet transatlantike.
Deklarata e sekretarit amerikan John Kerry lidhur me këtë, se “SHBA-të i gëzohen rolit të shtuar të Gjermanisë në zgjidhjen e problemeve me karakter global”, dhënë Reuters-it flet shumë. Rrjedha e revolucionit demokratik në Ukrainë ishte jashtëzakonisht e shpejtë. Ngadhënjyes, në përmbyllje të tij, duket se do të jenë shumë palë. BE-ja, me një fuqi motorike si Gjermania në ballë, kësaj radhe është dëshmuar se mund të kryejë misione historike të çastit. Misioni ndërmjetësues i tre ministrave të jashtëm, atij të Gjermanisë, Francës dhe Polonisë, dha frutat e duhura. Vendi u nxor nga gremina e luftës civile, ku dukej se do ta shpinte pashmangshëm qeveria autoritariste e Viktor Yanukovychit, por më e rëndësishmja u arritë me shmangien e përplasjes së mundshme mes Europës dhe Rusisë. Sidoqoftë, a mund të themi se me këtë veprim, agjenda evropiane për Ukrainën u dëshmua e suksesshme? Gjithsesi jo. BE-ja do të duhej të ishte në një masë të mirë edhe vetëkritike, pse Ukraina u gjet buzë luftës civile dhe në prag të pushtimit të pjesëve të saj lindor enga Rusia. Mosreagimi me kohë i BE-së dhe qëndrimi i ftohtë i Fondit Monetar Ndërkombëtar i dha kohë e mundësi kalkulimi diktatorit Yanukovych. Ukraina tashmë ndodhet para kolapsit financiar. Demokracia ka nevojë që të mbështetet fuqishëm dhe populli ta shijojë përmes rritës së mirëqenies. Ky do të ishte një leksion shtesë edhe për BE në hapat e pritshëm për zgjerimin e pritshëm drejt Evropës Juglindore, e natyrisht edhe në raport me agjendën e tij kundruall Ukrainës.

Ukraina peng i gjeopolitikës

Ukraina dhe UE do të shtrëngohen ndërkohë të pranojnë, qoftë edhe me dhimbje, humbjen e rajoneve lindore, ku fjalën e fundit e ka Rusia, ngjashëm siç ndoodhi me Krimenë. Ky proces duket të jetë I pashmangshëm. Krijimi I të ashtuquajturës “Novaja Rasia” gjithandej ku jetojnë rusët etnik në ish republikat e BRSS ka këtë mision. Në shikim të parë duket se nuk është krejt në interesin e Rusisë që të “zhytet” në përmasa publike aktive në luftë për këto zona lindore të Ukrainës. Në këtë rast ajo do të konsiderohej qartë si agresore, meqë do ët marshonte në territore të një vendi të pavarur. Sidoqoftë Rusia mbetet e përqëndruar të mbrojë interesat e saj me çfardo çmimi në Ukrainë. Për këtë duket se koston më të lartë do ta paguajnë rusët etnik të Ukrainës Lindore.

Rusët etnik të Ukrainës Lindore e kanë tashmë të qartë se vetëm përmes rrugëve paralele: rezistencës aktive dhe shprehjes së vullnetit politik (me referendum për mëvetësi), gjejnë mbështetjen e Federatës Ruse dhe krijojnë gjasat për shkëputje të plotë nga Kievi. Për këtë qëllim gjeostrategjik, ata kanë për bazë fjalimin e presidentit rus, Vladimir Putin-it, të mbajtur më 18 mars 2014 në Kremlin para deputetëve të Dumës Rus, para anëtarëve të Këshillit Federal, guvernatorëve të vendit dhe përfaqësuesve të të ashtuquajturës Shoqëri civile që ndërlidhej me kërkesën e Republikës së Krimesë dhe qytetit Sevastopol për t’i pranuar si pjesë përbërëse të Federatës ruse.[5] Që të dy këto rrugë, ata, rusët etnik të Ukrainës Lindore, po i ndjekin me fanatizëm. De fakto pas referendumeve të mbajtura tashmë, rajonet e Ukrainës Lindore janë nën kontrollin e plotë të Moskës. Çfardo ndryshimi i këtij kursi me plane të detajuara afatgjta, është e qartë, do të sillte përplasje me NATO-n dhe pashmangshëm edhe pozicionimin e saj në kufijtë e Rusisë, si skenari më i keq për Kremlinin. Në këtë garë të hapur për dominancë, betejën e fiton kush ka durimin më të madhë. Ukrina Lindore përmes të të ashtuquajturit status të Autonomisë së shkallës së lartë, do të etablohet si entitet politik më vete brenda Ukrainës, ndërkaq orjentimi i saj do të jetë Moska. Duket se Ukraina tek tashti do ta vërej se kjo agjendë, që për moto ka paqen dhe lirinë, ka koston e vet. Gjeopolitika si gjakim për shtrirje të sundimit dhe zgjerim territoresh, konsiderohej si e kaluar — passé. Megjithatë koha po dëshmon se në këtë fillim të shek. 21 ajo po përjeton renesancë të plotë. Ajo çfarë po bën Rusia në Ukrainë është shembull ekzemplar. Përplasjet politike në Kievë mes të djathtës ekstreme, që u cilësuan si grupime neofashiste dhe formacioneve të majta proruse, që do të mund të kishin si kryetema luftën kundër korrupsionit apo ndërtimin e rendit demokratik e shtetit ligjor, shpejt ia lëshuan vendin luftës ndërkombëtare për fuqi dhe influencë. Në një editorial të Financial Times, të publikuar në 23 shkurt 2015, krejt çka po ndodhë për muaj të tërë në Ukrainë e sheh në ndërvartësi me interesat gjeopolitike. „Një çerek-shekulli pothuajse territor i veçantë i Ukrainës ishte objekt përplasjeje mes BE-së dhe Rusisë, që de fakto nuk është asgjë tjetër përveç një lufte gjeopolitike mes Kremlinit dhe Perendimit”.
Në vitin 2008 kishte dështuar përpjekja e presidentit amerikan George W. Bush, që t’i tërheqë brenda NATO-s dy ish republikat e BRSS — Ukrainën dhe Gjeorgjien. „Ndërkaq sërish tashti Revolucioni i Maidan-it i ofron të gjitha palëve mundësinë e dytë, që përmes zgjidhjes së statusit të Ukrainës të rishikohet vija ndarëse e Evropës.” [6] Ukraina me mbi 46 milion banorë, me pozicionin strategjik e pozicionuar në mes Rusisë, Europës, Detit të Zi dhe Kaukazisë po rikthehet sërish në qendër të interesave gjeopolitike dhe gjeostrategjike. Ajo gradualisht de fakto po shndërrohet në një peng të gjeopolitikës. Koha po e dëshmon se Ukraina po rezulton si një fushëbetejë, ku po përplasen interesat e Rusisë, BE-së dhe SHBA-ve. Por, ashtu si Shqipëria në prag të Luftës së dytë Botërore që ishte shndërruar në peng në “lojën e dy blloqeve kundërshtarë në diplomacinë Europiane”[7] (njëri prej këtyre blloqeve kryesohej nga Italia e tjetri nga Franca), edhe Ukraina sot po pëson nga përplasja e interesave ruse e amerikane, por edhe nga mungesa e një agjende evropiane për të qenë. Të gjitha palët e kanë të qartë se “Eurasia mbetet tutje një trampolinë, prej nga edhe në të ardhmen do të varet lufta për dominimin global .”[8]
Ukraina de fakto po shndërrohet në një “kuazi-shtet”, siç do të shprehej politikologu Robert Jackson, tek cilësonte si të tilla zonat që ndërkombëtarisht njihen si shtete sovrane, por që në esencë paraqesin territore të paqeverisura, ashtu si janë shndërruar disa nga vendet e Evropës Juglindore (Bosnja shembulli më eklatant). Kuazi-shtetet kanë të gjitha atributet e jashtme të shtetësisë — gëzojnë njohje ndërkombëtare nga shtetet tjera, zënë ulëse në OKB dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare, si dhe mbajnë marrëdhënie diplomatike me shtete të jashtme (p.sh., duke qenë nikoqir të ambasadave të shteteve të tjera). Mirëpo, brenda territorit, qeveria e vendit nuk gëzon sovranitet, ajo nuk ushtron pushtet në gjithë territorin e saj si pasojë e dobësive administrative të qeverisë apo edhe të konflikteve të brendshme,[9] siç është rasti flagrant me Ukrainën. Jackson, në përdorimin e termit kuazi-shtet kishte parasysh vende të subsaharasë afrikane si Somalia, Liberia, Kongoja etj. që ndonëse ekzistonin dhe ekzistojnë në hartën ndërkombëtare si shtete sovrane, nuk qeverisën si të tilla shkaku i luftërave civile, qeverive joefektive dhe ndarjeve të tjera të thella politiko-territoriale. Me veprimet ushtarake në Gadishullin e Krimesë, Moska hapur ka cenuar sovranitetin dhe integritetin e Ukrainës. Por, pavarësisht këtij fakti të hidhur, diplomacia perëndimore tutje mund të thirret në marrëveshjen e vitit 1994, që ishte arritur mes Rusisë, SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe, e që kishte të bënte me garantimin e sovranitetit të Ukrainës, kur qeveria ukrainase ishte pajtuar që ta dorëzojë armatimin e saj nuklear. Bazuar edhe në këtë marrëveshjeje, Moska do të duhej të detyrohej të respektojë sovranitetin e Ukrainës. Përndryshe agjenda evropiane lidhur me Ukrainën do të shihej si inegzistente, respektivisht e mangët.

Aneksimi i Krimesë akt i kryer

Rrethimi strategjik ushtarak i Rusisë përmes tërheqjes së Gjeorgjisë dhe Ukrainës në gjirin e NATO-s tashmë duket si tentativë ushtarakisht e parealizueshme. Çështja prandaj kalon në tavolinat e bisedimeve. Rruga që shpije Rusinë drejt Detit të Zi natyrisht duke kaluar nëpër Krimenë që deri dje ishte pjesë përbërëse e Ukrainës, duket se është dhe do të mbetet plotësisht nën kontrollin rus. Rusia edhe përmes mbështetjes që po ua bën forcave kryengritëse ruse në Ukrainë po dëshmon se nuk është e gatshme të lëshoj pe që doët reflektohej në humbjen e influencës së saj në Ukrainë. Madje ajo tashmë është dëshmuar se është e përqëndruar që të provokojë edhe përplasje më ët mëdha në dobi të ruajtjes së ifluencës mbi Ukrainën. Kancelarja gjermane ka arritur në aparencë ta menagjojë mirë krizën e euros në Eurozonë, ta shtyjë për kalendrat greke çështjen e veriut të Kosovës (i lënë jo pa qëllim si “konflikt i ngrirë” duke improvizuar me të ashtuquajturën marrveshje të 19 prillit 2013 dhe 25 gushtit 2015 edhe ruajtjen e interesave serbe në Kosovë), ndërkaq në rastin e përballjes paksa më serioze, siç ishte aneksimi i Krimesë nga ana e Rusisë dhe marrja nën kontroll e një pjese të mirë të Ukrainës lindore, ajo, por edhe Evropa, sërish na shpërfaqen të tilla çfarë në realitet janë- tejet labile, duke e konsideruar si pushtimin e Krimesë ashtu edhe të zonave lindore të Ukrainës të banuara me rusë, si akt të kryer. Ky dualizëm ka të bëjë me mungesën e vizionit të qartë për politikat e jashtme dhe ato të përbashkëta të Gjermanisë, siç vëren me të drejtë Steven Hill [10], përveç tjerash edhe autorl i librit Europe’s Promise: Why theEuropean Way is the Best Hope in an Insecure Age (Premtimi i Europës: Pse rruga evropiane është shpresa më e mirë në një epokë të pasigurtë).
Në historinë politike gjermane të pas Luftës së Dytë Botërore secili nga kancelarët i dha vulë epokës së tij, duke u shndërruar në personalitet lider dhe me ndikim edhe në rrafsh botëror. Të kujtojmë ndikimin e kancelarit Villy Brandt me vizionin e tij për politikën gjermane në raport me Lindjen ose Helmut Kolin që shkoi në histori si kancelari që bëri bashkimin e Gjermanisë. Angela Merkel ka një shansë ideale për veprim në Evropën Juglindore, dukepërçuar mesazhe të qarta si në adresë të Beogradit zyrtar në raport me veriun e Kosovës, ashtu edhe në adresë të Shkupit zyrtar lidhur me çështjen e emrit të Shtetit dhe koegzistencës me shqiptarët atje, por edhe me përafrimin me Greqinë, të gjitha tok në hap me proceset integruese të rajonit në NATO dhe në BE, e me këtë edhe me rikthimin e plotë të interesave gjermane në rajon. Përmes këtij kursi të ri gjerman, kancelarja do të mund të hynte në histori si vizionare e mirëfilltë, duke ia rikthyer plotësisht Ballkanin kontinentit të vjetër.

Duke ia rikthyer Ballkanin Perendimor plotësisht familjes euroatlantike Europa do ët kontribuonte ndjeshëm edhe në forcimin e lidhjeve ët saj të forta transatlantike si domosdoshmëri për përballje ët sukseshme ndaj ambicjeve gjeopolitike të Rusisë.

Ripozicionim gjeopolitik apo rikthim tek aleancat e fjetura?

Politikat që kishte ndjekur pararendësi i saj, Gerhard Shrëder, lidhur me forcimin e marrëdhënieve ekonomike me Rusinë, tashmë po dëshmohen si të dështuara. Ndërkaq kursi i ri gjerman i kujdeshëm në raport me prosperimin e reformave brenda BE-së, që dëshmoi më shumë idenë për europianizimin e Gjermanisë se sa gjermanizimin e Evropës, siç trumpetohej nga euroskeptikët, do të mund të fitonte peshë në rast se Berlini do të përqëndrohej më shumë në zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull në Gadishullin Ilirik. A ka gjasa që këtij kursi t’i japin shtysën e duhur socialdemokratët, si partner me përvojë në orjentimin e tyre proevropian? Si qëndrimi diferencues i ministrit të jashtëm gjerman Frank Vallter Shtajnmajer (Frank-Walter Steinmeier) ashtu edhe ai i udhëheqësit të socialdemokratëve, njëherësh partner në qeverisjen aktuale të Gjermanisë, Sigmar Gabriel, pritet që të influencojnë ndjeshëm në kursin e politikës së jashtme të kancelares, duke i dhënë një drejtim të ri. Pa një agjendë të tillë nuk mund të flitet për një Gjermani me ide të reja, më dinamike dhe për një Evropë të sheklullit 21.
Në veriun e Kosovës ka kohë që është etabluar pushteti i Serbisë përmes të të ashtuquajturëve grupe nacionaliste serbe. Kjo u shpërfaq pa maska edhe me rastin e defilimit të xhandarmërisë serbe në protestën e së dielës që po lamë pas në Mitrovicë. Shtatë kushtet që i pat parashtruar Berlini zyrtar për Serbinë para se asaj t’i jipej statusi i vendit kandidat për BE, fare pa filluar as të ashtuquajturat biseda teknike mes Prishtinës dhe Beogradit,ishin në përputhje me vizionin gjerman për rajonin, gjakimin për stabilitet dhe paqë afatgjatë në rajon. Çfarë ndodhi ndërkohë? Prej nga ky mirëkuptim për pozicionin e Serbisë në veri? Ky lloj i mirëkuptimit në raport me politikat aktuale serbe, që vije disi si zgjatim i mirëkuptimit të shpërfaqur të qarqeve të ndryshme gjermane për politikat e Putinit në Krime dhe përgjithësisht në Ukrainë, duke filluar nga konservativët e llojit të Alexander Gauland-it dhe Peter Gauweiler-it e deri tek ato të dy ish kancelarëve pararendës socialdemokratë dhe të Gregor Gysi dhe Sarah Wagenknecht, flet qartë për dualizmin egzistues të politikës së jashtme gjermane. Kjo tumirje e interesave ruse të sigurisë, që po reflektohet edhe me një lloj trajtimi tejet të zbutur ndaj Serbis, hedh dritë edhe në dobësitë gjermane në raport me vlerësimin real të potencialit të rrezikshmërisë me të cilin përballen një lagje shtetesh në Lindje dhe Juglindje të Evropës. Pasojat që do të prodhonte ky lloj “mirëkuptimi” gjerman për sigurinë Ruse në njërën anë dhe atë Serbe në veriun e Kosovës, mund të jenë me përmasa të paparashikueshme edhe për vet Gjermaninë, por mbi të gjitha për Gadishullin Ilirik, Poloninë dhe republikat e Baltikut. Polakët nuk mund ta harrojnë kurrë sesi në kurrizin e tyre ishin bërë marrëveshje mes Rusisë dhe Gjermanisë që nga fundi i shekullint XVIII e deri tek i famshmi pakt mes Hitlerit dhe Stalinit (1939). Ndërkaq shqiptarët i kanë të stivuara gjithashtu në kujtesën e tyre historike vendimet tragjike të Kongresit të Berlinit (1878) për shkëputjen e Toplicës (8 qytete dhe mbi 600 fshatra shqiptare) në dobi të interesave serbe në këtë pjesë të hapësirës shqiptare që sot paraqet Serbinë Jugore dhe të Hotit, Grudës, Tivarit e Ulqinit në dobi të Malit të Zi!

* * *

Tashmë jemi dëshmtarë të rikthimit të gjeopolitikës e me këtë edhe të ripozicionimeve të shteteve në blloqe politike, ndërkaq Moska po vazhdon të shërbejë për një pjesë të popujve të Evropës Juglindore, si pikë graviteti.
“Në Ukrainën Lindore separatistët pro-rusë mbajnë flamurin e ‘bashkimit pansllavist’ të besimtarëve të Kishës Ortodokse; në Lindjen e Mesme, Shteti Islam dhe grupe terroriste janë duke u bërë thirrje myslimanëve për të luftuar për kalifatet e tyre. Ballkani gjendet në udhëkryq mes Evropës Qendrore, Azisë dhe Lindjes së Mesme. Në qoftë se rajoni mbetet në vakumin strategjik, ai fare lehtë mund të plotësohet nga aktorët që mund të jenë jo të pëlqyerit e BE-së.”[11] Ky do të ishte gabimi më i madhë historik, nëse agjenda e munguar evropiane për Ukrainën, pretendohet të korrigjohet në Evropën Juglindore në dobi të Serbisë dhe me shpresë se kështu Rusia do të mbahej larg kësaj zone eruptive. Mirëkuptimi ndaj interesave të sigurisë ruse dhe aleates së saj — Sebrisë, nga ana e qarqeve konservatore gjermane, gjithësesi që kanë të bëjnë me kartën e ripozicionimit gjeopolitik. Ky qëndrim ushqen idetë për promovimin e kursit që do të shpiente drejt një pozicionimi të ri gjerman në dobi të ringjalljes së një lloj tradite të fjetur ruso-gjermane.

Kjo hipotezë imja nuk ka të bëjë fare me atë që ndërlidhet me ristrukturimin gjeopolitik të Evropës në këto dy dekadat e para të shek. XXI. Po të kishim parasysh konkluzionin e Klaus-Achim Bosler-it se strukturat gjeopolitike të Europës do të pësojnë ndryshime rrënjësore,[12] atëherë duket se tashmë jemi në fillimin e këtij ndryshimi.

Ky ndryshim ka të bëjë esencialisht, siç do ët shprehej J.Fisher, “…me të zgjedhurit mes vetëvendosjes dhe dominimit të jashtëm. Ajo se si e trajton Evropa këtë çështje do të përcaktojë jo vetëm fatin e vet, por edhe atë të Perëndimit.”[13] Ribalancimi i këtyre pozicioneve do ta kthente vëmendjen tek qëllimet reale të gjeopolitikës gjermane: forcimi i prioriteteve të Gjermanisë në rrafshin ekonomik dhe politik brenda BE-së; ushtrimi i influencës gjermane në Evropën Lindore dhe Juglindore; mbajtja e Rusisë nën kontroll në kornizat e sigurisë, duke mos cenuar interesat ekonomike etj. Krejt këto, është në interesin imediat gjerman, që të bëhen në marrëveshje të plotë me SHBA-të ndërkaq ato, mrveshjet, të jenë gjithësesi në përputhje me interesat specifike gjermane.

Përfundim

Natyrisht agjenda të kësaj natyre janë të destinuar të dështojnë, meqë ato, jo vetëm që nuk do të gjejnë mirëkuptimin e Berlinit zyrtar, por parasësgjithash as të popujve, interesat e të cilëve vihen sërish në rrezik. Ndërkaq fakti se ky kurs do të sillte vet Aleancën Atlantike dhe Bashkimin Evropian para sfidës më të madhe historike, e bën atë të pamundur, duke e përshpejtuar diferencimin mes Perendimit dhe Rusisë. Shikuar në retrospektivë, shih për këtë, ky diferencim jo vetëm kulturor dhe konceptual politik mes Perendimit dhe Rusisë, duket pothuajse si ajo bërthama e amzës së historisë që e bën Perendimin më perendimor pikërisht përmes shpërfaqjes së traditës së tij në rrafshin e vlerave politike që pasqyrohen në vet sistemin politik plural, kulturën e theksuar të individualizmit progresiv, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, sovranitetin popullor dhe demokracin përfaqësuese.

Me invadimin ushtarak të Rusisë dhe aneksimin e Krimesë, dhe luftën që pasoi në Ukrainën lindore, konkludon Joshka Fisher, ish ministri i jashtëm gjerman, Presidenti Vladimir Putin ka bërë më se të qartë se nuk ka ndërmend të respektojë paprekshmërinë e kufijve dhe supremacinë e normave juridike ndërkombëtare. Është koha që evropianët t’i japin fund të të menduarit të tyre ëndërrimtar për një rend në kontinent të përcaktuar nga sundimi i së drejtës.[14]

Perendimi transatlantik, pjesë e të cilit tashmë është edhe nukleusi i Kombit dhe Shtetit Shqiptar (Republika e Shqipërisë), ka marrë në konsideratë edhe këta elementë të traditës historike. Gjatë bisedimeve që kishte ndërmarrë BE-ja me Kievin, por edhe me Shkupin, Tiranën, Prishitnën… në raport me marrveshjen e Asociimit dhe të vet statusit kandidat për aderim në BE, kishte ringjallur shpresat dhe optimizmin se këto vende tashmë nuk janë para alternativës: me Brukselin apo me Moskën. Mundet që Beogradi, ashtu si ka luajtur për më shumë se një shekull me kartën edhe me Perendimin por edhe me Rusinë, ka krijuar iluzione në Berlin, por kjo nuk do të thotë se loja mund të vazhdojë në pambarim. Ky momentum historik do të duhej të shërbente, shih për këtë, për rikëndellje të plotë jo vetëm të Berlinit, por gjithësesi edhe të Brukselit si kryeqendra të Evropës sonë të përbashkët. Dhe, që të arrihet ky momentum, ka nevojë urgjente për ringjalljen e racionalizmit tipik gjerman në fushën e mendimit politik.

_________________________

Botuar në:
IJASOS- International E-Journal of Advances in Social Sciences, Vol.II, Issue 4, April 2016

____________

1. Stepan P. Poznyak, »Ukrainian Chornozem: Past, Present, Future«, Beitrag zum 18. World Congress of Soil Science, 9.–15. Juli 2006, unterhttp://www.ldd.go.th/18wcss/techprogram/P12419.HTM.

2. Amerikanische Handelskammer in der Ukraine, Chamber Members, unterhttp://www.chamber.ua/.

3 .Press Trust of India, 2009: »Ukraine Becomes World’s Third Largest Grain Exporte«, unterhttp://blog.kievukraine.info/2009_12_01_archive.html.

4. Haxhi Ferati, “Gjeopolitika dhe Gjeostrategjia”, Prishtinë, 2013, f 56–57; Halford J. Mackinder, Democratic Ideals and Reality, 1919, Nachdruck 1942, Henry Holz and Company, S. 150.

5. http://geopolitik-studien.de/putins-rede-zum-beitritt-der-krim/

6. Peter Schwarz: https://www.wsws.org/de/articles/2014/02/27/ukra-f27.html

7. Herman Bernstein: https://www.voal.ch/new-york-times-1934-shqiperia-e-vogel-eshte-pengu-i-nje-loje-te-madhe-diplomatike-nga-herman-bernstein-ambasadori-i-shba-ne-shqiperi/

8. Zbigniew Brzezinski: “The Grand Chessboard. American Primary and Its Geostrategic Imperatives”, deutsch: “Die einzige Weltmacht — Amerikas Strategie der Vorherrschaft”, Fischer Taschenbuch Verlag, f.15/16

9. Besnik Pula: http://sbunker.net/teh/48807/e-ardhmja-si-kuazi-shtet/

10. Shih: www.Steven-Hill.com

11. Blerim Reka: http://www.worldreview.info/content/western-balkans-peace-europes-unfinished-mission

12. Klaus-Achim Bosler: file:///home/sadri/Downloads/EK_1997_51–4–03%20(1).pdf

13. Joschka Fischer: https://www.project-syndicate.org/commentary/geopolitics-returns-to-europe-by-joschka- fischer-2015–11

14. J.Fischer, po aty

--

--

No responses yet